Category: Ekspozita

  • METIN IZETI – NJË PËRJETIM ESTETIK I PËRHERSHMËRISË – BASHKIM MEXHITI

    METIN IZETI – NJË PËRJETIM ESTETIK I PËRHERSHMËRISË – BASHKIM MEXHITI

    Çdo formë përcjell dhe përçon një kualitet të veçantë të qenies. Subjekti estetik i një vepre artistike thjeshtë  mund  të mbivendoset  në një formë, me ç’rast më pas  ajo  kërkon çdo relacion me gjuhën formale të  veprës , siç është demonstruar në artin e piktorit Bashkim Mexhiti. Paraqitjet e këtilla thjeshtë janë vepër brendakohore artistike por me temë perenniale . Nga ana tjetër, vepra e Mexhititngërthen simbolikë e cila në formë është e pranishme, sepse aty ka ngjyra të gjalla, lëvizje të shpejtë të brushës dhe shkathtësi të dorës, por ajo njëkohësisht është  edhe e padukshme, imagjinative, për shkak se ka  një analogji rigoroze ndërmjet formës dhe shpirtit.

    Vizioni abstrakt detyrimisht e gjenë shprehjen e vetë në një gjuhë të veçantë formale në pikturat të punuara me akril në pëlhurë të Mexhitit.  Piktura e tij mëton ta theksojë se  kjo gjuhë artistike nuk mund të kosiderohet si e harruar dhe të mbështjellet me parollën postmoderne “ çdo gjë shkon”. Lashtësia është nënë e ndjenjave artistike të autorit , ndërsa dinamika e kompozicionit në to është fëmijë e kohës  ku jeton dhe vepron ai.

    Është e drejtë se abstragimi  në vete është i pavarur nga format dhe kjo nënkupton se ai jo shumë lehtë mund të  shprehet ose transmetohet  me anë të ndonjë apo çdo lloj forme. Përmes esencës së vetë kualitative, forma ka një vend në rendin sensibil, të ngjajshëm me atë të vërtetës, në rendin intelektual. Vetëm si  formë mentale, si e idesë ose përjetimit, e kufizuar gjithsesi, ajo (forma) mund të bëhet një reflektim adekuat, megjithëse i kufizuar, i një të Vërtete të përjetshme, kështuqë një formë sensibile mund të ripërshkoj një të vërtetë ose një realitet  që i transcedenton të dyjat, planin e formave sensibile dhe planin e idesë.

    Në procesin e detektimit të karakteristikave fizike të pikturave të Mexhitit, soditësi vëren ngjyrë,formë, madhësi dhe pozitë mimetike të pasqyrimit të asaj që nuk mund të thuhet përveç se nëpërmjet artit. Soditësi njëkohësisht me ngjyrat e gjalla, që shpeshherë ta përziejnë ndjenjën e kaltërsisë dhe thellësisë,  sa që nuk mund të konstatosh se je në lartësitë qiellore ose thellësitë e detit, herë fluturon si zogu në kërkim të feniksit dhe herë në trajtë të zhytësit i kërkon perlat e esencës së ekzistencës duke e ndjekur gjatësinë dhe gjërësinë kohore dhe hapësiniore.

    Në qoftë se përjetimi i realitetit vizuel do të ishte përfaqësuar si kontinuum, atëherë në njërin skaj të veprës së pikturave të këndshme dhe të thella të Mexhitit do ta përjetojmë spektrin objektiv, në të cilin mund të vlerësohen karakteristikat fizike eksplicite, ndërsa në skajin tjetër do ta ndiejmë spektrin subjektiv, në të cilin do t’i vlerësojmë vetitë implicite dhe virtytin afektiv të objekteve të soditura. Edhe i pari edhe i dyti e kanë rolin  etyre të rëndësishëm në fuksionimin e njeriut, realitet që veprën e Bashkim Mexhitit e bën edhe më pragmatike. Nuk ka dyshim se fjala ndihet e varfër në krahasim me madhështinë e bukurisë dhe rrëfimit estetik artistik të pikturave të Bashkim Mexhitit.

  • E BUKURA QË FLET… – ENESA ISLAMI

    E BUKURA QË FLET… – ENESA ISLAMI

    E BUKURA QË FLET…

    Komunikimi ndërmjet njerëzve dhe në veçanti ai ndërkulturor që nga lashtësia është bërë nëpërmjet të metaforës dhe figurave të ndryshme stilistike. Kulturat dhe qytetërimet që nga lashtësia e deri në ditët e sodit madhështinë dhe vendzënien e tyre shoqërore e kanë përfaqësuar nëpërmjet të metaforave që gjithsesi është dashur të kenë një karakteristikë të përbashkët, të bukurën. Pikërsiht për këtë gjuha më e mirë dhe më ekzaltuese është gjuha me të cilën flet e bukura. Është kështu për shkak se bukura konceptin e vet e ka të ndërtuar me shijet dhe gjykimet impresive të individëve dhe shoqërive në kuadër të universalitett hapësinor dhe kohor. Ajo në memorien e saj imagjinative, siç do të thoshte Kanti, në arsyen praktike, e ka të qendisur tërë përvojën antropologjike kulturore të gjinisë njerëzore.

