Category: Lobi

  • METIN IZETI – VENDOSJA E EKUILIBRIT SHPIRTËROR NË MARRËDHËNIET NDËRRELIGJIOZE

    Erdha të të marr për dore
    Të të shlyj prej zemrës dhe vetes tënde
    Pastaj të të vendos në Zemrën dhe Shpirtin
    Të erdha herët në pranverë, gonxha ime!
    Erdha të të vjel me duart e mia
    E të të kthej në përqafim të fortë
    Erdha që në pragun tënd
    Të dhuroj fascinimin tim
    Erdha të të barti në Fronin lartë
    Rrugës së lutjes së dashuruesve.

    Mevlana Xhelaludin Rumi

    Hegeli në fenomenologjinë e shpirtit  ka prezentuar një “fuqi të madhe negative”; që është “ energji e të menduarit”, e Unësisë së pastër.Vdekja , nëse kështu kemi dëshirë ta pagëzojmë këtë jo të vërtetë, është ajo më e tmerrshmeja ; dhe të përcaktohesh për vdekjen është pozitë që kërkon fuqi tejet të madhe. Dashuria pa fuqi urrehet nga arsyeja, pasi asaj i ngarkohet diçka që nuk mund ta durojë. Mirëpo, nuk është jeta ajo që thehet para vdekjes dhe që me të vërtetësohet, por jeta është ajo që e duron vdekjen dhe që mbijeton me të; kjo është e jeta e shpirtit. Kjo fuqi nuk është diçka pozitive që stërvishet prej negatives, si në rastet kur për diçka themi se nuk është asgjë ose është e rrejshme, por kjo është fuqi e cila i shiqon në sy negatives dhe është gati të banojë në të.

    Ky është momenti i përmendur në parathënien e Fenomenologjisë së shpirtit. Kjo është gjërësia e eksperiencës mendimtare perëndimore, e cila është gati të ballafaqohet me atë që është kategori dramatike “ me fuqinë e madhe negative”. Këtu nuk bëhet fjalë për diskurse shterpe por për sfida serioze. Është kjo jeta e shpirtit e cila është gati të ballafaqohet me gjërat që janë të padurueshme.

    Gjenocidi dhe holocausti, despotizmi dhe fanatizmi, bile edhe populizmi elektronik, për fat të keq bëjnë pjesë në këtë “fuqi të madhe negative”. Ballafaqimi me këta fuqi të shkatërrimit është obligim i të menduarit; autoterapija është e mundur vetëm në të vërtetën, vetëm në eksperiencën e asaj negatives , të keqes dhe djegëjen e saj. Fuqia e shpirtit d.t.th., përvoja  e vërtetë e realitetit më të tmerrshëm. Ajo nuk përmbahet në nënshtrimin emocional dhe mendor, në fascinimin me atë që është gjithëshkatërruese dhe apsolutikisht e egër; ajo nuk përmbahet edhe në ekstazat emocionale të urrejtjes, pasi në këtë mënyrë nuk mund t’i ikim të padurueshmes. Për pasojë ngecim në vdekjen, në shkatërrimin , në më të ligën. Kjo mundësi njerëzit i largon prej gjendjes së lirisë dhe paqës dhe i mban të lidhur për praktikimin e thjeshtë të fuqisë. Praktikimi i thjeshtë i fuqisë, ideologjia e hegjemonizmit , rezulton me gjenocid dhe holocaust. Fuqia pervertive  e tillë- në pajtim me ideologjinë e saj të shprehur ose jo- i largon të tjerrët, e nxjerr jashtë loje sistemin e jetesës së përbashkët, arsyen personale dhe të të tjerëve, në realitet çdo arsye.

    Por edhe skaji tjetër në ballafaqimin  me “ fuqinë e madhe të negativitetit” nuk është përgjigje dhe korespodencë  pozitive. fjala është për rahatinë dhe mendjelehtësinë sipërfaqësisht të sofistikuar. Kjo pozitë është demisionim i subjektit dhe subjektivitetit, vetëdijes, logosit moral. Me këtë vullnetarisht- çdoherë me egoizm dhe profit- dilet prej shoqërisë njerëzore. Qëndrimi i këtillë reprodukon ekuivalent të rrejshëm të fatkeqësisë që ka ndodhur. Në këtë kontekst nuk kemi mundësi të kuptojmë krizën e botës në çkyçjen e tjetrit dhe arsyes tjetër.

