Periudha klasike e estetikës ka përfunduar, por ka përfunduar edhe postmoderna. Një periudhë që e futi në dyshim çdo gjë që e kundërshtonte shpirtin e saj shkatërrues dhe prej pluhurit të saj nuk është duke mbirë asgjë edhe sot e kësaj dite. Duhet kohë që hiri të grumbullohet në të kundërtën e vet dhe ta lindë atë që e ka lindur atë në fillim.
Shkruan: Metin IZETI, Tetovë
Qëllimi i filozofisë së artit nuk qëndron në kërkimin e recetave për artistët, por në përpjekjen për të sqaruar se çfarë është e bukur në përgjithësi dhe si tregohet në veprat ekzistuese të artit, kështu që një filozofi e tillë e artit nuk pretendon të përshkruajë rregulla për asgjë. Mendimi e përbën natyrën e brendshme, thelbësore, të shpirtit dhe arti dhe veprat e tij janë të një natyre shpirtërore, pa marrë parasysh çfarë janë dhe përfaqësimi i tyre lidhet domosdoshmërisht me shprehjen shqisore. Kështu arti është shumë më afër shpirtit sesa natyrës joshpirtërore, sepse në art ekziston një frymë që merret me brendinë e njeriut. Sidoqoftë, veprat e artit nuk janë një koncept, por vetëm një zhvillim i një koncepti, i cili tjetërsohet në shqisore. Shpirti e njeh vetveten jo vetëm në formën e vet – në mendimin, por gjithashtu e njeh veten edhe tek tjetri – në shfaqjen e tij në sensualitet, me njohjen e së cilës ai kthehet në vetvete.
Detyra e artit është të sjellë në ndërgjegje interesat më të larta të shpirtit. Kjo është arsyeja pse arti nuk mund të jetë një larmi arbitrare e imagjinatës së pakontrolluar dhe nuk mund të endet nëpër fantazi, sepse themeli i tij shpirtëror, si burimi i tij i domosdoshëm, i siguron një mbështetje të lidhur ngushtë, krahas pashtershmërisë dhe shumëllojshmërisë së formave dhe përmbajtjes që ka. Arti vjen nga një ide absolute dhe qëllimi i tij është të përfaqësojë sensualisht absoluten. Përmbajtja e artit është një ide dhe forma e saj është një karakter ndijor. Ideja dhe karakteri ndijor janë ndryshimet që arti duhet të sjellë në unitet dhe të vendosë pajtimin e plotë midis tyre.
Dihet që sot, edhe në literaturë, ekziston një numër i jashtëzakonshëm i teorive estetike. Shpesh thuhet se ka po aq teori estetike sa ka edhe estetikë. Arti, si një disiplinë universale, është një krijim i lidhur ngushtë me arritjet e vetë artistëve në hapësirë dhe kohë, me një fjalë artisti vazhdon aty ku janë ndalur paraardhësit. Veprat e artit bëhen edhe sot, pavarësisht nga fakti se shfaqja e tyre e mëtejshme ka gjithnjë e më pak justifikim. Ai që merret me estetikë, si diçka e rëndësishme dhe kuptimplote për natyrën filozofike të artit dhe krijimit artistik, ai do të duhet ta pyesë me të drejtë veten: çfarë t’i thotë një numri në rënie të dëgjuesve për diçka që mund të mos ekzistojë më? A mund të durojë pneuma e botës kaq shumë të keqe? A mund të merremi edhe sot me artin pa qenë e keqja dhe e shëmtuara tema qendrore e bisedave tona? A mund të flasim për art pa përgjegjësi ndaj të tjerëve dhe ndaj vetvetes? A mund të pretendojmë ende në mënyrë të papërgjegjshme që të gjitha veprat artistike janë me vlerë të barabartë, që gjithçka është njësoj e mundur, që gjithçka që krijohet është art dhe kështu ta refuzojmë mundësinë e vetme që arti të qëndrojë mbi bazën e tjetërsimit të vet? Së fundi, a mund të këmbëngulim në luftën për diçka vendimtare ekzistenciale, në luftën e cila nuk është e humbur nga sot, por që nga fillimi? Gjithsesi se duhet ta bëjmë, pasi nuk kemi më gjumë të qetë.
Periudha klasike e estetikës ka përfunduar, por ka përfunduar edhe postmoderna. Një periudhë që e futi në dyshim çdo gjë që e kundërshtonte shpirtin e saj shkatërrues dhe prej pluhurit të saj nuk është duke mbirë asgjë edhe sot e kësaj dite. Duhet kohë që hiri të grumbullohet në të kundërtën e vet dhe ta lindë atë që e ka lindur atë në fillim.
