METIN IZETI

ALKIMIA E NJOHJES NJË PLATFORMË E HARRUAR E ARTIT

Zoti i ka dhënë formën njeriut dhe i ka fryrë prej shpirtit të Tij , Ai e ka bërë njeriun mëkëmbës të Tij në tokë , Ai i ka mësuar atij emrat e të gjitha gjërave , Ai i ka besuar atij këtë “mandat” apo këtë “amanet”, të përgjegjësisë që dinjiteti i vet i jep atij . Tek Ai është kthimi ynë . Gjatë paktit (mithak) përpara përjetësisë me shpirtërat e njerëzve që nuk kishin lindur akoma, kur Zoti nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësite tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je. ” Prandaj, çdo qenie njerëzore, nga natyra, aspiron të njohë Zotin. Në sekretin më të madh të tij, ai është i vetëdijshëm për këtë nostalgji të rikthimit, sepse, ashtu siç thotë edhe Gazaliu, në thellësinë e qenies së tij, ai ka dëgjuar pyetjen: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” dhe ai është përgjigjur: “Po, dëshmoj se Ti je. ”

            Nëse shpirti është dërguar në këtë botë në gjendjen e tij trupore, kjo është bërë për ta lejuar atë që të përmbushë këtë “mandat ”, që në fakt është fati i tij i vërtetë. Gjithashtu, ashtu siç thotë edhe Kurani,  Zoti urdhëroi: “Zbritni të gjithë prej Xhenetit! Kur t’ju vijëudhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen .” “Njeriu, thotë përsëri Gazaliu, në fakt duhet të fitojë në këtë botë, me anë të përdorimit të ndjenjave të tij trupore, një farë njohje të veprave të Zotit dhe, me këtë ndërmjetës, të fitojë vetë Zotin .” Përse kjo “rënie” në një nivel të ulët të ekzistencës, vetëm sepse njohja që njeriu mund të ketë për Zotin mbasi ka jetuar në këtë botë, është më e pasur sesa në rastin kur ai nuk do të kishte ardhur në këtë botë. Misteri i jetës njerëzore rrjedh nga ky tension midis dëshirës për “rikthim” dhe pamundësisë për ta bërë atë pa njohjen e Zotit. Pra, rendja drejt të vërtetës së fundit, kërkon në të njëjtën kohë, të qenët i vetëdijshëm për botën e jashtëzakonshme, ku në veçanti pasqyrohet theksi që Islami vendos mbi nevojën e dijes: “Boja e dijetarëve, thoshte profeti, është po aq e çmuar sa gjaku i dëshmorëve”, duke shtuar se “për të kërkuar dijen, duhet shkuar deri në Kinë.” Mirëpo, nëse bëhet fjalë për të dhëna profane, ky nivel duhet kapërcyer. Zemra duhet larë nga mënyrat ekzoterike (vulgare) të dijes, sepse nivele të tilla nuk e njohin të vërtetën . E gjithë teoria e dijes në tesavvuf mbështetet mbi superioritetin e urtësisë ezoterike  –ma’rife- dhe mbi shkencën që mbështetet mbi një arsyetim. Kjo dije, kjo gnosë, përfaqëson në krahasim me të gjithë atë që e ka paraprirë, një prishje niveli të vërtetë, që ka nevojë për ndërhyrjen e faljes hyjnore.

Si duket asgjë nuk është më larg nesh, në këto ditë të brengave bashkëkohore, të problemeve filozofike dhe psikologjike, sa që është gjetja e të vërtetës brenda në ne. Ndërsa ky Art i Madh ka qenë pararendës i rrymave më aktuale që e kanë ndërtuar mendimin bashkëkohor; duke filluar nga vizioni ekologjik i botës, njeriut dhe gjithësisë e deri në zhveshjen e këmishës marrëzore të logjikës aristoteliane të shtangur në parimin e kauzalitetit; nga teoria e sistemit deri tek teoria e strukturës së materies; nga mjekësia psikosomatike  e deri në ngritjet e niveleve të dashurisë reale. Tre mjetet kryesore që na e mundësojnë sadopak kuptimin e botës fizike- teoria e relativitetit, mekanika statistike dhe ajo kuantike-, në realitet vetëm e vërtetojnë dhe e përvetësojnë modelin alkimik të njohjes intuitive të botës së jashtme. Ky model i afrohet realitetit në trajtë sintetike dhe holistike, ndërsa mendësia që jemi duke e ndjekur është vetëm se analitike dhe e copëzuar.

