Kuajt që rendin duke gulçuar,

duke nxjerrë shkëndija zjarri,

duke u vërsulur për sulm në mëngjes,

duke ngritur kështu re pluhuri,

duke u sulur në çdo turmë!

Kur’an/Adijat,1-5

Të verbuar nga retë e pluhurit dhe vigjilent nëse sulmi i tyre u drejtohet armiqëve të ekzistencës reale njerëzore kuajt i bartin kalorësit lajmëtarë nga tejlëndorja në lëndoren ose anasjelltas. Udhëtimi i natës i Profetit të nderuar mbi sferat metafizike ishte bërë mbi flatrat e kalitsi vetëtimë që ishte mjeti për shkrirjen e unit njerëzor në njëshmërinë absolute të Hyjit.  Imazhi metaforik i zbarkuar nga shpirti i piktorit Nevzat Bejtuli-Kica në pëkhurë është i lidhur ngushtë me konceptin e bartjes së vazhdueshme të porosisë metafizike në përmasën lëndore. Lidhja e ndjenjës së piktorit nuk ka të bëjë shumë me arsyetimin logjik të veprës së tij, por me përmasën mbilogjike, të vërtetë por të papërkapshme pa praninë e emocionimit dhe ekzaltimit të përshpirtshëm.   Termi “ kuajt rendës” i përdorur në tekstin e bekuar tregon pa dyshim kuajt që simbolizojnë përpjekjen drejt kauzëssi dhe dëshirën e flaktë që shpirti ka për të shpëtuar nga kafazi i lëndores dhe, si rrjedhim, përfaqësojnë diçka shumë lëvduese.  Autori nuk merr në konsideratë asgjë nga mospajtimi midis një përshkrimi figurativ kaq pozitiv dhe dënimit të shprehur, nga aspekti fizik, për kalorësin i cili pranon të digjet si flutura përreth zjarrit.  Kuajt rendës janë të gatshëm të sakrifikohen që kalorësit të arrijnë në tharmin e ekzistencës së tyre, ata simbolizojnë shpirtin apo personalitetin njerëzor të dalë në udhë, një shpirt me drejtim spiritual, i çliruar dhe që i ka marrë nën sundim të gjitha llojet e dëshirave të këqija, egoiste, duke rendur përpara sa më shpejtë, si i çmendur/mexhnun, i papenguar nga lakmia apo tundimi, duke i tejkaluar retë e pluhurit të orekseve të çoroditura dhe çoroditëse, duke u turrur në situata të rrezikshme por me zgjidhje dhe, në këtë mënyrë, në konsolidimin e tij shpirtëror.

Kali/trupi, në pikturat e Bejtulit, është fisniku që shërben për ta bartur kalorësin/shpirtin në vatanin e tij të amshuar, në përmasa pa kohë dhe pa hapësirë, për ta ruajtur atë në brendinë e tij, për të qenë brenda për brenda me të, ai,për lirinë e të dashurit të vet, e ka sakrifikuar veten; ai është bërë me flatra për t’u ngritur në lartësitë e ekzistencës vetëm e vetëm për të mos ngelur i skllevëruar në kafazin e të përbotshmes.

Vallë ku rendin kalorësit me kuajt e tyre? Çka është qëllimi i tyre?

Ata rendin drejtë origjinës së tyre. Dyert që hapen drejt hapësirës së tharmit janë katër, pikërisht për këtë edhe Bejtuli në veprën “ Kumtarët” ka paraqitur katër kalorës. Secili prej tyre është një bartës i kumtesës për konsolidimin e shpirtit që të takohet me të Madhin Zot. Ligji, përshpirtshmëria, e vërteta dhe kultura shpirtërore janë kodrat që kalorësit janë gati t’i shpojnë për të kaluar andej, rrjedhimisht brenda vetes, dhe për t’ua takuar me të Dashurin. Pikërisht si kërkimtari i të vërtetës te Kafka.

Udhëtimi i kalorësit në pikturat e Bejtulit nuk është horizontal por vertikal, ai e shpon pëlhurën dhe dëshiron të del andej; i Dashuri që kërkohet nuk është në një vend të caktuar, por pasi që shpirti pa të Dashurin mbetet pa frymë, vendi kalon në lëvizje, e humb veten, në realitet humbet për të qenë vetja… dhe pikërisht atëherë kumtari e mer për dore dhe e hyp në kalë. Kalorësi femër është simbol për pjellorësinë e rrugëtimit drejt të vërtetës.Ajo, nëse do ta kishim thënë me gjuhën e Hegelit, është feja, filozofia dhe arti.

Me një fjalë Nevzat Bejtuli-Kica e krijon përrallën e vete dhe ne na fut në pyetjen e dëgjuesit të Bertold Brecht’it i cili i mahnitur i kishte thënë: “ I nderuar Brecht!- Pak më parë na rrëfyet një përrallë mahnitëse. A është kjo ngjarje reale”? Brecht morri frymë thellë duke e larguar puron që e thithte prej goje, e ngriti pak nofullën, ashtu pak me krenari, dhe i tha: “ Sigurisht që nuk është reale. Sikur të ishte e tillë nuk do të ishte përrallë”! Pra, autori në këtë rast, dëshiron të prezantojë një përrallë të mirë dhe pikërisht për këtë ndien nevojë për diçka më tepër se realiteti. Rrjedhimisht diçka më tepër se gjërat dhe ngjarjet… diçka më tepër se arsyeja, më tepër se lënda…

Për ta shprehur të vërtetën duhet që së pari të ndjehet, pikërisht për këtë edhe Croche thotë: “Arti nuk është shprehje e shprehjes, por shprehje e përshtypjeve”. Kuajt në artbërjen e Bejtulit, në analizë të fundit, janë shprehje abstrakte (abstrakcion) e përshtypjeve (impresion) të gjërave që mund të shprehen (expresion). Thënë më thjeshtë, kuajt dhe kalorësit në fillim janë përshtypje në unin e tij dhe më pas shprehje në pëlhurë.

Për fund do të kisha thënë se kalorësit e Nevzat Bejtulit na drejtohen të gjithëve:

Të mos i bëhemi shërbëtor, brushës, ngjyrës,  shkronjës, fjalës dhe fjalisë…

Të shoshitim hollë dhe të tjerrim dendur…

Të jemi selektiv por jo censurues…

Të mos e flijojmë kritikën për nënçmimin

Guximin për fyerjen

Popularitetin për panivelësinë

Kuptimin dhe zakonshmërinë për thjeshtësinë

Të mos sillemi me autorin në trajtë tregtare

Dhe me soditësin si pazarxhi

Të bëhemi bashkëudhëtar i autorit dhe soditësit..

Ta dimë se të pikturuarat në pëlhurë janë amanet i artistit për soditësin… Dhe mos ta tradhtojmë amanetin…