Shkruan: Metin IZETI, Tetovë
Erdha te dera Jote me pikat e dritës që kullohen nëpër perdet e zemrës sime duke u hapur nga netët në mëngjes, nga errësira në diell!
E di, rrugët drejt Teje kalojnë nëpër trëndafila…
Ajo është e stolisur me përgjërime, lutje dhe tahijjat…
O Ndryshues dhe Edukues i zemrave me mëshirë, ta kam sjellë zemrën time.
O Ti që përkëdhel zemrat me nurin e qenësisë!
Mora zemrën timeplot gjak, me plagë të pashërueshme në pëllëmbët e mia dhe
erdha te dera Jote.
Sa do të doja të thosha “Selam për ata që e vendosën sexhaden e jetës së tyre në dergjahun e shpirtit”,
Por, e di që nuk kam as fytyrë, as të drejtë.
Kam mësuar se lutja është dërgesë e letrës nga ashiku(i dashuri) tek Mashuku (I Dashuruari); një letër e shkruar me lot.
Dhe, është një pritje, pritje me entuziazëm, frikë, shpresë.
Këtu, ndërkohë që koha po godet çdo sekondë të jetës sime me çekanin e madh të pashpresisë, unë erdha në derën Tënde në emër të një shprese të çastit të zemrës sime, e cila dridhet me frikën e llogarisë së padhënë para Teje…
Ah!Akam ardhur vërtet, a ka ndonjë lajm për faljen time?
Do të doja të vija në derën Tënde, mehirkën e një dervishi, me durimin e Ejubit Tënd të dashur, dhe i ngarkuar me pamundësinë dhe gjynahun tim!
Ah! Sikur të mbulohesha me vellot e Merjemes, sikur ai zë në malin Tur të gjente një jehonë në shpirtin tim, për hir të asaj se jam krijesa Jote.
Sikur të bëja sexhde para Teje me gjithë shpirtin tim.
O Zoti im, që përqafon tokën dhe qiellin me mëshirë!
O Ti që stolis qiellin me fuqinë Tënde!
O Zoti im!
Lutja ime është për Ty, vetëm për ty, dashuria ime, Ty të përgjërohem!
Stërpike me mëshirën Tënde zemrën time që është bërë gur.
Lejo të fluturojnë në drejtim të zemrave tona të zeza disa xixëllonja për të bërë sado pak dritë?
Të ndriçojnë sado pak ditët tona të errëta, netët tona…
Dhe, për hir të ashikëve që thonë “hajde sido që të jesh”, të lutem më fal!
Të kërkova dhe u ndala në vetminë e zemrave, në shkretëtirat, në rrugët e paarritura dhe në tokën që ka nevojë për një shkrepje të mëshirës Tënde.
O perde, o damar i qafës!
Unë gjej strehë në hijen e dhembshurisë sate, o i Lumi Zot!
Është momenti kur po vdes për t’u djegur si një grimcë asgjëje.
Kam nevojë për komplimentin Tënd, Ti je Vedud (I Dashur), Zoti im!
Të lutem dëgjo, bile një herë, përgjërimin e robit Tënd.
Lutje, lutje, përgjërim dhe hapeshkan dyert drejt Madhnisë Tënde…
Erdha të përgjërohem në derën Tënde në një ditë të trishtuar vjeshte.
Frika ime prej Teje nuk është zjarri, është frika që mos të të humb Ty.
Frika e humbjes së Mikut, më të Shtrenjtit, më të Dashurit, më të Kërkuarit, në shpirtin tim! Shpresa ime është nëkënaqësinë Tënde: Zoti im ti je qëllim i Im (Ilahi ente Maksudi)…
Zemrat tona janë të dërrmuara, o Zot!
Fytyra jonë është për toke.
Nuk kemi fytyrë ta ngremë kokën dhe të shikojmë në pafundësi!
Ne nuk arritëm të jemi të denjë.
Derisa po mbyteshim në korridoret e pendesës, nuk patëm fuqi të qajmë, në heshtje të thellë, me vullnetin tonë të dobët, me zemrat tona të muzgut, të mund të nxirrnim një pikë loti nga zemra, në emër të sinqeritetit.
E di që do ta pranonit këtë si provë të pendesës.
Jemi të burgosur në egon tonë si rrjedhojë e dobësisë së zemrave tona.
O Zot!
Hiqmi prangat e të mallkuarit, hiqmi të lutem, në emër të miqve Tu të dashur…
Më çliro, o Zot!
Nga kujdestaria e mendjes, e cila është kthyer në një lodër dyshimesh.
Le të pimë deri në ngopje nga aroma e trëndafilit të dashurisë së bekuar dhe na jep mundësinë të ecim në sirat-i mustakim (Rrugën e drejtë), të larë me dritën Tënde nga mëkatet, dhemos lejo të jetojmë si të vdekur që ecin mbi tokë…
Qytetet dhe shtëpitë na janë bërë varre, o Zot!
Nga çdo shtëpi era e kufomave ngrihet deri në qiell.
Shpirtrat janë të vdekur, jo trupat.
Na jep të ringjallemi me Nurin Tënd…
Ne kemi ndërtuar idhuj në zemrat tona, të larta janë sa rrokaqiejt.
I puthim këmbët e perëndive të tokës.
Deri në gju u zhytëm në kënetën e kësaj bote…
Më lër të vrapoj tek Ti…
Duke ua përplasur në fytyrë njerëzve miqësitë e rreme dhe dashuritë hipokrite,
Ndërsa ne po notojmë në mëshirën e ditëve kur dyert e pendimit u hapën gjerësisht dhe engjëjt u mbyllën për tokë me krahët e tyre, vendose dashurinë dhe edebin në zemrat tona.
E kemi nxjerrëtë shesim jetën në tregun e botës, për hir të një komplimenti nga Ti.
Mos na e shih shumë të jemi një gjeth pa ngjyrë dhe pa erë në trëndafilishten Tuaj.
Na bën Kitmir në derën Tënde të madhe.
Mëkatet me ngjyrë katrani po derdhen nga duart dhe zemrat tona.
Në emër të atyre që nuk u kthehet lutja nga qielli, në emër të atyre që me dritën e tyre netët i shndërrojnë në mëngjes, në emër të atyre që qëndisin sinqeritetin në perdet e jetës, përgjërohem dhe kërkojfalje me lutjen time.
O Zot!.. më fal!.. më fal!..