Çfarë është më e rëndësishme, të jesh folës i mirë apo dëgjues i mirë? Është më e preferueshme të jesh efikas në komunikimin verbal apo atë joverbal? Është më mirë të jesh direkt dhe i drejtëpërdrejtë në komunikim apo të fitosh pak kohë për të arritur atje ku do? Është më e rëndësishmetë të thuash të vërtetën apo t’i bësh të tjerët të ndihen në bashkësi me të vërtetën? Ekzistojnë variante të ndryshme artistike dhe kulturore që e kanë marrë përsipër t’u përgjigjen në trajta të ndryshme nga njëra tjetra pyetjeve të sipërpërmndura. Një nga këta trajta të komunikimit ndërkulturor ndërmjet njerëzve është edhe kaligrafia. Në te kuptimi është më shumë se sa komunikimi verbal dhe formal.
Kaligrafia i kushton prioritet parësor heshtjes dhe harmonisë. Heshtja e ambientit kaligrafik është heshtje e thellë komunikuese në të cilën njerëzit ndajnë një komunikim kolektiv në heshtje. Ky theks mbi heshtjen bazohet edhe në mësimet fetare dhe në filozofinë e Islamit rreth njeriut të plotë/insan-i kamil. Në realitet objekti i kaligrafisë janë “fjalët që në vete e mbajnë të gjallë shpirtin”. Shpirti që jeton në fjalët e bukurshkruara ka një fuqi të mbinatyrshme për të bërë të mundur përjetimin e të pamundshmes.
Në kërkim të shkrimit sa më të bukur të fjalëve që kanë fuqi të mbinatyrshme të Zbulesës/vahj, të thënieve të Pejgamberit dhe teksteve të ndryshme të urta të kulturës dhe mendimit Islam, është zhvilluar arti i pashembëllt i shkrimit të gërmave arabe/harfeve i emërtuar si husn-i hatt. Gërmat araba të shkruara në disa trajta, kohë pas kohe, mvarësisht nga gjendja kuptimore e artistit kaligraf/hattat, janë dekoruar me elemente të caktuara estetike dhe si të tilla i kanë stolisur obkjektet e ndryshme të kulturës dhe qytetërimit Islam.
Materiali kaligrafik është art i pavarur nga e kaluara dhe i papërsëritur jashtë tij. Ai, jo vetëm që i përcjell këshillat e caktuara, pa marrë parasysh janë të karakterit fetar ose shoqëror, por në trajtë më të drejtëpërdrejtë e ngërthen shpirtin e fjalës, e vesh atë në superlativ, ia zgjat jetën dhe në fund e bën të pashëm atë. Kaligrafia Islame është art nga vetja dhe për veten dhe arrinë të hapë fusha të reja të shprehjes kreative të spektrit kuptimor. Në një formë, kaligrafia është pikturë abstrakte islame dhe e paraqet artin burimor të muslimanëve.
Abstenimi nga imazhet tek myslimanët nuk ka vetëm rol negativ, por edhe pozitiv. Me anë të përjashtimit të gjitha imazheve antropomorfike, së paku në zonën religjioze, arti Islamik i ndihmon njeriut të jetë `vetja e tërë`; në vend të projektimit të shpirtit të tij në të jashtmen e tij, ai tani ndodhet në qendrën ontologjike, ku tanimë është përfaqësuesi (halifi) dhe robi (`abd) i dinjitetit primordial; së këndejmi ai menjanon gjithçka që do të mund të quhej `idol`, bile edhe në nivelin fare relativ; pra, asgjë nuk do të qëndron në mes njeriut dhe Prezencës së padukshme të Zotit. Arti Islamik, nëpërmjet të kaligrafisë, de facto krijon një qetësi, i eliminon të gjitha turbullirat dhe pretendimet pasionante të botës duke ndërtuar në vend të tyre një rend të shprehjes së ekuilibrit, qetësisë dhe paqes.
