Tradicionalisht estetika është kuptuar si referim ndaj teorisë së bukurisë, por në kohët e mëvonshme ajo u zgjerua më shumë dhe u përqendrua në artin dhe format e tij të shumta si, për shembull, artin vizual, muzikën, letërsinë, dramën, teatrin dhe arkitekturën. Në kohët e fundit, hapësira artistike është zgjeruar edhe në fusha të tjera dhe në kuadër të  ‘estetikës së përditshme’ bëjnë pjesë  ushqimi, veshmbathja, banimi, shoqërimi, dalja dhe shëtija nëpër qytet, madje në disa raste edhe pushimet verore dhe dimërore. Ky kompleksitet estetik e  shpjegon qartë se pse estetika ka ngjallur debate të gjera rreth, për shembull, karakteristikave të një objekti arti, përvojës artistike dhe bukurisë si  motive kryesore në art. Si pasojë, estetika është shndërruar në term kontestues që kuptohet në mënyra të ndryshme sipas ideologjisë, kontekstit, kulturës dhe faktorëve të tjerë të interpretuesve. Nga kjo rrjedh se çdo diskutim rreth artit dhe rrymave estetike është me karakter selektiv dhe redukcionist.

Për rrjedhojë, viteve e fundit, estetika është rritur në një disiplinë të pasur dhe të larmishme. Qëllimi i saj është zgjeruar dhe ka përqafuar shqetësimet etike, sociale, fetare, mjedisore dhe kulturore. Si pasojë e kësaj edhe komunikimi ndërkombëtar është rritur nëpërmjet kongreseve më të shpeshta dhe komunikimit elektronik; traditat e ndryshme janë bashkuar me karakterin ndërdisiplinor, duke e bërë estetikën një qendër të interesave të shumëllojshme dhe të shumëfishta. Interesi në rritje për estetikën qëndron në relacionin e saj  të drejtë me pozicionin e mëparshëm të saj në histori. Pyetjet në lidhje me artin, bukurinë, shijen dhe kritikat ishin pyetje empirike që trajtoheshin në psikologji, antropologji, sociologji ose historinë e artit.

Ky kuptim i estetikës është gjithashtu i rëndësishëm në lidhje me qëndrimin e teologjisë ndaj saj. Pavarësisht nga vendi i shquar i arteve në historinë e filozofisë dhe kulturës islame, teologët e bindjeve të ndryshme shpesh e konsideronin estetikën me frikë dhe si një vlere margjinale, madje si zbavitje dhe margjinalizim nga ndjekja e së vërtetës dhe dijes.

Roli i estetikës në diskursin teologjik

Estetika ka qenë fushë e rëndësishme e jetës fetare gjatë periudhave të ndryshme të historisë islame. Duke filluar nga koha e Pejgamberit a.s. poezia, zëri I bukur I muezzinit, si shembull, pra, estetika fuqizonte dhe magjepste besimin. Ishte koha në të cilën u hodhën bazat e të menduarit estetik në mendësinë islame. Estetika në një mëynrë spiralizonte shpirtërisht dëshirat për përkushtimin ndaj Zotit dhe hyjnores, gjithashtu edhe e entuziazmonte përjetimin e vlerave fetare në praninë e Pejgamberit a.s. dhe më vonë edhe të ndjekësve të rrugës së tij.

Për shembull, Ebu Dherr el-Gifariu ishte një përvojë e gjallë që karakterizohej me vëmendjen shpirtërore dhe me eksperiencën e ndjeshme ndijore në hapësirën e magjepsur nga mozaikë të shkëlqyeshëm emocional dhe me vegime me ngjyra të ndezura. Këto ndjenja mundeshin të ngjallen vetëm nëpërmjet diskursit metaforik poetik, nëpërmjet melodive që e ekzaltojnë brendinë e besimtarit, figuracioneve gjeometrike që nëpërmjet abstrakcionit e bartnin brengën për paqartësitë logjike që I përjetonte zhytësi në enigmat e ekzistencës. Kjo traditë e adhurimit është bartur brez pas brezi dhe ka krijuar një arenë emocionale në hapësirën qytetërimore të historisë islame.