Por, nëse arsyeja është një burim i ndarë dhe referencat intuitive thjesht vërtetojnë atë që ne tashmë e njohim si arsye, atëherë kjo ngre pyetjen se si e dimë ne këtë? Në masë të madhe bota natyrore e jep intuitën për veprat e Fuqisë Krijuese. Zoti i jep gjithnjë njerëzve mënyra dhe shenja përgjatë rrugës së njohjes së Tij. Hapësira e parë që e mirëpret njeriun në kërkim është vetë qenia e tij (krijesa). Si i tillë ai është një libër, dhe të gjithë elementet që e formësojnë atë janë shenja që duhet t’i lënë gjurmë në vetëdije për të kuptuar ekzistencën “përtej” tij. Kjo Zbulesë në hapësirë dhe përgjatë saj i bashkangjitet Zbulesave të historisë, të cilat, nëpër intervale të parregullta kujtojnë origjinën dhe fundin e universit dhe të njerëzimit.

Krijimi dhe tekstet burimore tradicionale na japin dy qasje për të kuptuar vullnetin e ekzistencës. Të dyja këto janë tekste që duhet të lexohen dhe të meditohen. Nëse vërejmë së afërmi, bota e krijuar nga Zoti është shenjë e vullnetit të Tij. Po ashtu,  në krijim janë të bashkuara fakti me vlerën, ashtu që kjo e fundit  shndërrohet në themel për autoritetin ontologjik të arsyes. Kjo është qasja më reale por e haruar ka kohë e  autoritetit ontologjik të arsyes, që mund të pajtohet me ligjin natyror. Por përshkrimi i ngjashëm i botës natyrale me atë të një teksti, pikture, ose skulpture ngre pyetje të rëndësishme hermeneutike për objektivitetin dhe përcaktueshmërinë e gjykimit.

Përsa i përket disa prej mendimtarëve pozitivistë, ata i besojnë shume arsyes, duke e konsideruar si burim autoritar të njohjes. Ata i pozicionojnë argumentet e tyre në spektrin e mundësive, ku secili ka disa baza në fjalorin dhe doktrinën e traditës racionaliste. Qëndrimet e tyre janë formësuar nga tradita e debatit  mbi autoritetin e arsyes në njohjen. Po ashtu, qasjet e tyre reflektojnë çaste të caktuara historike, që disa i quajnë krizë e modernitetit.  Pozitivistët mbështeten te tradita historike për t’i dhënë përgjigje kuptimplota kontekstit të tanishëm. Por, sjellja e të shkuarës, qoftë edhe e afërme, në kontekstin e tanishëm ngre pikëpyetjen se sa e përkthyeshme mund të jetë kjo e shkuar në kontekstin e atyre që duan ta aplikojnë në kushtet e sotme. Megjithatë, racionalistët kanë shqetësime të tjera. Ata kanë probleme me mbështetjen në traditat e përjetshme perenniale me të cilat ushqehet arti dhe filozofia. Mosmbështetja në traditat që e kanë ndërtuar identitetin e vërtetë të njeriut dhe mosnjohja e tyre fare, tregon injorim të kontekstit historik dhe të mënyrës se si ai kontekst mund të ketë zgjuar një interes të caktuar në relacion me ndërtimin e karakterit njerëzor.

Ekziston një organizëm i diturisë në traditën islame i cili, ndonëse intelektualisht i ngritur, në kuptimin e vet origjinal të termit nuk është as teologji (kelam) e as filozofi (felsefeh), ndërsa nga ana tjetër është tepër i lidhur me shumë subjekte të fushave të tyre, por nga një persepktivë tjetër. Hulumtuesit dhe mësuesit e mëdhenj  të këtij organizmi të diturisë e kanë konsideruar se ajo duhet të quhet Dituri e lartë (ilmu’l- a’la), ku parë nga këndi islamik korespondon me atë që në dituritë tradicionale është  quajtur si  “scientia sacra”. Gjithsesi, kjo Dituri e lartë përherë ka qenë e lidhur me urtinë, ashtu si edhe do të jetë në të ardhmen, por ajo ka pranuar distinktime formulative në strukturën e vet nga tradita të ndryshme në zemrat e të cilave është që të gjetet urtia rreth natyrës  së realitetit (vërtetës). Në traditën Islame kjo dituri në mënyrë parimore ka kaluar nga Pejgamberi  tek një numër i shokëve të tij   dhe në gjeneratat e më vonshme gjer tek mësuesit (shejhët) sufist. Krahas kësaj që është e transmetuar gojarisht,  kjo dituri është shprehur në forma alegorike, shprehje eliptike, poezi simbolike, dhe ngjajshëm me këto dhe si e tillë ka ndërtuar një trashëgimi të bujshme artistike.

