Shkruan: Metin Izeti
Miku, nëse është i vërtetë, të tërheq për një moment. Në çdo moment kur shoqërohesh me të tërhiqet dhe reflektohet përjetësia. Miku i vërtetë sjell në vetëdijen tonë modelet nga përjetësia që pasqyrohen në atë moment. Nëse nuk është i vërtetë, miku nuk ka pse të humbet, ai është zhdukur vetë. Ndërsa, nëse është i vërtetë nuk mund ta humbni atë. Miku është një kohë e kapur.
Në garën e përgjithshme të shoqërisë moderne dhe me ritmin shumë të shpejtë që e ka, kur jeni afër një Miku që e grisë perden e fizikës, atëherë kërkoni njohuri dhe përgjigje duke u shoqëruar me të, dhe padyshim që ndiheni vërtet i nderuar. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishmja është se miqtë e mirë dallohen me fuqinë e ndrtijes, ata e kërkojnë të vërtetën dhe e ndjejnë nevojën për zbardhjen e saj. Me fjalë tjera ata, në një mënyrë, janë si ju ose të ngjashëm me ju, nëse edhe ju e kërkoni të vërtetën. Miku i mirë ju jep një shpërblim duke thënë se unë e them atë që ti e ndjenë, dëshmoj për ekzistencën tënde, për shkak se e dashuroj atë që bën. Dhe përveç kësaj, ne të gjithë jemi njerëz që brengosemi prej kotësisë. Njerëzit, dita ditës, më shumë e më shumë I shërbejnë kotësisë. Dhe kur plakeni aq sa të filloni ta ndjeni kotësinë tuaj si një ngarkesë dhe për një moment Miku I mirë ua mundëson ta kontrolloni atë …
Madje nuk duhet të jetë një provë e urtësisë që e keni kapërcyer kotësinë . Por kur ju e zotëroni atë dhe kur dikush e shpreh atë me fjalë të mira duke u thënë- e pashë atë që po bën, unë e respektoj atë, mendoj se është mirë, ndjeheni mirë. Sepse, në procesin e shprehjes së të vërtetës, të gjithë ne shkruajmë me shpresën se do të gjejmë një bashkëbisedues. Një aspekt tjetër është se Miku i mirë nënkupton diçka praktike.
Kjo është kështu në kohë krize. Ne jetojmë në një periudhë të shpërbërjes së një imazhi të botës. Ne jetojmë në një periudhë dyshimi në themelet e fotografisë së botës. Pra, në një botë që një skandal I bën të famshëm njerëzit më shumë se të gjitha shpërblimet që I ka. Por, skandali shumicën prej nesh e frikëson, është paksa I neveritshëm, prandaj edhe e preferojmë bashkëbisedimin e qetë me Mikun…
Unë mendoj se drama themelore e ekzistencës sonë, e thënë me kusht, është kryqëzimi midis përjetësisë dhe kohës. Platoni thotë se koha është një imazh lëvizës i përjetësisë në të cilin gjenden të gjitha idetë, format dhe të gjitha përmbajtjet thelbësore. Ne njerëzit jemi, nëse mund të shprehem në mënyrë figurative, me një këmbë në përjetësi, ndërsa me tjetrën këmbë në kohë. Ne jemi me njërën anë të qenies sonë në këtë moment dhe vetëm në këtë moment. Sigurisht, jeta jonë ndjek gjithmonë modele të caktuara arketipike të cilat janë gjithmonë të barabarta. Por, ato jetë ndodhin në këtë moment dhe vetëm në këtë moment. I tillë ishte dhe është Miku dhe Udhërrëfyesi im i dashur, Shejh Omer Tugrull Inançer.
