Category: Drita Islame

  • METIN IZETI – METAFIZIKA E AGJËRIMIT TË RAMAZAN-I SHERIFIT

    METIN IZETI – METAFIZIKA E AGJËRIMIT TË RAMAZAN-I SHERIFIT

    Muaji I Ramazanit është muaji I nëntë I kalendarit hixhrijj dhe I fundit prej tre muajve me rëndësi të posaçme në traditën Islame. Ramazani është muaj I rahmetit, magfiretit, ngritjes shpirtërore, respektivisht me ardhjen e tij në brendinë e atyre që agjërojnë paraqitet një klimë shpirtërore e cila e ushqen dhe ndërton metafizikën e njeriut.

                Agjërimi, namazi I teravisë, iftari, syfyri dhe mukabelet që vijnë së bashku me muajin e Ramazanit inicojnë  ndryshim  bazorë në shpirtin e besimtarit.

                Si çdo ibadet tjetër ashtu edhe agjërimi ka rregullat e veta të parapara me fikhun (drejtësinë) islamik, mirëpo unë në këtë shkrim do të ndalem kryesisht rreth metafizikës dhe anës shpirtërore të agjërimit.

                Ibadeti I agjërimit nuk është I posaçëm vetëm për periudhën pas ardhjes së Muhammedit a.s., por të gjitha shoqëritë dhe popujt duke filluar prej Ademit a.s. kanë qenë të obliguar me agjërimin. Madje edhe disa fe pa shpallje brenda formave të adhurimit të tyre rëndësi të veçantë I kanë kushtuar agjërimit. Kështu p.sh. Sabiijtë kanë agjëruar 46 ditë në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit. 30 ditë kanë agjëruar duke filluar prej 8 Marsit, 9 ditë pas 21 Dhjetorit dhe 7 ditë pas 9 Shkurtit.( Shiqo: Biruniye Gore Dinler ve Islam Dini , Gunay Tumer, Ankara1991, f. 196).

                Prezenca e agjërimit si ibadet në një numër të madh të feve dhe doktrinave tregon se njeriu dhe metafizika e tij janë kalitur me këtë ibadet. Përderisa trupi I njeriut ushqehet me produktet materiale, fizike, shpirti I tij ka nevojë për ushqim transcedental. Shpirti  këtë ushqim të lartë në mënyrë më të përsosur ka mundësi  ta pranojë kur trupi dhe fizika e tij është në pushim dhe larg prej kënaqësive simbolike , kurse në kërkim të kënaqësisë dhe pasioneve reale-absolute.

                Kurani Famëlartë flet për agjërimin e popujve të mëparshëm ku thuhet:” O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe I atyre që ishin para jush , kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare 183). Edhepse mënyra e besimit dhe praktikës fetare në fetë e shpallura nuk është identike,  të gjitha fetë prej ithtarëve të vet kanë kërkuar agjërimin si formë të adhurimit. Vazhdimësia historike e këtij ibadeti argumenton vlerën e tij në ndërtimin e tipit të njeriut besimtar.

                Nuk ka dyshim se urdhërat dhe ndalesat e Allahut xh.sh janë për të mirën e njeriut. Çdonjëri I cili I pastër prej barierave të jashtme dhe paragjykimeve I afrohet fjalës hyjnore e sheh dhe e kupton këtë realitet. Asnjë arsye reale nuk mund të pranojë se në avanturën, alkoolin, mashtrimin, nuk ka dëm për njeriun dhe shoqërinë ku ai jeton. Gjithashtu edhe largimi prej tyre përmban dobi të panumërta për individin dhe shoqërinë.

                Në Kuranin dhe Praninë Hyjnore nuk ka asnjë urdhër ose ndalesë e cila është në kundërshtim me arsyen e pastër dhe origjinale të njeriut . Arsye e cila bazët e saja I ka në zemër(fuad) dhe shpirt. Kurani përmban parime dhe mesazhe universale dhe mbikohore, prandaj edhe arsyeja e kufizuar me vend dhe epokë të caktuar dhe pa shpirt has në vështirësi evidente gjatë zbërthimit të disa momenteve që kanë të bëjnë me zemrën dhe shpirtin. Ky fakt u mundëson atyre që Kuranin dhe Islamin e konceptojë me shpirt të mendojnë dhe studjojnë ate dhe vokabularin e tij me një dinamizëm maratonik.

