Shembull karakteristik i shtepise qytetare muslimane te Tetovës në fillim të shekullit të XIX me tërë elementet hapësinore dhe dekorative është shtëpia e Beut në Tetovë. Organizimi hapësinor i shtëpisë është në korelacion me kushtet dhe rrethanat  ekonomiko-shoqërore të kohës kur është ndërtuar, mirëpo me vete bart edhe paradigmën e idesë perenniale mistike islame, e cila njëkohësisht është e përfaqësuar edhe në objektet sakrale të ndërtuara ose të rekonstruara në këtë periudhë në Tetovë. Si rrjedhojë lirisht mund të thuhet se shtëpia e Beut si nga aspekti i zgjidhjeve ndërtuese ashtu edhe nga aspekti i dekorimit është në relacion të drejtë me Xhaminë e Larme dhe me kompleksin  Harabati Baba Teqe.

Kushtet klimatike dhe reliefi kane ndikuar qe ndertuesit ne konstrukcionin e shtepisë te perdorin drurin, mirëpo përdorimi i drurit njëkohësisht paraqet edhe nduarnduarësinë e objektit të ndërtuar me natyrën e gjallë. Druri është I gjallë dhe ne shtëpinë e Beut, xhaminë e Larme dhe Harabati Baba Tekken jeton se bashku me mikun e vet eternal dheun të vendosura mbi shtresat e gurrit të përpunuar mire që është në pjesën e poshtme të objektit.

Shtëpia  është  e vendosur në trajtë të lire, nuk është e ngulfatur, është e tërhjekur në pjesën e pasme të kopshtit të gjerë, i cili ka një hortikulture mahnitëse. Kopshti i gjerë është i rrethuar me murrë të lartë dhe hyrja në kopsht është realizuar nëpërmjet të katër dyerve që në trajtë simetrike janë të vendosura në katër anët e kopshtit.

Liria e vendosjes së objektit dhe përjetimi i kësaj ndjenje të relaksimit dhe mosngulfatjes në Shtëpinë e Beut por edhe në të ngjashmet në ndërtimtarinë osmane të kësaj periudhe  e simbolizon lirinë e shpirtit të njeriut brenda gjithësisë në tërësi. Shpirtii i njeriut është i trazuar për shkak të rrethimit material dhe e vetmja gjë që ka mundësi ta qetësojë atë në këtë konstelacion ekzistencial është mundësia e përjetëmit të pafundësisë së gjithësisë, yjeve, natyrës, luleve , gjelbërimit. Gjerësia e oborrit e mundëson meditimin dhe vatërzimin e shpirtit dhe arsyes në lartësitë dhe estetikën e yjeve dhe kozmosit, ndërsa hortikultura e afron atë me natyrën e gjallë. Murret përreth oborrit e mundësojnë intimitetin për të cilin ka nevojë njeriu si në përmasën lëndore ashtu edhe në atë tejlëndore. Katër dyert  njëkohësisht i kemi edhe në kompleksin Harabati Baba dhe përfaqësojnë katër gradët e ngritjes shpirtërore. Secila prej tyre simbolizon njërën trajtë të ngritjes shpirtërore dhe adhurimit të Zotit. E para është ligji fetar (sheriati) e dyta përshpirtshmëria fetare, rruga mistike ( tarikati), e treta është sendërtimi real i të ekzistuarit (hakikati) dhe e katërta është njohja reale e qenësisë (marifeti).

Njëlloj si në pjesën e oborrit ashtu edhe në katin e shtëpisë ka një çardak (hol) të gjerë me tavan  të dekoruar bukur me gdhendje në dru dhe me ngjyra të ngjashme me ata të kupës qiellore. E kaltërta dhe e e arta janë ngjyrat më të spikatura në dekorimin e tavanit por të përfaqësuara në platformën e drurit. Edhe këtu druri e paraqet gjallërinë që cdo lëndë në arenën e qenësisë e merr prej Zotit, në këtë bëjnë pjesë edhe qielli dhe yjet. Njëkohësisht çardaku është edhe vendi ku shpijanikët ose edhe mysafirët kanë bërë biseda të karaktereve të ndryshme, gjegjësisht një prej emrave të tij është edhe divanhane që d.t.th. vend bisede dhe diskutimi. Vetë qëndrimi në një ambient të këtillë artistik dhe të gjallë njeriun e frymëzon. Gjithashtu edhe dhomat në pjesën e banimit janë katër, ashtu si edhe dyert e hyrjes në oborrin e shtëpisë dhe e kanë simbolikën e njëjtë .

Në dekorimin e tavaneve dhe mureve për dallim nga objektet sakrale të asaj kohe të restauruara po nga pronari kësaj shtëpie Koxha Rexhep Pasha dhe i biri i tij Abdurrahman Pasha më tepër janë të përdorura vijat e drejta dhe këndet, gjegjësisht figurat gjeometrike. Ndërsa në Xhaminë e Larme dhe Harabati Baba Teqenë më tepër është përfaqësuar vija e lakuar. Këndi dhe vija e drejtë janë karakteristikë e profanes , e artit të njeriut, ndërsa e lakuara e artit të Zotit. Në natyrë nuk ka kënde as vija të drejta , por kryesisht të lakuara. Ngjyrat e përdorura në dekorimin mural janë të ngjashme dhe e përfaqësojnë periudhën e ndikimit të artit osman nga baroku perëndimor dhe krijim i një lloji të baroku osman, ku në pjesë të madhe format janë naturmorte ndërsa prapavija dhe platforma e gjallë.

Për fund lirisht mund të thuhet se Shtëpia e Beut në Tetovë si nga aspekti ndërtimor ashtu edhe nga ai simbolik paraqet një objekt përfaqësues të arkitekturës dhe përshpirtshmërisë islame të kohës së vet. Për pasojë është bir i kohës kur është ndërtuar, ndërsa nënë e ndjenjave tona.