METIN IZETI

ABSTRAGIMI DHE SFONDI ESTETIK I ARTIT ISLAMIK

Arti islamik në tërësi , ndërsa trajtësimi i hapësirës sakrale në veçanti është bazuar në parime kuptimore përmbajtësore të deduktuara nga Fjala e shpallur. Thellësia e diskursit hyjnor ka ndikuar shpesh që arti Islam sfondin e vet estetik ta bazojë në abstragimin me qëllim që të thotë sa më shumë dhe assesi mos të thotë asgjë.

“ Përmes abstragimit përpiqemi ta përvetësojmë  dhe t’ia nxjerrim skeletin gjeometrisë së gjithësisë”, thotë Sezai Karakoç në lidhje me konceptin artistik të Islamit. Artisti musliman, në sfondin e veprave të tij që duken përpiqet ta gjejë realitetin dinamik të padukshëm  dhe në asnjë mënyrë nuk mjaftohet me informatat e botës së dukshme. Me fjalë tjera, ai orvatet të zbresë në origjinën, gjenezën, rrënjën e gjërave. Ai e kërkon udhërrëfyesin e qartë, ndoshta edhe vetëm për veten, i cili do ta drejtojë anijen e shpëtimit të brendshëm të tij. Ai është në gjendje të thellohet edhe në avanturën ekzistenciale ose histoirnë kuptimore  të një gjethi të vyshkur. Ky gjeth në pranverën e ardhshme ndoshta nuk do të ekzistojë fizikisht si i njëjtë, por ama, ai e ka rrokur shpirtin abstrakt i cili e bën që të jetë i gjallë dhe ta sjellë pranverën. Lënda e tërhequr prej rrjedhës së kohës, në estetikën islame, është platformizuar në sfondin e pakohësisë. Si rrjedhojë, realiteti i kohës absolute është sendërtuar, qoftë edhe pjesërisht, në ekzistencën e gjethit në këtë rast.

Historia e artit, si shkencë moderne, pashmangshëm i qaset artit Islamik në dimensionin e pastër analitik (si të gjitha shkencave), me anë të analizës dhe reduktimit në rrethanat historike. Çfarëdo qoftë pakohësia , në art (ndërsa arti i shenjtë si ai Islamik përmban gjithherë elemente pakohësie) do të mbetet jashtë një metode të tillë. Një objekt mund ta bëjë me dije se gjithë arti është i komponuar nga format, dhe përshkak se format janë të kufizuara, atëherë domosdoshmërisht bëhen subjekt i kohës; siç edhe rriten, zhvillohen, prishen e vdesin gjitha fenomenet historike; edhe shkenca e artit domosdoshmërisht është shkencë historike. Por kjo është vetëm gjysma e së vërtetës: forma, si e kufizuar dhe rrjedhimish subjekt i kohës, mund të bartë edhe diç të pakohësisë dhe kësisoj u ik kushteve historike, jo vetëm në origjinën e tij (e cila pjesërisht i takon dimenzionit shpirtëror) por, të paktën,  edhe në rruajtjen e saj (konzervimin e saj), sepse ajo është në lidhje me kuptimin e pakohë të tyren që format e caktuara e kanë rruajtur përkundër gjith ndryshimeve materiale dhe psiqike në epokë;  pra ,tradita është pikërisht kjo.

Si pasojë, artistët musliman e kanë patur shumë të vështirë që teomonizmin ontologjik (tevhid) ta prezantojnë përmes elementeve të shumëshmërisë. Pikërisht për këtë edhe esenca e tij ka qenë e përqëndruar në realitetin njësues në sfondin e formës. Ontologjia e teomonizmit e ngërthen në vete pesë përmasa themelore të qenies: Përmasën e Individualitetit hyjnor (dhat), përmasën e Atributeve dhe Emrave hyjnorë (Esma dhe Sifat), përmasën e veprimit dhe hyjnitetit (rububijje), përmasën e Formave dhe Imagjinatës ( hijal dhe mithal) si dhe përmasën e lëndores (mushahede). Ata përmes botës lëndore, të dukshme i kanë konceptuar shfaqjet e emrave dhe atributeve të bukura të Zotit. Kësisoj, “lënda asnjëherë nuk ka qenë e zhveshur nga përmbajtja shpirtërore, ndërsa shpirti në asnjë mënyrë nuk ka qenur vetëm antonim abstrakt i realitetit lëndor”. Teomonizmi, në estetikën islame, është përfaqësuar me njësimin dhe ndryshimin.  Me njësimin ai ka qenë sintezë e të gjitha pjesëve dhe  shumëshmërisë në natyrë. Ndërsa përmes ndryshimit e ka paraqitur identitetin e veçantë të çdo qenieje të shfaqur në kontekstin kohor dhe hapësnor. Si rrjedhojë, çdo pjesë e veçantë perceptohet si e zhytur në të përhershmen dhe në asnjë mënyrë si autonome në relacion me të Vërtetën absolute.