                Një numër I madh I ibadeteve të prezentuara në fjalën Hyjnore krahas dobive praktike individuale ka funkcion të posaçëm në pastrimin dhe ngritjen e personalitetit (nefsit) të njeriut. Përderisa dobitë fizike, materiale të agjërimit janë vërejtë nga ana e dijetarëve, produktet metafizike të tij janë prezentuar dhe evidentuar në ekranin e zhvillimit historik të njeriut.

                Feja Islame ka vendosur një sistem nëpërmjet të cilit individi bëhet besnik, tolerant, koherent në shoqërinë  ku ai jeton, por njëkohësisht fjala hyjnore e ka sistematizuar edhe  kontaktin, respektivisht relacionin e njeriut me Krijuesin, ka mundësuar që ky relacion të ndjehet dhe dendësohet edhe më. Pjesën bazë të këtij relacioni e përbëjnë ibadetet, ndërsa agjërimi është I pari në këtë rradhitje, për arsye se agjërimi është një ibadet përplot me ndjenja shpirtërore dhe moment ku dashuria dhe respekti mes njeriut dhe Krijuesit të tij arrinë kulminacionin. Njeriu gjatë agjërimit është bashkë vetëm me të Plotfuqishmin, pasi agjërimi nuk ka asnjë demonstrim formal si namazi dhe haxhxhi. Për pasojë, themi se agjërimi është një ibadet shpirtëror gjegjësisht ibadet I zemrës (fuad).

                Allahu I Lartmadhërishëm në një hadith-I kudsijj thotë: “Çdo vepër që njeriu e bën e ka për vete. Përveç agjërimit. Ai bëhet për Mua dhe Unë do të jap shpërblimin për te” ( Buhari Savm, 2\9; Muslim, Sijam 30). Pikështrirja e këtillë e agjërimit pengon në masë të madhe hipokrizinë e brendshme të personit.

                Njeriu gjatë agjërimit  me vullnet të lirë qëndron larg prej pasioneve të epshit dhe duron pa ngrënë dhe pa pi. Në këtë mënyrë ai edukon vullnetin e tij dhe përfiton një kulturë të durimit. Suksesi I individit në të gjitha lëmitë e jetës është ngushtë I lidhur me edukimin e vullnetit dhe këmbënguljen e cila kushtëzohet me durim. Individët me vullnet të dobët dhe pa këmbëngulje nuk bëhen të suksesshëm as në këtë e as në botën tjetër.Edhe vet kryerja e ibadeteve është e karakterizuar me vullnet të lartë dhe të fortë. Agjërimi duke marrë nën kontrol dëshirat e epshit  (nefsit) mundëson çiltërsinë e shpirtit respektivisht bën pastrim psikologjik. Për pasojë, shohim që agjërimi në të gjitha fetë dhe kulturat është përdorur si metodë e ngritjes shpirtërore (muxhahede, rijazat).

                Trazirat të cilat paraqiten në jetën shoqërore të njeriut në masë të madhe janë pasojë e zhytjes së tepërt në ngopjen e kënaqësive materiale. Ndërsa agjërimi është një ilaç I cili e largon njeriun prej kënaqësive dhe epsheve momentale dhe I mundëson që në mënyrë të shëndoshë të rrokë kënaqësinë e amshueshme. Pejgamberi në një hadith thotë: “ Agjërimi është mburojë. Kur dikush prej jush të jetë duke agjëruar le të mos folë fjalë të liga e as të përleshet. Nëse dikush tjetër I bën një gjë të tillë le të thotë: Unë jam duke agjëruar” ( Buhari, Savm, 2\9; Muslim, Sijam 29,30; Tirmidhi, Iman 8 .) .

