“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëdhuruesit!
Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit,
Sunduesit të Ditës së Gjykimit.
Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.
Udhëzona në rrugën e drejtë!
Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd,
as në të atyre që janë të humbur!”
Fatiha, 1/1-7.
Falënderimi për fat të keq është një nga virtytet e harruara në mjedisin njerëzor. Falënderimi i vërtetë në masë të madhe është shmangur nga diskursi i njerëzve në përgjithsi. Jo vetëm në përmasën horizontale të prezantimit të të njerëzishmes në trajtat shoqërore por edhe në përmasën vertikale të përkushtimit dhe fetarisë, që kjo e dyta pa të është totalisht e vdekur. Ndërsa vazhdimisht jemi të ballafaquar ose me arrogancën e sjelljes njerëzore dhe fetare ose me një lloj të falënderimit i cili është vetëm se një manipulim suptil i tjetrit, një trajtë e blerjes së simpatisë ose ndikimit, ose të dyja bashkë, falënderuesi dhe pranuesi i tij e konsiderojnë falënderimin si një lojë shoqërore që me vete nuk bart asfare konsekuencash të jashtëzakonshme. Për shumicën e njerëzve falënderimi nuk është agjë tjetër përveç se prodhim i rregullave konvencionale. Mëngësia e ndjenjës së falënderimit ndikon që njerëzit t’u shmangen situatave në të cilat do të duhej të falënderohen. Kjo është kështu për shkak se dominimi i ethosit të forcës, ku çdo gjë është e llogaritur, ndikojnë dukshëm në mënjanimin total të nevojës dhe ndjenjës për falënderimin. Si duket njeriu i sodit e ka vështirë edhe të mendojë esëll për “dhuratën dhe falëndrimin”.
Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e njerëzve janë të mendimit se falënderimi është çështje psikologjike dhe e paraqet largimin prej përmasës së vërtetë të platformës metafizike të qenies. Por përkundratzi falënderimi, si nga aspekti shoqëror ashtu edhe nga ai fetar, në vete ngërthen një lidhshmëri prej fenomenologjisë drejt metafizikës.
Sureja e parë e Kur’anit Fisnik fillon me fjali falënderuese dhe neve na hedh në arenën e qenies nëpërmes një lidhshmërie të padukshme, nëpërmes një relacioni metafizik dhe si pasojë aty paraqitet sërish elementi i mëshirës së plotë të Zotit i cili na preferon që, duke e ndier ngarkimin me përgjegjësinë për amanetin hyjnor, të dëshmojmë për prkushtimin dhe fetarinë e plotë ndaj Krijuesit dhe Përudhësit. Kësisoj sureja Fatiha, e cila fillon me falënderim, me shpirtin e saj e pasqyron këtë hollësi dhe barazpeshë të Fuqisë Krijuese. Ky parim i Fjalës së Allahut (xh.sh.) ka ndikuar që falënderimi/hamd të jetë pjesë e shoqërisë myslimane në të gjitha fushat. Një nga elementet më të rëndësishme të konceptit të falënderimit tek myslimanët është lidhshmëria e paraqitur nëpërmes tij ndërmjet aksiologjisë dhe metafizikës islame. Tesavvufi dhe tradita sufike e myslimanëve e paraqet platformën me përqëndrim më të madh të lidhsmërisë falënderuese midis aksiologjisë dhe metafizikës në jetën lëndore dhe kuptimore të myslimanëve.
Falënderimi është një term që nënkupton njohjen e një mirësie, sepse ai është një rrugë (që të çon) në njohjen e Mirëbërësit; dhe kjo rrugë në të gjitha segmentet është konsideruar si evetmja për të arritur realisht deri tek Mirëbërësi. Zoti bën që çdo grimcë në qiej dhe në tokë, të flasë për fuqinë e Tij, në një mënyrë të atillë që, ata dëgjojnë sesi çdo gjë shpall shenjtërinë e Tij, sesi çdo gjë thurr lavdet për Të dhe rrëfen pafuqinë e vet, dhe kjo gjë bëhet në një gjuhë plotësisht të qartë. Kjo gjuhë pa gërma dhe tinguj, nuk perceptohet nga ata, dëgjimi i të cilëve nuk ka një organ të përshtatshëm. Unë nuk dua të flas, thotë Gazaliu, për organin e jashtëm, i cili nuk merret veçse me tinguj dhe të cilin njerëzit e përdorin për të komunikuar veçse me kafshët; unë nuk kam parasysh atë që kafshët kanë gjithashtu të përbashkët, por unë flas për një dëgjim i cili percepton fjalë që nuk kanë gërma e tinguj, dhe të cilat nuk janë as në gjuhën arabe dhe as në gjuhë të huaja. Nëse dikush thotë: “Kjo është një gjë e mrekullueshme dhe e vështirë për t’u kuptuar. Përshkruamë natyrën e saj, si, dhe me kë, komunikojnë këto grimca, si ia thurrin lavdet Atij, si e shpallin shenjtërinë e Tij dhe si ato rrëfejnë pafuqinë e tyre”, duhet ditur se ka një bisedë sekrete me çdo grimcë tjetër të qiejve dhe tokës, një bisedë pa kufizime, sepse kjo bisedë përbëhet nga fjalë që vijnë nga deti i fjalëve të Zotit, i cili nuk ka kufi…Kjo bisedë përmban sekrete të botës së dukshme dhe të padukshme. Mirëpo, përhapja e sekreteve është e dënueshme, dhe gjoksi i fisnikëve është varri i sekreteve.