Abstragimi, gjithashtu, ka qenë tejet i preferuar në artin islam për shkak të parimit metafizik të transcedencës së Zotit. Parimi se Zoti nuk është i ngjashëm me asgjë e ka nxjerrur në pah fenomenin e zbrazëtisë. Fenomeni i zbrazëtisë ka domethënie metafizike dhe antropologjike në estetikën dhe artin Islam. Nga aspekti metafizik, siç thotë edhe Nasri, zbrazëtira, madje edhe në xhamitë me dekorime më të spikatura, e paraqet të padukshmen, të pashfaqurën, realitetin që mungon, që në mësimet slame është i emërtuar si gajb. Ndërsa, nga ana tjetër, zbrazëtia është aluzion për varfërinë kuptimore. Pikërisht për këtë zbrazëtia e ka domethënien më të thellë në estetikën islame. Ajo e tërheq kujdesin dhe vëmendjen e njeriut drejt të Padukshmes, tejfizikes.Arti Islamik, faktikisht, krijon një qetësi, i eliminon të gjitha turbullirat dhe pretendimet pasionante të botës duke ndërtuar në vend të tyre një rend të shprehjes së ekuilibrit, qetësisë dhe paqes. Kësisoj, shpejtazi kuptohet se sa është qendrore pozita e Arkitekturës në Islam. Meqë Pejgamberi a.s. ka thënë se Zoti i Madhërishëm e ka bekuar ummetin e Tij duke ia bërë tërë sipërfaqen tokësore si vend lutjeje, atëherë është pikërisht arkitektura e cila nëpër regjionet popullore do të re-establishon kushtet e pastërtisë dhe do ta rahaton këtë vend të bekuar për lutje. Derisa  bukuria e virgjër natyrës, e cila është vulë e dorës Hyjnore, nga ana tjetër e realizuar nga  arkitektura,është  e aftërt me intelegjencën njerëzore dhe si e tillë më e kufizuar, por deri diku jo dhe aq e lirë nga rregulla arbitrare e pasionit invidiual.

Gjenialiteti i mendimit abstrakt në estetikën islame  i frymëzuar nga lidhshmëria komplekse e brendshme midis njëshmërisë dhe shumëshmërisë është shfaqur në hapësirën artistike përmes gjeometrizmit. Si rrjedhojë, me plotë të drejtë do të konstatojë Titus Bruckhardt se arti islam ka trajtë abstrakte dhe jo mitologjike. Kjo çështje shprehet qartë në figurat gjeometrike karakteristike në arabeskën dhe të cilat janë të mbuluara me velën e gjithëanshmërisë absolute. Përmes përkufizimit gjeometrik hapësira she sfondi në estetikën islame integrohet shpirtërisht në parimin e njëshmërisë dhe përfaqësohet si arketip i harmonisë dhe eternalitetit.