                Sipas këtij hadithi agjërimi është një mburojë për ata që e ndjejnë ate si duhet. E mbron njeriun prej të ligave. Respektivisht agjëruesi ngarkohet me obligimin e vendosjes së paqës dhe unitetit në shoqërinë njerëzore. Ramazani përveç lukthit kërkon që edhe të gjithë organet tjera të agjërojnë dhe të jenë larg prej ligësive dhe gjynaheve. Kështuqë iftari gjuhës të jetë fjala e bukur, Iftarii zemrës ndjenja e mirë, iftari I dorës puna e hajrit, iftari I syrit shiqimi në bukuritë e qenësisë , iftari I arsyes të jetë kultivimi I mendimeve dhe projekteve për të mirën e njerëzimit dhe ngritjen shpirtërore. Ndërsa iftari I vërteë I tyre do të jetë në shiqimin në Xhemalin (bukurinë) e Allahut xh.sh, në ditën e ahiretit.

                Thënë shkurtë , muaji I Ramazanit është momenti kur e keqja dhe jonjerëzoreja duhet të zbresë në minimum. Hapja e dyerve të xhennetit dhe mbyllja e dyerve të xhehennemit  në hadithin e Pejgamberit a.s. ( Buhari , Savm 5; Muslim, Sijam 1.) simbolizon kryerjen e veprave të cilat na afrojnë në xhennet si, namazi, zekati, solidariteti, vizitat dhe largimin prej veprave të cilat afrojnë në xhehennem.

                Në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. thotë: Për agjëruesin ka dy gëzime, njëri në momentin e iftarit kurse tjetri në takimin me Allahun xh.sh. ( Buhari, Savm 9; Muslim, Sijam 30). Në këtë hadith Hazreti Pejgamberi bashkarisht përmend dy momentet më të larta për qenien njerëzore. I pari shpreh shpërblimin e vullnetit të edukuar kurse I dyti shpërblimin e shpirtit të ngritur.

    Fjalët  do ti përfundoj me disa vargje të Jahja Qemalit:

    “ Me zërin e furishëm të topit kaloi edhe një ditë në bregdet
     Prej momentit kur u dëgjua zëri I topit, momentit të iftarit
     Një hare me nur I kaploi shtëpitë e ulta
    Ja Rabb sa e gëzuar bota, sa e pastër më duket
    Mbeta pa agjërim  dhe hare në sokakun e qetë”.

  • METIN IZETI – PËRFAQËSIMI I VËRTETË I FESË NË SHEMBULLIN E PEJGAMBERIT A.S.

    METIN IZETI – PËRFAQËSIMI I VËRTETË I FESË NË SHEMBULLIN E PEJGAMBERIT A.S.

    “ Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit” (Nahl, 16:125); “ … e ti (o Muhammed) thirri te Zoti yt, se pa dyshim ti je në një rrugë të drejtë” ( Haxhxh, 22:67); “O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtarë përgëzues dhe qortues” (Ahzab, 33:45). Ajetet e sipërpërmendura dhe një numër i konsiderueshëm i ajeteve tjera në Kur’an në mënyrë direkte ose indirekte përfaqëson mënyrën e vërtetë të prezentimit të fesë edhe atë nëpërmjet të shembullit të Pejgamberit a.s.. Përjetimi i vërtetë vlerave fetare në shoqëritë e pejgamberëve dhe brezave të ndryshëm të historisë së shoqërisë njerëzore i nxjerr ata prej të qenurit utopiste dhe të pakapshme për njeriun.

                Si pejgamberët tjerë ashtu edhe Muhammedi a.s.  në proçesin e thirrjes dhe përkujtimit të vlerave të vërteta njerëzore dhe fetare ka ndjekur vijën e shpalljes dhe vetëm nëpërmjet të saj ka arritur të jetë i suksesshëm. Ky proçes profetik njëkohësisht është edhe shembull për ithtarët e tij në përfaqësimin e vlerave të prezentuara nga ana e Pejgamberit a.s.. Ka disa karakteristika të cilat dukshëm kanë ndikuar në suksesin e pejgamberëve e posaçërisht të Pejgamberit a.s.. Ndër më të rëndësishmet mund të përmenden:

                1.Dija

    Allahu xh.sh. të dërguarit e Tij  i furnizoi me dije më të lartë se popujt të cilëve ua prezentonin të vërtetat hyjnore. Ademit a.s. ia mësoi emrat (konceptet), Idrisin a.s. e ngriti në një pozitë të lartë, Sulejmanit a.s. ia mësoi gjuhën e gjallesave, Davudit a.s. dhe Jusufit a.s. ua mësoi hikmetin (urtinë), Musait a.s.ia dha muxhizen me të cilën i mposhti të gjitha magjitë e magjistarëve më të lartë, Isait a.s. ia mësoi mjekësinë sipërore, kurse për Muhammedin a.s. në Kur’an thotë: “… Allahu të shpalli ty, librin dhe sheriatin, të mësoi çka nuk dije…” ( Nisa, 4:113).Pikërisht për këtë prezentuesi i vlerave të vërteta Islame duhet të jetë i furnizuar mirë me dituri për gjërat të cilat i prezenton, ai duhet shumë mirë të njohë tërësinë e urdhërave dhe  ndalesave fetare të prezentuara në burimet kryesore, në Kur’an dhe Sunnet. S’do mend se individi nuk ka mundësi të sqarojë vlerat të cilat vetë nuk i ka të qarta sa duhet. Për pasojë ai duhet të njohë mirë edhe diciplinat e kohës dhe hapësirës në të cilën jeton , të njohë imtësitë e gjuhës , të dijë si fillon dhe si mbaron fjalia dhe çfarë kuptime mund të dalin prej saj, të ketë njohuri evidente për përmasën sociale, fizike dhe kulturore të  shoqërisë ku përfaqëson vlerat dhe të vërtetat fetare.

    2.Estetika e të folurit

    Të folurit estetik dhe struktura e mirë e fjalive është mjaftë e rëndësishme në prezentimin e vlerave fetare. Për të qenë fjala më estetike ajo ka nevojë të rrjedhë prej çiltërsisë dhe sinqeritetit të zemrës. Bisedat që nuk e posedojnë përmasën e sinqeritetit dhe zemrës nuk kanë mundësi të jenë estetike edhe atë për një shkak shumë të thjeshtë, për shkak se estetika është diciplinë shpirtërore dhe nuk e duron mashtrimin. Bisedat që janë larg prej sinqeritetit  ose janë të dobëta nga aspekti i retorikës ose janë jonxitëse nga aspekti i qëllmit. Kur’ani në lidhje me këtë thotë: “ A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët esaj janë thellë e degët e saj janë lartë, E që me vullnetin e Zotit ajo jep frutin e vet  në çdo kohë. Allahu, pra u parashtron njerëzve shembuj ashtuqë ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar” ( Ibrahim, 14:24-26). Krahas këtij parimi duhet të kihet parasysh edhe ajo se në të gjitha mjediset nuk ka mundësi të përdoret metoda e njëjtë.

    Pejgamberi a.s. fliste rrjedhshëm, fjalët e tija ishin të qarta, sqarimet ishin të bukura, metodat e tija ishin të ëmbla, vërejtjet simpatike, fjalët e tija ishin mjaftë motivuese, edhe kur hidhërohej ishte i urtë, në çdo moment ishte i zgjuar, ishte tepër i mëshirshëm  dhe kishte konsideratë për problemet e njerëzve. Pejgamberi a.s. nuk fliste pa nevojë dhe nuk fyente askend gjatë bisedës së tij. Në ndejat ku fliste Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk flitej me zë të lartë e as që ai duke ligjëruar e ngriste tepër zërin.

                3. Modestia dhe Butësia

    Allahu xh. sh në Kur’an urdhëron: “ Ti thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata ma atë mënyrë që është më e mira…” (Nahl, 16:125). Prezentimi i parimeve fetare duhet të bëhet me urti, këshillë të mirë, gjuhë të ëmbël dhe me modesti pasi kjo mënyrë është e vetmja e cila ka mundësi të ledhatojë zemrën e bashkëbiseduesit ose masës të cilës i drejtohemi. Allahu xh. sh. kur e dërgoi Musain dhe Harunin a.m.s. te Faraoni iu tha: “ Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtetë e ka tepruar. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet” (Ta Ha, 20:43-44). Bisedat të cilat në vehte përmbajnë kryelartësi, dozë të dhunës dhe kërcënimit shumë pak mund të nxisin dhe motivojnë bashkëbiseduesit në pranimin e të vërtetave. Kur’ani e urdhëron Pejgamberin a.s. që të mos jetë i ashpër dhe kërcënues. Në Kur’an thuhet: “ Ti ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje…”(Al-i Imran, 3:159).

