MUVAKKITHANET NË PERIUDHËN OSMANE

D-r Metin IZETI

Fakulteti i Shkencave Islame- Shkup

“Ai është që krijoi yjet për ju, që me ta të orientoheni në errësira kur jeni në tokë ose në det. Vërtet Ne i shpjeguam argumentet tona për një popull që di të mendojë” (En’am, 6:97).

“ Edhe hënës i kemi caktuar fazat (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harkut” ( Jasin, 36:39).

“ Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes… për një popull që ka mend ka argumente” ( Bekare, 2:164).

“ Ai është që e krijoi natën e ditën, diellin e hënën dhe secili prej tyre noton në orbitë” ( Enbija, 21: 32).

“ Kur dielli të jetë mbështjellur, Dhe kur yjet të kenë rënë, Dhe kur kodrat të kenë udhëtuar” ( Tekvir, 81:1-3).

Këto dhe ajetet e ngjashme  të Kur’anit të lartë përbëjnë fondin kuranor të shpalljes në lidhje me qiejt dhe dukuritë qiellore. Ardhja e shpalljes kuranore dhe pejgamberit a.s. në këtë periudhë të jetës së njerëzimit nuk e ka vetëm dimensionin e udhëzimit të atyre që kanë devijuar por edhe kthimin e njerëzimit në traditën primordiale të fesë (ed-din el-hanif). Ky realitet themelor shprehjen e vete e gjenë në shumë ajete të “Librit të gjithësisë” në Kur’anin e lartë, ose thënë ndryshe simbolizon kthimin në shpalljen primordiale e cila nuk është asgjë tjetër pos gjithësisë virgjine.[1]Pikërisht për këtë edhe muslimanët gjithësinë e kanë emërtuar si “ Kur’an Tekvini” ndërsa Kur’anin si “ Kur’an Tedvini”.[2]

Numri i madh i ajeteve kuranore të cilat e diskutojnë çështjen e gjithësisë dhe interesimi pragmatik i arabëve për yjet, nëpërmjet të cilëve orientoheshin në shkretëtirë, ka ndikuar që prej ditëve të para muslimanët të interesohen për astronominë. Astronomia si shkencë zuri vend të rëndësishëm në mesin e shkencave intelektuale (aklijje) por e mbështetur edhe nga ato tradicionale (naklijje). Nuk ka dyshim se format e ibadetit dhe dimensionet kozmike të pesë kohëve të namazit kanë ndikuar në zhvillimin  dhe interesimin për këtë shkencë në mesin e muslimanëve. Kohët e namazit është dashur të llogariten nga ana e të gjithë muslimanëve duke marrë parasysh edhe vendbanimet e tyre. Krahas kësaj muslimanët e viseve jashtë Mekkës është dashur që të caktojnë edhe anën e kthimit drejtë Mekkës, kiblen.[3]

Nevoja praktike fetare ka ndikuar që astronomia të bëhet prej fushave më të studjuara nga ana e dijetarëve muslimanë, të cilët pas vetes kanë lënë një trashëgimi shumë të madhe letrare.[4]

Si çdo shkencë tjetër ashtu edhe astronomia ka vazhduar proçesin e zhvillimit të vet edhe në periudhën osmane si një prej periudhave më të ndritshme të historisë islame. Përveç fushave tjera astronomike theks i posaçëm i është kushtuar caktimit të kohëve të namazeve . Pothuajse në të gjitha xhamitë e mëdha në shtetin Osman ka pasur dhoma të posaçme në të cilat është hulumtuar dhe caktuar koha e namazeve. Këto dhoma janë të emërtuara si muvakkithane.