Roli i estetikës, më tej, është përqendruar edhe në vëmendjen e jashtëzakonshme ndaj shkrimit dhe pamjes fizike të Kur’anit. Si rrjedhojë, u paraqitën dorëshkrime të pasura me ballina të ilustruara të mus’hafëve. Aktivitetet në kuadër të këtyre  traditave e artikuluan dhe e mbështetën përvojën shpirtërore të besimit islam që gjithsesi ndikoi dukshëm edhe në prezantimin artistik dhe estetik të besimit islam. Krahas kësaj, teologjia islame nuk ishte gjithmonë e kënaqur me estetikën. Qëndrimi jo aq pozitiv i teologëve dhe juristëve për estetikën ilustrohet edhe në vërejtjet e shumta të tyre në lidhje me relacionin e teologjisë me estetikjën. Por ama, këta vërejtje në të gjitha periudhat historike kanë ngelur në përmasat e diskutimeve shterpe teologjike, ndërsa fetaria dhe adhurimi gjithnjë e ka ruajtur përmasën emocionale dhe ekzaltuese të udhëhequr nga shpirtëria dhe trajtat estetike.

Poetët, kompozitorët, piktorët, që në masë të madhe kanë rrjedhur nga provinienca e tesavvufit islam,  nuk kanë gjetur shumë mirëkuptim midis teologëve dhe juristëve. Ata I kanë dashur për të shkruajtur një poemë ose të zbukurojnë një ceremoni fetare, por rrallë i kanë besuar ata si partnerë në përmasën profesionale. Juristët dhe teologët, në fund të fundit, nuk e kishin të qartë dhe nuk pajtoheshin me instinktin e poetit, me veshin e muzikantit, me syrin e piktorit, me fjalë të tjera, ata nuk kishin mundësi të krijojnë lidhshmëri ndërmjet kërkesave prozore të teologjisë dhe fleksibilitetit të gjuhës artistike!

Kjo situatë nuk është unike vetëm për teologjinë islame. Një qëndrim të ngjashëm kishte edhe Shën Augustini në teologjinë krishtere. Ai pretendonte se arti me format e tij sensuale e pengonte soditjen e Perëndisë dhe se kishte potencial që të mashtrojë njeriun dhe ta shkëpusë nga e vërteta.

Por ama, aktivitetet estetike si, kaligrafia, figuracioni mural, muzika dhe, në veçanti, poezia si mënyra të shprehjes metaforike të përshpirtshmërisë në tesavvufin islam, gjatë tërë historisë dhe në të gjitha bazenet e qytetërimit islam, e kanë shtuar përkushtimin dhe devotshmërinë. Natyra intelektuale e devotshmërisë dhe përkushtimit është modifikuar nëpërmjet procesit edukativ shpirtëror dhe shkallëve të ngritjes shpirtërore. Ky proces edukativ nuk ishte si ai I medresesë, por ama, gjatë tërë historisë islame, I kishte rezultatet më pozitive se fetraësia e thatë dhe shterpe e promovuar nga teologjia dhe jurisprudenca.

Qasja intelektuale e modernizmit gjithashtu u zhvillua në neglizhim dhe madje edhe në kundërshtim të plotë me shpirtërinë, kjo kështu edhe në hapësirat intelektuale myslimane, dhe teologjia u zhvesh edhe nga shpirtëria edhe nga estetika. Si rrjedhojë u krijua një trend teologjik I polemikës, I mosdurimit të diversiteteve dhe me koncept pastër epistemologjik. Kjo ndodhi kështu pasi qasja epistemologjike, që ishte zhvilluar që nga Iluminizmi, luajti një rol vendimtar për të nxitur një racionalitet të mbyllur totalitar që pretendonte vetëm argumentimin logjik të metafizikës, pa sens dhe pa shije. Teologët u përpoqën të argumentojnë se estetika ishte e pasigurt sepse kishte të bënte me çështjet e shijes dhe vlerësimit, të cilat ishin subjektive, arbitrare, emocionale dhe ndijore.