Një shkrimtar avangard, i dashuruar me dimensionin teknik të qëndrimit të njerëzve në botë, ju thotë se ai nuk mund të shkruajë sot siç shkruante shkrimtari 300 vjet më parë. Sepse atëherë ata udhëtonin nga Bagdadi në Stamboll për tre ditë. Kjo është e vërtetë dhe duhet të merret në konsideratë. Por edhe tre mijë vjet më parë, një grua mbante një fëmijë nëntë muaj, ashtu si edhe sot. Unë mendoj se ky aspekt është pak më i rëndësishëm për vendzënien tonë, si njerëz, në botë. Sepse përfundimisht, në Bagdad ka pasur mundësi mos të jesh, por ama nëntë muaj duhej të kalonin në barkun e nënës, ose së paku shtatë muaj. Të tillë janë edhe miqtë e Zotit që gjithnjë e ruajnë aktualitetin e tyre në kohë dhe hapësirë, ata gjithsesi duhet të jenë në çdo kohë. I tillë ishte dhe është Miku im i dashur Tugrull Efendiu…
Ai kryqëzim I dramave, midis formave arketipike të modeleve të pandryshueshme që janë gjithmonë i njëjti lloj na lindin neve në këtë botë. Nuk na pyesin fare se a kemi dëshirë ose jo. Ata na lëshojnë në një vend në botë, një kulturë, një peizazh … dhe ne rritemi, mësojmë gjuhën, të ecim… Pastaj dashurohemi dhe vuajmë për shkak të saj. Para se të dashuroheshim e kemi zbuluar trupin tonë dhe kemi vujatur për shkak të tij. Dhe ndërsa jemi gjallë gjithçka që na ndodh, na ndodh vetëm një herë. Çdo gjë. Biseda, nëse nesër e zhvillojmë në të njëjtat tema do të jetë diçka krejtësisht e ndryshme…
Ndoshta unë jam duke folur për ëndrra dhe bëj imagjinatë. Si duket njeriu është larguar nga çdo gjë tradicionale. Ne tashmë e kemi ndryshuar edhe mënyrën e të folurit dhe si rrjedhojë edhe të menduarit dhe ndjenjat. E kemi humbur konceptin e miqësisë për Zotin dhe ndjenjën për miqtë e Zotit (evliatë). Ndoshta jam tepër larg diskursit modern, të kthehem pak, ne kemi hequr dorë nga përshëndetjet tradicionale dhe kemi zgjedhur një përshëndetje pseudo, e cila është në të vërtetë një pyetje: Ç’kemi?!!. Kjo tregon shumë mirë situatën tonë. Do përshëndetje tradicionale na përcaktojnë në mënyrë kulturore dhe fetare. Ata e tregojnë përkatësinë tonë. Ne jetojmë në një shoqëri që është shembur plotësisht. Dhe të gjitha demonstrimet e ndonjë prej formave tradicionale i drejtohen personalitetit të zhveshur të njeriut. Në këtë kulturë që na ka ndezur të gjithëve, në fakt, kemi vetëm një vlerë që sistemi kulturor na imponon, dhe ai është konteksti financiar. Mendoj se pajtohemi të gjithë se vërtetë nuk është vlerë.
Në një shoqëri konsumerike, vlera e vetme është ajo financiare. Do të thotë që unë mund të blejë. Ne jetojmë në një ambient të lirisë dhe demokracisë e cila na siguron që gjithçka është në shitje. Paqja, dashuria, shëndeti, lumturia. Kemi specialistë për gjithçka dhe nëse ne i lejojmë ato, ata do të na mundësojnë një martesë të lumtur, lumturi personale, dashuri të mirë, shëndet për një mijë
vjet … Sigurisht, gjithçka është një gënjeshtër e pastër. Kjo ndodhë kur qenies njerëzore të shkatërruar i ofrohet aritmetikë në këmbim të realitetit. Kjo është arsyeja pse them se nuk ka më vlera. Shpesh i bisedonim me muhabet këto tema me Mikun tim të dashur…
Ne harrojmë se njeriu është qenie e kohës dhe gjuhës. Sepse nëse nëna ime më mbante në bark me të vërtetë për nëntë muaj dhe më jepte gji për një vit dhe më rriste për 15 vjet, vetëm për të fituar para, atëherë, valla, s’kishte nevojë të mundohet! Ne mund të rrisim dhe ushtrojmë një qen për të bërë gjithçka që bëjmë ne sot; të shkoj në votime, të paguaj taksat… Ajo që një qen nuk mund ta bëjë është të kujtojë kohën e 15 viteve më parë dhe të imagjinojë kohën e 16.000 viteve më parë dhe të parafytyrojë kohën pas 16 viteve. Kur flasim për vlera, atëherë ajo duhet të jetë diçka që ka lozur një rol thelbësor në jetën e njerëzve 1.200 ose 180 vjet më parë dhe sot ose edhe pas 50 viteve. Këto janë vlera. Çdo gjë që lumi i kohës e tregoi duke e pasqyruar përjetësinë, sot në emër të ndryshimit është fshirë. Në emër të një vlere financiare që nuk është vlerë, por që është trillim i pastër, sepse vlera financiare shprehet me një numër dhe numri është fikcion. Për fat të keq kjo është duke na ndodhur me fenë, artin, kulturën, shkencën, e kishte traditë shpesh të thotë Miku im i dashur Tugrull Efendiu.
