Lloji më i përhapur dhe më i thjeshtë i fetarisë në shoqërinë njerëzore është fetaria që e pret kundërvlerën e veprave morale me shpërblime të kësaj dhe botës tjetër. Logjika e kësaj fetarie është e njohur për të gjithë.
Shkruan: Metin IZETI
Një nga dëshirat kryesore të njeriut është të jetojë dhe të komunikojë me njerëz të mirë dhe, gjithsesi, të qëndrojë sa më larg nga njerëzit e ligë dhe të këqijat shoqërore. Kjo karakteristikë është e lindur tek njeriu. Si rrjedhojë, gjithnjë gjatë historisë së mendimit dhe veprimit shoqëror të njeriut në faqen e dheut janë parashtruar dhe analizuar pyetjet: Çfarë është një “njeri i mirë”?; Cilat janë kriteret morale sipas të cilave e bëjmë vlerësimin e njerëzve në shoqëri?.
Çdo brez i ri kërkon përgjigje për këto pyetje, duke ndërtuar vlerat në të cilat individi zhvillohet dhe ndihet në harmoni dhe paqe me shoqërinë. Nuk ka dyshim se klasifikimet të cilat janë bërë gjatë periudhave të ndryshme nuk janë absolute. Ata i kanë avantazhet dhe disavantazhete tyre. Por, ama, të gjitha i kanë të ngërthyera në vetë natyrën dhe motivimin e kohës dhe mendimit zotërues në të.
Në antropologjinë kulturore, të kultivuar në veprat e mendimit Islam të spektreve të ndryshme, si filozofike, sociologjike, hermeneutike, etike, estetike, paraqitet një pasqyrë e tipologjisë së fetarisë të njerëzve dhe trajta e veprimit të tyre shoqëror. Qëllimi, në analizën e fundit, i të gjitha këtyre qasjeve është arritja deri tek qenia morale, si pasojë e ndjekjes së rregullit hyjnor në shoqëri. Është fakt se tipat e ndryshëm të njerëzve fetarë i ngërthejnë në vete karakteristikat e llojeve të ndryshme të fetarisë dhe ata nuk mund të ndahen në trajtë shumë të prerë. Por, ama, diversiteti i manifestimeve të fetarisë tek njerëzit dhe përvetësimi i një strukture të caktuar hap mundësinë e rritjes së një personi në drejtim të adoptimit të vetëdijshëm të manifestimeve të caktuara, gjë që ndikon në zhvillimin e mirëkuptimit dhe, në raste të caktuara, edhe të refuzimit të vetëdijshëm ose të papranueshmërisë së tjetrit. Vetëdija dhe kuptimi real i tipologjisë fetare dhe i njerëzve me koncepte të ndryshme e zhvillon aftësinë për të ndihmuar një fetar të jetë fleksibil në botën bashkëkohore, që cilësohet me ritëm të shpejtë, t’i kthejë konfliktet e padiskutueshme në dialog, të gjejë harmoni me botën dhe në veten.
Fetaria harxhuese
Lloji më i përhapur dhe më i thjeshtë i fetarisë në shoqërinë njerëzore është fetaria që e pret kundërvlerën e veprave morale me shpërblime të kësaj dhe botës tjetër. Logjika e kësaj fetarie është e njohur për të gjithë. Koncepti moral i fetarisë harxhuese është krijimi i një shoqërie që i mundëson individit lumturinë. Kjo lumturi është e këndshme dhe e dobishme nga aspekti i përgjithshëm i harmonisë shoqërore, por, ama, ndërtimi i gjenit religjioz në këtë përmasë është i vështirë. Kjo ide e fetarisë është e padurueshme për ndërtimin e tipit moral, pasi një person i tillë shpreson të gjejë një kundërvlerë për çdo veprim të tij dhe kjo i shkakton siklete në rastet kur nuk takohet me shpërblimet e dëshiruara. Pikërisht për këtë ky koncept, veçanërisht në filozofinë morale islame, konsiderohet si “fetari me kusht”, pasi një person i tillë beson se avantazhet janë kryesore dhe ata janë më të rëndësishmet dhe motivi i vetëm për sjellje morale. Krahas përmasës së dobët ideore, fetaria harxhuese i ka edhe avantazhet e veta, pasi ajo çon në një qëllim, sukses dhe në lumturi të individit. Lumturia e këtij personi është e bazuar në arritjen e famës, pasurisë, mirëqenies familjare dhe është fakt se të gjitha këto janë vlera shoqërore. Fetari i tillë dëshiron të fitojë sa më shumë për veten e tij, por ama në shoqërinë ku jeton përpiqet t’i prodhojë lehtësimet ku mund të realizohen këto dëshira të tij. Si pasojë, një person i tillë mund të jetë i dobishëm shoqërisht, i këndshëm në komunikim dhe një familjar i mrekullueshëm i cili është aktiv në shoqëri. Këto cilësi të tij mund të jenë shkak për transformime progresive dhe ide të ndritura, pasi vendosmëria e tij bazohet në besimin se koncepti i tij është i drejtë.
