Kultura e pasur lindore është transferuar shumë herët në Greqinë antike dhe ka ndikuar dukshëm në ndryshimin e gjendjes shoqërore dhe zhvillimin e kulturës, tregtisë dhe politikës në poliset antike. Në këtë periudhë, duke filluar nga shekulli i VI e deri në shekullin e IV para erës sonë, ka disa karakteristika dhe specifika në përmasat shoqërore politike dhe kulturore të Greqisë antike.
Ideali edukativ dhe identitar i poliseve greke ka qenë ndërtimi i personit të zhvilluar në trajtë harmonike ose siç e kanë emërtuar ata kalokagatia që në realitet do të thotë bashkimi në një person i vetive të bukura dhe moralit të lartë. Kalokagatia gjithashtu do të thotë zhvillim harmonik i fuqive psikike dhe fizike të njeriut, formim dhe trajtësim përpjestimor i drejtë në aspekt shpirtëror dhe trupor.Në realitet, do të thotë, kontakt real i të bukurës dhe të mirës nëpërmjet edukimit trupor dhe shpirtëror (filozofisë, muzikës, letërsisë, etj).
Kalokagatia si një nga kategoritë estetike të rëndësishme të Lindjes, që domethënë bashkëvajtja reale e të bukurës dhe të mirës, në ndërtimin shoqëror dhe artistik të individit është diskutuar në hollësi edhe tek Platoni në veprën e tij “Republika”, por edhe në tërë historinë e estetikës deri në ditët e sodit.
Kategoria estetike e përqëndruar në relacionin e drejtë të etikës dhe estetikës, domethënë kalokagatia, është një nga qëndrimet themeltare të botëkuptimit estetik në kulturën islame që nga fillimi. Gazaliu është mendimtari musliman që më së tepërmi e ka diskutuar këtë çështje. Termet estetike të përdorura nga Gazaliu, përderisa nga njëra anë kanë shprehur kuptime në lidhje me të bukurën, nga ana tjetër kanë qenë të përqëndruara në sfondin e të mirës dhe sjelljes etike. Ndër termet estetike të përdorura nga Gazaliu në kontekst etiko-estetik mund të veçohen: Husn/e bukur, ihsan/vepërmirësi, tahsin/zbukurim, xhemal/e bukur sublime, xhemil/e bukura në sjellje, zinet/stoli, tajjib/e mirë e hollë, etj.
Husn/e bukur është antonim i fjalës kubh/e shëmtuar dhe përdoret në kontekst të zbukurimit të diçkaje, por, njëkohësiht e ka edhe kuptimin e “të mirës” në kontekst të atribuimit të qenieve lëndore dhe sjelljeve të tyre. “Husn/e bukura” e shpreh bukurinë magjepsëse dhe të dëshiruar si vlerë estetike, por njëkohësisht e ka edhe domethënien e ihsanit/vepërmirësisë që në esencë përbëhet prej të mirës të konceptuar me arsye, të dëshiruar me ndjenja dhe të lakmuar nga shpirti. Si rrjedhojë, termi ihsan/vepërmirësi që gjithashtu rrjedh nga fjala husn/e bukur e ka kuptimin e sjelljes fisnike ndaj tjetrit dhe sakrfikimit shoqëror për të mirën.
Xhemal/ e bukur sublime është paskajore dhe e ka domethënien e të bukurës magjepsëse dhe paralelisht e shpreh atë në ekzistencë dhe në sjellje. Për pasojë, xhemali perceptohet edhe në formë, por edhe në kuptim. Gjtithashtu edhe fjala xhemil që rrjedh nga paskajorja xhemal e ka domethënien e të bukurës dhe sjelljes etike-estetike.
Tajjib/e mirë e hollë përdoret për tokën pjellore të përshtatshme për mbjellje, puhizës së lehtë dhe kafshatës së fituar me hallall.
Në lidhje me termin xhemal që përmednet në tekstin e porosisë së Pejgamberit a.s. “ Allahu është i bukur dhe e dashuron të bukurën”, Ibnu’l-Ethir (vd. 606/1209) thotë se është përdorur në kuptim të qenieve konkrete të dukshhme si dhe për lëndët abstrakte të papërceptueshme (kuptimet); ndërsa termi xhemil është përdorur në kuptim të “personit që sjelljet i ka të bukura dhe vetitë e plota”.
Ndërsa Toshihiko Izutsu thotë se fjala “husn” ka shtrirje tejet të gjerë dhe është përdorur në kuptim të “të preferuarës”, “ pasionueses”, “ estetikes për syrin”, ose “mahnitëses”, gjithashtu ka shtuar se kjo fjalë e përfshinë përmasën e përbotshme dhe fetare të jetës së njeriut.