    Në konceptin religjioz të traditës medituese muslimane , është prezent ideja për njeriun si mikrokozmos, gjegjësisht si botë e vogël e cila e përbën kurorën e Universumit të madh. Njeriu si mikrokozmos përmban shpirt të çiltër  nëpërmjet të cilit depërton në rrugën e ndritur  të atributeve hyjnore  dhe i përjeton pasqyrimet e Realitetit, Bukurisë, Mirësisë, Mëshirës, Bujarisë, Dashurisë… hyjnore.

    Ethosi i çmendur i shpirtit njerëzor dhe vlerat e përtypura të këtij ethosi çojnë drejtë një kataklizme eskatologjike të eko-hapësirës shpirtërore. Ndërsa ndotja e shpirtit në faqet e natyrës makrokozmike le gjurmët e saja edhe në natyrën mikrokozmike . Si ka mundësi që shpirti të vuajë dhe trupi mos ta ndiejë këtë vuajtje? Vetëm barazpesha e dezorientuar shpirtërore e ka shkatërruar Perandorinë Romake, e ka inicuar Inkuizicionin ose të gjitha format tjera të shkatërimit material për hirë të kuazimendimeve ideologjike.

    Pikërisht për këtë gjinia njerëzore në shekullin e XXI dhe në fillim të mileniumit të tretë me kujdes të posaçëm duhet të zhvillojë dhe kultivojë ekologjinë e shpirtit mikrokozmik dhe me këtë t’i kundërvihet fuqisë intenzive të së keqes, pasi ajo është raison d’etre e fatkeqësisë ose mirëqenies , fascinimit ose mallkimit, përjetimit parajsor ose ferror të jetës, jetesës ose vdekjes , shpresës ose pesimizmit tonë.

    Nëse nën hijen e kësaj që u tha në trajtë më të përgjithshme i kthehemi realitetit tonë atëherë do të kishim thënë mirëqenia shoqërore e nacionaliteteve dhe konfesioneve të ndryshme në Maqedoni nuk është i mundur përderisa prej sipërfaqes së saj nuk humben qëndrimet e liga të cilat e shkatërrojnë qenësinë e shoqërisë njerëzore. Përderisa çdo politikan flet vetëm në emër të vathës së vete politike, liderët religjioz prezentojnë vetëm interesat e kullotave  dhe atarit të vet religjioz, reprezentët kulturor përfaqësojnë vetëm kulturat e veta edhe atë vetëm në gjuhën e nacionalitetit të vet, Maqedonia do të ketë reflektime dhe klimë të jodialogut dhe mosmarrëveshjes qytetëruese.

    Ndoshta mentaliteti i popujve që jetojnë në Maqedoni u ndërtua në këtë mënyrë si pasojë e variacioneve dhe turbulencave shoqëroro-politike  si dhe fetare të përjetuara me trajtën më të tmerrshme në periudhat e funditr Pas çdo lufte, pas çdo ndryshimi kufijsh apo pas çdo marrëveshjeje ndërkombëtare , në Maqedoni mbeti diçka e pazgjidhur dhe e papërfunduar. Tek ne e kaluara nuk kishte kohë të bëhej histori megjithëse u emërtua histori. Edhepse tingëllon i pamëshirshëm për sqarim të mentalitetit tonë  do ta kisha përdorur mendimtarin Hungarez Istvan Bibo i cili ka bërë një inventar të të këqijave që torturojnë viset tona. Ai flet për “karakterin meskin dhe agresiv të nacionalizmit” i shfaqur me forma të ndryshme të urrejtjes së nduarnduartë , për “ histeritë komunitariste që nuk lënë të zgjerohen horizontet e dijes dhe mendimit”, “tendencat e përjetshme për jorealizim të projekteve” etj.