Nga aspekti gjuhësor muvakkit  d.t.th. person i cili e cakton kohën, ndërsa në terminologji emërtohet personi i cili kujdeset për rregullimn e mjeteve dhe orëve të cilët përdoren për caktimin e kohëve të namazeve.[5] Ndërsa muvakkithane quhen dhomat ku kanë punuar muvakkitët. Muvakkithanet përbëhen prej një ose dy dhomave të cilat gjinden brenda kompleksit të shumë xhamive të mëdha të periudhës osmane. Njëkohësisht ata paraqesin edhe një shembull unikat të ndërtesave të këtij lloji në historikun arkitekturës sakrale islame.[6]

 Edhepse hasen edhe në periudhën paraemevite muvakkithanet janë institucionalizuar në periudhën emevite edhe atë me ndërtimin e muvakkithanes në xhaminë Emevijje në Damask.[7] Pas çlirimit të Stambollit në vitin 1470 në oborrin e xhamisë së Fatihut është ndërtuar muvakkithaneja e parë në Stamboll. Më pas të ngjashme janë ndërtuar edhe në xhamitë tjera të mëdha të Stambollit dhe të perandorisë dhe shekuj me rradhë kanë ushtruar funkcionin e tyre.Në këto dhoma kanë vepruar shumë muvekkitë dhe përveç caktimit të kohëve të namazit popullatës i kanë mbajtur ligjërata në matematikë, astronomi, astrologji si dhe kanë dhënë instrukcione për përpilimin e takvimëve.[8]

Evlija Çelebiu thotë se muvakkithaneja e xhamisë së Bajezidit në Stamboll ka qenë një prej vendorientimeve më precize për detarët evropianë, pikërisht për këtë edhe muvakkiti i kësaj muvakkithaneje është zgjedhur prej më të mirëve dhe ka patur rrogën më të madhe se tjerët.[9]

Një muvakkithane tjetër me rëndësi e cila ka qenë me emër në periudhën osmane është muvakkithaneja e xhamisë Shehzade në Stamboll. Në këtë muvakkithane kanë punuar shumë muvakkitë të famshëm të periudhës osmane, në mesin e të cilëve dallohen, Mustafa b. Ali el-Muvakkit (v.1571), Husein Hilmi Efendiu (v.1924)etj. Në vakufnamen e xhamisë  Sulejmanije të ndërtuar nga ana e Sultan Sulejman  Kanuniut në lidhje me muvakkitin thuhet që ai duhet të njohë mirë astronominë, duhet t’i informojë muezzinët për kohët e ezanëve,në namazet e xhumasë dhe të bajrameve duhet të jetë në mahfil së bashku me muezzinët dhe do të paguhet 10 akça në ditë.[10] Përveç Stambollit muvakkithane ka edhe në xhamitë tjera më të mëdha të shtetit osman si në Edirne, Filibe (Plovdiv), Beograd , Selanik, Manastir, Sarajevë etj.[11] Është fakt i pamohueshëm se tradita e ndërtimit të muvakkithaneve është bartur edhe në viset ballkanike , gjegjësisht në viset tona. Mirëpo mosstudjimi i mjaftueshëm i dokumenteve arkivore në lidhje me institucionet, personalitetet dhe ndodhitë që kanë të bëjnë me viset tona në periudhën osmane  ka bërë që të ngelin nën pluhurin e mosnjohjes edhe muvakkitët si edhe shumë personalitete të lëmive tjera . Por disa dimensione të caktimit të kohëve të namazit nëpërmjet të dërrasave në formë të rrethit, gjegjësisht orëve të diellit, të cilat janë përdorur nga ana e muvakkitëve, janë përdorur deri vonë nga hoxhallarët e viseve tona..

