Kujtimet kolektive përfshihen në metakonceptet e shkencave kulturore-sociale dhe atyre mund t’i atribuohen një sërë përkufizimesh. Njëra prej tyre është se kujtimet kolektive janë mënyrat në të cilat njerëzit ndërtojnë të kaluarën e tyre si njohuri dhe repertorë të përbashkët kulturorë (njohuri të përbashkët kulturorë) . Në aspektin teorik dhe kërkimor, duhet ditur se pjesa më e gjerë e studimeve të përgjithshme të kujtimeve kolektive është fusha e kujtesës kulturore dhe se është gjithmonë e rëndësishme të shtrohet pyetja se kush i krijon kujtimet, pse dhe për çfarë qëllimi?

Ndërdisiplinariteti i kujtesës kolektive është një thikë me dy tehe i përdorimit shkencor të këtij koncepti. Nga njëra anë, kujtesa kolektive ka një potencial të jashtëzakonshëm për përdorim të gjerë akademik, kështu që nuk është për t’u habitur që ka shumë shkenca dhe disiplina që merren me te. Vetëm disa prej tyre janë sociologjia, historia, shkenca politike, psikologjia, antropologjia, studimet kulturore, letërsia. Nga ana tjetër, pikërisht për shkak të horizonteve të shumta shkencore brenda të cilave vendoset koncepti i kujtesës kolektive, si dhe për shkak të shumëllojshmërisë së mënyrave në të cilat njerëzit ndërtojnë të kaluarën e tyre, studimet e kujtesës kolektive mbeten pa fokusime të qarta. Me gjithë përpjekjet moderne për të unifikuar çështjet e studimeve të kujtesës kolektive dhe pavarësisht krijimit të qendrave kërkimore, kurseve akademike, revistave dhe antologjive të kujtimeve kolektive, çështja e kujtesës mbetet e ndarë brenda konteksteve të ndryshme disiplinore dhe qendrat e krijuara funksionojnë pa njohur njëra-tjetrën. Kjo është arsyeja pse studimet e kujtesës kolektive nuk kanë arritur të zhvillojnë mbështetje institucionale që do të garantonte formimin dhe funksionimin e një fushe koherente shkencore të kujtesës.

Kujtimet kolektive shfaqen në qendër të shoqërisë -diskursi shkencor (i ashtuquajturi bum i kujtesës, industria e kujtesës) si pasojë e drejtpërdrejtë e shfaqjes dhe zhvillimit të multikulturalizmit, rënies së komunizmit, shfaqjes së politikës së keqardhjes dhe politikës së viktimizimit , por shumë e rëndësishme edhe si një reagim dhe përgjigje ndaj holokaustit si një luftë dhe vuajtje e përmasave të paprecedentë që shënoi shekullin e 20-të. Në zhargonin e hollë sociologjik, B. Schwartz vë në dukje tre aspekte të lidhura që u shfaqën në kulturën intelektuale në vitet 1970 dhe që në ndërveprimin e tyre nxitën interesin për ndërtimin shoqëror të së kaluarës. Ai thekson se multikulturalistët ishin ata që e njohën historiografinë si burim të dominimit kulturor dhe kundërshtuan narrativat historike mbizotëruese në emër të grupeve të tjera të shtypura në shoqëri. Më pas, postmodernistët sulmuan theksin konceptual të linearitetit të ngjarjeve historike, të vërtetës dhe identitetit dhe filluan të nxisin interesin për studimin e ndërlidhjes së historisë, kujtesës dhe fuqisë. Së fundi, teoricienët e hegjemonisë, të cilët njohën politikën e kujtesës me bazë klasore, theksuan kujtimet si një zonë lufte dhe kontestimi dhe paralajmëruan për forma të tjera të kujtesës si shembuj të instrumentalizimit dhe rishikimit të së kaluarës.

