SHTIGJEVE TË DRITËS…

Arti bën pjesë në fenomenet që doemos e kemi ta ndajmë me të tjerët. Kjo kështu për shkak se për të nuk mjafton vetëm të bëhet por ka nevojë edhe të soditet, të përjetohet. Disaherë përjetimi subjektiv është art edhe më i madh se vetë objekti i artit. Shpeshherë  ne nuk jemi të vetëdishëm për këtë, por, në momentin kur kemi bërë diçka që e tejkalon çastin e aktualitetit dhe thellohet në pafundësinë e qenies në trajtë të artit menjëherë e kuptojmë sekemi filluar të komunikojmë me dikend jashtë nesh, rrjedhimisht, kemi kaluar përtej asaj që duket. Arti është gjëja e parë që duhet ta ndajmë me të tjerët që ta kemi edhe ne. Arti  na bën qenie të domosdoshme metafizike dhe të veçantë. Pikërisht në çastin kur e tërhiqni një vijë, e nxjerrni një tingull me melodi ose gdhendni në gur, do të thotë, që jeni hapur në drejtim të botrave tjera, drejt formava tjera të të qenurit dhe krijesave jashtë jush. Kjo është ndoshta shtresa më e rëndësishme e artit, është komunikimi i artit me të tjerët por edhe motivimi nga mbinatyrshmëria dhe fantastika  eveprës artistike.

Ali Sinani është një mjeshtër i cili e ndjek këtë shteg të qenies dhe në veprën e tij paraqet një kompozicion i cili ec prej errësirës drejt dritës. Vija jetësore  e tij i ka imponuar që ta përjetojë errësirën e kaosit shoqëror në vendlindje dhe më pas ajo të fillojë dalëngadalë të përfitojë në dritë kur është transferuar në Zvicër. Sfondi ideor si dhe koloriti i tij në realitet janë një mimezis i kësaj ndjenje, që vërehet, se e ka brengosur goxha atë. Ai, si edhe shumë piktorë të tjerë të njohur, përpiqet ta paraqesë në pëlhurë atë që nuk arrihet dot të përfaqësohet në sistemin shoqëror në vendlindjen e tij. Në realitet ai përmes pikturës së tij bën një avangardë dhe ka dëshirë që të kërcejë andej gardhit.

Jeta për të  fillon në një trajtë ekstremisht realiste, me vend dhe orë të saktë dhe ky realizëm i sforcuar e bën të mundshme ekspresionin si pasojë e brengës për paaritshmërinë  e realitetit. Ekspresioni depërton në veprën e tij për të treguar se e vërteta nuk është vetëm  imagjinatë. Kjo kështu pasi e kaluara ka depërtuar në artistin që nga momenti i shkeljes në hapësirën me rërë shkretinore të Wagnerit. Arsyeja atë e përqafon dhe ata përzihen si dy ujra të ndryshëm por të bashkuar në një shtrat.

Eskpresionizmi i Ali Sinanit herë herë i transformuar edhe në abstrakcion, në realitet, është vetëm një pjesë e botës që kundërshton t’i nënshtrohet ligjeve të logjikës. Ajo që ne pa menduar shumë e konsiderojmë si joekzistuese, pikërisht, është këtu, por mjaftueshëm diskrete sa të mosh e shohim.  Ka momente kur Sinani është i detyruar të përballet edhe me tragjedi të njëpasnjëshme. Atëherë kur tragjedia ndodh për herë të parë e konsideorn atë si ngjarje. Ndërsa kur përsëritet për së dyti, për së treti atëherë shndërrohet në simbol. Tragjedia që është simbol e ngërthen përsëritjen. Tragjedia dhe rituali e plotësojnë njëri tjetrin, pasi edhe rituali nuk mund të ekzistojë pa përsëritje. Sfondi artistik i tij  është hapësirë kur spiralja historike shndërrohet në spirale të prodhimit.

Në këtë kontekst ai gjithnjë është në dilemë se a do të kishte patur mundësi të bëjë diçka më tepër. Impresionohet nga mundësia për të bërë më tepër dhe jo gjithherë e kënaq komplimenti. Ai shumë më tepër është lexues i artit të jetës se sa prezantues i tij në pëlhurë. Pikërisht për këtë edhe hapësira artistike e tij  paraqitet si ambient në të cilin njerëzit bisedojnë ndërmjet veti për ta kuptuar esencën e qenies dhe jo për t’u konfrontuar.  Në momentin kur fillohet me konfrontimet atëherë bllokohet shpirti. Kjo më së miri shprehet në ngjyrat dhe vijat e tërhequra nga ana e autorit. Lëvizja mjeshtërore e brushës në krijimin e konceptit abstrakt ekspresionist përngjason me harmoninë e lëvizjes së trupave qiellorë. Ajo/ata janë të lira por lirinë e përjetojnë brenda rendit dhe rregullit të jetës . Ndërsa, nga ana tjetër, kaosi është aluzion për varfërinë kuptimore.

Ndoshta problemi kryesor i Aliut si edhe shumë piktorëve bashkëkohorë është se fenomeni i veprës artistike,  siç thotë Valter Benjamin, në epokën bashkëkohore, për shkak të teknikës së reprodukcionit, do të gjejë strehimin vetëm nën krahët e interpretimeve estetike të modernizmit. Teoria e çbërthamizimit të artit bashkëkohorë, në realitet, e regjistron çastin kur vepra artistike  e humb bërthamën  e saj, më drejtë atributet e mospërsëritjes dhe origjinilatitetit dhe në këtë mënyrë transferohet në “tjetërsinë teknike”, rrjedhimisht në medium të reprodukimit masiv. Por ama teknika nuk mund ta lozë rolin e mediatorit në çështjen e përgjegjësisë, që në realitet ka qenë imanente për veprën artistike në ndërtimin e bërthamës etike-estetike. Me këtë vepra artistike profanizohet dhe teknika e loz rolin e bartësit të këtij transmisioni të sferës së përgjegjësisë, por asnjëherë nuk përgjigjet për të. Për pasojë, arti duhet të na jep të dimë se ka mjete të sofistikuara përmes të cilave mund të problematizohet çështja e përgjegjësisë.

Aliu në punimet e tij është përqëndruar në ngjyrën e kaltër që është në përpjesshmëri të drejtë kuptimore me format e përdorura në pëlhurë. E kaltërta është ngjyrë e seriozitetit, ajo e simbolizon besnikërinë, urtinë, inteligjencën, të vërtetën,  qetësinë. Herë pas here në pikturat në plan të parë del edhe e kuqërremta, që e bashkon energjinë e të kuqes dhe fatin e të verdhës. Është në raport të ngushtë me gëzimin dhe diellin. E kuqërremta e errët, siç është në disa nga pikturat e Ali Sinanit, është shfaqje e brengës, për shkak të pabesisë, që në këtë rast e shpreh përmasën ekspresioniste në pikturat e autorit. Ngjyra  e bardhë lë përshtypje të çiltërsisë dhe urtisë  iluministe.

Në të vërtetë, piktori , nuk e kërkon këtë lloj të thjeshtëzimit. Tendenca e tij është që t`i sheh gjërat si dhe gjithë botën pa i adaptuar ata në perspektivat përfundimtare, pra, as në atë të subjektivizmit e as në atë të objektivizmit. Kjo është ajo që përbën vizionin  artistik të tij.

                                                                                                            Metin Izeti