Parimi Islam i teomonizmit, që është thelb i idesë fetare islame dhe pjesë e pandashme e botëkuptimit besimor të tij, është reflektuar në të gjitha fushat e kulturës dhe qytetërimit islam. Shkrirja qenësore në Krijuesin dhe përjetimi shpirtëror i njëshmërisë së qenies me kalimin e kohës është bërë pjesë e pandashme edhe e sjelljeve shoqërore dhe objekteve materiale në kuadër të kulturës muslimane në mbarë nënqiellin e ndikimit të idesë perenniale të Islamit. Katarza e përshpirtshmërisë islame me ndjenjën e plotnisë estetike ka ndikuar dukshëm edhe në ndërtimin e qytetit Islam dhe në strukturën shoqërore të unitetit të bashkësisë.
Qyteti i vjetër është hapësirë e qetë ku shtëpitë e shpeshta nëpër sokaqet e ngushta e kanë mundësuar bashkëjetesën e individit me familjen dhe bashkësinë e tij. Shtëpia e këtij lloji me dritaret e hapura drejt qiellit dhe kopshtet e gjera e ka simbolizuar një mikrokozmos dhe njeriu nëpërmjet saj e ka imagjinuar dhe përjetuar lidhshmërinë e tij me Krijuesin. Për rrjedhojë, njeriu, nga njëra anë, me trupin e tij ishte i unifikuar me qytetin , ndërsa nga ana tjetër, me dritaret e hapura drejt qiellit dhe me kopshtin e gjerë është lidhur ngushtë me Fuqinë Krijuese.
Struktura sociopolitike e formuluar si “qyteti i virtytshëm” në mendimet e Farabiut, nga aspekti i filozofisë arkitekturale, u përgjigjet pyetjeve ontologjike dhe etike nga botëvështrimi i njëjtë dhe vendos një relacion rrënjësor midis të qenët, sjelljes etike dhe përditësimit hapësinor të tyre. Nëse merret parasysh se në epokën e qytetërimit teknologjik në të cilin jemi duke jetuar çdo gjë është shndërruar në mjet, atëherë është më se e nevojshme që sërish të zbulohen lidhjet midis ekzistencës dhe etikës, dijes dhe virtytit, drejtësisë dhe vlerës dhe si pasojë rezultatet do të jenë me rëndësi jetike jo vetëm për idenë, por edhe për përjetimin hapësinor të të bukurës. Nevojitet që këto vlera themelore sërish të përfitojnë funksionin ekzistencial në këtë epokë të hiper-modernizmit dhe kapitalizmit të avancuar, në të cilat prodhimi, pjelloria, maksimizimi i fitimit dhe relacionet e interesit kanë dalë para përmasës sonë njerëzore dhe si pasojë e kanë bastarduar edhe përmasën e ndërtimit të qytetit dhe ndërtesave në të.
Jëllmaz Özakpınar’i thotë: “ Çdo koncept i qytetërimit krijon forma të ndryshme brenda një tërësie, domethënë, një kulturë të veçantë”. Qyteti është i ndërtuar nga arsye të ndryshme ekonomike, ushtarake, politike dhe shoqërore, por, arsyeja më e rëndësishme prapa tyre; është nevoja e deklarimit të identitetit nga ana e shoqërisë. Koncepti i qytetërimit, në fillim, shihet në siluetën e qytetit. Vlera fizike e konceptit të qytetërimit e një shoqërie që e ka ndërtuar, zbatuar dhe shfrytëzuar një qytet është i vendosur në ndërtesat, në vendet më prestigjioze të siluetës ,që është e pranishme në botën fizike, rrjedhimisht në arkitekturën e tij. Arti është brenda për brenda me fenë, do të thotë feja; mesazhin e jep nëpërmjet artit. Për shkak se feja flet në mjediset që i drejtohen ndjenjave, e tillë është çështja e besimit.
Arkitektura islame krahas nevojës së strehimit të njeriut dhe plotësimit të kërkesave shoqërore të tij përpiqet që t’i paraqesë edhe format estetike të shpirtit dhe filozofisë islame në trajtë të plotë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për arkitekturën fetare por për plotninë e asaj fetare dhe civile. Për pasojë, plotnia arkitekturale estetike nëpërmjet të cilës përjetohet katarza ndiesore, është pjesë fundamentale e xhamive, medreseve, spitaleve, hamameve si dhe e shtëpive. Nëse i shikojmë pak më me vëmendje ata, do ta shohim se njëshmëria e Allahut, pakrahasueshmëria e Tij është ide fundamentale e arkitekturës islame. Ky dimension i Zotit nuk mund të dihet nëpërmjet shqisave dhe pasioni për të mundtë arrihet vetëm nëpërmes përsiatjes dhe meditimit të thellë si pasojë e të cilës arrihet kultura shpirtërore, pra, arkitektura islame është e projektuar që njeriut tia mundësojë përsiatjen dhe meditimin për realitetin/hakikatin, rrjedhimisht, për më të Madhin.