Në kuadrin e zhvillimit të kujtesës kolektive, dhe njëkohësisht në mbështetje të sociologjisë së luftës, duhet theksuar se polemikat publike për dimensionet politike dhe kulturore të luftës dhe përkujtimet e luftës kanë qenë gjithmonë ndër temat më të rëndësishme në studim të kujtimeve kolektive. Ndërkohë që Lufta e Parë Botërore ishte një lloj katalizatori për kujtimet heroike, Lufta e Dytë Botërore dhe tmerret e lidhura me Holokaustin ishin arsyeja e hulumtimit dhe shkrimit për të ashtuquajturat kujtime skeptike si dhe të fshehura. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe konfliktet e armatosura dhe konfliktet etnike që ndodhën në vitet 1990 shërbyen si një tjetër pikë kthese historike që nxiti një interes të ri të thellë në kujtesën kolektive të luftërave dhe krimeve. Për më tepër, studime të shumta ndërkulturore kanë treguar vazhdimisht se luftërat lënë plagët më të mëdha në kujtimet tona. Pikërisht në këtë kuadër në periudhën pas luftës së ftohtë myslimanët si në Ballkan ashtue dhe në Lindjen e Mesme ishin në mesin e popujve që më së tepërmi e përjetuan dhunën dhe si pasojë nevojitej që kjo situatë të jetë pjesë e hulumtimeve shkencore dhe kulturore që të ngritet një literaturë për të evidentuar ngjarjet e ndodhura. Mirëpo një koleksion i tillë, me vetëdije ose pa vetëdije, për fat të keq nuk u paraqit dhe në moment ne nuk kemi një qartësi analitike të konceptit të kujtesës së periudhës pas viteve të nëntëdhjeta. Kjo është kështu edhe për ngjarjet e e viteve të nëntëdhjeta në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë, në Irak, Siri si dhe tash kur jemi të përballur edhe me një ndodhi sui generis në Gazë të Palestinës. Ndërtimi i një koleksioni të kujtesës kolektive  është i rëndësishëm për të kuptuar historinë e luftërave botërore dhe për të kuptuar transformimin e identitetit njerëzor me kalimin e kohës.

Për të kuptuar kujtesën kolektive, është e rëndësishme të vihet në dukje koha specifike socio-historike në të cilën ato shfaqen dhe të identifikohet ai moment hapësinor dhe kohor, përveç ndryshimeve të sapopërmendura sociale globale dhe në lidhje me kthesat e rëndësishme ndërkulturore në shoqëri dhe  histori. Kujtesa kolektive si problem kërkimor nuk shfaqet rastësisht, por shfaqet me një “kthesë kulturore” dhe në shkencën historike ajo shënohet në kohë dhe në përmbajtje nga kalimi nga historia sociale në një histori të re kulturore. Kjo do të thotë, në kohën që ne jemi duke jetuar është duke ndodhur një zhvendosje disiplinore në histori nga studimi i “makrohistorisë”, kërkim në makrostrukturat ekonomike dhe sociale në studimin e ” mikrohistorisë” dhe si pasojë koncepti kulturë bëhet një shenjues për një gamë shumë të gjerë paraqitjesh shoqërore dhe simbolike të disponueshme për një shoqëri të caktuar. Përveç konfliktit midis historisë sociale dhe historisë kulturore, pluraliteti i përgjithshëm i kuptimeve dhe polemika të shumta ndër-shkencore janë duke u bërë karakteristikë e historisë bashkëkohore, prandaj koncepti i kujtesës zë një vend shumë të rëndësishëm.

Një pjesë e konsiderueshme e kujtesës kolektive i referohet kujtimeve “të materializuara”, kujtime kulturore: libra, filma, muzeume, përkujtime, monumente. Confino këto forma i quan si “mjete të kujtesës”. Nga ana tjetër, ka edhe dimensione të kujtimeve kolektive që nuk realizohen në trajta materiale dhe objektore, si p.sh., mite apo histori për origjinën e vendeve dhe kombeve (Rasti i Palestinës). Këto dimensione të kujtesës kolektive tregojnë për të kuptuarit se vetë kujtimet kolektive janë një proces i kushtëzuar shoqëror, kulturor dhe politik, i vazhdueshëm dhe në ndryshim, në të cilin e kaluara ndikon në të tashmen, si dhe e tashmja ndikon në të kaluarën. Kujtimet realizohen në mendjet e vetë individëve, dhe më pas ato janë kujtime të konceptualizuara individualisht, domethënë ide të konceptuara individualisht për të kaluarën. Kur bëhet fjalë për interesin tonë si shqiptarë për konceptin e kujtimeve kolektive, fokusi është në marrëdhëniet midis kujtimeve kolektive dhe identiteteve kolektive. Prandaj, roli i kujtesës në ndërtimin e identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë është një topos i përgjithshëm i teorisë sociologjike. Identiteti, si koncept relacional, vendoset në lidhje me atë që mbahet mend. Është e qartë se në këtë mënyrë disa të kaluara kujtohen dhe disa harrohen. Në procesin e përvetësimit selektiv të së kaluarës nga këndvështrimi i së tashmes, theksohen dimensionet politike dhe jo kulturore të kujtimeve kolektive. Në këtë mënyrë, koncepti i “traditës së shpikur”, “komunitetet e imagjinuara”  dhe instrumentalizimi dhe rishikimi i së kaluarës marrin vendin e parë në listën e priroriteve tona. Përveç lidhjeve të shumta mes kujtimeve kolektive dhe politikës, është pikërisht fusha e sundimit për krijimin e kuptimit në arenën shoqërore (kulturore) e përcaktuar nga marrëdhëniet e pushtetit që është thelbi i të kuptuarit të kujtimeve kolektive dhe politikës së kujtesës.  Pra, megjithëse në fushën e politikës së kujtesës, dimensioni instrumental i prodhimit strategjik manipulues të kujtesës shpesh mbitheksohet, duhet mbajtur mend se qasjet e pastra instrumentaliste në politikën e kujtesës janë të njëanshme dhe mashtruese. Politika e kujtesës në konceptualizimet e saj ka edhe një dimension kulturor shumë të rëndësishëm sepse zhvillohet brenda fushëbetejës së kujtesës, që është fushë e kulturës.