    Për pasojë individët të cilët kanë dëshirë të prezentojnë të vërtetat fetare duhet të jenë të butë, të qetë dhe të flasin butë e ëmbël. Karakteri njerëzor në esencë ka averzion ndaj fjalëve të ashpra dhe fyese.

    Gjithashtu edhe Modestia ishte një prej karakteristikave themelore të Pejgamberit a.s.. Ai asnjëherë veten nuk e shihte më të vlefshëm se të tjerët, nuk bënte ndarje në pikpamje të krijimit mes njerëzve. Ai nuk kishte aspak kryelartësi dhe urdhëronte se ai që ka një grimcë të kryelartësisë nuk do ta shohë me sy xhennetin.  Ditën kur u çlirua Mekkeja, përderisa shokët e Pejgamberit a.s. e pastronin Qaben prej idhujve ai shkoi në kodrën Safa dhe u ul të pushojë  në një vend  pak më të lartë. Banorët e Mekkës të cilët e pranonin në ato momente Islamin vinin dhe deklaroheshin për pranimin e Islamit para Muhammedit a.s.. Në mesin e tyre edhe Ebu Bekri r.a. kishte marrur për dore babain e tij plak i cili ende nuk ishte musliman dhe kishte ardhur para Pejgamberit për të pranuar Islamin. Kur e pa Pejgamberi a.s. tha: “Pse e ke munduar plakun të vijë deri këtu? Unë do të shkoja tek ai”.Ai kështu sillej me njerëzit dhe në këtë sjellje të tij ishte i fshehur sekreti i suksesit të Tij.

    4.Zemërgjerësia dhe Mëshira

    Zemërgjerësia dhe mëshira janë ndjenja të cilat e zbusin ashpërsinë, e shkrijnë urrejtjen dhe hidhërimin dhe në vend të armiqësisë e vendosin miqësinë. Vetë thirrja në Islam dhe prezentimi i vlerave Islame është një lloj i zemërgjerësisë dhe mëshirës. Pasi me të njeriu dëshiron që vlerat të cilat i posedon vetë dhe për të cilat mendon se janë të vërteta t’ua bartë edhe të tjerëve.  Karakteristika kryesore e Pejgamberit a.s. ka qenë mëshira dhe sjellja me zemërgjerësi ndaj njerëzve. Kur’ani thotë kështu: “ Juve ju erdhi i dërguar nga lloji i juaj , atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët”( Tevbe 9:128); “ E Ne të dërguam o Muhammed vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat” ( Enbija 21:107).

    Pikërisht për këtë personi i cili merr përsipër prezentimin e vlerave të përfaqësuara në shembullin e Pejgamberit a.s. duhet të jetë i mëshirshëm dhe zemërgjerë ndaj problemeve dhe të posedojë shpirt i cili gjithnjë do t’ia dëshirojë të mirën njerëzimit.

    5.Marrëdhëniet ndërnjerëzore

    Nëse analizohen me vëmendje jeta, sjelljet dhe porositë e Pejgamberit a.s. që ua ka bërë të tjerëve do të shihet qartë se ai me sjelljet e tija pozitive ka punuar edhe në ndërtimin e personalitetit të brendshëm gjegjësisht në orientimin pozitiv të ndjenjave dhe dëshirave të njerëzve por edhe në rregullimin e marrëdhënieve mes njerëzve duke mos u lënë derë të hapur përleshjeve dhe kacafytjes së interesave. Pejgamberi a.s. aq sa u kushtonte rëndësi ibadeteve kryesore  aq u kushtonte rëndësi edhe marrëdhënieve ndërnjerëzore. Një ditë duke ndejtur me shokët, Pejgamberi i pyeti: Kush sipas jush ka bankrotuar (muflis)? Shokët i thanë: “Sipas nesh i bankrotuar është ai i cili e ka humbur tërë pasurinë dhe paratë”.Ndërsa Pejgamberi a.s. u ka thënë: “ I bankrotuar prej ummetit tim është ai që në ditën e kijametit do të dalë me namaz, agjërim dhe zeqat por njëkohësisht edhe me fjalë fyese të përdorura për njërin, me shpifje për një të dytë, të tretit ia ka ngrënë pasurinë pa të drejtë, të katërtit ia ka derdhur gjakun pa të drejtë, të pestin e ka rrahur dhe i tillë do të dalë  para Allahut xh.sh.. Atëherë sevapi i ibadeteve të bëra do t’ju jepet atyre që kanë hak në te dhe në fund edhe gjynahet e tyre do t’i ngarkohen dhe si pasojë e tërë kësaj do të hudhet në xhehennem”.