    Enesa për ekspozitën e saj të parë e ka zgjedhur mjellmën, por jo vetëm si e bukur egzoterike, por edhe si dëshmitare e ndjenjave dhe imagjinatës së shumë të dashuruarve, poetëve që surealizmin e tyre do ta shprehin nëpërmjet të personit metafizik të mjellmës.

    Mjellma e gjeneron qetësinë dhe muzikalitetin e harmonisës ës sferave, qetësia dhe çiltërsia e saj në të bardhën është pasqyrim i muzikës së qetësisë gjithësore, siç do të thoshte Pitagora. Enesa, në bartjen e realitetit të mjellmave në pëlhurën e saj bën një impresionizëm subjektiv, për shkak se mbresat e saja i bart në laboratorin e brendshëm dhe i nxjerr me finesën e shpirtit krijues të vet.

    Enesa  vetëm në platformën ideore është e impresionuar me mjellmën, por në zhvillimin kompozicional të pikturës mjellma e saj shpërndahet në shpirtin e përgjithshëm të gjithësisë dhe në një mënyrë si në traditat e lashta, shumësia shkrihet në Njëshin. Nga aspekti i zhvillimit të ngjarjes në melodinë pikturale, autoreja, shprehjen e ka abstrakte.

    Ngjyra  e bardhëe përfituar me përzierje të të verdhës dhe okerit lë përshtypje të çiltërsisë dhe urtisë  iluministe. Në të vërtetë, Enesa, nuk e kërkon këtë lloj të thjeshtëzimit. Tendenca e saj është që t`i sheh gjërat si dhe gjithË botën pa i adaptuar ata në perspektivat përfundimtare, pra, as në atë të subjektivizmit e as në atë të objektivizmit. Kjo është ajo që përbën vizionin  artistik të saj. Qëndrimi trupor  si edhe qëndrimi metaforik i mjellmës , orvatet drejt zakonshmërisë së skajshme. Ushtrimet e vazhdueshme sjellin në asisoj metamorfozash sa tenton të sheh vetëm prezencën e lartësisë.

    Tek Enesa, mjellma absolute, përmes së cilës sendet komunikohen te vështruesi, është gjithashtu reminishencë e ideve taman formaliste që kanë ekzistuar në Europë në fillet e modernitetit, të njohura si filozofia e Einfühlung-ut ose e empatisë. Është gjithashtu reminishencë e  vetë formalizmit, i cili ka vendosur, përmes `efektit të tëhuajësimit` famoz, brutalisht t`i ekstradon sendet në sferën jashtë kontekstit subjektiv të tyre, me qëllim që t`i bëjë ato të flasin në mënyrën `direkte`.  Me një fjalë , mjellma e Enesës, si do të kishte thënë edhe Pierre Hadot , është “ prezencë në distancë”.

    Pikturat janë në bashkëvajtje me një realizim që i qëndron besnik parimeve dhe elementeve figurative në kërkim të formës, ngjyrës dhe tonit. Lëvizja  e brushës është identike me metaforën e shprehur nëpërmjet të mjellmës, ajo e përmban impresionizmin subjektiv por edhe saktësinë e hëpërhëshme të ekspresionizmit. Koloriti është i përfituar nëpërmjet të ngjyrave akrile me qëllim që të arrihet në tonin që më saktë dhe më bindshëm do ta prezentojë personin metaforik të mjellmës.

    Platforma ideore, zhvillimi kompozicional dhe përdorimi i shkaThtë i brsuhës dhe ngjyrave ia hapin rrugën piktores për vazhdimësi dhe suksese të reja …

    METIN IZETI

  • IMAGJINATA E STRUKUR… – LULZIME OSMANI

    IMAGJINATA E STRUKUR… – LULZIME OSMANI

    IMAGJINATA E STRUKUR…

    Përmasa artistike e ka gjallërinë e vete unikate dhe ajo rigjenerohet në arsyen dhe zemrën e artistit, në rastin konkret të grafistes së re, LulzimeOsmanit,  në trajtën e posaçme për individin dhe kurrikullumin intelektual të tij dhe të mjedisit. Ashtu sikurse ligjet e natyrës janë të pandryshueshme, por që shfaqen në mjedise të paqëndrueshme, po ashtu edhe, te autoreja inteligjente dhe me perspektivë Osmani,  arti i përjetshëm dhe i pandryshueshëm do të na shfaqet në shumë aspekte. Përjetshmëria e imagjinatës së Lulzimes është e prezentuar në portretet e saja të cilat janë letërnjoftim i një vije të gjatë shoqëroro-historike të mjedisit njerëzor në përgjithësi dhe atij shqiptar në veçanti.