Prandaj, në kuadër të qasjes së prezantizmit, dallohen dimensionet instrumentiste dhe kuptimore të kujtesës. Dimensioni instrumentist e sheh kujtesën si një fushë manipulimi të së shkuarës për qëllimet e tashme, dhe dimensioni kuptimor flet për kujtesën selektive si një pasojë e pashmangshme e interpretimeve tona të së kaluarës të vendosur brenda kornizave sociokulturore të së tashmes. Koncepti i “shpikjes së traditës”, i shpikur nga Hobsbawm dhe Ranger (1983), dhe studimi i Bodnar për kujtimet zyrtare dhe popullore në Amerikë (1992), janë shembuj paradigmatikë të prezentizmit instrumental. Këto qasje janë të motivuara ideologjikisht dhe, si rregull, nuk u referohen kujtimeve të dashura nga pakicat apo kujtimeve që lindin në nivel individual. Shembuj të dimensionit kuptimor të kujtesës janë veprat e Halbwachs, të cilat i vendosin kujtimet në kornizat sociokulturore , dhe veprat e Mannheim mbi “esencën shoqërore të një brezi”, të cilat sugjerojnë se brezat, përveç strukturës së tyre moshore, janë në thelb të përcaktuar nga përkatësia në një një bashkësi të veçantë eksperimentale-historike dhe kulturore e lidhur nga besimet, vlerat dhe përvojat e jetës së përbashkët. Kështu, teoria e Halbwachs dhe Mannheim tregon se dimensioni i situatës sociokulturore është një aspekt i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i politikës së kujtesës, i cili mungon në qasjet e pastra instrumentiste. Lidhja midis të kaluarës së kujtuar dhe të tashmes së ndërtuar është një kufizim i përsëritur, por edhe në ndryshim, si dhe një rinegocim në kohë – jo vetëm një ndikim strategjik në të tashmen. Kjo tregon se kufizimet e “armiqësisë”, më drejtë islamofobisë si një kornizë referimi për vetëkuptimin (por edhe mënyra se si myslimanët shihen nga të tjerët) vendosen në fushën e betejës së kujtesës, ku idetë mitike dhe racionale për të kaluarën herë punojnë së bashku dhe herë konkurrojnë – por është e rëndësishme të shihet se ato nuk qëndrojnë vetëm si barrë për të tashmen apo si ndikim ideologjik, por se këto ide formojnë identitete individuale dhe kolektive dhe ndikojnë në transformimin e tyre të mëtejshëm. Kjo është arsyeja pse arrijmë në përfundimin se ” myslimani nuk është peng i tabuve që lindin nga tmerret e ndryshme “terroriste”, por është një “peng” i formave në ndryshim të kujtesës kolektive, e cila i jep kulturës politike një orientim jo real.

Historiani i kulturës A. Confino paralajmëron se, pavarësisht nga ndikimet e gjera që mund të ofrojë politika e kujtesës në shpjegimet e së shkuarës dhe së tashmes, në disa analiza të tjera të historisë dhe kujtesës kolektive, mbitheksimi i instrumenteve në politikën e kujtesës mund të jetë shumë i rrezikshëm. Edhe pse këto instrumenete janë padyshim tregime dhe kujtime historike të rëndësishme, duhet pyetur – kujtimet e kujt janë ato? Duhet ta kemi të qartë nëse këto kujtime janë ndërtuar nga politikanë dhe intelektualë të orientuar këndej ose andej. Këta manifestime të kujtesës kolektive janë të kufizuara nga fokusi i tyre i ngushtë në politikën e kujtesës. Domethënë, në këtë rast, studiohen vetëm ato kujtime të krijuara “nga lart”, dhe injoron ndërtimin e të gjitha kujtimeve të tjera dhe lidhjen e atyre kujtimeve me përvojën e përditshme. Prandaj sindroma e studimit të kujtesës nga lart, nuk mund të konsiderohet studim i kujtesës kolektive, edhe pse pretendon të jetë. Në një sferë të larguar nga politika, në sferën private të kombeve, të familjes dhe miqve, duhet patur parasysh se ka interpretime shumë të ndryshme të historisë dhe kujtesës.