Nëse njëherë do ta pranojmë mosinteresimin e pëlqimit estetik dhe idenë e autonomisë artistike, atëherë të jemi të sigurt se ata do të vlejnë dhe do të mbeten të tilla në dy shekujt e ardhshëm, kjo kështu derisa kriticizmi ultramodern të fillojë që çdo send, me kualitet estetik, ta kthejë në lidhje të ngushtë me interesin praktik.
Estetika, si një vlerë mbështjellëse e çdo akti në qenësi, si duket në dy shekujt e fundit është okupuar në masë të madhe nga kiçi i teknologjisë dhe shkencës ekzakte. Përderisa koncepti i qytetërimit diskutohet dhe polemizohet në të gjitha platformat shoqërore, estetika, për fat të keq, ia ka huazuar vendin kiçit edhe në platformat që nuk mund të ekzistojnë pa të, do të thotë edhe tradita, feja, arti e filozofia e kanë humbur dimensionin estetik të tyre. Pse?
Të flitet dhe të jetohet për të bukurën dhe estetikën dhe të krijohet koncept i qytetërimit qenësor për qenien më të bukur të krijuar, para së gjithash është bukuri në vete, por njëkohësisht është e vështirë dhe herë pas here duket edhe e pamundur. Vërtet është e vështirë të flitet për nivelet shpirtërore të njeriut, për ndjenjat e brendshme dhe kualitetet e tyre, e të mos flasim për zbatimin e tyre në relievin latitudal të përbotshëm. Do të thotë se vetë biseda për të bukurën kërkon përgatitje qenësore të subjektit për të performuar në nivelet e larta të shpirtit të njeriut, që nuk u ka ardhur për dore edhe shumicës së urtarëve gjatë historisë. Për shembull, Platoni në Dialogjet e tij e ka prezantuar bisedën e Sokratit me Hippia-n. Sokrati e pyet Hippia-n, sofistin dhe juristin e njohur të asaj kohe, për të bukurën dhe esencën e saj. Në realitet, Sokrati gjatë bisedës bën analizë kritike të përkufizimeve të ndryshme të të bukurës. Si pasojë, ai të bukurës, njëherë, i thotë bashkëveprim dhe harmoni e pjesëve të një tërësie, në një vend tjetër i thotë se e bukura është identike me dobishmërinë, aftësinë, pasionin, dashurinë, përsosjen dhe virtytin. Secila prej tyre është edhe nga elementet bazike të një koncepti të qytetërimit, i cili më vonë ka mundësi ta ndërtojë atë. Elementet e njëjta janë edhe karakteristika qenësore të Qytetit të Virtytshëm të Farabiut, të diskutuara me këtë përmasë veçanërisht në veprën e tij “Et-Tenbihilasebili’s-seadeh/Kahëzimi në rrugën e lumturisë”.
E dyta, bashkëkohësia, për fat të keq, për shkak të konceptit përjashtues dhe botëkuptimit se çdo e vjetër është demode, e kalbur dhe e prapambetur, e subjektivizoi në trajtë ideore botën dhe, si pasojë, krijoji një mendësi të “marrëzisë së parimeve të krijimit”. Fascinimi me “të renë “, e ndërpreu lidhjen dhe kontinuitetin me të kaluarën dhe ambienti jetësor e humbi autenticitetin human që, për më keq, u shndërrua në ambient animal. Konceptet bashkëkohore qytetërimore, që pandërprerë ndryshojnë edhe pse në teori tregohen si definitive (Fukujama, Huntigtoni), kanë divergjenca, dallime, kundërthënie, dyzime të shumta në kontekst të parimeve nga lëmenjtë e ndryshëm të jetës dhe kjo, në masë të madhe, është e ndikuar nga filozofia konsumeriste e paraqitjes së hëpërhëshme të së resë. Siç duket tashmë, asgjë nuk ka diçka të përbashkët me tjetrin dhe nuk e lidh botëkuptimin e njerëzve që udhëhiqen nga vullneti ekstrem individual, i cili edhe e ka marrë vendin e autoritetit të pazëvendësueshëm. Ndërkaq, analizuar nga të gjitha përkufizimet për të bukurën, ky lloj i autoritetit nuk i lejon elementet parimore të estetikës dhe të bukurës.