Ideja artistike në kulturën Islame është e vetëdishme se konceptimi cilësor i bukurisë nuk pajtohet me përkufizimin e saj përpjestimor, po qe se nuk do të vlerësohen me pretendime kritike vijat e këndshme dhe do të përdoren metaforat në kuadrin e një diskutimi sufik ose të përfytyrimeve të vagullta kozmologjike. Kaligrafia Islamedo të merret me një problem të tillë. Në të gjitha shkrimet e stileve të ndryshme, që e zbukurojnë trashëgiminë materiale të artit islamik, mund të shihet një lloj i kozmologjisë së tërhjekjes së vijës në sfondin e pastër. Gërmat e zbukuruara nga njëra anë përpiqen ta zgjidhin kundërtinë ndërmjet parimit cilësor dhe atij sasior, ndërsa nga ana tjetër e përkufizojnë dritën si kulmin e përpjestimeve dhe si bukuri në vetvete. Në këtë kuptim, identiteti kthehet në përpjestimin e vërtetë dhe përligj bukurinë e vërtetë të Krijuesit si burim drite, pasi e Vërteta, përbën harmoninë dhe bukurinë më të madhe të Vetes me Veten. Në tërësi, pamja e sfondit dhe shkrimit është një pamje bukurie, qoftë për përpjestimet që analiza mund t’i has në të, qoftë për ndikimin e drejtëpërdrejtë të dritës, që është shumë e këndshme në dukje.
Dy stile të shkrimit kanë bashkëjetuar që prej shekujve të parë të Islamit. Shkrimi kufi, i cili shquhet prej natyrës statike të gërmave dhe një lloj shkrimi kursiv, nes’h, me forma rrjedhshmërie të ndryshme. Të dyja shkrimet nuk janë të ndara me vija të prera, por në çdo fazë të zhvillimit janë realizuar sinteza të ndryshme midis tyre, që nga njëra anë e kanë zhvilluar artin, ndërsa nga ana tjetër e kanë shprehur ndryshimin dhe zhvillimin e pandërprerë në gjithësi. Nuk duhet shumë për ta lidhur këtë ideal bukurie me pamjen e shumë fenomeneve, që shihen në arenën e makrokozmike, madje edhe me aq e aq objekte të gjalla dinamike dhe të sintetizuara. Përtej mjedisit artistik, në tekstet kaligrafike, kemi përshkrime të këndshme të esencës së qenies, ku njeriu nëpëmjet të vetë artit dhe hapësirës vendzënëse të tij, përpiqet të arrijë majet metafizike dhe shpirtërore.
Kaligrafia, por edhe arti Islam në përgjithësi, veti dalluese e kaedhe pragmatizmin dhe lidhshmërinë e ngushtë me mjedisin shoqëror. Kaligrafia përdor një stil komunikimi të kontekstit të lartë. Në këtë stil, pjesa dërrmuese e informacionit nuk është në mesazhin verbal; kuptimi gjendet më tepër në kontekst ose i brendësuar në sintezën e artit dhe sfondit filozofik të thënies. Ky stil përforcon të kuptuarin e porosive pa një komunikim verbal direkt. Shpeshherë në lidhjet e gjata komunikohet në këtë mënyrë. Arti i kaligrafisë përpiqet të ndërtojë një lidhje të gjatë dhe të pavdekshme me auditorin dhe të krijojë sintezën ekzistenciale të bashkësisë midis subjektit dhe objektit. Ai prej në distancë, por edhe nga brendia e soditësit, përpiqet të dërgojë një shikim kumtimplotë, në veten dhe në anën tjetër.