    Mendoj se për shkatërrimin e fuqisë negative dhe mëkëmbjen e dialogut të mirrëfilltë mes nacionaliteve dhe feve në Maqedoni duhet të fillohet si dialog i shpirtit ose si dialog ezoterik i cili më vonë do të merrte edhe trajtën praktike. Këtë formë të dialogut ndërfetar e mbështesin përfaqësuesit e urtisë primordiale ose të njëshmërisë trascedentale të religjionit  si Rene Guenoni (Mohammed Ibrahim), Titus Bruckhardt (Ibrahim Izuddin), Sejjid Husein Nasr etj. Nxjerja në pah e bukurive transcedentale të thella në fetë ibrahimiane do të mundësonte ndërtimin e shoqërive multikonfesionale me tolerancë të ndërsjellë. Por duhet të them edhe atë me plot keqardhje se për Maqedoninë këto ide dhe këto emra janë ende shumë pak të njohur.

  • METIN IZETI – PARAMETRAT FETARË NË FORMIMIN DHE PËRJETIMIN E IDENTITETIT TË VËRTETË

    METIN IZETI – PARAMETRAT FETARË NË FORMIMIN DHE PËRJETIMIN E IDENTITETIT TË VËRTETË

    Ekzistenca e unit është e varrur prej prodhimit dhe formimit të qëllimeve

    Vazhda e jetës është e varrur prej ekzistencës së cakut dhe qëllimit.

    Zileja e këtij karavani udhërrëfyes është caku dhe qëllimi”.

    Muhammed Ikbal

    “Kush është kundër historisë, nuk ka mundësi që përnjëherë të vërejë se pë cilën histori është…Edhe historia e filozofisë mund të jetë vetëm një formë ku do t’i kushtohet rëndësi kujdesit për atë që vjen, nëse kemi dëshmitarë në atë që ka kaluar”.

    Hans Blumenberg.

    Çështja e identitetit është temë mjaftë origjinale, frymëzuese, provokative dhe motivuese nga aspekti shkencor, ndërsa mbi të gjitha këto mjaftë e dobishme nga aspekti shoqëror në një kohë të tranzicionit qytetar dhe  katrahurës marramendëse të globalizmit, kur popujt dhe mjediset   e ndryshme të përmbledhura në këtë proçes përpiqen të gjejnë identitetin e tyre autentik sociokulturor. Manifestimet e ndryshme të identitetit të njeriut dhe shoqërisë moderne paraqesin trajtat e ndryshme të qenësisë së tyre shoqërore. Këta trajta të ekzistencës shoqërore e përbëjnë botën reale të njeriut , ashtu si ai e jeton dhe si konceptualisht e reflekton në vetëdijen shoqërore. Pikërisht për këtë diskutimi rreth identitetit ngërthen përfshirjen e këtij problemi të ekzistencës njerëzore në dy aspekte kryesore, edhe atë:Personal të brendshëm dhe sociokulturor të dukshëm.

    Feja dhe literatura e shenjtë-në rastin e Islamit, Kur’ani dhe Hadithi- zgjaten dhe kanë ndikim në të dy aspektet e përfaqësimit të identitetit thelbësor dhe qenësor njerëzor si dhe manifestimit të tij nëpërmjet të kulturës dhe traditës së ngritur nga ky thelb fetar në përditshmërinë shoqërore.

    Çka është identiteti personal i brendshëm?

     Çështja e personit është problem kryesor i filozofisë ekzistenciale. Unë them “unë” para se të jem i vetëdishëm për personin  tim. “Un’i” është i parmë dhe jo i diferencuar dhe nuk parafytyron studjimin e individuës. Un’i është dhunti iskonike, ndërsa individua arritje  latidudinale hapësinore. Unë në vehte duhet të sendërtoj person dhe ky sendërtim është luftë dhe përpjekje e palodhshme. Vetëdija për personin dhe sendërtimi i personalitetit janë të dhimbshme. Personi paraqet dhimbje dhe shumica pajtohen me humbjen e tij për të mos e ndiejtë këtë dhimbje. Vetë ideja e xhehennemit është e lidhur ngushtë  me  kultivimin e personit. Individua pa personalitet nuk e njeh ferrin. Personi nuk është identik me individuën, pasi individua është kategori naturaliste dhe biologjike. Individu nuk është vetëm shtaza dhe bima, por edhe perla, gota, lapsi. Personi është kategori shpirtërore e jo naturaliste. Ai i përket përmasës shpirtërore e jo përmasës fizike. Ai krijohet me depërtimin e shpirtit në materie. Nuk ka person pa inkuadrimin e shpirtit në strukturën trupore të njeriut. Njeriu mund të ketë individualitet hamendës por të mos ketë personalitet.