    Pejgamberi a.s. ummetit të vet ia ka tërhjekur kujdesin që të jetë i edukuar në gjuhë, të mos rrejë, të mos shpifë, të mos përgojojë dhe të mos ngjallë përleshje në mes njerëzve. Atij aspak nuk i vinte mirë që të flitet për dikë keq në mosprezencën e tij. Pejgamberi a.s. i kushtonte rëndësi të posaçme njeriut. Ai kur e shihte dikënd në rrugë e përshëndeste, afrohej ia jepte dorën dhe lutej  për te. Ashtuqë secili prej njerëzve mendonte se Pejgamberi a.s. atë e do më shumë se të gjithë të tjerët. Pejgamberi a.s. gjithmonë e mbante fjalën dhe asnjëherë nuk tradhtonte premtimin e dhënë. Ata të cilët bënin një sjellje të këtillë i konsideronte si munafikë. S’do mend se edhe personi i cili pretendon të flasë dhe të sillet në emër të Pejgamberit duhet t’i ketë parasysh këta cilësi dhe sjellje të Pejgamberit a.s..

    6.Etika dhe Morali

    Njëra ndër cilësitë esenciale të Pejgamberit a.s. për të cilën e lëvdon edhe Kur’ani është etika dhe morali i pashoq i Pejgamberit a.s.. Pejgamberi a.s. veten nuk e konsideronte mbi ligjet të cilat ua tregonte njerëzve, por atë që e fliste njëkohësisht edhe e vepronte. Morali i tij ishte Kur’ani dhe parimet e paluhatshme të tij.

    Nuk ka dyshim se prezentimi i vlerave krahas teorisë edhe në praktikë është më i suksesshëm se sa prezentimi i tyre vetëm me fjalë. Nuk ka asnjë vepër të cilën Pejgamberi a.s. ka kërkuar të bëhet kurse ai nuk e ka bërë. Për pasojë nuk është e logjikshme që prezentuesi i vlerave Islame prej të tjerëve të kërkojë vepra të cilat nuk i bën vetë.  Jeta e Pejgamberit a.s. ka qenë metoda më frytdhënëse e thirrjes së tij. Kur’ani në këtë kontekst thotë: “ O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek Allahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni”! ( Saff, 61:2-3).

    Morali i njeriut matet në të gjitha dimensionet e jetës së tij shoqërore. Morali i mirë i tij reflektohet në uljen, ngritjen, të folurit, heshtjen, ecjen , përgjigjen ndaj pyetjeve etj.  Pejgamberi a.s. dëgjonte me vëmendje bashkëbiseduesin, kthehej në tërësi kah ai dhe gjithnjë përgjigjej me edukatë në pyetjet e parashtruara.

    Pejgamberi a.s. në vehte përmbante të gjitha cilësitë të cilat nevojiten t’i ketë një mësues dhe edukues. Për pasojë të gjithë ata të cilët kanë dëshirë ose pretendojnë të prezentojnë vlerat e përfaqësuara në shembullin e Pejgamberit a.s. duhet të ndalen dhe të analizojnë cilësitë dhe metodat parësore të Pejgamberit a.s., të mundohen që me ta piksëpari të stolisin vehten e pastaj të mundohen që në mënyrë adekuate t’i bartin në shoqëritë e tyre.