Stili i komunikimit artistik kaligrafik gjithashtu përpiqet t’i shmang edhe stereotipizimet e grupeve specifike. Grupet e ndryshme gjatë tërë kohës kanë përdorur stil komunikimi artistik të ndryshëm. Mjediset e ndryshme etnike kanë lënë gjurmët e tyre në shkrim. Persët kanë zhvilluar një lloj kursiv në formë perle, me një rrjedhshmëri pothuaj të ajrët, që të shkruanin gjuhën e tyre në shkrimin arab. I kundërti skajor është shkrimi i Magribit i cili ka ruajtur një sintezë relative të kufit dhe nes’hit antik. Kaligrafia turke pëlqen të ndërtojë lloje “nyjash magjike” dhe emblemash grafike, përmes dyfishimit simetrik, që janë njëfarë trashëgimie e artit mongol ( Titus Bruckhardt). Kjo formë e ndërveprimit spontan me reagime lind nga vlerat ose prioritetet e identifikuara në shumë fenomene dhe sinteza natyrore. Pra, siç shihet, komunikimi artistik në komunitete të ndryshme e lind kontekstin e rëndësishëm të kuptimit antropokozmik të gjithësisë dhe qenies. Në realitet, ky lloj i komunikimit që rrënjët i ka në brendësi, është komunikim me thelb të njëjtë, por me nuanca artistike të ndryshme, si rrjedhojë, lirisht mund ta emërtojmë si komunikim i bukur përmes ndryshimeve.
Një sjellje të ngjashme e shohim edhe në filmat e Tarkovskit, aty ka një `domodoshmëri` të pranisë estetike në formën e gjuhës themelore dhe të thellë, e cila gjuhë do të mund të kualifikohej si `racionale` ose si `mistiko-artistike`.. Rëndësia qëndron në atë se burimi i shprehjeve Tarkovskiane nuk do të mund të lokalizoheshin në imagjinatën e pastër, ato janë akte imagjinative në kuptimin tipik të fjalës, dhe kjo është habia për artistin i cili parimisht punon me imazhet. Për Tarkovskin, shprehjet artistike do të duhej të vijnë nga domodoshmëria e brendshme, nga procesi i vazhdueshëm organik në materialen si të tërë` Organikja e tërë është e formuar nga një `domosdoshmëri e brendshme , e cila lind nga `dinamika e brendshme e atmosferës së situatës` `Imazhi` kësisoj, është i skalitur në ritmin e domosdoshmërisë, dhe jo në atë të imagjinatës.Vlerësimi i brendshëm i vlerave artistike e zhvilluar përtej idesë së shfaqjes (dukjes) së pastërt, gjithashtu mbetet atributi ekskluziv i filozofisë së artit Islam.
Përgjigja është e vetëkuptueshme: paraqitje e idesë me anë imazheve të huazuara, të marra nga përjetimet tona reale, fizike apo mendore, apo, siç shprehet Zemahsheriu “përmes një ilustrimi parabolik të diçkaje që është përtej perceptimit tonë me anë të diçkaje që e njohim nga përvoja jonë” .
Shumica nga tekstet dhe shprehjet e kaligrafisë islame duhet të kuptohen në një sens alegorik për shkak se janë të përcjellura jo vetëm si didaktike, por edhe filozofiko artistike. Prandaj, sikur ta merrnim çdo pasazh, thënie apo shprehje në kuptimin e jashtëm, literal dhe të mos ta vlerësonim mundësinë që të jetë një alegori, një metaforë apo një shembull, ne do të cënonim pikërisht frymën e shkrimit artistik kaligrafik. Për fund, mund të thuhet se kaligrafia islame nuk sjell ndër mend një bukuri jashtë njeriut, shprehjet e saj nuk na ngjallin asnjë referim ndaj diçkaje, por, thjeshtë na shfaqen me një vrull që më parë e kishim njohur, na paraqiten aq kuptimplota, sa që arrijmë të kuptojmë që vetëm në atë çast kemi pasur njohjen e plotë të tyre dhe që jeta ia vlen të jetohet , qoftë edhe vetëm për të jetuar të tilla përvoja. Soditja e tyre , gjithashtu paraqet një dalldi, por një dalldi në bashkësi me realitetin e qenies. Ajo nuk është kapërcimi i gjërave të kësaj bote, por shpirti i tyre. Kaligrafia në vete e ngërthen edhe tesavvufin estetik dhe gërmat e zgjatura dhe të stolisura në trajta të ndryshme i duken soditësit si atmosferë metafizike, ku ai vetë ledhatohet nga puhiza e padukshme e bukurisë. Si pasojë frymëzimi do të vijë përmes lojës së kujtesës: mbi një germë ose një shije do të vendoset kujtimi i një realiteti, i një ndiesie të përjetuar ose që pritet të përjetohet.