Problemi kryesor i fetarisë harxhuese është (mos)zbatimi i rregullave morale në ndryshimet shoqërore dhe në situata të reja. Fetari i tillë është i ngurtë në formën zbatuese të rregullave dhe nuk është në gjendje ta ndryshojë veten në kuadër të ndryshimeve pozitive shoqërore. Koha është e vetmja gjë që nuk mund ta kontrollojmë, nuk mund ta ndalojmë ose ndryshojmë. Rrjedh në rrjedhën e saj dhe kalon pa marrë parasysh se çfarë qasje kemi ne për të. Nëse e shikojmë në mënyrë objektive, koha është një sasi e matshme. Ne mund ta shohim atë si të kaluar, të tashme dhe të ardhme, ndërsa ritmi i saj është gjithmonë i njëjtë. Por, nëse kohën e shikojmë në mënyrë subjektive, gjithmonë mund ta modifikojmë ndryshe – në varësi të asaj që bëjmë, ku jemi dhe me kë jemi. Pikërisht për këtë tradita perenniale dhe universale e Islamit na mundëson qe rrjedhën e zakonshme të kohës ta vendosim në shtratin e rregullit të preferuar nga Krijuesi. Kryemjeshtri i këtij shtrati të lumit të kohës është personi universal dhe metafizik i Pejgamberit a.s.. Ai duhet të jetë heroi kryesor i personit, familjes dhe komunitetit.
Fatkeqësisht, në kohën dhe shoqërinë në të cilën jetojmë, si pasojë e konceptit harxhues fetar, po tentohet që vlerat e përgjithshme islame të interpretohen si vlera private ose si vlera të bazuara në ekskluzivitet ndaj të tjerëve, gjë që nuk është e vërtetë. Vlerat që Islami i ka dëshmuar në botë nuk kanë të bëjnë vetëm me ne dhe as që ne si myslimanë nuk kërkojmë ndonjë privilegj nëpërmjet tyre, por dëshira është që t’i paraqesim si mundësi për rindërtimin e personalitetit të mirëfilltë të njeriut në botë. Pikërisht kjo është bukuria dhe fuqia e Islamit. Pra, çdo gjë që është e mirë dhe e ndershme, e bukur dhe fisnike, është e vlefshme për ne dhe ne e mbështesim atë me të gjitha forcat tona, pavarësisht se kush është pas saj. E pra, kushdo që e ka bërë, nëse e ka bërë mirë, nuk duhet të hezitojmë ta themi, por gjithsesi se kemi të drejtë të shprehim edhe qëndrimet tona fetare islame se si mund të bëhet mirë ajo që nuk është mirë. Ne nuk jemi për të mirën private. As nuk duhet të mbrojmë vlerat që jetojmë dhe të shpallim marrëdhënie të tjera sikur të ishin vlera dhe interesa private për një grup të kufizuar njerëzish. Është shtrembërim i realitetit nëse mendohet se ne besimtarët përfaqësojmë diçka që nuk ka të bëjë me të mirën e gjithë shoqërisë dhe të gjithë qytetarëve, gjë që është krejtësisht e gabuar. Ose të supozohet se vlerat fetare islame i dëshmojmë si vlera private ose si vlera të bazuara në ekskluzivitet ndaj të tjerëve, gjë që nuk është e vërtetë.
Përkundrazi, myslimani duhet të jetojë në të tashmen, por duke e rindërtuar realitetin e qetësisë shpirtërore sipas paradigmës së traditës konstituive pejgamberike. Kjo nuk do të thotë ta injorosh të tashmen ose të harrosh jetësimet e traditës në të kaluarën, por do të thotë të jetosh si mysliman duke e analizuar pa paragjykime të kaluarën, por edhe të tashmen. Mendja jonë është programuar për të menduar dhe vepruar në një mënyrë të caktuar dhe na mundëson që të sjellim të gjitha në jetën tonë tani dhe ne jemi ata që mund të lejojmë dhe të kontribuojmë që tradita konstituive pejgamberike të rindërtohet përsëri tani dhe duke e ruajtur konceptin e përgjithshëm për të tashmen.