Tugrull Efendiu ishte mik shumë besnik. Me kë mund të jesh mik? Me dikë me të cilin mund të heshtësh. Shpesh e vërej se me këdo që ulem është ose i heshtur (dhe në të njëjtën kohë ndjehet me qeder) ose më fut në gjumë me monolog. Kjo na bën të vërejmë se me vite nuk kemi dëgjuar pyetje. Jemi të rrethuar nga njerëz që tashmë i dinë përgjigjet. Të gjitha përgjigjet. Dhe ata i kanë vetëm përgjigjet. Kudo që të drejtoheni, kolumnistët ju ofrojnë përgjigje për të gjitha pyetjet e paqarta.Të gjithë dinë gjithçka. Askush nuk beson në asgjë. Pra, me dhimbje e them se na mungon bashkëbisedues I vërtetë. Aty na vjen në ndihmë Miku I mirë… dhe unë e kisha…
Mendimtari i madh gjerman Wilhelm von Humbolt thotë se ne njerëzit jo vetëm që e kuptojmë botën, por edhe e ndiejmë atë sipas asaj që gjuha jonë na e përfaqëson atë. Kjo është e vërteta e gjallë. Ne mësojmë, madje ndiejmë përmes gjuhës. Ne si qenie shpirtërore – qenie të logosit, nuk jetojmë në botën e gjërave. Ne jemi të strehuar në gjuhë. Është e qartë se ne, që jemi rritur në kultura që rrjedhin nga fetë monoteiste, e kuptojmë, e ndiejmë, emocionohemi me fuqinë e jashtëzakonshme të gjuhës, për shkak të zbulesës hyjnore, sepse në këto religjione Zoti flet me botën. Ai thotë – bëhu dhe gjithçka bëhet. Bota lind nga fjala. Sidoqoftë, edhe për grekët, që ishin politeistë, njeriu është mbi të gjitha një qenie që flet – zoon, eglon, ehon. Një qenie e gjallë që flet. Një qenie që ka logos. Thjesht, e gjithë fryma njerëzore përmbahet në gjuhë, dinte të këshillojë shpeshherë Miku im i dashur.