Rruga drejt vlerave niset prej fenomenologjisë së motivimit, rrjedhimisht bëhet fjalë për analizë të kategorive të ndryshme të të vërtetës në hapësirën e motivimit. Llojet e ndryshme të të vërtetës u përgjigjen llojeve të ndryshme të motivimit. Bëhet fjalë për vatra të motivimit, ose lloje të ndryshme të tyre, në të cilat caqet e vullnetit janë të parashtruara në platforma jashtë tyre vetë. Në kuadër të të vërtetës së zakonshme, të ndriturit e kanë dalluar, të rëndësishmen dhe vleroren nga elementi I pasionimit subjektiv. Dallimi I këtyre kategorive të të vërtetës u ka ndihmuar atyre që vetëm vlerat, për dallim nga pasionimet e zakonshme, t’I konsiderojnë si të rëndësishme në veten e tyre dhe jo si të udhëhequra nga subjekti. Përgjigja vlerore ndaj vetes dallohet rrënjësisht nga pasionimi subjektiv.
E pyetën Sulltan Veled’in, njëherë në lidhje me format dhe kuptimet, ndërsa ai u përgjigj:” Format tregojnë kuptimin e thellë dhe e shpjegojnë atë, sepse jo çdokush arrin të kuptojë dhe të shohë bukurinë e këtij kuptimi përara syve të tij. Forma sheh formën dhe shpirti sheh shpirtin. Pra, është e nevojshme që kuptimit t’i japim një formë, në mënyrë që ata që njohin vetëm formën, të zbulojnë ekzistencën e kuptimit dhe të besojnë pak në këtë kuptim. Qiejt janë krijuar në një aspekt shumë të lartë, me qëllim që të mundësojnë kuptimin e lartësive të shpirtit.
Në mbretërinë e shpirtit gjenden qiej
që sundojnë qiellin e kësaj bote këtej.
Pra, meqënëse ngritja e qiejve i është dhënë si atribut shpirtit, dhe është pa cilësime, lartësia e tij është përtej masave të hapësirës. Ajo është shpirtërore. Ajo është po ashtu kur ti thua: “Ky njeri është më i mirë se ai tjetri.” Kjo epërsi nuk varet nga pamja, ajo varet nga vlerësimi, nga vlera dhe nga grada e përsosurisë. Ajo është sikur të thuash: “Dinari ka vlerë më të lartë se dirhemi.” Epërsia e tij nuk varet nga forma, por nga vlera dhe nga çmimi. Nëse dirhemi vendoset mbi taracën e një shtëpie, dhe dinari vendoset nën taracë, dinari ka vlerë më të lartë se dirhemi sepse epërsia nuk varet nga forma, ashtu sikurse në botën shpirtërore dhe pa cilësime që ka lartësi abstrakte dhe ata që prekin vetëm formën e tyre, nuk janë të aftë t’i shohin ato. Prandaj, ngritja e qiejve simbolizon këto lartësi, me qëllim që të dihet se çfarë është lartësia. Po kështu, toka është një simbol që na mundëson të kuptojmë pjesën e ulët. Nëse nuk do të ekzistonte pjesa e lartë dhe e ulët në botën abstrakte, këto dy dimensione nuk do të ekzistonin në botën materialiste. Po kështu, kur ty të ndodh një situatë shpirtërore –hal-, ti bën shpjegimin e saj me qëllim që ajo të kuptohet. Nëse kjo gjendje shpirtërore nuk të ka ndodhur, ti nuk mund ta përshkruash atë. Po kështu, ngjarjet e jashtëzakonshem dhe mrekullitë paraqiten në një formë të caktuar. Ato janë caktuar për ata që mohojnë dhe që i injorojnë mrekullitë dhe ngjarjet e jashtëzakonshme, që janë tërësisht shpirtërore. Kështu, kur një mësues kryen një transformim tek një nxënës i tij, i cili e kthen përsëri në jetë zemrën e tij dhe i kthen shkimin syve të tij të verbuara, me qëllim që paqartësitë e tij të ndriçohen tërësisht, ai shndërron në ar zemrën e tij prej bakri; ai rrit në veten e tij njëqind lloje kopshtesh urtësie dhe trëndafilishtesh njohjeje, diturie dhe shikimi, si dhe bën që tek ai të shfaqen hyri dhe pallate. Atëherë, një nxënës i tillë që ka parë mësuesin e tij të bëjë në çdo çast mrekulli të tilla, çfarë interesi do të ketë ai për mrekullinë që ka të bëjë me parashikimin se çfarë ai ka ngrënë në mëngjes apo në mbrëmje, se çfarë ai do të bëjë nesër, dhe si mund ta marrë ai këtë gjë në konsideratë?