Zbatimi i rregullave të përgjithshme nuk varet nga situata relative. Meqenëse situatat janë pafundësisht të ndryshme, rregullat e moralit janë të përjetshme dhe nuk e durojnë relativitetin. Kjo është kështu, pasi në praktikë një relativizëm i tillë mund të çojë në imoralitet të plotë. Si pasojë, koncepti kryesor i fetarisë harxhuese, që është pritja e kundërvlerës, mund të çojë në harrimin e të gjitha llojeve të mirësjelljes dhe, si pasojë, situata dhe përfitimet personale të lejojnë lehtësisht të shkelë të drejtat e të tjerëve. Si pasojë, rregullat ideale janë të lartësuara dhe mund të mishërohen; nuk lejojnë rënien në ekstreme antisociale dhe e dëbojnë egoizmin që të mos shqetësohemi me kërkesa të pamundura.
Nëse fetaria është e orientuar nga filozofia konsumeriste, dëmtohet imazhi i personit aktiv fetar, natyra reale e veprimtarisë shpirtërore dhe pragmatika shoqërore shndërrohet në arsyetim për veprimet e gabuara, që mund të rezymohen si lumturi personale, individualizëm, relativizëm dhe vetëpërqëndrim ekstrem.
Fetaria konformiste
Konformizmi, në përgjithësi, por edhe në fetari, është një ves i cili është i gatshëm të bëjë marrëveshje me padrejtësitë e botës. Konformizmi fetar synon që fetaria të mos përplaset në mjedisin dhe rrethin, i cili në rastet më ekstreme mund të jetë edhe antifetar dhe pengues i vlerave fetare. Nëse njerëzit e tillë lihen pa mbështetjen e opinionit të gjerë publik, ata janë në gjendje ta tradhtojnë edhe veten. Shembull tipik i një fetarie të tillë është personi i cili dëshiron të futet ose të shoqërohet me një elitë të caktuar shoqërore, krahas asaj që idetë mbështetëse të asaj elite përplasen me rregullat bazike fetare. Morali i konformistit fetar varet nga miratimi dhe dënimi i të tjerëve dhe është shumë i lehtë për t’u ndikuar. Ai nuk ka autonomi morale dhe bindja e brendshme, ndjenja e përgjegjësisë së tij, është e konstruktuar keq. Grupi shoqëror, që ka fuqi udhëheqëse ose materiale, është burim normash dhe idesh morale, ndërsa ai vetë përpiqet që parimet e fetarisë t’i përshtatë me idetë dhe sjelljet e tyre. Frika kryesore e këtij koncepti është mospjesëmarrja në eventet udhëheqëse ose edhe zbavitëse të shoqërisë. Shkeljet, që në këtë rast i bëhen parimit fetar, i konsideron si ngjitje në hapësirën e dukshme të shoqërisë dhe krijim i publicitetit. Ky lloj i fetarisë mund të konsiderohet edhe si “fetari e kabaresë”. Kjo frikë është qesharake për një njeri që ka personalitet të zhvilluar, pasi të kërkosh një vetë-mjaftueshmëri të tillë nga të gjithë dhe gjithçka është shumë jopjellore në të gjitha aspektet, kjo pasi që lumturia personale preferohet nga marrëveshja universale; përshtatja me vlerat dominuese konsiderohet mënyra më e mirë e përmirësimit të pozitës shoqërore dhe motivi kryesor është të pranohet gjithçka që del në plan të parë në shoqëri.
Sa i përket ndërgjegjes fetare, ky person është pasiv, sepse të gjitha rregullat e sjelljes së tij janë të përshtatshme për tëhuajësim dhe tjetërsim nga gjeni real njerëzor dhe fetar. Kriteri i tij është veprim për hatër ose për t’ia bërë qefin dikujt. Nëse fetari harxhues beson se të gjithë njerëzit janë të ngjashëm me të, konformisti fetar dëshiron që ai të jetë i ngjashëm me të gjithë. Konformizmi fetar i rrënon motivet për thellësi morale dhe i hap greminat e degjenerimit fetar dhe shoqëror të njeriut.
