“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëdhuruesit!
Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit,
Sunduesit të Ditës së Gjykimit.
Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.
Udhëzona në rrugën e drejtë!
Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd,
as në të atyre që janë të humbur!”
Fatiha, 1/1-7.
Falënderimi për fat të keq është një nga virtytet e harruara në mjedisin njerëzor. Falënderimi i vërtetë në masë të madhe është shmangur nga diskursi i njerëzve në përgjithsi. Jo vetëm në përmasën horizontale të prezantimit të të njerëzishmes në trajtat shoqërore por edhe në përmasën vertikale të përkushtimit dhe fetarisë, që kjo e dyta pa të është totalisht e vdekur. Ndërsa vazhdimisht jemi të ballafaquar ose me arrogancën e sjelljes njerëzore dhe fetare ose me një lloj të falënderimit i cili është vetëm senjë manipulim suptil i tjetrit, një trajtë e blerjes së simpatisë ose ndikimit, ose të dyja bashkë, falënderuesi dhe pranuesi i tij e konsiderojnë falënderimin si një lojë shoqërore që me vete nuk bart asfare konsekuencash të jashtëzakonshme. Për shumicën e njerëzve falënderimi nuk është agjë tjetër përveç se prodhim i rregullave konvencionale. Mëngësia e ndjenjës së falënderimit ndikon që njerëzit t’u shmangen situatave në të cilat do të duhej të falënderohen. Kjo është kështu për shkak se dominimi i ethosit të forcës, ku çdo gjë është e llogaritur, ndikojnë dukshëm në mënjanimin total të nevojës dhe ndjenjës për falënderimin. Si duket njeriu i sodit e ka vështirë edhe të mendojë esëll për “dhuratën dhe falëndrimin”[1]
Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e njerëzve janë të mendimit se falënderimi është çështje psikologjike dhe e paraqet largimin prej përmasës së vërtetë të platformës metafizike të qenies. Por përkundratzi falënderimi, si nga aspekti shoqëror ashtu edhe nga ai fetar, në vete ngërthen një lidhshmëri prej fenomenologjisë drejt metafizikës.
Sureja e parë e Kur’anit Fisnik fillon me fjali falënderuese dhe neve na hedh në arenën e qenies nëpërmes një lidhshmërie të padukshme, nëpërmes një relacioni metafizik dhe si pasojë aty paraqitet sërish elementi i mëshirës së plotë të Zotit i cili na preferon që, duke e ndier ngarkimin me përgjegjësinë për amanetin hyjnor, të dëshmojmë për prkushtimin dhe fetarinë e plotë ndaj Krijuesit dhe Përudhësit. Kësisoj sureja Fatiha, e cila fillon me falënderim, me shpirtin e saj e pasqyron këtë hollësi dhe barazpeshë të Fuqisë Krijuese. Ky parim i Fjalës së Allahut (xh.sh.) ka ndikuar që falënderimi/hamd të jetë pjesë e shoqërisë myslimane në të gjitha fushat. Një nga elementet më të rëndësishme të konceptit të falënderimit tek myslimanët është lidhshmëria e paraqitur nëpërmes tij ndërmjet aksiologjisë dhe metafizikës islame. Tesavvufi dhe tradita sufike e myslimanëve e paraqet platformën me përqëndrim më të madh të lidhsmërisë falënderuese midis aksiologjisë dhe metafizikës në jetën lëndore dhe kuptimore të myslimanëve.
