Arti, e shenjta dhe vetmia pozitive janë tre gjendje substanciale që bashkohen në një pikë të përbashkët. Janë gjëra për të cilat është vështirë të flitet. Ata bashkarisht përkufizohen medoemos nga sekreti. Në eksperiencën tonë të përgjithshme, ata thelbësisht janë të shkëputura nga bezdia e përditshmërisë dhe nga komunikimi i zakonshëm i emocioneve. Subjektet e artit, të shenjtës dhe vetmisë pozitive  janë, mbi, nën, para ose prapa përditshmërisë të emocionuar dhe perceptuar nga të gjithë. Edhe pse në parim është kështu, prapseprapë ka përjashtime dhe në masë të madhe përjashtimet identifikohen me lëndën e tyre. Ndërsa përmasa latitudale e tyre përfitohet nëpërmjet të hermeneutikës  reciproke midis tyre.  Ose më qartë:

  • E shenjta shprehet nëpërmjet artit, në vetmi pozitive.
  • Arti është shprehje e shenjtë e vetmisë pozitive.
  • Vetmia pozitive është art i shenjtë.

Përvoja shoqërore e prezentimit të të shenjtës në traditën e gjatë të historisë së njerëzimit është bërë nëpërmjet të artit të trajtësuar në vetmi pozitive. Tekstet e shenjta të të gjitha traditave flasin për vetminë e bartësve të shenjtërisë, që më vonë nëpërmjet të artit e kanë përgjithësuar të pranuarën. Në realitet lirisht mund të thuhet se arti është hermeneutikë e të shenjtës.  Në një ajet të Kur’anit I Madhi Allah thotë:

“Kjo  është “ngjyra” që na ka dhënë Allahu! S’ka “ngjyrë” më të bukur se ajo që jep Allahu! Ne vetëm Atë adhurojmë!”(Bekare, 138).

Ajeti i mësipërm e shpreh përmasën e vetme të shprehjes së të shenjtës, atë artistike. Edhe fjala e shenjtë është shprehur në trajtë të rimuar dhe me harmoni të pashoq të fjalëve dhe tingujve të zgjedhur. Çdo qasje që në thelb nuk e ka këtë përmasë mbetet si diçka jashtë, për të cilën ndoshta mundet të flitet, por si për të përtejmen e ndjesive të imanentes, si për një botë të përtejme që do të mund ta njihnim vetëm me një kusht: po të dalim, për t’u mbyllur në vetmi poziitve, nga bota ku ndodhemi tani. Dhe më duket se për të arritur të përtejmen në fjalë e vetmja gjë që duhet të heqim dorë është rrëmuja. Rrëmuja kërkon ta flasim çdo gjë që e përjetojmë. Ndërsa eksperienca e të shenjtës, në parim na çon të heshtim dhe këtë më së miri mund ta bëjmë në vetmi pozitive.

Bota e jashtme për njeriun nuk është vetëm objekt që perceptohet vetëm nëpërmjet të përvojës, por disa herë njeriu i qaset me marramendje, frigohet, e përjeton si të bukur ose ndonjëherë ka mundësi që të ketë dëshirë të ik prej saj. Në realitet të gjitha këta janë një lloj i përvojës; një përvojë që në brendi ngërthen kuptime, gjykime vlerore dhe komente. Njeriu është njeri së bashku me të gjitha këta përvoja, jo vetëm me eksperiencën shqisore. Ndërsa një nga përvojat më të rëndësishme që njeriun e bën njeri në këtë proçes të trajtësimit është përvoja estetike. Përvoja estetike elemente bazë i ka artin, të shenjtën dhe vetminë pozitive.

Gjatë përvojës estetike edhe pse njeriu nga njëra anë mbështetet në shqisat, por  duke e tejkaluar atë, vetes apo objektit të përvojës së tij i mvesh një subjektivitet të veçantë. Për rrjedhojë, përvoja estetike domosdoshmërisht është e lidhur me përvojën transcedentale apo me vetë transcedencën.