Shembull karakteristik i shtëpisë qytetare muslimane në hapësirat tona shqiptare në fillim të shekullit XIX, me tërë elementet hapësinore dhe dekorative, është Shtëpia e Beut në Tetovë. Organizimi hapësinor i Shtëpisë është në korrelacion me kushtet dhe rrethanat ekonomiko-shoqërore të kohës kur është ndërtuar, mirëpo me vete bart edhe paradigmën e idesë pereniale sufike islame, e cila njëkohësisht është e përfaqësuar edhe në objektet fetare të ndërtuara ose të rikonstruktuara në këtë periudhë në Tetovë. Si rrjedhojë, lirisht mund të thuhet se Shtëpia e Beut si nga aspekti i zgjidhjeve ndërtuese, ashtu edhe nga aspekti i dekorimit është në relacion të drejtë me Xhaminë e Larme dhe me kompleksin Harabati Baba Teqe. Kushtet klimatike dhe relievi kane ndikuar që ndërtuesit ne konstruksionin e Shtëpisë te perdorin drurin, mirëpo përdorimi i drurit njëkohësisht paraqet edhe nduarnduarësinë e objektit të ndërtuar me natyrën e gjallë. Druri është i gjallë dhe në Shtëpinë e Beut, Xhaminë e Larme dhe Harabati Baba Teqenë jeton se bashku me mikun e vet eternal, dheun, vendosur mbi shtresat e gurit të përpunuar mirë që është në pjesën e poshtme të objektit.
Shtëpia është shtrirë në trajtë të lirë, nuk është e ngulfatur, është e tërhequr në pjesën e pasme të kopshtit të gjerë, i cili ka një hortikulturë mahnitëse. Kopshti i gjerë është i rrethuar me mur të lartë dhe hyrja në kopsht është realizuar nëpërmjet katër dyerve, të cilat në trajtë simetrike janë të vendosura në katër anët e kopshtit.
Liria e vendosjes së objektit dhe përjetimi i kësaj ndjenje të relaksimit dhe mosngulfatjes në Shtëpinë e Beut, por edhe në të ngjashmet në ndërtimtarinë osmane të kësaj periudhe, e simbolizon lirinë e shpirtit të njeriut brenda gjithësisë në tërësi. Shpirti i njeriut është i trazuar për shkak të rrethimit material dhe e vetmja gjë që ka mundësi ta qetësojë atë në këtë konstelacion ekzistencial është mundësia e përjetimit të pafundësisë së gjithësisë, yjeve, natyrës, luleve, gjelbërimit. Gjerësia e oborrit e mundëson meditimin dhe vatërzimin e shpirtit dhe arsyes në lartësitë dhe estetikën e yjeve dhe kozmosit, ndërsa hortikultura e afron atë me natyrën e gjallë. Muret përreth oborrit e mundësojnë intimitetin për të cilin ka nevojë njeriu si në përmasën lëndore, ashtu edhe në atë tejlëndore. Katër dyert njëkohësisht i kemi edhe në kompleksin Harabati Baba dhe përfaqësojnë katër gradat e ngritjes shpirtërore. Secila prej tyre simbolizon njërën trajtë të ngritjes shpirtërore dhe të adhurimit të Zotit. E para është ligji fetar (sheriati), e dyta përshpirtshmëria fetare, rruga sufike (tarikati), e treta është sendërtimi real i të ekzistuarit (hakikati) dhe e katërta është njohja reale e qenësisë (marifeti).
Njëlloj si në pjesën e oborrit, ashtu edhe në katin e shtëpisë ka një çardak (holl) të gjerë me tavan të dekoruar bukur, me gdhendje në dru dhe me ngjyra të ngjashme me ato të kupës qiellore. E kaltra dhe e arta janë ngjyrat më të spikatura në dekorimin e tavanit, por të përfaqësuara në platformën e drurit. Edhe këtu druri e paraqet gjallërinë të cilën çdo lëndë në arenën e qenësisë e merr prej Zotit. Këtu bëjnë pjesë edhe qielli, edhe yjet. Njëkohësisht, çardaku është edhe vendi ku shtëpiarët ose edhe mysafirët kanë bërë biseda të karaktereve të ndryshme, përkatësisht një prej emrave të tij është edhe divanhane, që d.t.th. vend bisede dhe diskutimi. Vetë qëndrimi në një ambient të këtillë artistik dhe të gjallë e frymëzon njeriun. Gjithashtu, edhe dhomat në pjesën e banimit janë katër, ashtu si edhe dyert e hyrjes në oborrin e shtëpisë dhe e kanë simbolikën e njëjtë.