Obligimet e Muvakkitëve  

Obligimi kryesor i muvakkitëve ka qenë që nëpërmjet të mjeteve të ndryshme të cilat kanë ekzistuar në periudhën e e veprimit të tyre, si orët e ujit, të rrërës, të diellit etj., të caktojnë kohët e namazit. Me paraqitjen e orëve mekanike pak është lehtësuar puna e muvakkitëve dhe shummica e tyre më ka filluar të merret me rregullimin e orëve. Pikërisht për këtë muvakkiti ka qenë i domosdoshëm të dijë astronominë, matematikën si dhe ilmu’l- mikatin ( shkenca që merret me caktimin e kohëve të namazit).
Muvakkitët në muvakkithanet kanë mbajtur edhe ligjërata  në astronomi, astrologji dhe kanë dhënë orientime teorike e praktike për përpilimin e takvimëve.[12] Në këto ligjërata nxënësve u është mësuar edhe mjeshtëria e bërjes së orëve mekanike dhe orëve të diellit të cilat kanë shërbyer si mjete të dorës së parë për përcaktimin e kohëve të namazit. Varësisht nga përgaditja e muvakkitit disa prej muvakkithaneve kanë shërbyer edhe si observatoriume të vogla , observimet e të cilëve kanë dhënur edhe rezultate efikase. Disa muvakkitë që e kanë njohur mirë astronominë kanë shkruar vepra astronomike, kanë bërë mjete për vrojtime astronomike si dhe kanë përgaditur takvime vjetore.[13]

 Muvakkiti vendosej në detyrë pasi që të jep provimin para kryeastronomit të shtetit (munexhxhimbashi). Kushtet që kërkoheshin prej muvakkitit kanë qenë të prezentuara në hollësi në vakufnamet e xhamive të mëdha.. Ndër të tjerat prej tyre kërkohej që:

1. Të njohë mirë ilmu’l-mikatin, që d.t.th. të dijë mirë kohët e namazeve.

2. Të njohë mirë shkallët e ngritjes së diellit (irtifa) dhe të dijë të përdorë mjetet që shërbejnë për matjen e tij ( rubu, rrethi i drunjtë ose usturlabi).

3. Të rregullojë dhe kontrollojë orët e muvakkithanes.

4. Ta informojë muezzinin për kohët e namazit[14]

Me përhapjen e orëve mekanike, posaçërisht me ndërtimin saat kullave në periudhën e Sulltan Abdulhamitit të II  ka filluar që të pakësohet ineteresimi për detyrën e muvakkitit. Por vende vende muvakkitët kanë vazhduar të kryejnë obligimin e tyre. Në Turqi zyrtarisht funkcioni i muvakkitit është ndërprerë në 20 Shtator të vitit 1952.[15]

Disa muvakkitë të dalluar të periudhës osmane

Siç u tha edhe më lartë, në shumë vise të shtetit osman ka patur muvakkitë dhe muvakkithane, mirëpo ne këtu do të përmendim vetëm disa më të famshëm:

1. Mustafa b. Ali el-Muvakkit.- Është një prej muvakkitëve më të famshëm të Stambollit. Pasi që në rini ka marrë mësimet e duhura në lëminë e astronomisë është emruar për muvakkit në xhaminë e Javuz Sulltan Selimit. Shumicën e veprave të tija i ka shkruar gjatë shërbimit në këtë vend. Më pas kah viti 1560 është emruar për kryeastronom të shtetit, ku ka qëndruar deri në vdekje. Ka shkruar shumë vepra në fushën e astronomisë dhe gjeografisë. Në veçanti shquhen veprat e tij për bërjen e mjeteve për vrojtime astronomike. Ai ka çpikur edhe një mjet astronomik i cili quhet “rub-i afaki”.