- Aksiologjia e falënderimit në traditën sufike
Numri më i madh i sufive në veprat e tyre rëndësi të veçantë i ka kushtuar falënderimit ndaj Krijuesit por edhe përmasës fenomenologjike të tij në jetën lëndore të njerëzve. Si rrjedhojë e mendësisë “ Ta duam krijesën për hirë të Krijeusit” është krijuar një gjuhë e posaçme përplot me vlera dhe gjykime vlerore që ka ndikuar në ndërtimin dhe zhvillimin e letërsisë dhe arteve të ndryshme në shoqërinë myslimane. Por në të gjitha rastet falënderimi dhe hollësia e komplimentit kanë qenë të bazuara në burimin dhe venkthimin e miradisë esenciale, në Allahun (xh.sh.). Kontributi më i rëndësishëm i sufive në çështjet e filozofisë së hollë të qenies është paraqitja e përgjigjes vlerore aksiologjike në lidhje me të. Me përgjigje aksiologjike, sufijtë, e kanë kuptuar lidhshmërinë midis njeriut dhe të mirës, midis qenies etike dhe idesë së etikës, rrjedhimisht përgjigjet që paraqesin domethënie në qenien e tyre, do të thotë, në vlerën në aksiologjinë. Në filozofinë e tesavvufit njeriu është qenie që ka aftësi për ta prezantuar përmasën e përgjigjes vlerore të ekzistencës. Ndërsa falënderimi e paraqet elementin bazë dhe llojin e veçuar të përgjigjes vlerore ndaj të qenurit.
Allahu ka thënë: “…Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.”[2] Falënderimi është një term që nënkupton njohjen e një mirësie, sepse ai është një rrugë (që të çon) në njohjen e Mirëbërësit; në këtë kuptim, Zoti ka bërë thirrje për në Islam dhe në fe, në Kuran, me anë të falënderimit dhe kjo rrugë në të gjitha segmentet është konsideruar si evetmja, tek sufijtë, për të arritur realisht deri tek Mirëbërësi. Për sufijtë, Zoti bën që çdo grimcë në qiej dhe në tokë, të flasë për fuqinë e Tij, në një mënyrë të atillë që, ata dëgjojnë sesi çdo gjë shpall shenjtërinë e Tij, sesi çdo gjë thurr lavdet për Të dhe rrëfen pafuqinë e vet, dhe kjo gjë bëhet në një gjuhë plotësisht të qartë. Kjo gjuhë pa gërma dhe tinguj, nuk perceptohet nga ata, dëgjimi i të cilëve nuk ka një organ të përshtatshëm. Unë nuk dua të flas, thotë Gazaliu, për organin e jashtëm, i cili nuk merret veçse me tinguj dhe të cilin njerëzit e përdorin për të komunikuar veçse me kafshët; unë nuk kam parasysh atë që kafshët kanë gjithashtu të përbashkët, por unë flas për një dëgjim i cili percepton fjalë që nuk kanë gërma e tinguj, dhe të cilat nuk janë as në gjuhën arabe dhe as në gjuhë të huaja. Nëse dikush thotë: “Kjo është një gjë e mrekullueshme dhe e vështirë për t’u kuptuar. Përshkruamë natyrën e saj, si, dhe me kë, komunikojnë këto grimca, si ia thurrin lavdet Atij, si e shpallin shenjtërinë e Tij dhe si ato rrëfejnë pafuqinë e tyre”, duhet ditur se mistikët kanë një bisedë sekrete me çdo grimcë tjetër të qiejve dhe tokës, një bisedë pa kufizime, sepse kjo bisedë përbëhet nga fjalë që vijnë nga deti i fjalëve të Zotit, i cili nuk ka kufi…Kjo bisedë përmban sekrete të botës së dukshme dhe të padukshme. Mirëpo, përhapja e sekreteve është e dënueshme, dhe gjoksi i fisnikëve është varri i sekreteve[3].