Gazaliu me termet “husn” dhe “xhemal” i ka atribuar gjërat dhe sjelljet dhe të njëjtat i ka përdorur për të shprehur gjërat që mund të përkapen nëpërmjet shqisave por edhe për ata që nuk mund të perceptohen nëpërmjet shqisave. Për shembull ai, fjalën “husn”e ka përdorur për emërtimin e atributit estetik të sjelljes etike, por edhe për shprehjen e bukurisë së syrit, vetullës, gojës si dhe të femrës së bukur. Gazaliu të bukurën lëndore e ka emërtuar me termin husn, ndërsa për çështjet metafizike dhe imagjinare e ka përdorur termin xhemal. Ai termin husn, gjithashtu, e ka përdorur edhe për moralin e mirë, dijen e mirë, shkrimin e bukur, sjelljen e mirë, bukurinë e ngjyrave; herë pas here të njëjtat i ka shprehuer edhe me termin xhemil ( si për shembull ahlak-i xhemile/etika e bukur) dhe me këtë ka vendosur një relacion përpjestimor të drejtë midis etikës dhe estetikës. Ndërsa termin xhemal, Gazaliu, e ka përdorur për të bukurën tejlëndore dhe ka theksuar se xhemali/ e bukura sublime ekziston edhe tek gjërat që nuk mund të përkapen nëpërmjet shqisave.
Gazaliu ka thënë që “dashuria ndaj të bukurës është në vetë qenien e saj” dhe me këtë i ka hapur dyert e botëkuptimit islam për ontologjinë dhe qytetërimin e dashurisë dhe estetikës. Fusha e përdorimit të termeve etiko-estetike husn dhe xhemal në letërsinë e shkruar nga Gazaliu nuk është e kufizuar. Ai të njëjtat i ka përdorur edhe për të bukurën estetike edhe për të mirën, rrjedhimisht, të bukurën etike. Me fjalë të tjera kjo trajtë e prezentimit të bashkësisë ideore dhe praktike të të mirës dhe të bukurës është esenca e botëkuptimit mbi estetikën në shpirtërinë islame. Thënia e urtarëve “Ka dy gjëra që nuk kanë kufi, e bukura sublime/xhemal dhe elokuenca/bejan”, është sqarim më i mirë i këtij realiteti.
Dashuria, thotë Gazaliu, është pasionim me qenien e një lënde. Do të thotë, pasionim me diçka , jo për shkak se është e mirë, por, për shkak të fascinimit nga qenia e saj. Pra, kjo është dashuria që nuk shtohet dhe nuk pakësohet dhe që në asnjë mënyrë nuk mund të shlyhet. Rrjedhimisht është dashuria ndaj bukurisë sublime/husn-i xhemal. Çdokush që e percepton të bukurën njëkohësisht edhe e dashuron atë. Pasionimi me të bukurën është për shkak të vetë qenies së saj. Për rrjedhojë konceptimi i të bukurës në të është pasioni vetë. Jo për ndonjë shkak tjetër, e bukura, dashurohet vetëm për shkak se është e bukur. Është shumë e qartë se ne pasionohemi nga lumenjt që rrjedhin dhe gjelbërimet për shkak se janë të bukura dhe jo për t’i ngrënë dhe pirë ata. Lumenjtë që rrjedhin dhe gjelbërimet i dashuronte edhe Pejgamberi a.s. dhe ishte i pasionuar pas tyre. Si rrjedhojë e tërë kësaj nëse konstatojmë se Zoti është i bukur, atëherë është e pamundshme që të mos e dashurojmë Atë. Ndërsa Ai është më i Bukuri në mesin e të bukurve.
Pasioni më i madh, sipas Gazaliut, është shikimi në bukurinë e Allahut, që në gjithësi është i shfaqur nëpërmjet mimezisit të emrave të bukur të Tij (esmau’l-husna), është njohja e Tij nëpërmjet plotnisë shpirtërore, është përkapja e enigmave të bukurisë/xhemalit dhe dritës/nur të Tij. Të tillët kanë pasione dhe kënaqsi që nuk mund të shihen me sy, nuk mund të dëgjohen me veshë, madje edhe nuk mund të imagjinohen.