Ne kemi harruar këtë sot, nuk jemi të vetëdijshëm për atë sepse jetojmë në një epokë të diktaturës së fotografisë. Përvoja jonë e botës, sjellja jonë në botë, komunikimi ndërnjerëzor është reduktuar në fotografi dhe informacion. Kjo është arsyeja pse ne harrojmë se sa është fuqia e vërtetë e gjuhës dhe sa ne, si qenie shpirtërore, jemi të zhytur në gjuhë. Nuk është rastësi fjala “ Një fotografi flet sa një mijë fjalë” që mendoj se është ndër gënjeshtrat më të kota që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time. Është një marrëzi e tmerrshme që mund të shfaqet vetëm në pseudokulturë. Fotografia nuk flet, por tregon, përcakton, ndërsa fjala bashkëvepron. Fotografia është autokratë , ndërsa fjala demokrate…
Nëse doni t’i jepni ndonjë kuptim një imazhi, duhet ta përktheni atë në gjuhë. Imazhi përfaqëson, gjuha flet, sepse narracioni është një fenomen kohor. Narracioni zhvillohet në kohë dhe gjuha formon kohën. Kur flisni, ju formësoni kohën që rrjedh kur flisni. Në këtë kulturë, të zvogëluar në teknikë të thjeshtë, disa qarqe përpiqen të na imponojnë një bindje se gjuha është para së gjithash informacion. Kjo, natyrisht, nuk është e vërtetë. As njohja, as fjala dhe as gjuha nuk mund të reduktohet në një informacion. Ose thuhet – gjuha është një mjet komunikimi. Po, ndër të tjera është edhe mjet komunikimi. Por, përveç të qenit mjet komunikimi, gjuha është gjithashtu një mjet shprehjeje. Dhe një mjet për të mbajtur kontakte me një tjetër, qëllimi i të cilit nuk është komunikimi. Nëpërmjet gjuhës ne e argumentojmë ekzistencën tonë, pra se ne jemi. Për fat të keq, sot nuk jemi as në dijeni se ekzistojmë. Kjo është arsyeja pse bëjmë kaq shumë fotografi. Kjo është arsyeja pse, në mënyrë të çmendur, ne i konfirmojmë njëri-tjetrit se ekzistojmë përmes Facebook-ve të ndryshme. Kjo është arsyeja pse, në mënyrë maniake, të sëmurë, ne i shpallim të gjitha detajet rreth vetes, në mënyrë që dikush të na tregojë se ne jemi. Sidoqoftë, gjuha dëshmon për ekzistencën tonë. Në trajtën më të saktë, më të besueshme, më të mirë. Ne flasim për t’i dëshmuar njëri-tjetrit veten dhe tjetrin përballë dhe në ne. Ose heshtim dhe me atë heshtje themi më shumë sesa mund të themi me fjalë. Dhe këto janë mrekullitë e gjuhës, thoshte Miku im i dashur.
Fjala është mjeti më i vjetër dhe më i hershëm i operacioneve magjike. Fjala është mjeti me të cilin fillojmë të komunikojmë me Zotin. Fjala është mjeti që na sjell në vetëdije ekzistencën tonë. Fjala është në të vërtetë një akt para veprimit. Georg Büchner’i e ka një ide mahnitëse. Heroi i tij Robespierre thotë: “Ideja është ajo që vret. Gijotina ose shpata është vetëm një mjet. ”Por ideja, mendimi, fjala, e ngre dorën. Para veprimit, ata (ideja, mendimi, fjala) e zgjojnë një dëshirë ose vetëdije se akti duhej bërë ose se dëshirohet të bëhet. Nuk duhet ta harrojmë atë. Çdo gjë që ndodh së pari ndodh në gjuhë. Vetëm pas kësaj në realitet. Fjala i lidh njerëzit, fjala është një akt. Njeriu i fjalës është një qenie morale. Fjala është instrumenti më i rëndësishëm, më i fuqishëm i jetës sonë. Në momentin që humbet ndjenja se fjala është e detyrueshme, kemi pushuar të jemi një qenie shpirtërore. Në atë moment, e humbim ndjenjën etike. Të gjithë mendimtarët e vjetër kanë thënë,
ata e dinin se, gjuha është vatër e ekzistencës – fole e qenies. Nëse nuk jemi të detyruar nga fjala, nuk jemi më të detyruar për asgjë. Sepse kështu vazhdojmë të fundosemi në marrëzi, nihilizëm dhe hiç.
Miku im i dashur ishte njeri i fjalës dhe që bënte fjalë, fjalën e thurte me emocion, me art me kulturë. Fjala e tij kishte peshë, zëri bariton që të kënaqte shpirtin, loti i këndshëm që të pastronte zemrën. Por tashmë, veshi im lëndor nuk ka mundësi të dëgjojë këtë zë dhe këtë fjalë, ama fjalët dhe zëri i bukur i Mikut tim do të vazhdojnë të përsëriten në veshët e mi deri në frymën e fundit. Evliatë thonë se shpata kur del prej këllëfi bëhet më e mprehtë…
I dashur Allah, Mikun tim bashkoje me miqtë e Tu, jam dëshmitar që i donte shumë ata dhe digjej për takimin me Xhemalin(bukurinë) e Hakut (Të Vërtetës)….