Poezia paraqet trajtë të veçantë të shprehjes e cila krahas përvojës lëndore bën përpjekje për ta shprehur edhe tejlëndoren dhe metafizikën. Ajo më tepër lind nga nevoja e brendshme e poetit dhe realitetit të përjetshëm të kohës së tashme të pafundme. Ajo e përmbledh në vete kërkimin krijues të kuptimit dhe përmes lëvizjes së gjuhës e paraqet dëshirën e flaktë për të vërtetën.
Vepra Pyet zemrën tënde e autorit Ilmi Rexhepi është e udhëhequr nga lëvizja e pandërprerë e gjuhës së zemrës për të udhëtuar në relacionin midis të vërtetës dhe hiçit. Ngjarjet e parashtruara në vepër, përmes gjuhës poetike, e bashkojnë poezinë me jetën, i ndërlidhin ata midis tyre dhe siç thotë edhe Fuzuliu, e shifron jetën dhe e transferon në fjalë, e idealizon dhe angazhohet me dashuri për të.
Ilmi Rexhepi në vargjet e tij ka diskutuar për fenë, të njerëzishmen dhe ndjenjat e shqiptarisë. Biseda poetike e tij është aktualitet i prezantuar me delikatesë artistike dhe estetike. Vargjeve nuk u mungon edhe kultura shpirtërore dhe njohja e thellë. Do të thotë autori konceptet e sipërpërmendura i parashtron me thellësinë strategjike të aluzionit dhe metaforës. Hapësira ndërmjet vargjeve nuk është e zbrazur, por përplot me ndjenja dhe konstatime që burojnë nga elokuenca gjuhësore dhe metafizike e të thënurës. “ E dua poetin i cili është në kontakt të pandërprerë me njerëzit e kohës së tij, i ndërron mendimet dhe ndjenjat me to dhe më pas i komenton të njëjtat me gjuhë konkrete” është përfundimi i Charles Baudelaire për poetin e mirë.
Autori i vargjeve që i keni pranë, përmes dridhjeve melodike, ka vizatuar pikturë këshilldhënëse poetike e cila njëkohësisht e ngërthen edhe objektin edhe subjektin, domethënë e ngërthen edhe botën jashtë artistit edhe botën e brendshme të tij. Vargjet përpiqen të depërtojnë në thellësitë e shpirtit artistik dhe në trajtë të mbinatyrshme ta ringjallin atë prej kotjes dhe neglizhencës. Pikërisht për këtë, Ilmiu, këshillat, sugjestionet dhe urdhërat në vargjet e poezive të tij , së pari, ia drejton vetes, e pastaj, me veten, të tjerëve. Poezia e tij është vërtetuese e ekzistencës, është zbulesë e esencës e cila përmes shfaqjes së kësaj përmase flet për një përmasë tjetër. Në realitet, biseda poetike, siç do të kishte thënë edhe Martin Heideggeri, e poetit tonë mbështetet në zbulimin metafizik të lëndores dhe tejlëndores në kuadër të vetmisë ontologjike dhe forcës asocuese të gjuhës. Fuqia e provës konceptuale në poezitë e autorit, por edhe në përzgjedhjen e poezive të përkthyera si dhe në prozën poetike, nuk fle shumë në trajtën e saj por në tingullin e të vërtetës që dëgjohet nga ritmi dhe struktura e vargut si dhe në forcën krijuese të gjuhës së qartë dhe konkrete.
Goethe shkruan se të gjitha poezitë doemos duhet të mbështeten dhe të jenë të ndërtuara nga realiteti. Për shkak se pa të, sipas Goethes, nuk ekziston as edhe poezia. Kjo është ndjenja udhëheqëse e poetit dhe si rrjedhojë ai, madje edhe rastet e veçanta, i transferon në trajtë poetike dhe universale. Vlera e poetikës së Ilmi Rexhepit mbështetet në fuqinë e vizionit universal që rrjedh nga kontakti i vazhdueshëm i tij me burimin e njohjes, rrjedhimisht, me shpalljen.
Krahas kësaj, poezia e Ilmi Rexhepit, është e këndshme për ta lexuar, për shkak se ajo e bart me vete intimitetin dhe afërsinë e autorit me Absolutin. Ndërsa kjo do të thotë se veprës së tij nuk i mungon kontemplativiteti, konkretësia, abstragimi, emocioni dhe hollësia. Pikërisht për këtë dikcioni i vargut në poezitë e tij është i qetë dhe i thjeshtë. Fjalët që e ndërtojnë vargun asnjëherë nuk e humbin lidhjen me të vërtetën dhe faktet e jetës reale.
Ilmi Rexhepi duke shkruar insiston edhe për ndërtim të një imagjinate dhe për këtë shpeshherë i drejtohet ëndrrës ose qetësisë. Ëndrra dhe bota imagjinative e tij janë në kontakt të pandërprerë me realitetin dhe e ftojnë atë për të menduar , më drejtë, për ta gjetur rrugën drejtë të pathënurës.
Gjuha, trajta e shprehjes dhe temat e zgjedhura i mundësojnë Ilmi Rexhepit të qëndrojë anash nga përditshmëria e poezisë në gjuhën shqipe dhe i pavarur të hapërojë në audiencën e pranimit të gjerë nga ana e lexuesit shqiptar. Ju dëshiroj lexim të këndshëm…