Zhvillimi shpirtëror është rruga e kthimit në origjinë dhe i konceptit të jetës si njeri. Kjo i dallon njerëzit nga kafshët dhe është qëllimi i vetëm për të cilën ne të gjithë kemi ardhur këtu në Tokë. Kuptimi i jetës është ta pastrojmë pasqyrën e shpirtit tonë nga papastërtitë me fitoret morale mbi të metat, tiparet dhe zakonet e këqija, ta forcojmë shpirtin dhe t’i kthehemi të pastër Krijuesit Primordial.

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Mendoj se herët a vonë çdo person përballet me pyetjen: “Kush jam unë dhe pse jam këtu?” Nuk ka rëndësi nëse e kemi pyetur veten për këtë në shkollë, gjatë një krize të moshës së mesme, në moshën 40 apo 65 vjeç – nuk është kurrë vonë për të kërkuar përgjigjen dhe nuk është kurrë shumë herët! Kthimi në origjinë dhe zhvillimi shpirtëror i jep kuptim jetës. Ne të gjithë erdhëm në këtë botë për ta njohur veten dhe, përmes vetes, për ta gjetur Krijuesin, edhe pse shumicën e kohës duam ta ndryshojmë botën! Por, në fakt, gjithçka që mund të ndryshojmë realisht dhe ia vlen të ndryshojmë, është vetvetja. Njohja e origjinës dhe shpirtit është një proces i shumanshëm dhe shumështresor. Në çdo fazë të njohjes njeriu ndryshon, por ndryshon edhe kuptimi se pse e bëjmë këtë dhe kush mendojmë se jemi. Por, gjëja kryesore është se ky kuptim do të jetë dhe është i pashtershëm, do të jetë i mjaftueshëm për gjithë jetën tonë. Nëse nuk e kemi gjetur thirrjen e vërtetë në shoqëri ose ndoshta nuk është e mjaftueshme për ne apo mendojmë se gjithçka në këtë botë është kalimtare dhe shpirti jonë tërhiqet nga diçka më themelore, atëherë jemi në rrugën e drejtë, pasi shpirti është themeli që e lidh njeriun për të gjitha krijesat. Gjëja më mbresëlënëse dhe më globale është udhëtimi njohës në drejtim të brendësisë sonë dhe studimi i universit në laboratorin e shpirtit tonë.

Zhvillimi shpirtëror është një proces i të kuptuarit të natyrës tonë primordiale, duke njohur Krijuesin Primordial. Kjo nuk i ngjan aspak vetekzaminimit, që nxitet në degë të ndryshme të psikologjisë. Ky realizim ndodh në ibadet, i cili, natyrisht, i ka rregullat e veta. Jo të gjithë ne mendojmë se kjo është rruga e vetme e pastrimit dhe iluminimit të njeriut, ndërtimit të familjes së pastër dhe shoqërisë së lumtur, por ama rrugët e tjera janë të provuara dhe qartë e kanë treguar fotografinë e dështimit të tyre. Prandaj ia vlen të provohet. Ibadeti, pas një kohe, i sendërton ndryshimet në shpirtin dhe jetën e praktikuesit. Është si një rrëshqitje dheu: gjithnjë e më shumë shtresa prej jush po hapen, duke zbuluar gradualisht origjinën dhe afërsinë me Krijuesin. Ky proces shoqërohet me ndezje të vetëdijes që e ndryshon gradualisht njeriun dhe jetën e tij.

Këto iluminime në procesin e ibadetit na lejojnë ta kuptojmë më mirë botën përreth nesh, të ndjejmë ndërlidhjen midis të brendshmes dhe të jashtmes. Dhe, ato gjëra që deri atëherë na dukeshin si të pazakonshme, gradualisht kthehen në të zakonshme. Nga njëra anë, bota bëhet më e thjeshtë dhe, nga ana tjetër, më e pashpjegueshme, por e përjetueshme, sepse një pjesë e konsiderueshme e të kuptuarit të fituar është shumë e vështirë të shprehet me fjalë.

Nëse kujdesemi për shpirtin tonë, gradualisht bëhemi më të vetëdijshëm për jetën dhe lëndoren në të. Kjo ndihmon në monitorimin e emocioneve negative, shpërbërjen e atyre mendimeve që çojnë në to dhe ndryshimin e stereotipave, modeleve të sjelljes dhe errësimin e ndërgjegjes së zemrës. Duke i transformuar mendimet nëpërmjet ibadetit, ne i ndryshojmë emocionet dhe veprimet në pozitive, gjë që e rrit kënaqësinë nga jeta.

