Për myslimanët dy bajramet janë festa që shënojnë dy ngjarje madhore në historinë e Islamit: fillimin dhe fundin e shpalljes së Kuranit, Fjalës së Zotit që formëson botën e tyre të brendshme shpirtërore dhe i udhëzon ata në botën e jashtme materiale.
Shkruan: Metin IZETI, Tetovë
Festat janë ditë të rëndësishme, si për individët, ashtu edhe për shoqërinë, pasi atyre u atribuohen kuptime të veçanta që nga e kaluara e deri më sot. Në këto ditë mbahen ceremoni të veçanta në të cilat manifestohen shumë elemente të traditës së kombeve të ndryshme. Muslimanët i kanë dy festa kryesore: Bajramin e Ramazanit dhe Bajramin e Kurbanit. Bajrami i Ramazanit festohet tre ditët e para të muajit Sheval (sipas kalendarit hixhrij), ndërsa Bajrami i Kurbanit katër ditë, nga dita e dhjetë e muajit Zilhixhe. Që të dy bajramet janë shpallur për bajrame në vitin e dytë pas hixhretit të Pejgamberit a.s..
Në kohën e Pejgamberit a.s. bajrami fillonte me faljen e namazit në shesh, në Musallanë (vendfalje) e Medines, ku bashkë me meshkujt merrnin pjesë edhe gratë dhe vajzat e reja. Pejgamberi a.s. i hante dy-tri hurma para se të shkonte në Musalla për ta falur namazin e bajramit. Baza e traditës së të ngrënit dhe gostitjes me ëmbëlsira, që ka vazhduar me shekuj gjatë festave të bajramit, bazohet në këtë traditë pejgamberike (sunet).
Në shoqëritë islame, Bajrami ka një rëndësi të veçantë. Ai kremtohet me ndjenja të sinqerta në mënyrë flakëruese pothuajse në çdo pjesë të shoqërisë si shprehje e durimit, besimit, afërsisë, nënshtrimit në Zotin, bashkëbisedimit, solidaritetit me skamnorët, bashkëpunimit dhe bujarisë. Nga pallatet më të bujshme të mbretërve e deri te shtëpitë më modeste të fshatit, njerëzit nga të gjitha pjesët e shoqërisë e presin me gëzim Bajramin, shtrohen sofra, përgatiten ushqime dhe konsumohen ëmbëlsira.
Për myslimanët dy bajramet janë festa që shënojnë dy ngjarje madhore në historinë e Islamit: fillimin dhe fundin e shpalljes së Kuranit, Fjalës së Zotit që formëson botën e tyre të brendshme shpirtërore dhe i udhëzon ata në botën e jashtme materiale. Kur’ani ka filluar të zbresë në muajin e Ramazanit, i cili kurorëzohet me Bajramin e Ramazanit, ndërsa, ajetet që konsiderohen ndër të fundit i kanë zbritur Pejgamberit a.s. në haxhin lamtumirës, pra në Bajramin e Kurbanit.
Me afrimin e Bajramit të Ramazanit ndjenjat e besimtarëve janë të përziera. Nga njëra anë janë të pikëlluar dhe të dëshpëruar sepse po kalon muaji i Ramazanit dhe begatitë e tij, por nga ana tjetër janë të gëzuar, të kënaqur, sepse po vjen Bajrami, një ditë kur ata do të shpërblehen shumë për mundin e tyre në muajin e Ramazanit.
Pak ditë para Bajramit, familjet myslimane i pastrojnë dhe rregullojnë tërësisht shtëpitë, apartamentet, oborret dhe rrugët e tyre. Kostumet, shtëpitë dhe rrugicat e pastra dhe aromatike janë simbolet e festës së Bajramit. Në vigjilje dhe në ditën e parë të Bajramit, myslimanët vizitojnë dhe rregullojnë varret dhe lexojnë pjesë të Kur’anit për të vdekurit e tyre. Bajrami e kalon kështu kufirin e jetës dhe vdekjes dhe bëhet një festë universale, bereqeti i të cilit nuk lëshohet vetëm mbi të gjallët, por i përfshin edhe ata që kanë kaluar në botën e përjetshme. I Dërguari i Allahut i inkurajonte besimtarët që t’i vizitojnë varrezat dhe të mendojnë për vdekjen. Hazreti Fatimja r.a. shpesh e vizitonte varrin e Hazreti Hamzës dhe dëshmorëve të tjerë nga Beteja e Uhudit.
Në mëngjesin e Bajramit është zakon që të gjithë anëtarët e familjes të ngrihen herët dhe të përgatiten për të shkuar në xhami. Sipas traditës së Pejgamberit a.s., para se të shkojnë në namazin e Bajramit hahet diçka nga ëmbëlsitë e përgatitura, pasi dhe Pejgamberi a.s. hante hurma.
Natën para Bajramit ose në mëngjesin e Bajramit është zakon për besimtarin të lahet, të parfumoset dhe të vishet veshjet më të bukura dhe solemne. Anëtaret femra të familjes i ndihmojnë meshkujt të vishen për faljen më të bukur dhe solemne të Bajramit. Në viset tona në namazin e Bajramit shkojnë vetëm meshkujt dhe ai falet nëpër xhami, edhe pse në kohën e Pejgamberit a.s. është falur në shesh dhe kanë marrë pjesë edhe femrat. Kohëve të fundit, në disa qytete falet edhe nëpër sheshe, siç është rasti në Tiranë. Falja e Bajramit në shesh e ka bukurinë e vet dhe simbolizon një bashkësi dhe unitet të myslimanëve. Sipas traditës së Pejgamberit a.s., në namazin e Bajramit shkohet në një rrugë dhe kthehet në rrugë tjetër, që të ketë sa më shumë engjëj që dëshmojnë për namazin e Bajramit dhe që t’i bekojnë besimtarët.