Rruga drejt vlerave, në tesavvufin islam, niset prej fenomenologjisë së motivimit, rrjedhimisht bëhet fjalë për analizë të kategorive të ndryshme të të vërtetës në hapësirën e motivimit. Llojet e ndryshme të të vërtetës u përgjigjrn llojeve të ndryshme të motivimit.Bëhet fjalë për vatra të motivimit, ose lloje të ndryshme të tyre, në të cilat caqet e vullnetit janë të parashtruara në platforma jashtë tyre vetë.Në kuadër të të vërtetës së zakonshme, sufijtë e kanë dalluar, të rëndësishmen dhe vleroren nga elementi I pasionimit subjektiv. Dallimi I këtyre kategorive të të vërtetës u ka ndihmuar sufive që vetëm vlerat, për dallim nga pasionimet e zakonshme, t’I konsiderojnë si të rëndësishme në veten e tyre dhe jo si të udhëhequra nga subjekti. Përgjigja vlerore ndaj vetes dallohet rrënjësisht nga pasionimi subjektiv.
E pyetën Sulltan Veled’in, njëherë në lidhje me format dhe kuptimet, ndërsa ai u përgjigj:” Format tregojnë kuptimin e thellë dhe e shpjegojnë atë, sepse jo çdokush arrin të kuptojë dhe të shohë bukurinë e këtij kuptimi përara syve të tij. Forma sheh formën dhe shpirti sheh shpirtin.Pra, është e nevojshme që kuptimit t’i japim një formë, në mënyrë që ata që njohin vetëm formën, të zbulojnë ekzistencën e kuptimit dhe të besojnë pak në këtë kuptim.Qiejt janë krijuar në një aspekt shumë të lartë, me qëllim që të mundësojnë kuptimin e lartësive të shpirtit.
Në mbretërinë e shpirtit gjenden qiej
që sundojnë qiellin e kësaj bote këtej.
Pra, meqënëse ngritja e qiejve i është dhënë si atribut shpirtit, dhe është pa cilësime, lartësia e tij është përtej masave të hapësirës.Ajo është shpirtërore. Ajo është po ashtu kur ti thua: “Ky njeri është më i mirë se ai tjetri.” Kjo epërsi nuk varet nga pamja, ajo varet nga vlerësimi, nga vlera dhe nga grada e përsosurisë. Ajo është sikur të thuash: “Dinari ka vlerë më të lartë se dirhemi.” Epërsia e tij nuk varet nga forma, por nga vlera dhe nga çmimi. Nëse dirhemi vendoset mbi taracën e një shtëpie, dhe dinari vendoset nën taracë, dinari ka vlerë më të lartë se dirhemi sepse epërsia nuk varet nga forma, ashtu sikurse në botën shpirtërore dhe pa cilësime që ka lartësi abstrakte dhe ata që prekin vetëm formën e tyre, nuk janë të aftë t’i shohin ato. Prandaj, ngritja e qiejve simbolizon këto lartësi, me qëllim që të dihet se çfarë është lartësia. Po kështu, toka është një simbol që na mundëson të kuptojmë pjesën e ulët. Nëse nuk do të ekzistonte pjesa e lartë dhe e ulët në botën abstrakte, këto dy dimensione nuk do të ekzistonin në botën materialiste. Po kështu, kur ty të ndodh një situatë shpirtërore –hal-, ti bën shpjegimin e saj me qëllim që ajo të kuptohet. Nëse kjo gjendje shpirtërore nuk të ka ndodhur, ti nuk mund ta përshkruash atë. Po kështu, ngjarjet e jashtëzakonshem dhe mrekullitë paraqiten në një formë të caktuar.Ato janë caktuar për ata që mohojnë dhe që i injorojnë mrekullitë dhe ngjarjet e jashtëzakonshme, që janë tërësisht shpirtërore. Kështu, kur një mësues kryen një transformim tek një nxënës i tij, i cili e kthen përsëri në jetë zemrën e tij dhe i kthen shkimin syve të tij të verbuara, me qëllim që paqartësitë e tij të ndriçohen tërësisht, ai shndërron në ar zemrën e tij prej bakri; ai rrit në veten e tij njëqind lloje kopshtesh urtësie dhe trëndafilishtesh njohjeje, diturie dhe shikimi, si dhe bën që tek ai të shfaqen hyri dhe pallate. Atëherë, një nxënës i tillë që ka parë mësuesin e tij të bëjë në çdo çast mrekulli të tilla, çfarë interesi do të ketë ai për mrekullinë që ka të bëjë me parashikimin se çfarë ai ka ngrënë në mëngjes apo në mbrëmje, se çfarë ai do të bëjë nesër, dhe si mund ta marrë ai këtë gjë në konsideratë?