Paqja e brendshme na çon drejt lumturisë! Ne mund ta ndryshojmë jetën tonë në çdo moment, por shpejtësia dhe thellësia e kthimit varet nga ajo se sa i mbajmë qëndrimet dhe besimet e rreme të gjalla. Sa më pak negativitet dhe dyfytyrësi të brendshme në jetë, aq më të kënaqur do të jemi me jetën.

Kthimi në origjinë dhe përsosja e shpirtit nuk do të thotë që një person të pushojë së dëshiruari dhe të jetojë i izoluar. Përkundrazi, ai vazhdon të funksionojë në shoqëri dhe të kërkojë përmirësime në jetën e tij, por këtë e bën në një mënyrë më të sofistikuar. Lista e dëshirave nuk përzihet me ato të nevojave – dëshirat ngelin dëshira, ndërsa nevojat nevoja. Si rrjedhojë, dëshirat e kota gradualisht zvogëlohen, mbeten vetëm ato që janë vërtet të pandashme nga natyra e brendshme dhe preferencat personale. Kështu, një person, ndërsa zhvillohet dhe pastrohet shpirtërisht, në të vërtetë e realizon veten më plotësisht në jetë, duke u fokusuar vetëm në atë që është më e rëndësishme dhe duke mos u shpërqendruar nga gjërat e futura dhe të rreme.

Kohëve të fundit shkruhen shumë libra se si të jesh i lumtur. Mënyra më e shkurtër, për mendimin tim, është të pastrojmë veten duke i shërbyer Krijuesit dhe t’i kthehemi origjinës sonë. Ibadeti e përmban në vete pastrimin e trupit, të mendjes dhe zemrës. Pastrimi i trupit sjell shëndet dhe forcë, ndërsa pastrimi i mendjes nga papastërtitë dhe çlirimi i zemrës nga papastërtitë jep gëzim. Lumturia është një gjendje e natyrshme e shpirtit! Për të qenë i lumtur vetëm duhet të heqim dorë nga gjithçka e panevojshme dhe ta ndjekim natyrën tonë të pastër, e cila është e përfaqësuar me kërkesat dhe nevojat në Kur’an dhe Traditën Konstituive (Sunet) të Pejgamberit a.s.. Jo vetëm myslimanët, por edhe të tjerët, ia vlen të provojnë ta gjejnë origjinën dhe veten e pastër të tyre në pasqyrën e Kur’anit dhe Sunetit.

Nëse dëshirojmë të jetojmë mirë dhe të rehatshëm, atëherë ta shtojmë praktikën e ibadetit, si atyre të obligueshme fetarisht (farzet), por edhe ato shtesë (nafile). Për pasojë, jeta jonë do të mbushet me dritë, pavarësisht në çfarë situate jemi. Zhvillimi shpirtëror na e jep lirinë për ta jetuar jetën tonë në mënyrën e duhur. Lumturia më e madhe është të jesh ai që realisht je.

Ibadeti na e shton kuriozitetin për ta shijuar procesin e të kuptuarit të vetes. Kufijtë e vërtetë të shpirtit mund të zgjerohen deri në pafundësi dhe ne mund të udhëtojmë me kënaqësi në këto rrugë të rregullta. Me këtë e shohim vetë lumturinë që është e përfaqësuar në shkrimet për jetën e miqve të Zotit. Ky udhëtim duket se shkon në drejtim të së panjohurës, mirëpo, nuk është ashtu. Udhëtimi është prej të njohurës së përgjithshme në njohjen e hollësishme. Detajet e realitetit e kënaqin njeriun dhe ia zbukurojnë jetën atij, ngjashëm si një fëmijë që e shikon botën pas lindjes dhe e rizbulon atë!

Zhvillimi shpirtëror shoqërohet gjithmonë me rritje personale, sepse një person mëson ta shikojë botën me një zemër të hapur, pa prizmin e shtrembëruar të Egos. Procesi i rritjes shpirtërore e çliron urtësinë primordiale (njohuri pa fjalë), e rrit intuitën dhe na bën më fleksibil, pra e çliron kreativitetin tonë.