Vlera kryesore morale e konformistit fetar është koncepti i “tolerancës” dhe “bashkëjetesës » së rrejshme. Tolerancë dhe bashkëjetesë në dëm të parimeve personale dhe zëvendësim me të tilla që janë në kundërshtim me gjenin origjinal fetar. Në kohët e fundit ne jemi të përballur shumë shpesh me një tip të tillë fetar, i cili në emër të tolerancës dhe bashkëjetesës është në gjendje t’i sakrifikojë parimet bazike fetare, por edhe degjenerimet t’i shikojë si të përshtatshme.
Islami e preferon dhe e mbështet fuqishëm mirëkuptimin dhe respektin ndaj tjetrit, veçanërisht kur bëhet fjalë për bashkëjetesën, por kjo nuk do të thotë që me këtë veprim të shkelen parimet dhe rregullat fetare vetëm e vetëm për të qenë joshës për jofetarët ose për shtresën e pushtetarëve, pasanikëve, madje edhe të një pjese të «intelektualëve» që fenë e shohin si «koncept të prapambetur» ose si çështje individuale. Koncepti i laicitetit të sforcuar dhe ndjekësit e tij kërkojnë një fetari të tillë konformiste, e cila do t’i arsyetojë sjelljet shoqërore edhe nëse janë në kundërshtim të plotë me parimet fetare. Unë mund ta kuptoj që personi të ketë një mendim të tillë për fenë, por assesi nuk mund ta kuptoj dhe ta arsyetoj ta bëjë këtë në emër të fesë. Feja i ka parimet e veta morale dhe ata nuk e durojnë dhunën e arsyes praktike të një periudhe të caktuar.
Fetaria fisnike
Feja, në esencë, është një fisnikëri e trashëguar nga e përtejmja. Dinjiteti fetar është trashëgimi në të cilën ne kemi hisen tonë si fëmijë të Ademit a.s. dhe Havasë. Ndryshimet shoqërore nuk duhet të jenë shkak që ne ta mohojmë këtë trashëgimi të pastër nga babai jonë. Fetaria fisnike e ngërthen në vete sjelljen morale si domosdoshmëri të gjenit njerëzor. Njeriu është fetar dhe, si rrjedhojë e fetarësisë së tij, i moralshëm dhe ky është predestinim i tij që nga shkelja në tokë. Ky koncept i fetarisë është paqëdashës, ka synime për mirëqenie në shoqëri, por nga ana tjetër është pak i mbyllur në vete. Në një mënyrë e kundërshton, për veten, rregullin publik në rastet kur nuk pajtohet me ndërgjegjen e tij. Si rrjedhojë, paraqiten fenomene antisociale dhe ata janë të pashmangshme në këtë koncept. Një orientim i tillë është individualist ose grupor. Çështjet fetare i shikon vetëm nga aspekti i tij dhe i grupit që i takon dhe të njëjtat i përjashton nga morali i përgjithshëm. Në këtë rast feja e humb dinamikën shoqërore dhe bëhet “pronë private” e një familjeje ose individi të caktuar. Këtu është edhe problemi kryesor i fetarisë fisnike. Pra, krijohet një grup i “fisnikëve fetarë”, që gjithnjë duhet të konsiderohet mbi të tjerët dhe njëkohësisht me të drejtën për të konstatuar për çështjet fetare. Shikuar nga aspekti i trashëgimisë kulturore shpirtërore, është fakt se një shtresë e tillë krijon kulturë, qytetërim dhe e mban të gjallë elementin e trashëgimisë fetare, por për shkak se është shumë i përshtatshëm për manipulime dhe sjellje të ngurta, e pengon zgjerimin e moralit fetar në shtresat e gjera shoqërore. Në rastet kur morali i përgjithshëm shoqëror është në rënie, personi i tillë nuk e prish rehatinë e tij dhe, në të shumtën e rasteve, qëndron indiferent. Ky koncept fetar është pasiv sa i përket dinamikës shoqërore. Ai e adhuron botën e tij të brendshme morale dhe vepron sipas bindjeve të tij, pa u interesuar për pasojat praktike. Fetari fisnik moral kërkon dinjitetin e personave të caktuar, që i konsideron si njerëz me shpirt fisnik. Motivet e tij nuk paraqiten si rrjedhojë e rregullave të mesit, por nga “morali në përgjithësi”, i cili në një mënyrë është i mbyllur. Zëri i brendshëm i ndërgjegjes është një burim i besueshëm i rregullave morale. Por, nuk duhet harruar se kjo mund të jetë mashtruese, pasi qëndron larg përvojave dhe kërkesave shoqërore, andaj si pasojë e individëve të caktuar mund të duket irracional. Vlera kryesore morale e fetarisë fisnike është liria për të qenë vetvetja, sepse ajo është e përqendruar individualisht në botën e brendshme, motivet e sjelljes, pastërtinë e idealeve, ndjekjen e traditave shpirtërore. Prandaj, me orientimin e zakonshëm antisocial, ai është pasiv ndaj mjedisit publik, ndonjëherë edhe indiferent.