Siç shihet nga fjalët e Sulltan Veled’it, ai niset nga objekti real I falënderimit, nga diçka që vazhdimisht falënderohet dhe e mundëson të mirën objektive. Ai na e zbulon se mirësia që na është bërë dhe për të cilën ne jemi falënderues nuk bën pjesë as vetëm në pasionimin subjektiv dhe as në platformën e të rëndësishmes nga vetja. Por bëhet fjalë për një kategori të veçuar të ndjeshmërisë që mund të emërtohet si e mirë ekzistenciale që I krijon vlerat e qenies.Vlera, në parim, I dedikohet çdo njeriu, ndërsa e mira ekzistenciale që I krijon vlerat ose vlera ekzistenciale aksiologjike I drejtohet njeriut të caktuar, që e ka vendosur lidhjen me burimin e saj.Si rrjedhojë çdo njeri përpiqet të gjejë përgjigjet vlerore të qenies me qëllim që të njëjtat t’I bartë në shoqërinë njerëzore dhe të krijojë një fenomenologji vlerore pa të cilën njeriu është I vdekur.
Falënderimi/hamd si një prej pozitave më të larta të gnostikëve (arif) është dhuratë e Allahut xh.sh. dhe cilësi e besimtarëve. Allahu i ka cilësuar ata me këtë cilësi për shkak se falënderimi është shndërruar në trajtë jetësore të tyre. Falënderimi i besimtarit ndaj Allahut është në relacion të drejtë me besimin e tij. Pikërisht për këtë falënderimi i të dashuruarve në Allahun është shkallë-shkallë.[4]
Kurtubiu në tefsirin e tij përcjell fjalët e sufiut të njohur, Sehl b. Abdullah et-Tustariut i cili në lidhje me dashurinë thotë: “Shenja e dashurisë në Allahun është dashuria në Kur’anin. Shenja e dashurisë në Kur’an është dashuria në Pejgamberin. Shenja e dashurisë në Pejgamberin është dashuria në Sunnetin e tij. Shenja e dashurisë në Allahun, Kur’anin, Pejgamberin dhe Sunnetin është dashuria në ahiretin. Shenja e dashurisë në ahiretin është dashuria e robit ndaj vetvetes. Shenja e dashurisë ndaj vetvetes është shikimi i ftohtë në botën, ndërsa shenja e kësaj të fundit është konsumimi prej kësaj bote vetëm i asaj që është e domosdoshme”.[5]
Xhunejd Bagdadiu thotë se dashuria është braktisje e cilësive personale dhe cilësim me cilësitë e të Dashurit, si dhe dashuri ndaj asaj që Allahu e do për robërit e Tij dhe mospërfillje e asaj që Ai nuk e do për robërit e Vet.[6] Imam Shibliu thotë se dashuria është emërtuar si “mehabbet” për shkak se i djeg në zemër të gjitha gjërat tjera përveç Allahut.[7] Dhunnun el-Misriu pohon se shenja e personit i cili është i dashuruar sinqerisht në Allahun është ndjekja e moralit, veprave, urdhrave dhe traditës së Pejgamberit a.s.[8]
Gjendja shpirtërore e falënderimit të shprehur nëpërmjet dashurisë është kurora e gjendjeve të tjera në segmentin hierarkik të gnozës metafizike si dhe themel aksiologjik i procesit të dijes sufike dhe si e tillë është tërheqëse e mëshirës së Allahut xh.sh.[9]
Karakteri social i aktit të falënderimit, në traditën sufike, paraqitet si pasqyrim i dhuratës hyjnore në personat që janë shkrirë në dhuntinë e Tij.