Ky zhvillim nuk është i kufizuar vetëm në teologji. Për shembull, studiuesit e filozofisë I kanë shfaqur  shqetësimet rreth një zhvillimi të ngjashëm në historinë e filozofisë. Për shembull, një numër I konsiderueshëm I filozofëve e kanë shprehur qartë shqetësimin për atë se filozofia bashkëkohore ka braktisur idealin origjinal të Sokratit. Intelektualizmi i filozofisë në modernizëm nënkuptonte që njohuria ndiqej  për hir të dijes. Kjo me vete I solli edhe mospajtimet e shpeshta dhe polemikat në dallimet e vogla rreth çështjeve teknike. Filozofia u bë kështu një kompani  intelektualiste që u përqendrua kryesisht në propozimin racional dhe  logjik, pa ndonjë shqetësim të madh për refleksionet e saja shoqërore dhe emocionale. Si pasojë, filozofia ka humbur fuqinë transformuese dhe tashmë nuk ka fare ndikim në ligjërimet sociale dhe kulturore. Mënyra për të dalë nga kjo situatë është rivendosja e vlerave gjenerative dhe përpjekja për ta rivendosur atë në jetë.

Edhe teologjia moderne në shekullin e XX investoi shumë në hetimin intelektual të të vërtetave për Perëndinë. Shumë energji është harxhuar në qarqet teologjike, si aktivitet akademik, për argumentimet konceptuale dhe racionale të besimit. Kërkesat kryesore kanë qenë analiza e fenomenit të besimit, jo aq shumë për t’u lidhur me të ose për t’u angazhuar në transhedencën e besimit, por duke pretenduar se metoda akademike do ta sensibilizojë kërcimin intelektual në drejtim të besimit. Kështu, teologjia kryesisht filloi të diskutojë për përvojat e Perëndisë pa asnjë implikim të vetë kërkuesit. Përvetësimi kreativ dhe imagjinativ i besimeve u zbrit në seminare dhe ligjërata me prova shkencore të thata.

Nuk do të thotë se kjo qasje intelektualiste duhet të konsiderohet si e paligjshme ose e padëshirueshme. Debati kritik rreth propozimeve dhe doktrinës mund të jetë vërtetë çlirues dhe transformues. Por ama ky përqendrim në njohuritë konceptuale nuk duhet të ndikojë që forma të tjera të dijes të neglizhohen, keqpërdoren ose të ulen në kufijtë e hetimit kritik.

Në konstatimet e fundit epistemologjike nocioni i një vëzhguesi të pa interesuar është paraqitur si një gabim, veçanërisht për shkak se rezultatet e njohurive të tilla ‘objektive’ shpesh zbulojnë më shumë paragjykime dhe bindje të dijetarëve sesa realitet. Dijetarët gjithnjë e më shumë po promovojnë interesat e tyre në punën e tyre kërkimore. Kjo ndodh edhe me diskursin teologjik pa trajtë të adhurimit dhe shpirtërirsë. Për të njohur realitetin e Perëndisë, ne duhet të pasqyrojmë në ne atributet e Zotit dhe kështu, gjithnjë e më afër, ta njohim atë realitet brenda vetes. Kjo njohuri bëhet e vërtetë vetëm në atë masë që shfaqet cilësia hyjnore në ne, sepse vetëm ashtu  kemi mundësi ta kuptojmë mëshirën, faljen, dhembshurinë, bujarinë, etj.