Ashtu sic ka thënë Frithjof Schuon (njëri nga shpjeguesit bashkëkorhorë të gnozës dhe metafizikës): `Substanca e diturisë është Dituria e substancës `. Kjo dituri është e përfshirë thellë në zemër/intelekt, ndërsa arritja e saj është më shumë kthim se sa zbulim. Kjo na asocon menjëherë me idënë anamnesis-it te Platoni. Fusha kognitive e cila lidhet me këtë dituri është intelekti (al-`akl), pra nous-i, i cili nuk duhet të ngatërrohet me arsyen. Funksionimi i drejtë i intelektit brenda njeriut, në shumicën e rasteve është i mvarur nga manifestimi objektiv i intelektit, që është pra, revelata . Sidoqoftë, të fituarit e kësaj diturie bëhet me anë të intuitës intelektuale, e cila është vetëmse dhuratë Hyjnore, si dhe mundësi për të `shijuar` të vërtetën. Në traditën Islame, kjo dituri supreme ose gnoza, është e lidhur me ca kualitete si: dhevk (shijimi), hads (intuita), ishrak (iluminacioni) dhe hudur (prania). Ata të cilët e kanë kuptuar gnozën, janë të pajisur me dituri të sigurtë intelektuale, të cilën dituri nuk e përziejnë në asnjë mënyrë me arsyen, ose racionalizimin.

Alkimia e njohjes,  gnoza pra, merret edhe me manifestimet e Parimit primordial në të gjitha nivelet e ekzistencës univerzale: që nga forma më e lartë engjëllore deri te ajo materiale, por të gjitha ekzistencat e rendit kozmik, alkimia e njohjes i sheh nën dritën e Parimit. Pra, zbret nga Parimi drejt manifestimit dhe e trajton kozmologjinë si shkencë e kozmosit në raport me vetë Parimin, nga shkaku se, Parimi primordial është dituria e cila jep skemat e orientimit të qenies njerëzore, e cila qenie është e vendosur në kufijtë e ekzistencës kozmike të Realitetit Metakozmik. Alkimia e njohjes trajton poaq edhe domosdoshmërinë e gjendjes njerëzore, më gjith gjërësinë, gjatësinë, thellësinë dhe lartësinë. Pra, studjon në thellësi `artin e njeriut`, të cilin art dikush do të mund ta quaj pikturë, skulpturë, dramë ose muzikë,  por vetëm nëse ky term do të lidhej me sensin tradicional e jo modern, mu si `shkencë e shpirtit` brenda njeriut. Përfundimisht, alkimia e njohjes merret me Parimin dhe të gjitha nivelet e manifestimit, në kuptimin e unitetit, i cili dominon mbi gjith atë që ekziston dhe e cila është një veçantësi qendrore në perspektivën Islame. Mund të thuhet edhe kjo se, metafizika Islame dhe alkimia e njohjes është e dominuar nga dy doktrina bazë: `Njëshmërisë Transcedentale të Qenies` (vahdetu’l-vuxhud) dhe Njeriut Univerzal të Plotë (Insanu’l-kamil), që në vete inkuadron jo vetëm antropologjinë gnostike, por edhe kozmologjinë simbolike nën hijen e relacionit mes mikrokozmosit dhe makrokozmosit.