Përvoja domosdoshmërisht e kërkon subjektin njeri dhe realitetin. Nëse do të flasim për një përvojë të vërtetë atëherë gjithsesi duhet të ekzistojë pikëtakimi midis subjektit dhe realitetit.  E shenjta, për ata, që e besojnë, që e ndiejnë dhe emocionohen me të, e shpreh realitetin.  E shenjta jo vetëm nga aspekti i zbulesës, në fetë qiellore, por edhe në mitologji ka qenë bazë e përjetimit të realitetit. Mitet janë rrëfime simbolike të mënyrës si i kanë kuptuar ose u kanë dhënë kuptim njerëzit botës dhe të shenjtës. E shenjta dhe shprehjet e saj janë si melodi, ata sa herë që performohen lindin për së dyti dhe e ruajnë gjallërinë e tyre në trajta të ndryshme.
E tillë është edhe zbulesa e fundit hyjnore, Kur’ani. Çdo ajet i tij lind së dyti gjatë çdo leximi të ri dhe tradita e komentimit të tyre nuk është traditë e vdekur por e gjallë, konstituive, që e ka të njëjtin tekst , por që në periudha të ndryshme ekzalton auditorin në trajta të ndryshme si intelektuale ashtu edhe artistike. 

Ashtu si e shenjta edhe arti nuk i duron vetëm kufijtë e shqisave dhe të dukshmes. Ata janë melodi të përjetshmërisë dhe relacioni i subjektit me objektin tek to nuk është i ndarë por i bashkuar. Si pasojë ka mundësi të shprehet vetëm nëpërmjet të artit. Pikërisht për këtë edhe stili i gjuhës së Kur’anit është artistik dhe jo vetëm literal.

Nuk dua të them se arti dhe e shenjta e kanë të njëjtën natyrë. Dua të them vetëm se të dyja përvojatsi njëra dhe tjetra, janë me intensitet të lartë. Kur flitet për të shenjtën/zbulesën/sunnetin atëherë ajo ka të bëjë me llojin e jetës që përcaktohet e tëra nga prania e fortë e një realiteti të shenjtë brenda nesh, e një realiteti që mund të na trondisë deri në palcë. E njëjta gjë ndodh edhe me artin. Të dyja këta emocione na e dashurojnë vetminë, por na mbanë të gjallë me shoqërinë.

Eksperienca e të shenjtës dhe përgjithësimi i saj nëpërmjet të artit ka ndikuar qartë në përpunimin e sistemit të Ibn Arabiut, që është shfaqur në veprën e tij të njohur Fususu’l-Hikem/Perlat e Urtisë. Ai, jetën dhe veprimtarinë e pejgamberëve të Allahut, të prezentuar në Kur’an, e ka paraqitur në trajtë të arketipeve universale për të gjitha kohrat dhe hapësirat. Hermeneutika  e tij artisktike është qasje sui generis e përvojës së të shenjtës dhe prezentimit të saj nëpërmjet artit në vetminë ekzistenciale.

Njeriu domosdoshmërisht është i detyruar, thotë Ibn Arabiu, të zgjedhë. Zgjedhja që duhet të bëjmë fillimisht është sasiore.  Sasia e të mundshmeve, po t’i shohim të tëra  si të barazvlefshme, i kapërcen mundësitë tona. Nëse e fusim në lojë eksperiencën e gjendjeve të përtejme, atëherë zgjedhja para së cilës gjindemi është cilësore. Të qenit vazhdimisht i hapur ndaj mundësisë që është pothuaj ajo e të shenjtës, bën që puna e mendimit t’i nënshtrohet vazhdimisht diçkaje tjetër, diçkaje ballë së cilës pikërisht mendimi ndërpritet.