Si rrjedhojë, mund të konstatojmë se kujtimet kolektive janë një strukturë dinamike dhe në ndryshim i kuptimit të së kaluarës dhe janë të lidhura ndjeshëm me ndërtimin e identiteteve kolektive, komunitetit dhe kombit. Si struktura dinamike dhe në ndryshim, kujtimet kolektive formohen përmes thjerrëzave të faktorëve socialë dhe politikë në të tashmen. Të formësuara nga prizmi i ngjarjeve aktuale, kujtimet kolektive realizohen gjithmonë midis aktorëve shoqërorë që zënë pozicione në të ashtuquajturat fushëbeteja sociale të kujtesës. Midis aktorëve shoqërorë, elitat politike fitojnë një rol dominues në ndërtimin e kuptimit të kujtimeve dhe ngjarjeve historike. Elemeneti bazë i kujtimeve kolektive është marrëdhënia ndërmjet kujtimeve kolektive dhe identitetit. Për të kuptuar vetë konceptin e kujtimeve kolektive, është e rëndësishme të theksohet se kujtimet janë procese dinamike dhe në ndryshim, në të cilat e kaluara ndikon në të tashmen, por edhe e tashmja ndikon gjithashtu në interpretimet e së shkuarës. Gjithashtu këtu duhet marrë parasysh edhe natyrën e kujtimeve si struktura të ndryshimit të kuptimit që shpesh janë përgjigje ndaj faktorëve socialë dhe politikë në të tashmen. Duhet theksuar se, edhe pse elitat politike përpiqen për të luajtur një rol dominues në përcaktimin e ngjarjeve dhe kujtimeve historike – ato janë në fakt vetëm një grup në fushën e betejës së kujtesës. Kujtimet kolektive kontestohen dhe ndryshojnë vazhdimisht përmes punës së historisë dhe punës së kulturës . Një shembull i mirë i punës së kujtesës do të ishin studimet që tregojnë për ndryshime të rëndësishme në reputacionin e ngjarjeve dhe figurave të famshme historike. Kërkimet mbi reputacionin historik tregojnë gjithashtu domosdoshmërinë e kombinimit të kërkimit sasior dhe cilësor. Për të hulumtuar opinionin e elitave politike, ose për të fituar njohuri në aspektet aktuale të memories tonë kombëtare, dhe për të hetuar opinionet e aktorëve të tjerë shoqërorë për reputacionin e figurave historike, duhet ndërmarrë një hulumtim të thellë në shumë nivele që përfshin analiza të teksteve arkivore, folklorit, gojëdhënave, artefakteve, legjendave, dhe shumë të tjera, që do të mundësojnë një pasqyrë të strukturave dhe përmbajtjeve të thelluara të kujtesës tonë kombëtare. Kjo do të thotë, kujtimet marrin një rol vendimtar në formësimin e jetës sonë individuale dhe kolektive. Ato janë një element koheziv midis së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Kjo është arsyeja pse koncepti i kujtimeve kolektive nuk nënkupton vetëm mënyra për të përfaqësuar ngjarjet e kaluara (kryesisht të prodhuara nga elitat politike), por si kujtime kolektive janë  po aq të rëndësishme, pasi nënkuptojnë ndikimin dhe integrimin e ngjarjeve dhe kujtimeve historike në praktikat e jetës sonë individuale.  Konceptualizimi dhe funksionalizimi i kujdesshëm i kujtimeve kolektive i ofron historisë, kulturologjisë dhe shkencave sociale të lidhura me të, pikënisje dhe supozime shumë të frytshme teorike dhe kërkimore. Konceptet e identitetit, komunitetit, kombit dhe pushtetit në kontekstin e kujtimeve kolektive shprehin disa nga kuptimet e tyre më të rëndësishme teorike dhe metodologjike bashkëkohore. Një parakusht për kërkimin e kujtimeve kolektive është të kuptuarit e kujtesës si një proces i rrjedhshëm dhe në ndryshim. Ndërgjegjësimi për bashkëjetesën e kujtimeve të ndryshme dhe rrëfimeve historike në të cilat marrin pjesë shumë aktorë shoqërorë, si dhe mundësia e një vëzhgimi të kujdesshëm dhe kritik të ndryshimeve dhe marrëdhënieve të tyre, është pikënisja për studimin e kujtimeve kolektive, si dhe një përpjekje solide për të arritur realitetin kompleks historik.