Kuptimi dhe njohja janë të integruara në personin e studiuesit si një qenie shpirtërore që kërkon dimensione gjithnjë e më të thella të së vërtetës. Prandaj, teologjia duhet të kërkojë një përvetësim imagjinativ dhe kreativ të traditave të saj në kontekste dhe komunitete të reja. Ajo kërkon të flasë sinqerisht për kuptimin e fundit të jetës – duke pasqyruar qëllimin dhe natyrën e teksteve të saj themelore. Tesavvufi dhe përmasa estetike e saj luan një rol vendimtar në këtë përvetësim. Një epistemologji që zvogëlon mundësinë për njohjen konceptuale dhe privilegjet për të, në përshkrimin e Max Weber-it, merr një karakter të mospërfillshëm, pa imagjinatën, simbolet dhe poetikën, por gjithashtu edhe vetmohet dhe izolohet. Teologjia që ndan njohuritë nga estetika, gjithashtu e zgjeron edhe hendekun me besimin. Një teologji e tillë e humb vitalitetin e saj, shpesh duke dështuar të jetë një ndikim transformues në shoqëri dhe në komunitet. Thyerja midis teologjisë dhe estetikës kontribuon dukshëm edhe në fragmentimin e shoqërisë. Teologjia, arti dhe përvoja sufike e besimit nuk janë të ndara dhe  ecin në rrugën e njëjtë drejt Zotit me ndërveprim të madh. 

Dëshira, në rritje, për estetikën

Si rezultat i zhvillimeve teknologjike në dekadat e fundit dhe varfërisë emocionale të njeriut të sodit, është shtuar dëshira dhe nevoja në një mënyrë të pashembullt për bukurinë, kreativitetin dhe imagjinatën në artet, filmat, muzikën, arkitekturën dhe shumë aktivitete të tjera estetike. Ky zhvillim nxiti një reflektim të kujdesshëm mbi natyrën, ndikimin dhe funksionin e estetikës. Mendimtarët, si Derrida, e kuptuan rëndësinë e këtyre zhvillimeve dhe e riafirmuan, për shembull, rëndësinë e estetikës për interpretimin e teksteve dhe vunë në dukje kufizimet e njohurive konceptuale. Ndikimi i këtij zhvillimi revolucionar është treguar edhe në librin e  Clark’ut (2000) të cilin e titulloi, Hakmarrja e Estetikës. Natyra gjithëpërfshirëse e këtij zhvillimi shihet edhe në ndikimin e estetikës edhe në hulumtimet në shkencat natyrore. Tomh Kuhn e vuri qartë në dukje këtë, kur shkroi se “ndryshimet e paradigmave që çonin në revolucione shkencore shpesh përjetoheshin për shkak të estetikës, e jo për shkak të matjeve” (Edgar 2001: 109-110).

Rasti i estetikës mund të shihet edhe në diskursin bashkëkohor teologjik nga numri në rritje i shkrimeve në këtë temë, në konferenca ndërkombëtare, në botime kërkimore dhe në projekte kërkimore si teopoetika. Kjo kthesë u shkaktua pjesërisht dhe përfaqësonte një reagim kundër rezultateve të qasjeve teologjike në shekullin e 20-të. Gjithnjë e më shumë studiues, duke përfshirë teologët, filluan të tregojnë kufizimet dhe madje pasojat negative të intelektualizmit diskursiv dhe polemizues të teologjisë, duke e shtuar vëmendjen e tyre ndaj estetikës.

Në fund të shekullit të 20-të, për shembull, Von Balthasar vuri në dukje, në veprën e tij shtatë vëllimëshe Estetika dhe teologjia, se njohuria e ndjekur në shkencë dhe teknologji, në shumë mënyra e dështoi shoqërinë. Ai argumentoi se kjo qasje I mbyti dhe ngulfati burimet dhe forcat e dashurisë në botë. Ai thotë:

[Unë] botën pa gra, pa fëmijë, pa respekt për dashurinë, në varfëri dhe poshtërim, e shoh si një botë në të cilën fuqia dhe fitimi janë kriteret e vetme. Në këtë botë, ata që nuk e besojnë kultin e saj, të padobishmit për mendësinë e saj, të pavendosurit, përçmohen, përndiqen dhe në fund shfarosen; një botë në të cilën vetë arti është i detyruar të veshë maskën dhe tiparet e teknikës.