Nëse e bukura është e prezantur nëpërmjet të formës atëherë, thotë Gazaliu, mund të shihet nëpërmjet syrit, por ama nëse është pasqyrim i xhemalit/bukurisë sublime, madhështisë/xhelal, lartmadhërisë/adhamet, gradës më të lartë, enrave të bukur, qëllimeve të mira, përjetimeve të thella, ndjenjës së altruizmit, atëherë kjo e bukur mund të përkapet vetëm nëpërmjet zemrës. Pikërisht për këtë përqëndrimi vetëm në të bukurën lëndore, sipas Gazaliut, është gabim dhe krahas të bukurës që mund të përkapet nëpërmjet pesë shqisave ekziston edhe e bukura e brendshme, që mund të konsiderohet edhe burim i të bukurës, e cila mund të përkapet vetëm nëpërmjet syrit të zemrës dhe kulturës shpirtërore.
Kriteri i të bukurës në estetikën shpirtërore islame është përmasë e plotnisë dhe përkryerjes në një lëndë të caktuar. Mëngësia është e metë, ndërsa e meta është e shëmtuar. Atëherë kur një lëndë në vete do ta ketë përmbledhur plotninë në tërësi, të jetë përkryer me plotëkuptimin e fjalës, atëherë mund të thuhet se e ka arritur të bukurën qenësore. Vetëm Allahu është qenia që në vete e ka këtë plotni dhe pikërisht për këtë esenca e mimezisit është pasqyrimi i atributeve të Tij në Gjithësi dhe në njeriun. Si rrjedhojë, plotnia në estetikë është bashkësia e etikës me estetikën, domethënë,kalokagatia.
Siç shihet Gazaliu dhe estetika shpirtërore islame , ngjashëm si edhe tek Platoni, ka vendosur relacion të ngushtë midis etikës dhe estetikës. Siç u tha edhe më lartë, Qenia më e plotë dhe më e përkryer është Allahu, Ai është “ E mira” dhe “E bukura” absolute. Pikërisht për këtë edhe pasqyrimi i Tij në gjithësi është bërë nëpërmjet bashkësisë së etikës me estetikën.
Si rrjedhojë, mendimi estetik islam të bukurën që nuk i ka vetitë etike e konsideron si të shëmtuar, por edhe të mirën që nuk i ka vetëtë estetike e konsideron si të paplotë, të papërkryer. E bukura, thotë Molla Sadra Shirazi, është si lambë e cila e ndriçon shpirtin e njeriut. Lëndët e bukura dhe sjelljet e mira na largojnë prej botës hedoniste dhe dalëngadalë na transferojnë në botën e dashurisë. Në këtë përmasë, fuqia e etikës dhe estetikës duken identike midis vetes. Në këtë gjendje shprehja estetike dalëngadalë shuhet, kalohet në ekstazë ku edhe fillon periudha e një heshtjeje të plotë dhe si rrjedhojë në dritë mbetet vetëm Një ekzistencë reale, ndërsa të tjerat vetëm hije të Tij.
Estetika shpirtërore islame e ka parasysh edhe faktin se relacioni i njeriut me natyrën dhe lëndoren nuk është vetëm në kontekst kuantitativ, por ai, si mikrokozmos, ka edhe lidhje etike, estetike, ideore dhe shpirtërore me natyrën, rrjedhimisht me makrokozmosin. Kjo kështu për shkak se natyra ështëe dizajnuar ashtu që t’i përgjigjet edhe nevojave më të thella të strukturës së njeriut. Pikërisht për këtë teleologjia dhe rendi gjithësor e kërkon edhe harmoninë në strukturën e njeriut. Gazaliu kërkon nga njeriu që harmoninë etiko-estetike në strukturën e makrokozmosit dhe mikrokozmosit njeriu ta transferojë edhe në sjelljet e tij. Botëkuptimi estetik islam , njëkohësisht, është edhe pragmatist, domethënë, kërkon që kriteret teorike të barten edhe në praktikën jetësore të njerëzve. Sistemi estetik islam nuk është i përqëndruar vetëm në disa kategori dhe koncepte teorike, por, përkundrazi është sqaruar nëpërmjet të arketipeve reale të ambientit kulturor shpirtëror. Arketipet etiko-estetike të përshpirtshmërisë islame kanë qenë pejgamberët, evlijatë, etj. Pikërisht për këtë, lirisht mund të thuhet që, etika dhe estetika islame është e rrethuar me një vijë sferike aksiologjike, vijë të krijimit të vlerave. Qëllimi final i estetikës dhe etikës islame është që ta zbukurojë shpirtin e njeriut dhe si të tillë ta drejtojë drejt Zotit. Pra, që të dyja kanë për qëllim të arrinë në të plotën dhe të përkryerën.