Transmeton Ata b. Ebi Rabbahu se ai dhe Ubejd b. Amiri një ditë kanë shkuar te Aisheja r.a dhe prej saj kanë kërkuar t`u tregojë rastin më të çuditshëm që e kishte parë prej Muhammedit a.s..Aisheja r.a. tha: Cila gjendje e tij nuk është për tu habitur. P.sh. një natë hyri në shtrat me mua dhe tha: Oj vajzë e Ebu Bekrit më jep leje që t’i bëj ibadet Allahut. Kurse unë iu përgjigja; Unë e dua afërsinë tënde me Zotin.Mori abdest dhe filloi të falet.Gjatë qëndrimit në këmbë lotët i shkonin për gjoksi, qante edhe në ruku dhe në sexhde. Kjo gjendje vazhdoi deri në thirrjen e ezanit të sabahut nga ana e Bilalit, i thashë:
“ O i dërguar i Allahut! Allahu ty t’i ka falë të gjitha gabimet ,pse qanë? Ai u përgjegj: Si mund të mos qajë dhe të mos bëhem rob që i falënderohet Allahut xh.sh. Si mund që të mos mendoj për krijimin e tokës dhe qiejve kur Allahu xh. sh. në Kur’an thotë: “ Është fakt se në krijimin e qiejve dhe të tokës, në ndrimin e natës dhe të dritës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e errërave dhe reve, nënshtruara mes qiellit e tokës për një popull që ka mend ka argumente”[10].
- Vlera metafizike e falënderimit
E thamë edhe më lartë përgjigja e falënderimit është përgjigje vlerore e cila I drejtohet Dhuruesit për shkak të mirëbërjes dhe bujarisë, por me lidhshmëri të ngushtë me qenien e të mirës dhe bartjen e saj në trajtë të vlerave në shoqërinë njerëzore si akt social. Si përgjigje për atë që është pranuar, falënderimi është përgjigje vlerore që është njëkohësisht edhe burim I ri I të mirës etike. Kjo përgjigje ka vlerë të madhe metafizike dhe e harmonizon imanencën në suaza të transcedentales.Falënderimi/hamd njeriun e shmang nga përbotshmëria dhe aktiviteti I tij lidhet në trajtë të drejtpërdrejtë me përmasat tejfizike. Falënderimi, nga ky aspekt, është për veprat aksiologjike. Në kuadër të veprave aksiologjike përballemi me dy lloje të të mirës: vlerat, bartës I të cilave është vetë njeriu dhe të cilat atë e bartin deri në platformën e ngritjes në njeriun e plotë (insan-I kamil); si dhe vlerat që na e mundësojnë fatin e përjetshëm e deri në bashkësinë përfundimtare me Zotin. (xhem’). Secila nga dy trajtat vlerore të mësipërme dallohet varësisht nga kërkesa personale dhe falënderimi për to. Dhuratat e ndryshme kërkojnë edhe përgjigje vlerore të ndryshme.Njohja e këtyre vlerave, të parafytyruara në falënderimin, është bazë e fatit të njeriut në të dyja botët. Përkushtimi është I bukur në vete, por ai bëhet I mirë dhe vlerë për mua, atëherë kur e ndiej, kur depërton në botën time të brendshme, kur më zbulohet. Realisht pranimi I një të mire të tillë, e cila jo vetëm që na ekzalton por në të njëjtën kohë edhe na e dhuron lumturinë, paraqet një qëndrim modest të shkrirjes, rrjedhimisht mosqenies reale përballë Qenies reale. Në këtë rast ka mundësi që të përballemi me një paradoks të caktuar. Falënderimi është përgjigje që pason pas pranimit të të mirës,por, siç duket edhe prej më lartë, është edhe pararendëse e saj dhe e lidhur ngushtë me të mirën. Në këtë kontekst na paraqitet edhe një aspekt tjetër relevant antropologjik I falënderimit në Islam I cili është në lidhje me lumturinë autentike. Falënderimi dhe lumturia janë të lidhura ngushtë midis vetes, ashtu që lumturia autentike është e pamundur pa falënderimin.Kjo është kështu për shkak se lumturia e njeriut nuk është në përpjestim me numrin e të mirave që I pranon, por me vlerësimin falënderues të asaj që e ka pranuar.Si rrjedhojë e kësaj falënderimi është pjesë përbërëse e lumturisë që e ndiejmë nga gjërat e pranuara nga jashtë.E pranuara nga jashtë nëpërmes falënderimit shndërrohet në kapital të brendshëm personal.