Siç shihet nga fjalët e Sulltan Veled’it, ai niset nga objekti real I falënderimit, nga diçka që vazhdimisht falënderohet dhe e mundëson të mirën objektive. Ai na e zbulon se mirësia që na është bërë dhe për të cilën ne jemi falënderues nuk bën pjesë as vetëm në pasionimin subjektiv dhe as në platformën e të rëndësishmes nga vetja. Por bëhet fjalë për një kategori të veçuar të ndjeshmërisë që mund të emërtohet si e mirë ekzistenciale që I krijon vlerat e qenies. Vlera, në parim, I dedikohet çdo njeriu, ndërsa e mira ekzistenciale që I krijon vlerat ose vlera ekzistenciale aksiologjike I drejtohet njeriut të caktuar, që e ka vendosur lidhjen me burimin e saj. Si rrjedhojë çdo njeri përpiqet të gjejë përgjigjet vlerore të qenies me qëllim që të njëjtat t’I bartë në shoqërinë njerëzore dhe të krijojë një fenomenologji vlerore pa të cilën njeriu është I vdekur. E thamë edhe më lartë përgjigja e falënderimit është përgjigje vlerore e cila I drejtohet Dhuruesit për shkak të mirëbërjes dhe bujarisë, por me lidhshmëri të ngushtë me qenien e të mirës dhe bartjen e saj në trajtë të vlerave në shoqërinë njerëzore si akt social. Si përgjigje për atë që është pranuar, falënderimi është përgjigje vlerore që është njëkohësisht edhe burim I ri I të mirës etike. Kjo përgjigje ka vlerë të madhe metafizike dhe e harmonizon imanencën në suaza të transcedentales. Falënderimi njeriun e shmang nga përbotshmëria dhe aktiviteti I tij lidhet në trajtë të drejtpërdrejtë me përmasat tejfizike. Falënderimi, nga ky aspekt, është për veprat aksiologjike. Në kuadër të veprave aksiologjike përballemi me dy lloje të të mirës: vlerat, bartës I të cilave është vetë njeriu dhe të cilat atë e bartin deri në platformën e ngritjes në njeriun e plotë (insan-I kamil); si dhe vlerat që na e mundësojnë fatin e përjetshëm e deri në bashkësinë përfundimtare Krijuesin (xhem’). Secila nga dy trajtat vlerore të mësipërme dallohet varësisht nga kërkesa personale dhe falënderimi për to. Dhuratat e ndryshme kërkojnë edhe përgjigje vlerore të ndryshme. Njohja e këtyre vlerave, të parafytyruara në falënderimin, është bazë e fatit të njeriut në të dyja botët. Përkushtimi është I bukur në vete, por ai bëhet I mirë dhe vlerë për mua, atëherë kur e ndiej, kur depërton në botën time të brendshme, kur më zbulohet. Realisht pranimi I një të mire të tillë, e cila jo vetëm që na ekzalton por në të njëjtën kohë edhe na e dhuron lumturinë, paraqet një qëndrim modest të shkrirjes, rrjedhimisht mosqenies reale përballë Qenies reale. Në këtë rast ka mundësi që të përballemi me një paradoks të caktuar. Falënderimi është përgjigje që pason pas pranimit të të mirës,por, siç duket edhe prej më lartë, është edhe pararendëse e saj dhe e lidhur ngushtë me të mirën. Në këtë kontekst na paraqitet edhe një aspekt tjetër relevant antropologjik I falënderimit I cili është në lidhje me lumturinë autentike. Falënderimi dhe lumturia janë të lidhura ngushtë midis vetes, ashtu që lumturia autentike është e pamundur pa falënderimin. Kjo është kështu për shkak se lumturia e njeriut nuk është në përpjestim me numrin e të mirave që I pranon, por me vlerësimin falënderues të asaj që e ka pranuar. Si rrjedhojë e kësaj falënderimi është pjesë përbërëse e lumturisë që e ndiejmë nga gjërat e pranuara nga jashtë. E pranuara nga jashtë nëpërmes falënderimit shndërrohet në kapital të brendshëm personal.