    Personi nuk është natyrë ashtu si nuk është edhe Zoti. Njëra me tjetrën janë në lidhje të ngushtë, pasi personi është pasqyrim i cilësisë hyjnore në dukshmëri. Personi paraqet ekzistencën e mbivetshmërisë. Personi para së gjithash është kategori e konceptuar dhe është përfaqësim i idesë së krijimit.

    Është mjaftë interesante që fjala latine “persona” ka kuptim të “maskës “ dhe është e ndërlidhur me shfaqjen teatrale. Personi para së gjithash është hije. Në hijen , përveç asaj që njeriu zbulohet shumë pak , ai edhe e mbron veten prej ndeshjes me materialen. Për pasojë, shfaqja teatrale nuk është vetëm dëshirë për të luajtur rolin e jetës, por edhe nevojë dhe dëshirë për të mbrojtur veten prej botës që e rrethon, gjegjësisht të qëndrohet me veten në thellësi. Instikti i teatrales ka dy dimensione. Ai është i lidhur ngushtë me paraqitjen e njeriut në shumësinë sociale. Në këtë shumësi personi dëshiron të merr pozitë dhe të lozë rolin e tij. Ndërsa nga ana tjetër, “Un’i” shndërrohet në “Un” tjetër, tjetërsohet dhe e vendon maskën.

    Njëri prej problemeve më degraduese nga aspekti i personalizmit ezoterik të njeriut është lozja rolit kundërshtues me personin  e tij dhe krijimi  individuës gjegjësisht identitetit të rrejshëm , ose më mirë thënë kundërshtues me krijimin paraiskonik të tij. Feja si realitet etern i krijimit dhe relacionit metahistorik të njeriut identitetin esencial të tij e sheh në konceptimin dhe formimin real të Un’it të tij. Ky Un real atij do t’i mundësonte të njihet me Shkakun dhe Parapëlqyesin e krijimit, gjegjësisht Fuqinë krijuese. Pikërisht për këtë edhe njeriu në formimin dhe përjetimin e identitetit real të tij duhet të orientohet drejtë origjinës së tij dhe thelbësisht të njohtohet me Un’in e vet. Un’i, thotë Ikbali, paraqet njohjen e ekzistencës personale të njeriut, mbështetjen  dhe sigurinë në veten, respektin ndaj vetes, prezentimin e mundësive dhe aftësive personale dhe assesi nuk ka të bëjë me ndjenjat e egoizmit dhe qibrit. Ikbal’i për dallim nga filozofët tjerë musliman, si Farabiu, Ibn Sina , të cilët fillojnë me problemet kozmologjike dhe arrijnë te njeriu, fillon prej eksperiencës njerëzore dhe me të mundohet të zbërthejë problemet metafizike.

    Islami  shërbimin më të madh njeëzimit ia ka bërë në vitalizimin e idesë së Un’it real dhe përjetimit të identitetit të vërtetë njerëzor. Islami, për dallim nga shumë botëkuptime filozofike idealiste ngjarjet e kësaj bote i sheh si një pjesë të realitetit. Kur’ani kërkon prej njeriut që të forcojë un’in e tij dhe të luftojë me çdo lloj të të keqes. Mëkëmbësi Allahut xh.sh. në faqe të dheut dhe bartësi i emanetit të Allahut nuk mund të qëndrojë duarkryq para shkatërrimit të vetes dhe para së keqes.

    Përkapjen origjinale të përmasës së Unësisë së pastër të njeriut e shohim edhe në konceptin e njeriut të përsosur (insan-i kamil) ose gnostikut (arif)  në tesavvufin islam.Gnostik është personi që në pasqyrën e unësisë e ka pamur veten e tij  dhe nëpërmjet të pelegrinazhit në urtinë primordiale ka arritur shkallën e ndritjes . (insan nurani). Arif’i është njeri i ndritur i cili me vetënjohjen e mundimshme , vetëdijësimin, rrugën kreshnike të dashurisë dhe urtisë, shkëlqimin e adhurimit të zemrës (dhikr) dhe adhurimit të mendjes (fikr) bëhet njohës par excellence i vetes dhe në bazë të kësaj njohjeje formon identitetin e tij të vërtetë njerëzor.