Në te, thotë Von Balthasar, bukuria shpesh është përçmuar me rezultat tragjik, ku I dëshpëruari dhe I trishtuari nuk është më në gjendje ose nuk dëshiron të lutet dhe të dojë. Teologjia është bërë zhgënjyese, e privuar nga bukuria që frymëzon dhe fuqizon.

Ai nuk ishte i vetmi që tregonte rezultatet negative të një paradigme intelektualiste të modernizmit të mbrapshtë. Për shembull Rene Guenon, do të konstatojë: Ne shpesh kemi theksuar faktin se shkencat profane janë vetëm produkt i një degjenerimi relativisht të vonshëm, apo si pasojë e moskuptimit të shkencave të lashta tradicionale – apo më mirë vetëm disave prej tyre – sepse të tjerat plotësisht janë gëlltitur nga  harresa. Kjo është e vërtetë jo vetëm për shkencat, por po ashtu edhe për artet, ku veç kësaj distinkcioni mes tyre dikur ka qenë shumë më pak i theksuar se sa që është sot; Fjala Latine artes  disa herë ka qenë e përdorur për shkencën, por në mesjetë, klasifikimi i “arteve liberale” ka përfshirë subjekte të cilat bota moderne do t`ia atribuonte qoftë  njërës apo tjetrës, pa asnjë dallim. Kjo vërejtje e vetme mjafton  që të tregojmë se arti dikur ka qenë diçka krejt ndryshe nga ajo që kuptohet sot me këtë emër. Ai ka nënkuptuar diturinë e vërtet me të cilën ka qenë i inkorporuar, dhe se kjo dituri  me sa duket ka mund të jetë nga porositë apo qëllimet e shkencave tradicionale. Këtu mund të vërehet se një konceptim i tillë mundësisht është shumë i larguar nga gjitha teoritë e artit modern dhe profan, si psh nga ai i “ art për hirë të artit” i cili në thelb sikur të thotë se arti mund të jetë art vetëm atëherë kur ai nuk ka kuptim, ose  nga arti “moralizues” i cili nga pikëpamja e njohjes (gnozës) me sa duket është pa vlera të mëdha. Arti tradicional, padyshim nuk është lojë për të përdorur ndonjë shprehje të ëmbël ose të hijshme për t’i bindur psikologët, madje as  mjet që dikujt t’i shkaktojë një lloj satisfakcioni  special, të kualifikuar si “superior”,  ndonëse askush në fakt nuk e di pse, që posa bëhet çështje kënaqësie, çdo gjë nis e reduktohet në preferenca pastër individuale, për rreth së cilës, logjikisht, nuk mund të vendoset asnjë hierarki. Vec kësaj, as që është një deklamim sentimental dhe filoristik, për të cilën gjuha e rëndomtë padyshim është më tepër se sa e mjaftueshme pa mos qenë nevoja e riklasifikimit të formave në më pak apo më shumë misterioze ose enigmatike, ku në cdo rast format, nga largësia, më shumë mund të komplikojnë se sa mund të shprehin atë që kanë për të thënë. Kjo na jepë ne një shans që kalimthi të rikujtojmë – që dikush të mos insistoj aq tepër në këto gjëra – kotësitë e përsosura të interpretimeve mbi moralin ku popuj të caktuar synojnë t’ia mveshin gjith simbolizmit, përfshirë dhe simbolizmin iniciatik, plotësisht të dukshëm. Nëse kjo me të vërtetë është një cështje me aq banalitete, është – për rshkak se ndokush nuk kupton – se pse, ose si, ndonjëherë, mund të ketë patur për qëllim  “mbulimin” e tyre në ndonjë mënyrë, në vend që ata të funksionojnë si më mirë jashtë asaj  kur shprehen nga filozofija profane, me c’rast  do të ishte më mirë  të thuhet se në fakt atje thjeshtë s’ka as simbolizëm e as fillim( vëllazëri, iniciacion).