Në të gjitha religjionet tradicionale dhe klimat kulturore, alkimia e njohjes e  vëndos themelin e artit së formave duke përfshirë edhe format artistike, dhe me këtë bën të kuptueshëm gjuhën e simbolizmit.  Duke qenë se trajton amorfen në nivelin më të lartë, alkimia e njohjes dhe metafizika me këtë, formojnë bazamentin e shkencës së simboleve, vecënarisht në botën ku `shpirti i simbolit` është humbur . Në trajtesat Islame mbi alkiminëe njohjes zakonisht nuk i ndajnë analizat në forma dhe simbole por më së shumti i zbërthejnë principet e kësaj shkence, të cilën shkencë e aplikojnë edhe kur është e domosdoshme. Shkrimet e Ibni Arabiut dhe Rumiut janë të mbushura plot me kësisoj shembujsh.

Format tregojnë kuptimin e thellë dhe e shpjegojnë atë, sepse jo çdokush arrin të kuptojë dhe të shohë bukurinë e këtij kuptimi përara syve të tij. Forma sheh formën dhe shpirti sheh shpirtin. Pra, është e nevojshme që kuptimit t’i japim një formë, në mënyrë që ata që njohin vetëm formën, të zbulojnë ekzistencën e kuptimit dhe të besojnë pak në këtë kuptim. Qiejt janë krijuar në një aspekt shumë të lartë, me qëllim që të mundësojnë kuptimin e lartësive të shpirtit.

            Në mbretërinë e shpirtit gjenden qiej

            që sundojnë qiellin e kësaj bote këtej.  

            Pra, meqënëse ngritja e qiejve i është dhënë si atribut shpirtit, dhe është pa cilësime, lartësia e tij është përtej masave të hapësirës. Ajo është shpirtërore. Ajo është po ashtu kur ti thua: “Ky njeri është më i mirë se ai tjetri.” Kjo epërsi nuk varet nga pamja, ajo varet nga vlerësimi, nga vlera dhe nga grada e përsosurisë. Prandaj, ngritja e qiejve simbolizon këto lartësi, me qëllim që të dihet se çfarë është lartësia. Po kështu, kur  ndodh një situatë shpirtërore –hal-,personi e  bën shpjegimin e saj përmes artit me qëllim që ajo të kuptohet. Nëse kjo gjendje shpirtërore nuk të ka ndodhur, atëherë nuk mund ta përshkruash atë. Po kështu, ngjarjet e jashtëzakonshem dhe mrekullitë paraqiten në një formë të caktuar. Ato janë caktuar për ata që mohojnë dhe që i injorojnë mrekullitë dhe ngjarjet e jashtëzakonshme, që janë tërësisht shpirtërore. Kështu, kur një mësues kryen një transformim tek një nxënës i tij, i cili e kthen përsëri në jetë zemrën e tij dhe i kthen shkimin syve të tij të verbuara, me qëllim që paqartësitë e tij të ndriçohen tërësisht, ai shndërron në ar zemrën e tij prej bakri; ai rrit në veten e tij njëqind lloje kopshtesh urtësie dhe trëndafilishtesh njohjeje, diturie dhe shikimi, si dhe bën që tek ai të shfaqen hyri dhe pallate. Pra ai bën një akt alkimik dfrejt lumturisë.  Atëherë, një nxënës i tillë që ka parë mësuesin e tij të bëjë në çdo çast mrekulli të tilla, çfarë interesi do të ketë ai për mrekullinë që ka të bëjë me parashikimin se çfarë ai ka ngrënë në mëngjes apo në mbrëmje, se çfarë ai do të bëjë nesër.

            Kështu, përmbytja që u bë në kohën e Nuhut, simbolizon një nga përmbytjet e shpirtit; transformimi dhe gëlltitja në tokë, të provokuara nga Zoti, simbolizojnë fenomene në botën e shpirtrave. Shpirtrat e njëqind mijë personave, harbutë dhe që silleshin keq, të cilët i kundërshtonin urdhërat e Zotit dhe nuk i bindeshin Atij, u transformuan. Transformimi i formës është bërë i dukshëm, me qëllim që ata që kanë një shikim të dobët dhe që nuk shohin veçse formën, të kuptojnë nga pak dhe të dinë se çfarë është transformimi i shpirtit. Pra, çdo gjë që ka marrë formë, qoftë kjo e mirë apo e keqe, është bërë për këto abstraksione që ekzistojnë në botën e padukshme, në mënyrë të atillë që njerëzit që janë të lidhur me formën, të perceptojnë një pjesë të këtyre abstraksioneve. Pemët, kopshtet, burimet e ujit, janë si një kundërmim i parajsës shpirtërore.