    Hapësira dhe koha më e pafundtë, hijerokozmosi dhe metahistoria e ngritjes së mbretësisë së amshueshme të urtisë primordiale është në brendinë e mikrokozmosit gjegjësisht  njeriut. Intima dhe personi njerëzor është qendër, teatër shpirtëror, hapësirë e patrajtë dhe paformë  ku atributet hyjnore përfaqësojnë pasqyrimet dhe reflektimet më marramendëse.  Ndjenja e njeriut për qenien personale si mikrokozmos dhe si vendreflektim i cilësive hyjnore do t’i mundësojë atij të njohë realisht veten dhe identitetin e tij personal ezoterik ta ndërtojë nën kontrolin absolut të Allahut të Lartmadhëruar. Një gjë e tillë personin do ta lidhte në aspekt të normave morale dhe ndiesisë për prezencën e qenësisë hyjnore mbi supe gjegjësisht edhe më afër se damari i qafës.

    Nga aspekti i identitetit personal, njeriu i jonë i ballafaquar nga njëra anë me globalizimin e shpejtë dhe nga ana tjetër me tretjen e pandërprerë të kualitetve strukturale të personit të tij, është tejet e rëndësishme që ai të konceptojë origjinën ezoterike të personit të tij të përbërë prej shpirtit dhe trupit. Shkenca dhe ideologjia e modernitetit me thellimin në shkencat dhe diciplinat statistikore kujdesin e fokusoi në materialen dhe shfaqjen e veprimeve të ezoternes në njeriun, ndërsa e la krejtësisht pas dore përkapjen e vërtetë të shpirtit dhe përmasave të tija. Injorimi i shpirtit solli deri te ajo që njeriu të tëhuajësohet dhe tjetërsohet nga identiteti origjinal i tij, gjë që nuk është bërë kurrë më parë në historinë njerëzore. Ne gjithmonë kur flasim për orientimet e identitetit tonë fokusohemi në dukshmërinë dhe aspektet socio-antropologjike të tij, dhe harojmë se në vetë përkufizimin e identitetit të njeriut bën pjesë edhe shpirti si kategori ekzistenciale dhe thelbësore e qenësisë njerëzore.Pikërisht për këtë mendoj se në formimin dhe përjetimin e vërtetë të identitetit tonë duhet t’i kthehemi origjinalitetit të personit të njeriut, përkapjes së intimës shpirtërore dhe rrugës sapiens ekzistenciale për njohjen e vetvetes , e kjo është e mundshme vetëm nëpërmjet të jetësimit të vërtetë të vlerave fetare.

    Feja dhe identiteti sociokulturor…?

    Identiteti sociokulturor i njeriut është bota e tij reale dhe ideale ( familja, shoqëria qytetare, kombi, feja dhe filozofija, morali dhe drejtësia, shteti dhe politika) e reflektuar në vetëdijen e tij dhe në jetën e përgjithshme shoqërore të tij. Ky identitet është i nënshtruar proçeseve dhe ndryshimeve të ndjekura me konflikte shoqërore . Identiteti ka qenë shkas për themelimin dhe veprimin e forcave të ndryshme shoqërore dhe lëvizjeve fetare në historinë e njerëzimit.

    Problemi i funkcionimit të identitetit të vërtetë paraqitet në shoqëritë etno-plurale dhe pluralo-religjioze. Marrëdhëniet e moralit dhe religjionit dukshëm ndikojnë në artikulimin dhe profilimin e identitetit sociokulturor të individit dhe shoqërisë së caktuar. Interakcioni i religjionit dhe moralit është mjaftë e shprehur dhe feja me të vërtetat  dhe urdhërat e veta si dhe me praktikën ritualo-adhuruese fuqishëm e determinon botëkuptimin e përgjithshëm mbi botën. Për më tepër e vërteta e shpalljes hyjnore determinon edhe jetën edhe vdekjen, imanenten dhe transcedenten, duke shfaqur fotografi të tërësishme të strukturës metafizike të jetës dhe botës, pozitës dhe rolit të Qenies Absolute në të, gjegjësisht Krijuesit të Përgjithshëm, Allahut xh.sh.

