Arsyeja shpeshherë është e pafuqishme të shprehë një ndjenjë, një qëndrim apo një gjendje shpirtërore. Ky pohim, ndoshta edhe pak I tepruar, në realitet e shpreh realitetin se arsyeja e të qenit I arsyeshëm nuk qëndron tek e drejta e saj për të shprehur ndjenja. Si pasojë, metafizika I drejtohet të dukshmes nëpërmjet të metaforave dhe si e tillë ka mundësi të ndjehet. Të tilla janë të gjitha dukuritë metafizike si pasqyrime në të dukshmen dhe imanencën brendabotërore. Pa ata nuk mund as që të mirëkuptohet universaliteti I metafizikës dhe në rastin konkret edhe e bukura dh e estetika. Thënia se “ Zoti është I bukur dhe e don të bukurën” e tregon qartë se e bukura e ka vetëm një burim esencial dhe se ai/burimi ka mundësi të pasqyrohet nëpërmjet të metaforave që në përmasat shqisore nuk duken si Ai, por që pandërprerë e ngërthejnë ndjenjën për Të. Zhan Zhak Rusoi këtë realitet, duke folur për muzikën, do ta formulojë me një thejshtësi brutale: “ muzika, si të gjitha artet, imiton botën reale, por në një mënyrë të veçantë: “ ajo nuk do t’i përfaqësojë drejtpërsëdrejti gjërat, por do të cytë në shpirt ato ndjenja, me një fjalë do të krijojë pushtet mbi zemrën njerëzore”. Vetëm në këtë segment kam mundësi ta kuptoj ajetin e sures Hashr, ku thuhet: “Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Shembuj të tillë Ne ua japim njerëzve, që ata të meditojnë. Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim), Njohësi i së dukshmes dhe i së padukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti!” (Kur’an, 59:21-22). S’di si kam mundësi pa ndjenja ta kuptoj bukurinë e drojtjes së maleve para zbulesës hyjnore në çfarëdo trajte që të jetë!
Për fat të keq doktrina e realizmit socialist është bartur edhe në përmasat e epistemologjisë edhe në përmasat e estetikës metafizike dhe ajo është shndërruar sikur të ishte fjala për një fushë beteje politike. Pse kjo egërsi? Veprimtaria emocionale e ngadaltë në zemrën e njeriut ka qenë gjithmonë burim I ndjenjës së lartë estetike në historinë e mendimit dhe përjetimit metafizik. Tek shprehja “ veprimtaria emocionale” qëndron “ thelbi etik” I metafizikës. Si pasojë, përjetimi metafizik gjakon së qeni një shprehje estetike e normave etike.
Për fat të keq kjo egërsi si duket është trashëgimi e modernitetit, I cili duke qenë brenda secilit prej nesh e përjashton ndjenjën për metafizikën, pasi ajo mund të ngërthehet dhe përjetohet vetëm nga ajo.
Arti metafizik të ndërmend se ekziston një univers akustik I jashtëm në shpirtin e njeriut, I cili nuk është I ngjizur vetëm nga zhurmat e natyrës, por edhe nga zërat e brendshëm dhe që mishit I japin kumbim festiv. Ai ndikon që universi “objektiv” të merr një formë të madhe estetike. Një nga kompozimet estetike shumë të thella kur’anore janë ajetet e sures Inshirah, ku jo vetëm ndërtimi I tesktit por edhe tingujt krijojnë një kor prej zërash me qetësi magjepsëse, një kompozim me emocionalitet të pagjasshëm dramatik.
“Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar besimin)
dhe ta hoqëm barrën
e cila ta rëndonte tepër kurrizin,
dhe ta ngritëm lart emrin?!
Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!
Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!
Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim)
dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!” ( Inshirah, 94:1-8)
Fare qartë, ajetet flasin për një pastrim metafizik që manifestohet nëpërmjet estetikës së shprehjes dhe sjelljes. Objekti ngushëllohet nga ndjeshmëria metafizike. Sepse ndjeshmëria është ngushëlluese, ndërsa bota e pandjeshmërisë është bota jashtë jetës njerëzore; është përjetësia, është deti I pafund I kuqërremtë. Të tilla janë imazhet e pasqyruara të botës metafizike, jo ekzistuese për shqisat, por reale dhe ekzistente; ata të çlirojnë prej subjektivitetit njerëzor, agresiv dhe të bezdisshëm; të dëftojnë bukurinë e ëndshme jonjerëzore të botës. Djali i Mevlana Xhelaluddin Rumiut, Sulltan Veledi, për përjetimet e tilla të miqve të Zotit ka thënë: “Poezia e miqve të Zotit nuk është asgjë tjetër përveç se sqarim i sekreteve të shpalljes. Ata e shkrijnë unin e tyre dhe ekzistojnë me Zotin”.
Shpallja në poezinë dhe veprën e Mevlanës gjithmonë e ruan dydimensionalitetin e saj. Ai asnjë shtresë të qenësisë nuk e nxjerr jashtë kapshmërisë së revelatës. Në veprën e tij Fihi Ma Fih në lidhje me shpalljen ai thotë: “Kur’ani ka dy anë. Disa e diskutojnë njërën kurse disa të tjerë tjetrën. Që të dyja janë të vërteta dhe të drejta, meqë Zoti i Lartë ka dëshirë që të dyja palët të shfrytëzojnë atë. Për shembull, nëse një grua ka burrin dhe një foshnje në gji, gruaja prej të dyve ndjen kënaqësi por në forma të ndryshme. Kënaqësia e foshnjës është në qumshtin e nënës, ndërsa kënaqësia e burrit në bashkëshortësinë. Njerëzit janë ithtarë të një rruge. Secili ka mundësi të kënaqet me dukshmërinë e Kur’anit dhe të pijë qumësht prej tij. Vetëm për të pjekurit në kuptimet e Kur’anit ka një kënaqësi të posaçme dhe atë e kuptojnë vetëm ata”.
Gjithsesi duhet korigjuar ideja e mënjanimit të metaforave dhe mos depërtimit në përjetimin e tyre, përndryshe vdes estetika e metafizikës në ne dhe nuk ngel asgjë nga ajo që është brenda në ne. Nevoja për të përdorur një fjalë tjetër në vend të më të rrokshmes, më të thjeshtës, më asnjanëses është refleks metafizik i sinonizimit. Të kesh një rezervë të madhe sinonimesh, bën pjesë tek virtytshmëria e “stilit të bukur”. Sa për ilustrim të përcjelli disa vargje të poetit të famshëm Hafiz’it:
“Shpirti im është perdja e dashurisë së Tij,
syri im është pasqyra e mëshirës së Tij,
as përpara tokës dhe as përpara kupës qiellore, nuk përulem;
por mirësitë e Tij kanë bërë që të nënshtrohet
një shpirt shumë kryelartë për t’u përulur.
Ky është tempull i përgjërimit, ku s’ka asnjë mëkat,
por vetëm flladi mund t’i afrohet,
kush jam unë, pra për të kuturisur?
Megjithatë, shumë e ndotur është rroba ime,
a do të fyejë kjo Ty, shumë i Pastërti dhe shumë i Larti?
Ai kaloi pranë trëndafilit,
ai ia përlau atij parfumin dhe ngjyrën.
O yll fatlum që do të zbulosh
sekretin e natës dhe të ditës:
përpara syve të mi është fytyra Jote,
në shpirtin tim është dashuria Jote”
Imagjinata hafiziane e zgjuar prej kësaj dalldie estetike ngarend si një lumë, lumë ëndrre që nuk gjen prehje veçse në shkrirjen totale. Kjo dalldisje e gjatë e imagjinatës pasqyrohet tek veçoria e zbulimit të fshehtësisë metafizike nëpërmes përjetimit ndjenjësor, që për fat të keq, kohëve të fundit është humbur edhe tek ata që angazhohen edhe tek ata që e refuzojnë, burimin metafizik të realitetit.
Si duket jam në kërkim të së tashmes së humbur…