Veprat:  Ferah-feza, Hallu daireti muaddili’n-nehar, I’lamu’l ibad fi alami’l-bilad, Kifajetu’l-kanu fi’l-ameli bi’r-rubi’sh-shimali’l-maktu, Teshilu’l-mikat, Tertib-i Teshilu’l-mikat etj.[16]

2. Mehmed Çelebi.- Ka lindur në fund të shekullit të XVI në Stamboll. Pas të tridhjetave ka filluar të interesohet për shkencat astronomike dhe në fillim ka shërbyer si muvakkit në xhaminë Shehzade e më pas si kryeastronom i shtetit. Thuhet që përveç arabishtes dhe persishtes ka ditur edhe disa gjuhë perëndimore. Falë tyre e ka shfrytëzuar edhe literaturën astronomike perëndimore dhe ka shkruar një vepër origjinale mjaftë të rëndësishme në lëminë e astronomisë që quhet Ahkam-i Sal-i Alem [17]

3. Munexhxhimek Mehmed b. Ahmed.- Është lindur në Stamboll ky e dhe ka marrë mësimet në astronomi dhe matematikë. Është emruar për muvakkit në xhaminë e Fatihut . Në vitin 1645 është bërë kryeastronom dhe në këtë post ka qëndruar deri në vdekje.

Veprat: Mexhmu’a-i ahkam-i tali’-i sal, Takvim-i nuxhum hesabi, elMekaletu’s-salise fi resm-i alat-i zillijje, Tavzihu’l-alat fil besait vel kainat etj.[18]

4.Husein Hilmi Efendiu.- Është lindur në Karlovë të Bullgarisë në vitin 1854. Ka kryer medresenë e Fatihut në Stamboll dhe pas kryerjes së saj ka punuar edhe si mësimdhënës, ders-i am. Mësimet astronomike i ka marrur prej Mustafa Asim Beut dhe në vitin 1853 është emruar për muvakkit të xhamisë së Sulltan Selimit. Në vitin 1893 ka botuar takvimin e parë hixhri edhe atë duke filluar prej 1. Ramazanit të vitit 1319 H. të emërtuar si Takvim-i mikat. Më vonë ka përgaditur edhe një takvim tjetër për namazet e viseve tjera jashtë Stambollit, të cilin e ka emruar Miratu’l-Evkat. Në vitin 1909 është emruar si kryeastronom dhe është personi i fundit i këtij posti. Husein Efendiu ka qenë njohës i mirë edhe i astronomisë klasike edhe asaj moderne dhe ka ligjëruar nëpër shkolla të ndryshme matematikën, astronominë, fizikën, gjeometrinë, diciplinën për përpilimin e takvimëve, ka dhënë ligjërata për orët e caktimit të kohëve të namazit etj.

Veprat: Yetmis dort senelik mizanu’t-tevarih, Takvim-i Sal 1328/1910., Zaiçe-i Sal 1333/1914-15  si dhe dy takvimet e sipërpërmendura.[19]

Rezyme

Muvakkithanet nga aspekti fetar tregojnë seriozitetin e shoqërisë muslimane dhe koncizitetin e dijetarëve musliman në caktimin e kohëve të namazit, ndërsa zhvillimi i tyre gjatë epokave të ndryshme dhe përdorimi i teknologjisë kohore tregon shpirtin ndjekës të dijetarit musliman dhe hapërimin  e  tij bashkë me zhvillimet shkencore.
Zhvillimet shkencore dhe teknologjike janë trashëgimi e përbashkët e mbarë njerëzimit. Pikërisht për këtë në çdo lëmi e posaçërisht në aspektet që ngushtë janë të lidhura me ibadetet duhet të ndjekim traditën e të parëve tanë dhe të hapërojmë me zhvillimet kohore. Për pasojë në këtë shkrim u dhanë disa shembuj të përpikshmërisë së muslimanëve në përcaktimin e kibles, kohëve të namazit ose të fillimit të muajit të Ramazanit apo bajrameve. Sot kur njerëzimi ka arritur që vite më parë të dijë se në cilën ditë , në sa ora e sa minuta do të erësohet dielli mendoj se muslimanëve nuk ju falet që të mos mund të pajtohen se kur është Ramazan ose kur është Bajram apo të bëhen diskutime të natyrës primitive për caktimin e tyre dhe të kohëve të namazit. Pasi që ky takim i yni ka edhe aspektin përmbledhës të trojeve shqiptare propozoj që të formohet një grup punues i cili do të ndjekë rrjedhat e takvimëve dhe do të mundësojë të kemi qëndrime unike në këto çështje.