Këtu mund të vërehet se një konceptim i tillë mundësisht është shumë i larguar nga gjitha teoritë e artit modern dhe profan, si psh nga ai i “ art për hirë të artit” i cili në thelb sikur do  të thotë se arti mund të jetë art vetëm atëherë kur ai nuk ka kuptim, ose  nga arti “moralizues” i cili nga pikpamja e njohjes (gnozës) me sa duket është pa vlera të mëdha. Arti islam , padyshim nuk është lojë për të përdorur ndonjë shprehje të ëmbël ose të hijshme për t’i bindur psikologët, madje as  mjet që dikujt t’i shkaktojë një lloj satisfakcioni  special, të kualifikuar si “superior”,  ndonëse askush në fakt nuk e di pse, që posa bëhet çështje kënaqsie, çdo gjë nis e reduktohet në preferenca pastër individuale, për rreth së cilës, logjikisht, nuk mund të vendoset asnjë hierarki. Veç kësaj, as që është një deklamim sentimental dhe filoristik, për të cilën gjuha e rëndomtë padyshim është më tepër se sa e mjaftueshme pa mos qenë nevoja e riklasifikimit të formave në më pak apo më shumë misterioze ose enigmatike, ku në çdo rast format, nga largësia, më shumë mund të komplikojnë se sa mund të shprehin atë që kanë për të thënë. Kjo na jep ne një shansë që kalimthi të rikujtojmë – që dikush të mos insistojë aq tepër në këto gjëra – kotësitë e përsosura të interpretimeve mbi moralin ku popuj të caktuar synojnë t’ia mveshin  simbolizmit, përfshirë dhe simbolizmin iniciatik, plotësisht të dukshëm.

Parimi kozmik i regullit hierarkik të realitetit i përfaqësuar në strukturën e, pothuajse të gjitha objekteve në arkitekturën islame por edhe në dekorimin e brendshëm të tyre, estetikës islame e paraqet lidhshmërinë organike të të gjitha platformave të ekzistencës. Kubja në arkitekturën islame aludon në Njëshin, në Zotin si burim parësor i të gjitha qenieve, ndërsa rripi tetëkëndësh mbi të cilin, zakonisht, qëndron kubja, është simbol i botës engjëllore, baza katërkëndëshe është metaforë e tokës dhe botës lëndore. Në xhami, besimtari asnjëherë nuk është vetëm një vizitor i thjeshtë; ai është pra thuaja si në shtëpi, jo në sensin e zakonshëm të fjalës: kur ai veçmë ka pastruar vehten me anë të abdestit, kësisoj bëhet i lirë nga ndryshimet eventuale ku më pas citon fjalët e shpallura të Kuranit, simbolikisht ai i kthehet `gjendjes` Ademike, në të cilën ai e sheh veten në  qendrën e botës. Sipas kësaj që u tha, gjith arkitektët muslimanë përpiqen të krijojnë një hapësirë plotësish të qetë në vetvete, dhe të dukshme ku në secilën `pozitë` të saj të duket tërësia e kualitetit hapësinor. Në asnjërën nga këto enteriere nuk ndjejmë joshje ndaj çfarëdo drejtimi të caktuar, qoftë para qoftë lart; as që jemi të shtypur nga limitet hapësinore. Pra, arkitektura e xhamisë përjashton të gjitha tensionet dhe çregullimet  mes Qiellit e Tokës.

Estetika islame nuk është e bazuar në koncept antropomorf. Edhe Natyra ngjashëm si edhe njeriu e paraqet hapësirën ose sfondin ku shfaqen emrat dhe atributet e Zotit. Si rrjedhojë edhe vepra artistike është e zhytur në natyrën primordiale. Kjo në aspekt estetik do të thotë integrim i veprës artistike me natyrën.  Arkitektura sakrale e Islamit, do të thotë Sejjid Husein Nasr, par exellence është xhamia e cila e paraqet rikrijimin dhe rikapitulimin e harmonisë, rregullit dhe qetësisë në natyrë, e cila është përkufizuar si përkushtim i përjetshëm ndaj Krijuesit.Kësisoj, vepra artistike  është vazhdimësi e natyrës në trajtë të Librit të hapur të Zotit në të cilën shfaqen shenjat e Tij. Me anë të përjashtimit të gjitha imazheve antropomorfike, së paku në zonën religjioze, arti Islamik i ndihmon njeriut të jetë `vetja e tërë`; në vend të projektimit të shpirtit të tij në të jashtmen e tij, ai tani ndodhet në qendrën ontologjike, ku tanimë është përfaqësuesi (halife) dhe robi (abd) i dinjitetit primordial; së këndejmi ai menjanon gjithcka që do të mund të quhej `idhul`, bile edhe në nivelin fare relativ; pra, asgjë nuk do të qëndron në mes njeriut dhe Prezencës së padukshme të Zotit.