Komunikimi fetar, në përgjithësi, duhet ta kapërcejë varësinë prej diskurseve racionaliste dhe prozaike. Nevojitet më shumë drejtësi ndaj rolit të simbolikës dhe metaforës në mënyrën se si merremi me përvojën fetare. Duhet ta pranojmë se natyra njerëzore dhe shoqëritë njerëzore janë më të motivuara nga imazhet se nga idetë. Këtu qëndron fuqia dhe ekzaltimi me hyjnoren. Kjo nënkupton një rol më të madh të imagjinatës në të gjitha aspektet e jetës fetare. Por imagjinata këtu nuk duhet të nënkuptohet në një kuptim të pashije. Imagjinata është një komponent i domosdoshëm i të gjitha njohurive dhe përvojave të thella. Kur imagjinata dështon doktrina bëhet e thatë, ngushëllimet bëhen të uritura dhe etika bëhet legaliste.

Studjuesit, si rrjedhojë,  filluan kështu të mendojnë për një qasje të re epistemologjike duke i trajtuar pasojat shkatërruese të një paradigme racionale të mendimit. Propozimet kryesore ishin që estetika do të mund të përmirësonte situatën. Shumica e post modernistëve e hodhën poshtë qëndrimin se estetika bie në kundërshtim ose pengon dijen dhe argumentuan dhe se ajo përfaqëson një formë të ligjshme dhe burim të besueshëm të dijes që mund të fuqizojë dhe ta pasurojë teologjinë. Në të njëjtën kohë, ky koncept e shpreh qartë natyrën dalluese të estetikës. Estetika nuk është e njëjtë me njohuritë konceptuale. Gadameri, për shembull, argumentoi se përvoja e artit, megjithëse e ndryshme nga dija racionale dhe konceptuale, është pretendim legjitim për të vërtetën. Estetika reflekton njohuritë bashkëvajtëse që kanë të bëjnë me një pjesëmarrje të ndjeshme e cila ka përfshirje më të gjerë se argumentimi logjik. Estetika sjell njohuri nëpërmjet përvojave, ndjenjave, vetëdijes, ndjeshmërisë, dallimit, kujtimit dhe intuitës. Të gjitha këto mund të ringjallin dhe të rilindin teologjinë.

Rimagjepsja e teologjisë rikthen ndikimin e saj transformues në ligjërimet morale dhe shoqërore. Kjo pasqyron ndikimin e estetikës në përgjithësi tek individët dhe shoqëritë. Estetika ka transformuar shpesh shoqëritë në mënyrë më efektive sesa epistemologjia. Në botën post moderne, beteja për besnikëri është një betejë për imagjinatën shpirtërore dhe morale të njerëzve. Artet janë bërë arena kryesore për diskutim dhe eksplorim moral dhe shpirtëror në botën tonë. Bukuria dhe artet kanë pasoja përtej zonës së tyre dhe transformojnë ligjërata të tjera për shkak të natyrës dhe përmbajtjes së tyre imponuese.

Estetika pasqyrë e të vërtetës

Vetëdija në rritje e epistemologjisë redukcioniste në modernizëm, rritja e estetikës nëpërmjet teknologjisë dhe ndikimi i saj transformues vetëm pjesërisht e shpjegon kthesën drejt estetikës në teologji. Zhvillimet e fundit në diskursin teologjik tregojnë një arsye tjetër për kthimin e saj në estetikë.

Përvojat dhe ndjenjat konkrete si dhe fuqitë unike, krijuese dhe imagjinata gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si njerëzit kuptojnë ballafaqimin e tyre me hyjnoren dhe si e reflektojnë këtë përvojë mbi kuptimin e jetës. Shikuar nga perspektiva teologjike, estetika riafirmon nocionet e krijimit dhe pasqyrimit si motive kryesore në burimet themeluese të traditave sufike islame. Është gjithashtu një interes që po gjallëron mënyra të reja të teologjizimit dhe të shprehjes ose të përjetimit të besimit.