Më pas shtrohet sofra e Bajramit dhe familja bashkërisht e ha drekën e Bajramit. Sofra e Bajramit është tradicionale dhe në të kryesisht servohen ushqimet tradicionale të vendit. Pas drekës së Bajramit anëtarët e familjes ia urojnë Bajramin njëri-tjetrit, duke filluar nga më i moshuari në familje. Pas drekës së Bajramit meshkujt i vizitojnë familjarët e afërm për t’ua uruar Bajramin, ndërsa zonjat i presin mysafirët në shtëpi, të cilët i gostitin me ëmbëlsirat e përgatitura enkas për Bajram.
Një nga karakteristikat e Bajramit është edhe tekbiri. Tekstin e tekbirit e ka kompozuar Buhurizade Itri Efendiu në një agim të Bajramit në shekullin e 17-të dhe shekuj me radhë melodia e tekbirit e zbukuron atmosferën e Bajramit. Poeti i njohur Jahja Kemal Bejatli ia ka kushtuar një poezi Itri Efendiut, në të cilën thotë:
Të vjetrit Itriut të madh i thonë
Kryeplak i muzikës sonë
Ashtu e ka nxitur popullin, në çdo vend
Ai mbret e ka mbushur agimin me shend
Sa e sa bajrame në mëngjes herët
Kur gjëmonin topat duke qenë errët
E ka thurur tekbirin me saltanat
Nga Budimi në Irak e Fustat
Në tokat e çliruara ka fryrë era e lehtë
E ka bartur atë bereqet çdo pranverë
Ashtu na ka tubuar ai njeri i madh
Shtatë shekuj rrëfenjën e mban të gjallë
E dëgjojmë ne nga rrapi në moshë të shtyrë.
Itri Efendiu ka qenë ashik i Pejgamberit a.s. dhe arti i tij është i stolisur me dashurinë e flaktë ndaj zotniut të krijesave, Muhammedit a.s.. Po pra, ky është shkaku që tekbiri i tij në mekamin segah e ka përfshirë botën në përgjithësi.
Në letërsinë klasike të tesavvufit janë shkruar edhe shumë poezi që janë emërtuar si “idijje”, pra poezi për Bajramin. Bajrami ka qenë gjithmonë një kohë e takimit (vuslat) gjatë historisë. Është koha kur ndarja ka mbaruar, durimi përfundon dhe distancat janë afër. Këto janë ditë kur njerëzit i takojnë të afërmit e tyrekur , bashkohen me fëmijët dhe gjejnë kuptim me gëzimin e të qenit bashkë, çështje që janë frymëzim për poetët. Vargjet e mëposhtme të Alvarlı Efe efendiut, një prej poetëve tanë sufi që jetoi në shekullin e 19-të, shprehin entuziazmin shpirtëror të festës dhe shprehin zemrat e lumtura:
Shpirti e gjen të dashurin
Bajram është Bajram
Robi e gjen Sulltanin
Bajram është Bajram
Dëshpërimi e brenga hiqet
Bajram është Bajram
Perdja nga gjuha ngrihet
Bajram është Bajram
Kur përmendet “Idi” (Bajrami), në tasavvuf vijnë në mendje manifestimet që kthehen në zemër me përsëritjen e veprave të mira. Me fjalë të tjera, sa herë që robi e ndjen Krijuesin në zemër, është festa më e madhe për të “Id-i Ekber”. Kjo situatë në vargjet e Haxhi Bajram Veliut shprehet si më poshtë:
Një dashuri nëse të vjen ty
Bajram i madh është për ty
Dëshirë nga i Madhi është për ty
Meded ja Rabb, Meded ja Mevla
Bajram kam tash, Bajramin e kam
Bajram bëj un me të Dashmin, Bajram
Falënderime e lavdërime thura
Me të Dashmin, Bajram në shpirt bëra.
Bajrami në kulturën myslimane është kohë gëzimi dhe hareje, kur besimtarët zgjojnë ndjenja të bukura, si dashuria, respekti, mëshira dhe mirësia. Në një jetë me afat të caktuar, bajramet që përsëriten çdo vit, janë çaste më të dëshiruara për myslimanin e sinqertë, prandaj edhe urimet janë që të jetësohen edhe shumë bajrame të bukura. Urimi “Id said ve hajat mezid” (Bajram të lumtur dhe jetë të gjatë) është ndër urimet më domethënëse të Bajramit në poezinë klasike myslimane. Fakti që Bajrami është një ngjarje shoqërore me traditat e saj dhe me ngjalljen e ndjenjave të mira te njerëzit, e ka afruar atë me poezinë gjatë historisë. Me fjalë të tjera, për poetët, Bajrami ka qenë një frymëzim për të shkruar poezi. Sepse, ndjenja të tilla të rralla sublime dhe gëzime të thella mund të shprehen vetëm përmes poezisë.