Fetaria avangardiste
Avangardisti, sipas përkufizimit, është gjithmonë në luftë me rrethanat. Mund të jenë këto ngjarje historike, njerëz, ide. Fakti që në sytë e avangardistit ata nuk janë morale, ai dëshiron që ato rrethana të transformohen. Avangardisti fetar zhytet në sfondin e mjedisit social, por ai nuk kundërshton në mënyrë pasive, por në mënyrë aktive. Ai nuk pajtohet me botën ashtu si është, jo sepse i preken interesat e tij personale, por për shkak se ka dëshirë të ndryshojë për të mirë botën. Avangardisti fetar e kundërshton shumicën e sjelljeve të pranishme fetare dhe shoqërore për shkak se i krahason me idealin dhe me idenë e së mirës absolute. Koncepti i tij moral është në mendimin „nëse i kam rezistuar të keqes, atëherë jam i sjellshëm“. Në këtë çështje qëndron rreziku i parë i personalitetit avangardist fetar – ta duash fenë për të qenë kundër çdo gjëje në shoqëri. Ai është kryesisht një person ideologjik. Ndryshe nga të gjitha llojet tjera, teoritë i nxjerr për ta justifikuar një pozicion jetësor të pushtuar në mënyrë intuitive. Këtu argumentimi personal është motivi kryesor i sjelljes.
Vlera morale e fetarisë avangardiste është në kërkimin e vazhdueshëm të drejtësisë. Drejtësia është vlera kryesore morale e tij. Lumturia dhe kuptimi i jetës janë bashkangjitur në përpjekjen për të dhe liria e individit është të vihet në shërbim të kësaj ideje. Pavarësisht si e kupton ai, është e qartë se ky koncept nuk vlen aq shumë për botën e brendshme të një personi sa për marrëdhëniet me publikun. Prandaj, personaliteti i avangardistit fetar është i orientuar nga shoqëria. Ideja kryesore është për t’i shërbyer shoqërisë. Por, problemi kryesor paraqitet për shkak se ai kërkon një shoqëri të tillë që duhet të jetë në përputhje me idealin e drejtësisë së tij dhe e kundërshton çdonjërin që nuk pajtohet me konceptin moral të tij. Ideja e tij morale është ekskluzive dhe diskualifikuese dhe, si e tillë, bëhet shkak për trazira shoqërore ose, në anën tjetër, pas kalimit të viteve, në rënie të intensitetit të rreptësisë në veprime dhe sjellje.
Fetaria avangardiste hap shtigje dhe ide të reja dhe i stimulon orientimet e guximshme të ndërgjegjes morale, por nuk e siguron vazhdimësinë dhe shndërrimin e tyre në shprehi shoqërore. Ideja e një “avangardisti” është gjithmonë sublime dhe fisnike, por jo gjithherë efektive, pasi vepron duke mos marrë parasysh kompleksitetin dhe ndryshueshmërinë e shoqërisë. Mjedisi nuk mund të pajtohet gjithmonë me to për sa u përket veprimeve dhe vendimeve të caktuara. Por, ama, edhe armiqtë e njohin dinjitetin e madh moral të një personi të tillë. Ai mund të humbasë çdo gjë, por jo edhe motivet e moralit dhe drejtësisë.
Fetaria e përshpirtshme
Fetaria e përshpirtshme është lloji më i zakonshëm i personalitetit fetar dhe gjendet tek njerëzit që janë besimtarë të sinqertë në vete, por edhe mbrojtës të moralit fetar në shoqërinë e përgjithshme njerëzore. Baza e këtij morali është e bazuar në përjetimin e pranisë metafizike të Zotit gjatë veprimit individual të brendshëm dhe të jashtëm shoqëror. Fetari i përshpirtshëm në thellësi të shpirtit e ndjen afërsinë e komunikimit shpirtëror me Krijuesin dhe, si rrjedhojë, arrin t’i prekë drejtpërdrejt vlerat dhe kuptimet më të rëndësishme fetare. Burimi i sjelljes së tij nuk është shoqëria, por ligji, morali brendshëm, që është mbi shoqërinë. Rendi moral i tij është i mbështetur në emrat dhe cilësitë e Zotit, të cilat i përfshijnë të gjithë njerëzit pa dallime fetare dhe ideologjike. Koncepti i përshpirtshmërisë i jep një personi mundësi të futet në sekretin e kuptimit të jetës, falë faktit se përjetimi i tillë i mundëson jo vetëm ta njohë kuptimin, por edhe të kujdeset për realizimin etij.