[1] Schuon, Frithjof, O Transcendentnom Jedinstvu Religija, f. 45.

[2] Chittick, William, Varolmanin Boyutlari, f.62.

[3] Si pasojëe kësaj që prej periudhave të para në botën Islame është paraqitur numër i madh i astronomëve, emrat e të cilëve nuk i dijmë, si dhe astronomë si Biruniu dhe Ibn Hejsemi  të cilët kanë çpikur mjete për orientimin drejtë Bejtullahut. Më gjertësisht shiko:  Nasr, Sejjid Husein, Islam ve Ilim, f. 93.

[4] Astronomia në traditën shkencore islame është emërtuar si ilm-el-hejeh, ilm en-nuxhum ose ilm el-felek

[5] Pakalin, M. Zeki, Tarih Deyimleri ve Terimleri Sozlugu, II, 587.

[6] Parmaksiyoglu, I, “Muvakkit”, Turk Ansiklopedisi, XXV/6

[7] Ibn Shatiri (1304/1375) ka qenë një prej muvakkitëve të xhamisë emevite. A. Sayili, The Observatory in Islam, f.245.

[8] Ayduz, Salim, “Osmanli Devletinde Muneccimbasilik”, Osmanli Bilimi Arastirmalari I, Istanbul 1996, f.61.

[9] Evlija Çelebi, Seyahatname, Istanbul 1314, f.144-5Muvakkiti i parë i xhamisë së Bajezidit ka qenë një person me emër  Muhjiddini Arabi. Në vitin 1508 Muhjiddini ka shkruar një trakt (risale) në lidhje me astronominë dhe ia ka prezentuar Sulltanit, i cili e ka shpërblyer me 3000 akça. Krahas kësaj serioziteti i këtij obligimi shihet edhe në atë se muvakkitët e xhamive të mëdha janë të vendosur me vendime të posaçme. Shiko: Meriç, Rifki Melul, “Bayezid Camii Mimari, II. Sultan Bayezid Devri Mimarlari ile Bazi Binalari, Yillik Arastirmalar Dergisi, 2 (1957, f.20.

[10] Në origjinal thuhet kështu: “ Ve bir kimesne dahi amel-i saat ve mevakit-i salat-i mekadir-i sheb-i ruz ve nuzul u uruxh-i sejjarat-i seb ve menazil-i biruxh ve dekajik-i duruxh-u mesir-i afitab ve izdijad-i intikas-i mahtab ve sajir ilm-i nuxhuma muteallik kullijat –i xhuzijjat-i maarife vakif ve arif ve taviliu’lba ve kesiru’l-ittila bir kimesne muvakkit olup evkat-i eyani muezzinlere tajin edip tenbih ejleje ve ejjam-i xhumuat u ajadda huffaz ve muezzinler ile bile mahfile hazir ola vazife-i jevmijesi on akça ola”. Suleymaniye Vakfiyesi, përg. K.E.K Kurkçuoglu, Ankara 1962, f.34

[11] Gokbilgin, M.T.,  XV-XVI. Asirlarda Edirne ve Pasa Livasi, Vakiflar- Mulkler- Mukataalar, Istanbul 1952, Vakfiyeler kismi, f.5

[12] Unver, S. , Osmanli Turkleri Ilim Tarihinde Turkler, f.228.

[13] Po aty, f. 237.

[14] Po aty 254-255.

[15] Po aty, f.225.

[16] Kazancigil, A., Osmanlilarda Bilim ve Teknoloji, Osmanli Ansiklopedisi, VII,143.

[17] Bursali, M.T., Osmanli Muellifleri III,301.

[18] Evlija Çelebi, Seyahatname, II, 148.

[19] O. N. Ergin, Turk Mearif Tarihi, I/191.