Dashuria është burim I lumturisë, po I një lumturie të caktuar.Ndërmjet dashurisë dhe lumturisë ekziston lidhshmëri e veçantë, për shkak se I Dashuri konsiderohet si dhuratë dhe bashkimi me të është lumturia vetë. Qenia e të Dashurit është lumturidhënëse, për shkak se I Dashuri është e mirë objektive për ne. Gjithashtu edhe vetë akti I dashurisë dhuron lumturi të veçantë. Fuqia e të dashuruarit është lumturi në vete. . Por, lumturia nuk është motiv dhe qëllim I dashurisë por dhuratë super aktive e saj. Lumturia e vërtetë është çështje që nuk mund t’ia japim vetes por nevojitet të na dhurohet dhe ne nëpërmjet falënderimit të bëhemi pjesë e saj.[11]Falënderimi në kuptim të ngushtë është pasqyrim I dashurisë.Falënderimi pa dashuri ndaj atij që I falënderohemi është e paimagjinuar.Falënderimi nuk bëhet ndryshe vetëm se me ekzaltim dhe emocionim me qenien e të Dashurit.
Ndoshta më së miri këtë realitet e ka shprehur Mevlana Xhelaluddin rumiu në vargjet në fillim të Mesnevi’së.
“Dashuria edhe me fjalë mund të thuhet,
Por dashuria e vërtetë ndjehet e përjetohet!
Sepse kalemi atë punë ka, me të shkruar s’lodhet,
Por kur vjen te dashuria, kriset e thyhet!
Mendja e paaftë u shtri si gomari në baltë,
Dashurinë, vetë dashuria e shpjegoi prapë!
Provë për qenien e diellit është prapë dielli,
Po t’u desh provë ty, mos i hiq sytë nga dielli!”
Në çdo çast, me anë të gjitha gjuhëve, dashuria murmurit sekretin e vet në veshin e saj; në çdo çast, me anë të gjithë veshëve, ajo dëgjon fjalët e veta të murmuritura me anë të gjuhës së saj.Në çdo minutë, me anë të gjithë syve, ajo shfaq bukurinë e vet në vështrimin e saj; në çdo sekondë, në të gjitha aspektet, ajo i kushton vetvetes qenien e saj si dëshmitar.
Gazaliu për falënderimin thotë se është njëri prej ibadeteve më të rëndësishme pas këndimit të Kur’anit. Falënderim me vlerë është ai që bëhet me zemër e me gjuhë. Falënderimi i vazhdueshëm, thotë Gazaliu, në zemrën e njeriut e lindë dashurinë ndaj Allahut xh.sh.[12] Allahu njerëzve ua urdhëroi falënderimin, thotë Ibn Arabiu, për shkak se i do dhe i ndien të afërt ata. Allahu ka dëshirë që njerëzit të jenë të lumtur. Falënderimi i njerëzve është përgjigje për dashurinë dhe ashkun e Allahut xh.sh.[13] Ai paraqet një veprimtari që njeriut ia mundëson përkujtimin e origjinës së tij dhe e kaplon me dashurinë e Allahut xh.sh..