Udhëtimi shpirtëror, përmes ibadetit, na mëson ta shohim shkakun dhe efektin e veprimeve tona në rutinën e përditshme, gjë që na lejon t’i korrigjojmë shpejt gabimet dhe të zotërojmë aftësi të ndryshme sociale në mënyrë më efikase. Gjithashtu, na mëson t’i shohim arsyet e sjelljes së njerëzve të tjerë, t’i kuptojmë më mirë dhe të përfitojmë nga ato mundësi që na disponojnë vetëm në bashkëpunim me të tjerët. Suksesi është gjithmonë i lidhur me njerëzit e tjerë; është e pamundur të bëhemi të suksesshëm pa ndërvepruar me shoqërinë. Prandaj, përmirësimi i aftësive të komunikimit dhe bashkëpunimit, që lind për shkak të rritjes shpirtërore dhe personale, është shumë i dobishëm! Ndërsa shpirti i praktikuesit të ibadetit bëhet më i qartë, ai ka një kuptim më të thellë të dobësive dhe pikave të tij të forta dhe kjo e siguron zhvillimin e talentit të tij. Duke i ditur dobësitë tona, u lejojmë të tjerëve që të na përmirësojnë, e braktisim konceptin e rremë të perfeksionizmit dhe kjo na e redukton stresin, ndërsa e kursen energjinë për fushat ku jemi më të mirë.

Natyrisht, rritja shpirtërore gjithashtu i rrit cilësitë personale shumë të kërkuara: ndërgjegjësimin, aftësinë për të marrë përgjegjësi, iniciativën, mprehtësinë, qetësinë në situata stresuese dhe më shumë. Ndryshimi i vlerave dhe rafinimi i personalitetit mund të çojë në një ndryshim në profesion, stil jete – bëhemi më të lirë, më të guximshëm, ndjekim më lehtë diktatet e shpirtit tonë dhe e shikojmë botën më pozitivisht. Nëse jemi pragmatistë, atëherë këtu qëndron lidhja praktike midis përditshmërisë tonë dhe zhvillimit shpirtëror.

Njeriu ka nevojë të zhvillohet shpirtërisht. Personi pa një qëllim-mision global, pa e kuptuar arsyen e qëndrimit të tij në tokë, nuk do të arrijë sukses në jetë, e mos të diskutojmë një nivel të lartë zhvillimi. As lëndor dhe as shpirtëror. Zhvillimi shpirtëror është i lidhur ngushtë me vetëpërmirësimin. Nëse një person nuk ecën përpara, atëherë ai me siguri ecën prapa. Udhëtimi shpirtëror i personit i mundëson çdo ditë rindërtim të personalitetit të tij. Gjithashtu, njeriut i shtohet shpresa dhe ai vendos një baraspeshë emocionale në jetë.

Baza e zhvillimit shpirtëror është vetëpastrimi dhe kultivimi i cilësive të virtytshme, si dhembshuria dhe filantropia. Dhembshuria dhe filantropia janë baza e shërbimit të sinqertë ndaj njerëzve. Prandaj, zhvillimi shpirtëror e forcon kërkimin tonë për vetërealizim dhe na jep forcë për t’i shërbyer botës.

Shumë aktivitete sociale e kanë në thelb një element shërbimi ndaj të tjerëve. Në shumë libra për biznesin, njerëzit e suksesshëm ndajnë një nga sekretet e suksesit të tyre – një dëshirë të sinqertë për t’u dhënë diçka njerëzve, për të përmirësuar, lehtësuar, ndryshuar diçka… Nëse kemi dëshirë të marrim më shumë, duhet të fillojmë të japim më shumë! Zhvillimi i shpirtit dhe njohja e vetes na jep mundësinë për të ndihmuar të tjerët me një zemër të pastër, gjë që na sjell gëzim dhe na bën më të suksesshëm në atë që e bëjmë. Njerëzit e ndjejnë kur bëni diçka “me shpirt” dhe kjo i tërheq gjithmonë, sepse çdo gjë e bërë nga një zemër e pastër e frymëzon jetën, sjell gëzim, shpresë, kujdes dhe mirësi në zemrat e të tjerëve.

Zhvillimi shpirtëror na mundëson të bëhemi pjesë e vetëdijshme e botës, t’u shërbejmë njerëzve, ta shijojmë jetën dhe të marrim pjesë në proceset e ndryshimit për të mirë dhe zhvillimit. Duke ndihmuar të tjerët, ne e ndihmojmë veten të bëhemi më të mirë. Fillojmë ta kuptojmë me vetëdije shpirtin tonë. Si rrjedhojë, shërbimi ndaj njerëzve na afron me Krijuesin, pasi ne krijesën e duam për hir të Krijuesit.

Zhvillimi shpirtëror është rruga e kthimit në origjinë dhe i konceptit të jetës si njeri. Kjo i dallon njerëzit nga kafshët dhe është qëllimi i vetëm për të cilën ne të gjithë kemi ardhur këtu në Tokë. Përfundimisht, kuptimi i jetës është ta pastrojmë pasqyrën e shpirtit tonë nga papastërtitë me fitoret morale mbi të metat, tiparet dhe zakonet e këqija, ta forcojmë shpirtin dhe t’i kthehemi të pastër Krijuesit Primordial.