“Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur  përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.Kur Jusufi i tha babait të vet: “O babai im! Unë pashë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, Diellin dhe Hënën! I pashë të më përuleshin në sexhde”. (Kur’an, 12:3-4)

Njeriu, krahas mendimit dhe perceptimit, është qenie e cila edhe imagjinon. Shqisat dhe arsyeja kanë vend të rëndësishëm në kuptimshmërinë e ekzistencës dhe jetës së njeriut, por përmasë qendrore në këtë kontekst ka edhe forca imagjinative. Aq sa të dhënat shqisore dhe premisat logjike, edhe ëndrrat, tregimet, simbolet, metaforat, përrallat, sagët janë pjesë e përpjekjeve tona për ta bërë të kuptimtë gjithësinë dhe ekzistencën tonë. Njerëzit, thotë Farabiu, realitetin e pastër kanë mundësi ta shprehin vetëm në trajtë simbolike dhe ta përkapin nëpërmjet aluzioneve, simboleve dhe metonimeve. Simbolet, aluzionet dhe përngjasimet që i përdorim për ti shprehur realitetet abstrakte nuk janë vetëm mjete letrare. Ata, njëkohësisht, janë elemente themeluese të realitetit dhe nuk mëngësojnë asgjë nga e vërteta. Për pasojë, librat e shenjtë, i përdorin simbolet dhe përngjasimet në përcjelljen e realiteteve fetare dhe mësimeve etike. Ngjashëm edhe filozofët e lashtë, mendimtarët mistik dhe gnostikët, në polemikat më të zjarrta  filozofike dhe mendore, i kanë shfrytëzuar aluzionet, metonimitë dhe tregimet. Si rrjedhojë, realiteti i njeriut mund të kuptohet si një tërësi vetëm nëse inkuadrohen mjete të ndryshme epistemologjike në trajtimin e tij.

Në historinë e vetëdijes, pikë përsëritëse ka qenë momenti i lindjes së mundësive të intervalit kohor ndërmjet impulsit dhe reaksionit mbi të. Skema fillestare biologjike ndërtohet si “irritim-reaksion”. Ndërsa, një etapë e re principiale del në pah me lindjen e ndërprerjes kohore ndërmjet marrjes së informacionit dhe reaksionit mbi të. Një rezultat tjetër i rëndësishëm është shndërrimi i reaksionit nga veprimi i drejtpërdrejtë në shenjë. Kjo ndodh në realitet me ëndrrën e cila reaksionin biologjik nuk e ka të hëpërhëshëm por në fillim paraqitet si pasqyrë e cila më vonë shndëroohet në semiotikë të avancuar.

Në të gjitha zbulesat hyjnore të feve qiellore është i përfshirë tregimi për Jusufin/Jozefin dhe vëllezërit e tij. Tregimi fillon me një ëndërr të voglushit Jusuf dhe deri në fund në trajtë shumë madhështore prezentohet ngjarja si pasqyrë semiotike e ëndërrës së tij. Në ëndërrën e Jusufit, për të cilën na informon zbulesa hyjnore, ngjarja është e thurur në trajtë madhështoredhe e stolisur me shenja që kanë domethënie kozmologjike dhe antropologjike.

Depërtimi në botën e ëndrrës, që së bashku me imagjinatën tek njeriu klasik ka paraqitur burim të dijes dhe njohjes, njeriun e nxjerr karshi një hapësire të ngjashme me atë reale, por me mundësi të lëvizjeve të pakufizuara nga fizika. Çdo gjë në te ka kuptim dhe ngjall kureshtje që shenjat e paraqitura të barten në përmasën e realitetit jetësor. Këto shenja paraqesin kullim të shpirtit dhe burim për etikë dhe estetikë. 

Domethënia e tyre ishte e papërcaktuar, dhe njeriut i binte ti shpjegonte. Së këndejmi, qysh në fillim ëndrra, në një farë mënyre ka qenë eksperiment semiotik. Në këtë kuptim duhet marrë edhe kuptimi biblik që në filim ishte fjala. Ashtu siç fjala i paraprin kuptimit të saj edhe ëndrra i paraprin realitetit, në veçanti atij artistik dhe estetik. Njeriu gjithnjë e dinte dhe në subkoshiencë e din edhe tash se kjo është fjalë, që ajo ka kuptim, edhe pse jo gjithherë e dinte kuptimin e saj.