Origjina e ekzistencës është dëgjimi ynë i urdhërit të Tij –Bëhu . Gjëja e parë që ne kemi dëgjuar nga i Vërteti, është fjala e Tij, dhe prej saj ka ndodhur edhe ekzistenca. Kështu është edhe në rrugët sufike; kur ka një sema/dëgjim, nëse s’ka një ekstazë ndaj këtij dëgjimi dhe nëse kjo ekstazë nuk sendërton unitetin thelbësor, nuk është një sema’ e vërtetë, nga kategoria e së cilës i referohen njerëzit e Zotit. Kur Zoti i thotë një gjëje që nuk ekziston akoma: “Kun! Bëhu!”, atë e realizojnë njerëzit e sema’-së. Fjala që ata dëgjojnë dhe që prodhon ekstazën unifikuese e që mbush zemrat e tyre me diturinë hyjnore, i korespondon urdhërit që ka krijuar ekzistencën e tyre. Për ata, ekstaza paraprin ekzistencën. Sema’ja  e “ përgjithshme”, e përkryer, mund të jetë hyjnore, shpirtërore apo natyrore. E para është ajo e simboleve. Për ata, çdo gjë që ekziston vjen nga fjalët hyjnore dhe fjalët hyjnore nuk mund të kapërcehen. Ato i korespondojnë dëgjimeve që nuk mund të ndalojnë më. Këto dëgjime kanë ndodhur në “simbolin” e tyre, pika e çmuar e shpirtit, nga vetë ekzistenca e këtyre fjalëve. Zoti ka thënë: “Çdo herë që atyre u vjen një fjalë nga ana e Zotit të tyre, ata e dëgjojnë atë.” Ky “qëndrim” i sema’-së, të cilën nuk e arrijnë të gjithë dhe që të tjerë e kalojnë atë, i korespondon Emrave të Zotit, që janë të panumërta. Për secilin Emër, ka një gjuhë dhe për secilën gjuhë, ka një fjalë. Dhe qenësia është një, i thënësit dhe i dëgjuesit. Kur ka një thirrje, ne i përgjigjemi. Kështu, Ai ka thënë: “Kërkoni prej Meje dhe Unë do t’ua plotësoj.” Ai na dëgjon, dhe mbas përkuljes në namaz, thuhet: “Zoti e dëgjon atë që e lavdëron.”

Sema’-ja shpirtërore ka të bëjë me veprimin e penëve hyjnore mbi librin e ekzistencës. Ekzistenca është një fletë e shpalosur dhe bota është një libër; penët flasin, njerëzit dëgjojnë, fjalët shkruhen dhe bëhen të vërtetueshme; qenësia e vërtetimit është qenësia e kuptimit…

Sema’-ja natyrore bazohet mbi katër realitete. Natyra është katërsore me temat e objektet, me aktivet e pasivet; ekzistojnë katër drejtime, katër natyra të cilëve iu korespondojnë katër tinguj muzikorë thelbësorë, që i vendosin ato në lëvizje dhe që sigurojnë kënaqësinë muzikore. Kënaqësia e këtyre tingujve dhe efektet e tyre mbi karakteret, e kanë rrënjën tek fjala hyjnore. Ai që dëgjon një tingull që i përshtatet temperamentit që ka, nuk mund t’i shpëtojë ndikimit të tij.

Një nga problemet më të mëdha të nivelit intelektual dhe artistik  me të cilat ballafqohet sot njeriu bashkëkohorë janë: invazioni i botëkuptimeve dhe filozofive sekulare, përhapja e shkencës dhe e teknologjisë e bazuar në botëkuptime sekulare ndaj natyrës, krizat ambientale që padyshim lidhen ngushtë me teknologjinë moderne. Roli i alkimisë së njohjes është më se qendror për zgjidhjen e gjith këtyre problemeve. Pikërish vetëm gnoza është, që i unifikon principet e shpirtit dhe arsyes. Për më shumë, alkimia njohëse nuk është e thurrur në formën silogjisitke të mendimit që gjejmë në filozofinë aristoteliane, formë-mendimi e cila i ka tëhuajësuar nga vetja shumë njerëz sot. Si pasojë, ajo  është në një aspekt më e kapshme për intuitat intelektuale sesa shkollat racionaliste, të cilat goxha e kanë lënduar fushën e artit.