Kjo dashuri e krijimit ndriçon një aspekt themelor të bukurisë si një motiv kryesor në estetikë. Estetika teologjike në një kontekst post modern afirmon bukurinë në fragmentimin e njëshmërisë: Bukuria gjendet në përvojat dhe pasqyrimet e shumta. Ky realitet ilustrohet, edhe njëherë, nga estetika e përditshme që kërkon të gjejë bukurinë në fenomene të zakonshme si ushqimi, veshja, banimi, shoqërimi, dalja, ecja dhe shëtitjet. Si rrjedhojë, estetika qartëson thesaret e shumta që njihen dhe artikulohen nëpërmjet krijimtarisë njerëzore dhe imagjinatës, edhe nëse ato janë shpesh kontradiktore dhe të papajtueshme. Zbulime të fragmentuara bashkohen në mënyrat gjithnjë të reja, shpirtërore dhe eksperienciale. Në një nivel më të thellë, zërat përfundimisht festojnë dhe pasqyrojnë këto fragmente të bukurisë si shumë fytyra të marrëdhënies hyjnore me krijimin dhe njerëzimin. Tingujt e shumtë të zakonshmërisë, formojnë ‘një muzikë të pagabueshme, një lloj çelësi harmonik të unifikuar’, për aq kohë sa ata zgjojnë kujtimin e hyjnores. Forma më e zakonshme e bukurisë mund të sjellë me vete një unifikim transformues që ngrihet lartë dhe e tejkalon botën.

Natyra konkrete dhe lëndore e estetikës në këtë mënyrë  e ngjall “ndjenjën e një pranie të vërtetë, duke I zgjuar farat e fjetura të shpresës”. E zakonshmja, konkretja dhe lëndorja flasin një gjuhë “të pashprehur” që nuk mund të transpozohet në koncepte. Fjalët nuk mund të shterojnë bukurinë ose ta përfshijnë atë në gjuhë. Estetika, përfundimisht, e tejkalon arsyen dhe kuptimin, duke konfirmuar kështu kufizimet e intelektualitetit dhe racionalitetit. Estetika si pasqyrim I realitetit e  sjell njerëzimin në pozitë që të qëndrojë me dashuri dhe respekt përpara pafundësisë. Është njohuri që përfshin një ndjenjë shpirti që kulmon me dashuri. Si rrjedhojë, njeriu flet për bukurinë që frymëzon dhe I transformon ata që e zbulojnë atë.

Tesavvufi dhe estetika

Rasti i estetikës ka potencialin për të pasuruar dhe transformuar teologjinë. Sfida do të jetë të kuptojmë se në çfarë mënyre estetika mund të kontribuojë në bërjen e teologjisë në një epokë postmoderniste. Këtu ka diçka që duhet të mësohet nga e kaluara. Kjo kuptohet mirë nga ata që e dinë se mungesa e ndjeshmërisë artistike në kohët bashkëkohore paraqet një humbje të madhe të traditave të pasura estetike në historinë e njerëzimit. Teologjia e kohëve tona është përjetuar si prozaike, jotërheqëse dhe pa frymëzim. Tradita perenniale e shprehur në përvojën sufike ende i bën thirrje besimtarëve bashkëkohorë për cilësitë estetike të fesë, bukurinë dhe fuqinë e përvojës adhuruese. Së fundi, ky realitet sugjeron që këto tradita dhe estetika janë të lidhura dhe nuk mund të ndahen.

Ka shumë të vërteta që këto tradita të pasura I lidhin me tesavvufin si një dimension kyç i traditës perenniale fetare. Tesavvufi në kontekstin islam është pjesë e pandashme e ligjit fetar dhe një term I gjerë shpirtëror nëpërmjet të cilit besimtari përpiqet të jetojë përkushtimin e tij  ndaj traditës konstituive pejgamberike dhe Fuqisë krijuese. Tesavvufi është realizimi i brendshëm dhe i fshehtë i shpirtërisë nëpërmjet ndërgjegjes transformuese të pranisë së vazhdueshme të Perëndisë. Pra, qëllimi i praktikave shpirtërore është dëshmia e pranisë hyjnore.