Ëndrra i drejtohej njeriut në një gjuhë shumëdimensionale dhe pandërprerë e nxiste të sqarojë shenjat në të, thënë ndryshe të bëjë veprim semiotik. Konsiderimi i ëndrrës si porosi me vete e barte edhe vetëdijen se prej kujt vinte porosia. Më pas, në sferat më të zhvilluara ezoterike ëndrra identifikohej me një Ti të panjohur, por të ngrohtë metafizik, pra përfaqësonte të drejtuarit e Tij tek un’i njerëzor. Në ëndërrën veta e parë dhe e tretë shkriheshin dhe nuk dalloheshin. “ Unë” dhe “Ai” janë ndërsjelltësisht identikë. Sikur mbetej vetëm veta e dytë “ TI”. Kjo cilësi e ëndrrës i lejon asaj të jetë hapësirë e virgjër, ose pasqyrë semiotike, ndoshta jo vetëm i gjuhës së secilit, siç do të kishin thënë frojdistët e rafinuar, as edhe “shkencore”, si do ta kishin kuptuar shamanët, por mundësi e qasjes imagjinative si realitet për njohje dhe dije/mithal.

Veçanësia kryesore e kësaj gjuhe qëndron në papërcaktueshmërinë e saj të plotë. Kjo e bën atë jashtëzakonisht të aftë për shpikjen e një formacioni të ri. Nga pikpamja infromative, ajo është “tekst për hirë të tekstit”, e lirë. E ngjashme me faktin se si arti ndërgjegjësohet në vetvete, duke fituar të drejtën të jetë e lirë nga kuptimi dhe çdo detyrim i jashtëm. Në te mundësia e të qenit i kuptimësuar i paraprin nocionit të kuptimësimit të rregullt.

Vegimi i ëndrrës dallon për nga parimësia: ai nuk na kredh në hapësira pamore, fjalore, muzikale , porse në shkrirjen e tyre, në realitetin absolut. Përkthimi i ëndrrave në gjuhët e komunikimit njerëzor shoqërohet me zvoglimin e papërcaktueshmërisë dhe me zgjerimin e komunikimit. Më pas kjo rrugë shpërngulet në art. Poezia sufike e nënqiellit Islam në një mënyrë është zvoglim i papërcaktueshmërisë së ëndrrës dhe zbulim i realitetit të saj.

Mevlana Xhelaluddin Rumiu në një poezi të veprës s tij Divan-i Kebir me ngazëllim e ka shprehur këtë të vërtetë:

“ Gojën e mbylla për ushqim, goja më vjen nga qielli
Rënkon nëse qanë ky lukth, qeshem me të unë nga shpirti!

Bilbil i dehur jam unë, kafazin tim e kam thyer
Fluturova në lartësi, në sferat e origjinës jam kthyer

Aq jam i dehur dhe viran, as zjarri s’më afrohet
Unë u tërbova, flaka nga zinxhirrët më largohet!

Nëse i përgjithësojmë të gjitha interpretimet e imagjnatës dhe ëndrrës, duke i shpënë në një formulë të përgjithshme, atëherë do të kemi një përfytyrim mbi pushtetin e fshehur dhe thellësitë shpirtërore, por të fuqishme, të shprehura edhe në ëndrrat e vërteta/ru’ja hakika të Pejgamberit a.s., që e drejton njeriun.Përveç kësaj, ky pushtet flet me njeriun në një gjuhë, kuptimi i së cilës lyp praninë parimore të përkthyesit. Përkthyesi i ëndrrës është ndjenja, arti, filozofia, feja, ose individi i dashuruar në to.

Ëndrra ka një veçanësi- ajo është individuale, rrjedhimisht ajo është gjuhë parimore për një njeri. Me këtë është e lidhur vështirësia e skajshme e komunikueshmërisë së kësaj gjuhe: të rrëfesh një ëndërr është po aq vështirë, sa të rrëfesh me fjalë një vepër muzikore.
Pikërisht për këtë teksti hyjnor nëpërmjet të tregimit më të bukur, atij për Jusufin a.s., e ka mundësuar që ëndrrës t’i mvishet një funkcion i veçantë dhe kulturor tejet i rëndësishëm: të jetë rezervë e papërcaktueshmërisë semiotike, hapësirë, e cila pret të mbushet me kuptim. Kjo e bën ëndrrën të aftë të mbushet me interperetime të shumëllojshme si sufike, ashtu edhe estetike.

Ta mbaroj me disa vargje nga Divan-I Kebir’i Mevlana Xhelaluddin Rumiut:

Njerëzit natën në gjum u thelluan
Si peshku në uj përfunduan
Syri i ashikëve tërë natën i zgjuar
Lotë rrëke drejt mihrabit kulluar
Ka një shok për to në brendi
Sa dert, për shpirtin e ndarë nga Miku