Roli simbolik i imazhit nuk është në vete i paarsyeshëm për  muslimanët kontemplativ, meqë në bindje të ligjit Kuranor, ata gjithmonë do të refuzojnë përdorimin e imazheve sakrale, me këtë duke i dhënë përparësi tenzih-it (abstragimit) mbi teshbih-in (përngjasimin). E para nga këto dy `aspekte`, pra ajo e inkomparabilitetit hyjnor ose transcedencës hyjnore, absorbon karakterin teomorfik të njeriut. Në fakt, shtatë kualitetet univerzale që përbëjnë `formën` hyjnore të Pejgamberit  Adem, pra: jeta, dituria, dëshira, fuqia, të dëgjuarit, të pamurit dhe të folurit, i largohen gjith reprezentimeve vizuale; imazhi nuk ka jetë e as dituri, as fuqi e as asnjërën nga këto kualitete; pra e redukton njeriun në kufijtë e tij trupor . Ndonëse njeriu është i kufizuar, prap së prap këto shtatë kualitete janë mbajtësit  potencial të Prezencës Hyjnjore, ku sipas një hadithi kudsi thuhet: `…Ai do të dëgjojë me anë të dëgjuarit Tim, dhe do të sheh me anë të pamurit Tim…`. Ka dicka në njeriun që në sensin logjik nuk mund të shpjegohet; Kurani thotë: `Ne i ofruam amanetin qiejve, tokës e maleve, por ata refuzuan të mbajnë atë dhe u friguan nga ai. Dhe njeriu e pranoi` (Kuran 33:72). Ky amanet është vetëm potencial në çdo njeri: ndërsa tek njerëzit e përkryer si: Te të Dërguarit, është funksionale, tek to, madje, derdhet nga e brendshmja në të jashtmen duke shpërlarë shkumën në tërë aparencën trupore të tyre. Duke u friguar që njeriu të mos nënvlerësoj këtë amanet, arti Islamik gjithmonë druhet nga pikturimi i të dërguarve dhe evliave.

Ndriçimi fizik dhe kontemplativ i veprës artistike, gjithashtu, është një nga parimet themelore të abstragimit në estetikën islame. Mësimet filozofike islame për dritën kanë ndikuar dukshëm edhe në trajtësimin e veprave artistike në mesin e muslimanëve.Në këtë trajtë soditësi në estetikën islame është përqëndruar në përjetimin metafizik të identitetit absolut të Zotit, që është konsideruar si Dritëdhënës dhe Reflektues në objektin artistik. Si rrjedhojë e kësaj objektet fetare islame janë të ndriçuara fortë, ndërsa ata krishtere janë më të errëta. Drita gjithashtu ka qenë shtytëse e shndritjes së ngjyrave. Estetika islame në këtë aspekt tregon anim të fortë në përmasat intuitive të realitetit. Përjetimi i proporcioneve dalëngadalë fillon të bartet në thellësinë e ngjyrave dhe të përjetohet në realitetin e dritës. Soditësi e përjeton katarzën e depërtimit në thellësitë e shumëngjyrësisë për ta rrokur pangjyrësinë e dritës. Si rrjedhojë, drita në hapësirë e ka mundësuar masën dhe simetrinë dhe i ka krijuar qendrat e veta hije  për të relativizuar esencialitetin e objektit me qëllim të vetëm të absolutizimit të Subjektit, në këtë rast, Zotit.

Sfondi estetik i artit në Islam, parimisht deduktohet nga teomonizmi/ tevhidi, pra nga miratimi ose kontemplimi i Njëshmërisë Hyjnore. Esenca e teomonizmit është përtej shprehjes me fjalë; por e shpall veten me vezullime të befasishme dhe diskontinuitive. Duke goditur rafshin e imagjinatës vizuale,  këta vezullime ngurtësohen në forma të kristalta, dhe mu këto janë ato forma që në kthesë të tyre konstituojnë esencën e artit Islamik.