Vetëdija dëshmuese e besimeve dhe praktikave që kanë të bëjnë me ndjesinë dhe me imagjinatën krijuese e zgjerojnë imagjinatën dhe prodhojnë figuracione abstrakte si shprehje të realitetit të brendshëm. Ata tregojnë se marrëdhënia sufike e transformon përvojën edhe në fushat estetike. Dëshira e shpirtit njerëzor për transhendencën dhe integrimin maksimal paraqitet si dashuri ndaj misterit përfundimtar të burimit të gjërave, si përvojë dhe shprehje e bashkimit, dhe përfundimisht si angazhim ndaj atij burimi.

Njeriu njeh në këtë rrugë karakteristika të thella shpirtërore dhe estetike, si pashprehshmëria, integrimi, harmonia, magjepsja, kujdesi, përfundimi dhe bashkimi. Ekzistojnë shumë lloje të ndjenjave dhe përvojave si, për shembull, dhimbje, gëzim, paqe, dëshprim, tjetërsim, mërzitje, simpati dhe shumë të tjerë, ndërsa thelbi I të gjitha atyre mund të shprehet me fjalën ‘dashuri’. Sufiu  si I dashuruar në Perëndinë është tërhequr në mënyrë të parezistueshme nga tërësia, e cila shërben si transformator elokuent I jetës së brendshme. Përveç funksioneve të tjera, arti është, në thelb, shprehja kreative e kërkimit të dimensionit të thellë të botës dhe shprehjes së asaj që është përjetuar. Muzika, piktura, poezia, drama e përshpirtshme janë të mëdha për shkak se na transportojnë në portat e tërësisë, pafundësisë dhe unitetit.

Ky përvetësim I zjarrtë është I pranishëm në të gjitha epokat e tesavvufit dhe traditave të tij. Ka shumë shembuj të teksteve ose figurave kryesore sufike që  e shprehin vetëdijen e tyre për praninë Hyjnore në format estetike imagjinative dhe krijuese.  Të tilla janë tekstet e Ibn Arabiut, Mevlana Xhelaluddin Rumiut, HAfizit, Sadi Shiraziut, Nijazi Misriut, tekste të zjarrta të cilat folin për takimet e tyre sufike para audiencës hyjnore. Kremtimi lirik i dashurisë intime ofroi material për sufijtë e panumërt të kohëve të mëvonshme për të folur në mënyra të reja për përvojat e tyre sufike të pranisë në audiencën e Perëndisë. Bukuria hyjnore, në të gjitha këta përvoja,  frymëzon dëshirën dhe kërkimin për një transhendencë të madhe dhe integrim maksimal. Tesavvufi nuk e kupton bukurinë në një mënyrë sipërfaqësore, por të thellë dhe me kulturë shpirtërore. Tesavvufi flet për dashurinë që largohet nga vetvetja dhe derdh veten për të tjerët. Tesavvufi ka të bëjë me meditimin dhe festimin e ‘bukurisë’ kur dikush gjendet, në mahnitje, në momentin e bukur të përjetimit të jetës së plotë dhe në praninë  hyjnore.  Edhe pse njohuria konceptuale do të mbetet me teologjinë si një dhuratë dhe prani permanente, koha është e pjekur për studiuesin vetëkritik për të ndjekur mënyra të tjera të interpretimit. Një mundësi e tillë është të hulumtohet se si estetika ofron dhe promovon njohuritë. Teologjia mund të ri-magjepset nga bukuria në një mënyrë të re, domethënë, duke pranuar dhe përshtatur estetikën si një formë dijeje që ka ekzistuar vetëm në kufijtë e saj në kohët e hershme, por që është provuar si një forcë transformuese dhe e bukur e dashurisë në udhëtimin shpirtëror.