    Në këtë kompozicion të punimeve për këtë ekspozitë, autoreja mëton ta rrokë në njëfarë mënyre këtë dimension të artit. Të hyjë në mjedisin rrotullues të imagjinares dhe t’i drejtohet pa fjalë reales. Punimet e saja, ndoshta, nga syri i soditësit mund të duken jo aq realiste por ata kanë realitetin e vet në shpirtin e autorit dhe soditësi gjithsesi këtë realitet e sheh duke depërtuar në thellësinë metahistorike dhe gjeografike të personit artist. Çdo vijë e shprehur në to dëshiron të përfaqësojë një dashuri apo mllef ndaj asaj që duket.

    Ideja në këto grafika është përpunuar në harmoni edhe me teknikat e punës dhe qëllimi është të prezentohet sivendosje e një  ekuilibri ndërmjet idesë dhe formës.

    Në periudhën moderne dhe postmoderne portreti do të përdoret për shprehjen e imagjinatës së autorit në lidhje me çështje të caktuara të qenësisë, pa marrë parasysh a janë ata në kontekst të pajtueshmërisë ose të kryengritjes dhe mospajtimit.Për pasojë do të paraqitet portreti i imagjinuar, që është rast edhe në punimet e Lulzimes. Portretet e deformuara në punimet e saj nuk kanë përfaqësimin adekuat të tyre në qenësinë reale, por ata janë shprehje e vështrimit metafizik dhe imagjinues të qenësisë dhe prezantim pamor i të gjitha vijave të shëmtuara etike dhe të karakterit në pasqyrën e personit njeri.

    Portreti në këtë rast është vetëm shkak për mbindërtim imagjinar, për vlerësim  irracional, për përfaqësim të shumë-dimensionalitetit të fytyrës së njeriut. Secili prej portreteve ka tone të ndryshme në fytyrë, që njëkohësisht e shprehin dimensionin imagjinues të prezantimit të brendisë së personit të portretizuar. Secili prej portreteve ndoshta nuk e ka adekuaten në botën reale, por e ka në botën imagjinare dhe vlerësuese të autores.

    Portreti i strukur është jo vetëm pamje e dukjes fizike të personit që në portretet e këtij studimi është i papërcaktuar dhe i përgjithshëm, por është pamje e identitetit, ku në bashkësi janë të prezantuara, karakteri, etika, morali, sjellja, dhe fizionomia. Nëpërmjet të asimetrisë dhe deformimeve në fytyrë arrihet dinamika e raportit dukje-karakter, në prapavijën ideore, ndërsa një vepër origjinale në aspekt të pamjes artistike. Portreti i strukur edhe pse duket i shëmtuar ai është estetik, gjegjësisht është i bukur.

    Lulet që janë të hedhura në hapësirën përreth e shprehin lidhjen e njeriut esencial me origjinën e gjithësisë. Ata janë brenda një oratoriumi mistik, brenda një vallëzimi ritual përreth karakterit të mirë. Rrotullimet e luleve e kërkojnë largimin e deformimeve të karakterit dhe kthimin drejtë origjinës së vërtetë, drejtë Zotit. Posaçërisht tulipani është thirrje për llogari para origjinës dhe esenciales në njeriun.

    Gjithashtu një prej elementeve të rëndësishme të portreteve janë edhe sytë, që janë herë të hapura tërësisht e herë të rraskapitura nga kllapia dhe amullia e asaj që e shohin. Ata janë sy që nuk shohin vetëm fiziken, po depërtojnë edhe në psikologjinë dhe metafiziken. Ata e shohin të keqen, të shëmtuarën, jo vetëm në formë por edhe në thellësi, edhe në qëllim. Prandaj herë habiten dhe hapen në tërësi, e herë pesimizohen dhe turpërohen që janë të njeriut.

    Lulzimeja në grafikat e veta e ka përdorur teknikën e njohur të akuatintës gjithashtu pjesë të veçantë ka edhe bakërrshkrimi, shtypi i thatë, monotipia, intaglino dhe garfika digjitale. Këto teknika i kanë mundësuar  që për kohë shumë të shkurtër të arrijë te detajet e dëshiruara. Ajo ka patur kujdes të posaçëm që të mos i anashkalojë edhe materialet siç janë : rrjeta, ofseta, dantellat, perin, etj. Ngjyrat  në grafikat e autores tregojnë ndershmërinë, dashurinë edhe harmoninë njerëzore.

    Proporcioni i drejtë kompozicional në aspekt ide-formë-teknika tregon qartë që veprat e Lulzime Osmanit janë të thella dhe se shpirti i saj krijues në të ardhmen artdashësve do t’u mundësojë edhe katarza të tjera në fushën e artit…

     METIN IZETI