Në këtë pikë ne sot jemi të përballë  me çështjen e ardhmërisë së artit, ose , mund të themi, edhe me çështjen se do të vazhdojë ose jo arti. Vazhdimi i artit, përballë kushteve rrënuese që i ka krijuar vetë subjekti njeri, do të jetë i mundshëm vetëm se nëpërmjet të rrikthimit të të shenjtës dhe bashkimit të subjektit me objektin e artit. Njeriu e krijon artin si qenie alternative e natyrës që është e përcaktuar me ndryshimin dhe zhvillimin. Arti me vete e sjell edhe një  pasqyrim të ri të qenies. Ky pasqyrim është vazhdimësia si antinom i ndryshimit të pandërprerë. Gadameri në hermeneutikën e tij, ngjashëm si shumë më herët Ibn Arabiu, jetën e “të tashmes” e vendos si horizont të caktuar më kuadër të historisë dhe prej këtu konstaton se qenia është një spjegim dhe se nuk prmban modalitet të pandryshueshmërisë. Këta ndryshime  rrënjësore të paraqitura në shkencë dhe në filozofi do të transferohen edhe në  art. Edhe Umberto Eco, është i mendimit se njëvepër artistike nuk mund të kuptohet si pasojë e një sistemi të mbyllur të ndjenjave dhe të mendimit, përkundrazi duhet të jetë e gjallë dhe e vazhsueshme. Këtë vazhdueshmëri artit ia mundëson vetëm e shenjta, por edhe të shenjtës vetëm hermeneutika artistike. Ndërsa që të dyja janë të lidhura me vetminë pozitive.

Objekti definitiv i artit të shenjtë është të mos ndjell ndjenja ose të komunikoj impresione; ai është një simbol, dhe si i tillë ai përdor kuptime të thjeshta dhe pimordiale. Ai në asnjë rast  nuk mund jetë diç  më tepër se  aluzion, objekti real i tij është i pashprehur.  Ai është engjëllor për nga origjina, sepse modelet e tij  reflektojnë realitetin e të përtejmes. Me anë të një rekapitulimi të krijimit – “Arti Hyjnor” –  alegorikisht, demonstron natyrën simbolike të botës, e çliron shpirtin njerëzor.

Gjitha këto aspekte fundamentale të artit të shenjtëruar, në një apo tjetër mënyrë, si dhe në proporcione të ndryshme, në secilën prej traditave tradicionale, në esencë e posedojnë të vërtetën dhe madhështinë e plotë të përjetimit të përtejmes në vetmi pozitive, ashtu që secili do të jetë i aftë, në parim, të manifestojë cdo formë të mundshme nga shpirtëria. Për më tepër, forma, përmes natyrë së vetë të plotë, është e paaftë t`a shpreh një gjë pa mos e përjetuar një tjetër, sepse forma e limiton atë që e shpreh, dhe si rrjedhim në këtë mënyrë e ekskludon  mundësinë e shprehjeve të mundshme nga arketipi i  tyre univerzal. Ky ligj natyrisht aplikohet në gjitha nivelet manifestimit formal, dhe jo vetëm në art; kështu që ndryshueshmëritë e zbulimeve hyjnore, në të cilën janë gjetur religjione të ndryshme, gjthashtu janë reciprokisht ekskluzive  kur peshohen në kushtet e pasqyrimeve të tyre formale, e jo në esencën e tyre Hyjnore, e cila është Një.  Nuk ka art dhe të shenjtë që nuk mvaret në një aspekt nga metafizika. Shkenca e metafizikës është vetë e pakufizuar, kur dihet fakti se objekti i saj është infiniteja.

Nisur nga kjo që u tha, në vijim të tyre, gjithçka që nuk na veçon e ndan nga bota, gjithçka do të binte ndesh me rregullat thelbësore të artit dhe të shenjtës.  Shpeshherë diciplina e industrializuar, duke na mbyllur në rrugën e punës, na largon nga përvojat e përtejme.  Kështu është vërtetë, të paktën në kuptimin e përgjithshëm, por ama edhe kjo përvojë e të përtejmes e  kërkon diciplinën e vet.  Një gjë është e sigurtë: se një diciplinë e tillë ndalon çfarëdolloj lëvdate llafazane të të shenjtës ose artit. Thashë që arti dhe e shenjta e kërkojnë heshtjen, mirëpo jo gjithherë ndodh kështu, për disa prania në botë bëhet shkak i mjaftueshëm për mohimin e heshtjes, për llomotitje, për harresën evetmisë pozitive.