Siç shihet edhe nga shembulli i mësipërm elementet e përdorura, madje edhe në dekorimin e brendshëm, e paraqesin animin e muslimanit drejt botës së brendshme të tij, ku edhe mund të përjetohet katarza. Vijat horizontale përreth kopshtit janë sfera që e rrethojnë gjithësinë dhe ngriten drejt qiellit dhe që në realitet e simbolizojnë ekzistencën. Bota dhe të gjitha sferat e ekzistencës nëpërmjet shadërvanit në mes të kopshtit e ripërtrinë lidhjen e tyre me qiellin.
Arkitektuar islame i ngërthen në vete parimet që mbretërojnë në Gjithësi, dhe sikur në heshtje na drejtohet me parimin se nëpërkëmbja e tyre do ta prish harmoninë dhe qetësinë e natyrës dhe ekzistenca do të zvarritet drejt kaosit. Arkitektura islame si në shembullin e kozmologjisë, hulumton si duhet të mbrohet kjo barazpeshë. Gjendja e barazpeshës dhe rendit në gjithësi dhe në hapësirën jetësore i shndëron ata në qenie “të bukura” dhe “vepërmirëse”. Si pasojë, relacioni i arteve si arkitektura, kaligrafia dhe muzika me vizionin kozmik dhe kozmologjinë paraqitet si dukuri e kësaj doktrine vepërmirëse (ihsani) . Ky element që ngërthehet në domethënien e fjalës kozmos na del përpara edhe në fjalën “kozmetikë” të bartur edhe në gjuhën tonë dhe që ka kuptimin e stolisë, zbukurimit dhe bukurisë. Për pasojë arkitektura islame e ka ndjenjën e kozmetikës së shpirtit të njeriut që në makro plan është e paraqitur në Kozmos. Kozmologjia në traditën e mendimit islam, nga Farabiu në Ihvan-i Safa, nga Gazaliu tek Ibn Arabiu, nga Suhreverdiu tek Erzurumlu Ibrahim Hakkiu, është dalluar si fushë e studimit që ka paraqitur fotografinë e ekzistencës së madhe dhe ka ngërthyer disiplinat natyrore dhe simbolike. Hulumtimet natyrore të bëra në astronomi, fizikë, biologji, historinë e natyrës, optikë dhe gjeografi kanë përgatitur materialin e mendimit kozmologjik, por më pas ky akumulim i dijes nëpërmjet spektrit filozofik simbolik është bartur edhe në arkitekturën islame dhe ndërtimin e qytetit islam dhe si e tillë i ka ekzaltuar dhe emocionuar banorët e vet.
Ndërsa individualizmi i modernizmit, që është transferuar edhe në arkitekturë, ndërtesën e ka projektuar të tillë që njerëzit mos ta shohin njëri tjetrin. Prapa këtij fakti, që duket si formalitet, është sistemi mendor racionalist i perëndimit. Arkitektura e njeriut me këtë koncept qytetërimor, i cili në këtë mënyrë e ka themeluar dhe e ka sistemuar qytetin, i edukon brezat e ardhshëm. Sistemi i vlerave, brenda kohës, bartet prej një brezi në brezin tjetër. Me njerëzit transferohet dhe në hapësirat e qytetit…
Sfondi filozofik dhe estetik i Islamit nuk e pengon në asnjë mënyrë artin praktik dhe funksionet konkrete të arkitekturës urbane dhe ndërtimore. Dekorimet, miniaturat, kaligrafia dhe arkitektura nuk janë bërë vetëm me idenë e zbukurimit dhe artit por gjithnjë i kanë patur parasysh edhe nevojat praktike të shoqërisë. Kaligrafia ka ngërthyer porosi të shumta jetësore dhe sociale; dekorimet e librave dhe miniaturat e kanë joshur leximin e librit; qilimët e qendisur me ngjyra të bukura e kanë ngrohur shpirtin dhe hapësirën e banimit; shadërvanet i kanë freskuar ditët e nxehta verore dhe i kanë frymëzuar njerëzit për të bërë art; etj. Thënur në gjuhën e Chomsky’t, arkitektura islame është një “gramatikë e thellë” e cila është shprehur nëpërmjet të gjuhës së komplikuar ndërtimore . Pa u përmbajtur në rregullat e sintaksës estetike njeriu nuk ka mundësi të thotë diçka të kuptimtë në të. Dëshira për të thënë diçka të kuptimtë, njëkohësisht, është edhe shprehje e lirisë, prandaj edhe ndjekja e rregullave kozmike ia shton lirinë personit dhe ia mundëson ta përhjetojë katarzën e të qenurit.