Në këtë lloj të falënderimit ngërthehet vetëdija e krijimtarisë tonë, vetëdija se kemi pranuar diçka që nuk kemi pasur mundësi t’ia japim vetes. Si rrjedhojë, karakteri personal i falënderimit hapet edhe më qartë kur e analizojmë objektin e falënderimit. Objekti i falënderimit është dypërmasor: falënderohemi për diçka ( për një të mirë) dhe e falënderojmë dikë ( dhuruesin e të mirës). Falënderimi gjithashtu e ngërthen kahëzimin intencional, rrjedhimisht, orientohet drejt qenies që e falënderojmë dhe si rrjedhojë e kësaj falënderimi është edhe përgjigje vlerore e lirë.
Si fund mund të thuhet se falënderimi është premisa eparë e pranimit të të vërtetës metafizike pikërisht për këtë edhe- Zoti e di më së miri- Kur’ani fillon me postulatin e falënderimit. Ekzistenca është dhurata më fundamentale që i është dhënë njeriut dhe falënderimi bëhet kryesisht për shkak se ne jemi bërë objekt të ekzistencës. Unë nuk kam qenë por ja që tash jam. Nuk kam pasur ndikim në krijimin tim dhe në qenien time, por, ja që i jam dhuruar vetes. Për shkak se jam dhuratë unë ekzistoj dhe duhet të falënderoj.
ABSTRAKT
FALËNDERIMI/HAMD: PREJ DUKURISË NË NDJESHMËRI
Falënderimi për fat të keq është një nga virtytet e harruara në mjedisin njerëzor. Falënderimi i vërtetë në masë të madhe është shmangur nga diskursi i njerëzve në përgjithsi. Jo vetëm në përmasën horizontale të prezantimit të të njerëzishmes në trajtat shoqërore por edhe në përmasën vertikale të përkushtimit dhe fetarisë, që kjo e dyta pa të është totalisht e vdekur.Gjendja shpirtërore e falënderimit të shprehur nëpërmjet dashurisë është kurora e gjendjeve të tjera në segmentin hierarkik të gnozës metafizike si dhe themel aksiologjik i procesit të dijes sufike dhe si e tillë është tërheqëse e mëshirës së Allahut xh.sh.. Falënderimi i njerëzve është përgjigje për dashurinë dhe ashkun e Allahut xh.sh..Ai paraqet një veprimtari që njeriut ia mundëson përkujtimin e origjinës së tij dhe e kaplon me dashurinë e Allahut xh.sh.. Në këtë lloj të falënderimit ngërthehet vetëdija e krijimtarisë tonë, vetëdija se kemi pranuar diçka që nuk kemi pasur mundësi t’ia japim vetes. Si rrjedhojë, karakteri personal i falënderimit hapet edhe më qartë kur e analizojmë objektin e falënderimit. Objekti i falënderimit është dypërmasor: falënderohemi për diçka ( për një të mirë) dhe e falënderojmë dikë ( dhuruesin e të mirës). Falënderimi gjithashtu e ngërthen kahëzimin intencional, rrjedhimisht, orientohet drejt qenies që e falënderojmë dhe si rrjedhojë e kësaj falënderimi është edhe përgjigje vlerore e lirë.
ABSTRACT
GRATITUDE/ HAMD: FROM PHENOMEN TO SENTIMENT
Lamentably, gratitude is one of the forgotten virtues amid human society. Genuine gratitude has been greatly deterred from human discourse, in general. Not only in the horizontal representation of the humane in the social fashions but moreover in the vertical dimension of deity and religiousness, which without the second domain it is completely unmitigated. The spiritual position of gratitude expressed in the language of love is the apex of the rest of the status of the hierarchy domains of metaphysical gnosis { XE “gnosis”} as well as an axiology foundation of the process of Sufi knowledge, hence as such is the attraction of the mercy of Allah Almighty. The gratitude of people is an answer for love and ashk {XE “ashk”} of Allah Almighty. He represents one foundation of works which enable man the remembrance of his origin and encompasses man with the love arising from Allah Almighty. In this fashion of gratitude the conscience of our creation exults; the conscience of being able to accept something which we were not able to offer and give to ourselves. Resultantly, the individual and personal character of gratitude is more vividly conveyed when we assay the object of gratitude. The object of gratitude is two dimensional: we are thankful for something (for a good thing) and we thank somebody (the one granting the good). Furthermore gratitude exceeds the intentional direction, henceforth, it is oriented hither the being towards which we show gratitude and as a result of this, gratitude is one freed value added answer.