E treta, estetika dhe qytetërimi nuk e durojnë krizën. Ndërsa kriza dhe relativizimi i vlerave janë bërë jehonë e pashmangshme e universumit modern. Materializimi i shpirtit, nëpërmjet logjikës diskursive, i ka finalizuar, sipas vetes, pyetjet që mund të parashtrohen. Qytetërimi dhe estetika i ka të domosdoshme pyetjet, por si pasojë e tyre është e pashmangshme që të mos mbyllen mundësitë e përgjigjeve, të cilat do të kishim mundësi t’i nxjerrim nga qasjet e llojllojshme, nga dialogu midis botëvështrimeve të ndryshme, nga filozofitë, urtitë etj. Por, kjo nuk është duke ndodhur. Qytetërimi bashkëkohor, në trajtë dogmatike, i ka mbyllur mundësitë e zgjidhjes së problemit nëpërmjet botëvështrimeve të tij dhe në mënyrë autoritative ia ka mbështetur njerëzimit boëtvështrimin e individualizmit ekstrem, kapitalizmit të avancuar dhe interesit si referencë konstante.
Bota e jashtme nuk është për njeriun vetëm objekt që perceptohet vetëm nëpërmjet përvojës, por disa herë njeriu i qaset me marramendje, frikohet, e përjeton si të bukur ose ndonjëherë ka mundësi që të ketë dëshirë të ikë prej saj. Në realitet, të gjitha këto janë një lloj i përvojës; një përvojë që në brendi ngërthen kuptime, gjykime vlerore dhe komente. Njeriu është njeri së bashku me të gjitha këta përvoja, jo vetëm me eksperiencën shqisore. Për fat të keq, njeriu bashkëkohor është burgosur në lirinë fizike dhe biologjike të tij dhe është e pamundur që të ndërtojë qytetërim estetik. Ndërsa një nga përvojat më të rëndësishme që njeriun e bën njeri në këtë proces të trajtësimit është përvoja estetike. Përvoja estetike elemente bazë e ka artin, të shenjtën dhe vetminë pozitive. Pikërisht për këtë edhe nevojitet liria metafizike, do të thotë grisja e kufijve fizike të ekzistencës dhe kufizimi etik i individit si pasojë e saj.
Gjatë përvojës estetike, edhe pse njeriu nga njëra anë mbështetet në shqisat, por duke e tejkaluar atë, vetes apo objektit të përvojës së tij i përshkruan një subjektivitet të veçantë. Për rrjedhojë, përvoja estetike domosdoshmërisht është e lidhur me përvojën transcendentale ose me vetë transcendencën.
Përvoja qytetërimore, domosdoshmërish, e kërkon subjektin njeri dhe realitetin. Nëse do të flasim për një përvojë të vërtetë, atëherë gjithsesi duhet të ekzistojë pikëtakimi midis subjektit dhe realitetit. E shenjta, për ata që e besojnë, që e ndiejnë dhe emocionohen me të, e shpreh realitetin. E shenjta, jo vetëm nga aspekti i zbulesës, në fetë qiellore, por edhe në mitologji, ka qenë bazë e përjetimit të realitetit. Mitet janë rrëfime simbolike të mënyrës si i kanë kuptuar ose u kanë dhënë kuptim njerëzit botës dhe të shenjtës. E shenjta dhe shprehjet e saj janë si melodi. Ato, sa herë që performohen, lindin për së dyti dhe e ruajnë gjallërinë e tyre në trajta të ndryshme.
E tillë është edhe zbulesa e fundit hyjnore, Kur’ani. Çdo ajet i tij lind së dyti gjatë çdo leximi të ri dhe tradita e komentimit të tyre nuk është traditë e vdekur, por e gjallë, konstituive, që e ka të njëjtin tekst, por që në periudha të ndryshme e ekzalton auditorin në trajta të ndryshme, si intelektuale, ashtu edhe artistike.
Ashtu si e shenjta, edhe arti nuk i duron vetëm kufijtë e shqisave dhe të dukshmes. Ata janë melodi të përjetshmërisë dhe relacioni i subjektit me objektin tek to nuk është i ndarë, por i bashkuar. Si pasojë, ka mundësi të shprehet vetëm nëpërmjet të artit. Pikërisht për këtë edhe stili i gjuhës së Kur’anit është artistik dhe jo vetëm literal.
Nuk dua të them se arti dhe e shenjta e kanë të njëjtën natyrë, por dua të them vetëm se të dyja përvojat, si njëra dhe tjetra, janë me intensitet të lartë. Kur flitet për të shenjtën/mbulesën, atëherë ajo ka të bëjë me llojin e jetës që përcaktohet e tëra nga prania e fortë e një realiteti të shenjtë brenda nesh, e një realiteti që mund të na tronditë deri në palcë. E njëjta gjë ndodh edhe me artin. Të dyja këto emocione na e dashurojnë vetminë, por na mbajnë të gjallë me shoqërinë…