    Nuk ka aspak dyshim se identiteti sociokulturor si dhe ai personal i joni është thellë i rrënjosur në sferat e fshehta të strukturës metafizike të fesë.Shpallja hyjnore dhe transcedentimi njerëzor si udhë e sendërtimit të përmbajtjes dhe kuptimit të shpalljes dhe afrimit deri te Zoti xh.sh. janë parametrat themelore me të cilat përcaktohet struktura dhe karakteri i metafizikës së çdo feje të shpallur. Struktura themelore metafizike transponohet në realitetin shoqëror (zakonor), kulturor dhe politik si veprimtari e përgjithshme materiale dhe kuptimore vepruese. Në përgjithshmërinë e tij, gjegjësisht në kulturën dhe qytetërimin kristalizohet “kahja kulturore”, kahja menduese, konceptuese rreth botës dhe njeriut- vetvetes brenda saj dhe misionit në të. Islami si  fe e shpallur  në këtë mënyrë e krijoi bazën teologjiko-metafizike për konstituimin e identitetit sociokulturor.

    Të gjithë popujt që e kanë paranuar Islamin në formimin e identitetit të tyre, kush më tepër e kush më pak, dukshëm janë ndikuar prej elementit fetar dhe reflektimi i besimit të tyre në përditshmëri nëpërmjet të ibadeteve është bërë pjesë përbërëse e kulturës dhe qytetërimit të tyre. Identiteti i cili i mundëson personit që të përjetojë veten si person të pavarur,  të vetëdishëm për pozitën e tij shpirtërore dhe shoqërore, tek njeriu i jonë është formësuar nëpërmjet të fesë Islame, gjegjësisht Islami është bërë pjesë e pandarë e identitetit tonë real (merret vesh te pjesa e poupullatës që e kanë pranuar Islamin). Marrëdhëniet e njeriut tonë me veten dhe me mesin që e rrethon , herë pas here edhe më gjerë janë rregulluar në bazë të parimeve Islame të cilat me kalimin e kohës në disa përmasa shoqërore kanë marrur edhe trajtën e zakoneve dhe dokeve.

    Sot njeriu i jonë, por edhe njeriu në përgjithësi në faqen e dheut, është i ballafaquar me krizë të identitetit . Kjo krizë është rezultat i proçeseve marramendëse botërore të zhvilluara në kundërshtim me shpirtin real njerëzor. Transponimi i shpirtit jo real njerëzor në shoqërinë njerëzore rezultoi me katrahurë dhe paidentitetshmëri të kobshme.

    Problemin e krizës së identitetit është më se e vërtetë se e hasim te pjesa e madhe e të rrinjve të cilët janë rritur dhe edukuar me absolutizmin e mekanikës letargjike të modernitetit. Në periudhën e rinisë personi përpiqet që të integrojë identifikimet e ndryshme  të cilat i imponohen nëpërmjet të mediumeve të ndryshme. Burimi i identitetit të tij është i përmbajtur në sintezat sukcesive të cilat i krijon egoja nëpërmjet të zhvillimit, duke integruar dalëngadalë trajtat praktike të individuumit të reklamuar, e motivuar gjithnjë nga potencialet pasionike. Në këtë periudhë të formimit të identitetit , kur personi shumë lehtë mund të marrë tatëpjetën religjioni luan rol tejet të rëndësishëm në formimin dhe përjetimin e brendisë reale të identitetit personal dhe sociokulturor.

    E vetmja zgjidhje për krizën e identitetit është dijagnostifikimi i gabimit të bërë, e që sipas meje është në braktisjen shpirtit të urët dhe ngopjen e tepërt të barkut me ushqime të shpejta”fast food”, ndërprerjen e koloritësisë kulturore dhe largimin e të vërtetave të shpalljes prej jetës shoqërore, e pas kësaj evitimi i saj me çiltërsinë e Librit të Allahut dhe pragmatizmin e traditës profetike.