LITERATURA
GAZALI, Ebu Hamid, Ihju Ulumi’d-din, Kajro 1870.
HILDEBRAND, Alice von, Introduction to a Philosophy of Religion, Franciscan Herald Press, Chicago 1970.
IBN ARABI, el-Futuhatu’l-Mekkijje,Stamboll 2012.
KOPREK, Ivan, Pridji da mozes cuti. Etika u sjeni globalizacije i postmoderne, Zagreb 2005.
KUSHEJRI, Kusejri Risalesi, përktheu në turqisht Suleyman Uludag, Stamboll,2014.
MEKKI, Ebu Talib, Kutu’l-Kulub, Daru’s-Sadr, Bejrut1995.
SAHMERANI, Esad, Tasavvuf, Mensei ve Istilahlari, përkth. në turq. Muharrem Tan, Stamboll 2000.
SULEMI, Suleminin risaleleri, përktheu në
turqisht : Suleyman Ates, Stamboll, 1987.
[1] Koprek, Ivan, Pridji da mozes cuti. Etika u sjeni globalizacije i postmoderne, Zagreb 2005, f.248.
[2] Sebee, 34/13
[3] Imam Gazali, Ihja, IV, 221-226 dhe në vazhdim.
[4] Ebu Talib Mekki, Kutu’l-Kulub,I, 50.
[5] Sahmerani, Esad, Tasavvuf, Mensei ve Istilahlari, përkth. në turq. Muharrem Tan, Stamboll 2000, f. 110.
[6] Sulemi, Suleminin risaleleri, f. 163.
[7] Kushejri, Risale,f.499
[8] Sulemi, po aty, f. 21.
[9] Ruzbihan Bakliu, personi në të cilin Allahu hedh një grimcë të dashurisë bëhet pasqyra e Allahut dhe secili që shikon në fytyrën e tij dashurohet në më të Madhin. Bakli, Ruzbihan, Kitab Meshrebu’l-Ervah, Stamboll 1984, f. 45. Në këtë kontekst transmetohet edhe një hadith i Pejgamberit a.s. në të cilin thuhet: “Ka disa prej robërve të Allahut që edhe pse nuk janë pejgamberë dhe dëshmorë në Ditën e Gjykimit pejgamberët dhe dëshmorët do të kenë lakmi për pozitat e tyre në praninë hyjnore. As’habët e pyetën: ‘Kush janë këta dhe çka janë veprat e tyre? Na lajmëro që ne të shoqërohemi me ta’. Pejgamberi a.s. tha: ‘Këta janë njerëz të cilët e duan njëri-tjetrin për hirë të Allahut edhe pse nuk kanë afërsi familjare në mes vete. Betohem se fytyrat e tyre janë si drita dhe ata qëndrojnë mbi një vend me dritë. Kur të gjithë njerëzit frikohen këta janë të qetë, kur të gjithë të tjerët janë të dëshpëruar ata nuk dëshpërohen’, dhe më pas e lexoi këtë ajet: “Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evlijatë) nuk kanë frikë e as kurrfarë brengosjeje”. Buhari, Rikak, 38; Ibn Maxhe, Fiten, 16.
[10]Bekare, 2/164.
[11] Krahaso: Hildebrand, Alice von, Introduction to a Philosophy of Religion, Franciscan Herald Press, Chicago 1970. F.84.
[12] Gazali, Ihja, I, 295.
[13] Ibn Arabi, el-Futuhatu’l-Mekkijje, fq. 183-187.