Vlera kryesore morale e fetarisë së përshpirtshme është kuptimi real i jetës. Ndjenja e harmonisë së krijimit të Zotit, ku çdo krijesë ka qëllimin e vet, është elementi bazik në doktrinën e qëllimit të njeriut të përshpirtshëm. Burimi i moralit është i përtejmë dhe jashtë personit dhe shoqërisë. Ai është i rrënjosur në rregullsinë e sferave gjithësore dhe nuk ka të bëjë vetëm me tokën. Duke kaluar përtej mendimeve dhe ndjenjave vetëm të personit njerëzor, fetari i përshpirtshëm i kapërcen kufijtë e moralit imanent dhe të përbotshëm. Morali i zakonshëm është sigurisht këtu, por ideja për përsosurinë morale vjen nga ideja përtej. Motivi i sjelljes së tij është një ndjenjë e fortë morale, e ngjashme me dashurinë. Zgjidhjet morale merren nga zbulesa dhe nga shfaqjet e realitetit të Moralit Hyjnor nëpërmjet arketipave të pejgamberëve dhe njerëzve të mirë. Të tillët kanë një jetë të thjeshtë dhe janë aktive në raport me të tjerët, por jo për ndonjë kundërvlerë, për t’i pëlqyer dikujt, si trashëgimi private personale ose për të çrrënjosur çdo gjë të vjetër, siç ndodh rasti me fetarinë harxhuese, konformiste dhe avangardiste. Fetarët e përshpirtshëm kanë një mirëkuptim vërtet për dobësitë njerëzore si në fushën e mendimit, ashtu edhe në fushën e veprimit. Ky mirëkuptim nuk është indiferencë, por ka të bëjë me kuptimin e relativitetit të çdo të vërtete njerëzore dhe mundësinë për të gabuar dhe për t’u përmirësuar. Gabimi dhe dobësia e veprimit njerëzor, sipas këtij koncepti, nuk është vetëm faj i personave që gabojnë ose janë “mëkatarë”, por edhe i atyre që duhet ta jetësojnë dhe të zgjerojnë frymën e vërtetë fetare.
Kështu, fetari i përshpirtshëm vlerë kryesore morale e ka kuptimin e jetës, motiv e ka dashurinë ndaj Zotit dhe reflektimin e kësaj dashurie ndaj krijesave të Zotit, si dhe mirëqenien e njerëzimit. Morali i tij udhëhiqet nga përvoja e vlerave të rendit transcendent. Ata janë në gjendje të shohin te njerëzit një pjesë të hyjnores, kanë durim të pakufishëm me dobësitë njerëzore. Ky është të kuptuarit se veprat e këqija më së shpeshti paraqiten nga lakmia e egos, ndërsa mendimet e liga nga egocentrizmi i përbotshëm. Fetari i përshpirtshëm është një identitet aktiv, botëkuptimi i të cilit është përtej kornizës së koncepteve njerëzore, i udhëhequr nga vlerat e rendit më të lartë.
Feja, në rastin konkret Islami, është i rëndësishëm edhe nga aspekti ideor edhe nga aspekti praktik për ndërtimin e rendit moral në botë. Historia e mendimit dhe veprimit njerëzor na tregon se periudhat e moralit pa fe kanë rezultuar me trazira të mëdha në skenën botërore deri në atë masë saqë është rrezikuar edhe mbijetesa e njeriut në faqen e dheut. Ndotja shpirtërore dhe morale, e paraqitur në shekullin e fundit, na detyron të mendojmë sërish për kthimin e rregullave morale fetare, veçanërisht atyre me qasje në rregullin e brendshëm moral në shoqërinë njerëzore. Rindërtimi i rendit moral, pas periudhës së materializmit të sforcuar dyshekullor, është i domosdoshëm, ndërsa fetaria e përshpirtshme është rrugëdalja e vetme për njerëzimin…