“Askush nuk mund ta kuptoje dridhjen ne shpirtat e te tjereve, perderisa nuk e ka perjetuar ne shpirtin e tij”.
Hermann Hesse
Në kohën tonë s’është aq e vështirë të shkruash libër. Pak nga një enciklopedi, ca kontekste tjera nga libra autoritarë dhe për t’u dukur sa më bashkëkohorë, një bibliografi me botime të shumta nga e kaluara dhe të reja. Ngjarja, për fat të keq është e tillë edhe me librat me platformë fetare dhe filozofike. Si pasojë, libri i ri krahas kërshërisë të ngjall sadopak edhe dyshimin nëse do t’ia vlejë të blehet e të lexohet, apo do të struket diku në një qoshe, i mënjanuar dhe i shpërfillur.
Kurse libri që lexuesi shqiptar e ka pranë nuk është i tillë. Është libër që përmban çështje themelore të fesë dhe të praktikës fetare, të interpretuara nga një vështrim i personalitetit që e ka erudicionin e domosdoshëm profesional, aftësinë argumentuese bashkëkohore, por edhe , siç thotë Hesse më lartë, të njëjtën e ka përjetuar në shpirtin e tij.
Fjalitë e tekstit të librit nuk janë vetëm thënie dhe teori të thjeshta deskriptive ose analitike, por ata janë derdhje e shpirtit të autorit të respektuar në rrugën që duhet të ndiqet. Ata janë, secila për vete, gur e kalldrëmës drejtë realitetit të përjetshëm. Jo vetëm për vete , por në trajtë të l’art pour l’home, për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjejnë shkeljen reale në rrugën drej të vërtetës.
Vepra është e ndërtuar në trajtë të tri këndeve të trekëndëshit që në realitet e përbëjnë diskursin sufik islam. Çështjet në plotni janë të diksutuara në kuadër të treshit që bashkohet në këndet, besim-vepër-etikë. Brenda tyre ka një mori problemesh dhe dukurish, jo të shkruara në vetmi në dhomë, por duke ua bashkangjitur edhe frymimin e qindra dëgjuesve të dashuruar në fjalët që çojnë drejt të Madhit.
Lexuesi është përballë me një libër i cili befason me larminë e çështjeve që tarjtohen, me thjeshtësinë e shprehjes dhe qartësinë e komunikimit, me stilin tërheqës, me formulimet precize, me pathosin artistik, me intimitetin përfshirës dhe gjykimin e drejtë.
Libri që merr në dorë lexuesi shqiptar ofron për herë të parë mundësinë e një njohjeje vizionare dhe përjetuese të koncepteve shkencore-semiotike të tesavvufit islam. Libri ka një gamë të pasur dhe të larmishme që u interesojnë jo vetëm sufijve dhe specialistëve të tesavvufit islam, por edhe specialistëve të artit dhe të muzikës, artdashësve të dashuruar sidomos në këtë art të magjishëm që e ngre nivelin e vet nga interesi i një jete të qetë dhe me dashuri epistemologjike dhe gnostike.
Omer Tugrull Efendiu na përfshin menjëherë në çështjet, si lëviz historikisht tesavvufi, përse bashkëjetojnë vlerat dhe antivlerat; ç’është esenca latitudale dhe longitudale e mendimit islamik; çka është vetia bazë e individualiteteve të shquara në tesavvuf…
Libri përbëhet nga disa biseda, me burim nga zemra, që autori i ka mbajtur në disa qytete të Turqisë. Ai në këto biseda i ka diskutuar së pari marrëdhëniet e çësthjeve rrënjësore islame me jo-sistemin, me botën që shtrihet përtej caqeve reale të njeriut, dhe së dyti, marrëdhëniet e statikës me dinamikën. Me një fjalë, ai përpiqet të sqarojë si njeriu ka mundësi të jetë pjesë e shoqërisë duke mbetur vetvetja. Në rastin e Omer Tugrull Efendiut, ata e përfitojnë llojin sinonimik të gjuhës dhe të botës që shtrihet jashtë caqeve të gjuhës. Hapësirapër të cilën flet autori shtrihet jashtë gjuhës dhe tej caqeve të saj, bie në sferën e metagjuhës dhe shndërrohet në përmbajtje vetëm si element përbërës i dikotomisë përmbajtje-shprehje.
Libri në trajtë shumë origjinale e përpunon lindjen emundësive të intervalit kohor ndërmjet impulsit dhe reaksionit mbi të. Një etapë e re principiale del në pah me lindjen e ndërprerjes kohore ndërmjet marrjes së informacionit dhe reaksionit mbi të. Një gjendje e tillë, konstaton autori, para së gjithash, kërkon zhvillim dhe përsosje të shpirtit. Një tjetër rezultat i rëndësishëm është shndërrimi i reaksionit nga veprimi i drejtpërdrejtë në shenjë.
Veçanësia kryesore e kësaj gjuhe qëndron në papërcaktueshmërinë e saj të madhe. Kjo e bën atë të përshtatshme për dhënien e mesazheve të ëmbla dhe jashtëzakonisht të aftë për shtrimin e rrugës nga duhet të ecet. Libri që sapo do të nisni ta lexoni ka vërtet ujë gjallërie. Autori i tij, sufiu, studiuesi dhe artdashësi, Omer Tugrull Inançer, ka arritur në një stad të tillë, pasi ka bindur në radhë të parë veten për shumë dukuri që kanë pamje dhe thelb të këndshëm. Vetëm pas kësaj ai ua kumton dhe i edukon të tjerët…