Javëve të fundit mbarë shoqëria është e prekur në një mënyrë me problemet që u krijuan si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Domosdoshmëria e distancës fizike me vete tërhoqi edhe problemet e zbatimit të procesit mësimor në shumë institucione arsimore. Me një gjendje të tillë u përballëm edhe ne mësimdhënësit e institucioneve të larta arsimore. Edukimi dhe arsimimi esencial e kërkon kontaktin e vazhdueshëm ndërmjet mësimdhënësit dhe mësimnxënësit dhe çdo periudhë më e gjatë kohore e moskontaktit ndërmjet këtyre dy subjekteve e letargjizon idenë e bartjes dhe nxënies esenciale të parimeve themelore të lëndës së caktuar.
Ta them të drejtën që të gjithë ne u përballëm me një situatë të vështirë në ditët e para kur u ndërpre mësimi dhe u distancuam prej hapësirave mësimore në Universitetin e Tetovës. Nuk është e lehtë që, përnjëherë, të ndryshojë koncepti dhe të qëndrosh larg prej studentëve dhe të ndërpritet kontakti me subjektet që i ndiejmë si djem dhe bija dhe të mos kemi mundësi t’ua bartim parimet e dijes së bashku me përvojën tonë arsimore. Ditët e para, sinqerisht, ishin të vështira.
Por ama shumë shpejtë ndodhi një kthesë e madhe që ta them të drejtën mua më befasoi. Ia filluam me mësimin online, për të cilin në fillim unë isha paksa skeptik se do të ecë ashtu si duhet. Por nuk ndodhi ashtu si mendoja dhe relacioni ndërmjet nesh mësimdhënësve dhe mësimnxënësve u rivendos në një hapësirë pak më ndryshe por që duke filluar nga dita e parë funksionoi në mënyrë fenomenale. Mos të keqkuptohemi, jo që një trajtë e tillë e procesit arsimor nuk ishte e njohur për ne, por ndryshe është që të mbahet një ose dy ligjërata në semestër online dhe ndryshe është që i tërë procesi arsimor të zhvillohet online.
Që ky proces të funksionojë pa probleme gjithsesi se dikush kishte merita. Para së gjithash kam dëshirë që ta uroj stafin udhëheqës të Universitetit të Tetovës me në krye rektorin Prof.dr. Vullnet Ameti për funksionalitetin dhe pragmatizmin e shkëlqyer, por me theks të veçantë dua të falënderoj dhe të uroj stafin administrativ duke filluar nga zyra e arsimit dhe zyrat tjera që drejtëpërdrejtë janë të kyçur në këtë proces dhe kanë qenë plotësisht të përgatitur për t’u përballur me një sfidë të këtillë, që mendoj se nuk është punë e lehtë.
Administratorët që na e mundëson mos të ngecim në procesin e arsimit dhe të rivendosim kontaktin nëpërmjet të një procesi alternativ mësimor janë heronjtë e heshtur dhe personat më meritorë për mbarëvajtjen funksionale dhe të shkëlqyer të procesit mësimor. Ata ishin të gatshëm që në çdo çast të përgjigjen në thirrjet tona dhe të studentëve, që disa herë, ndoshta ishin edhe për probleme dhe paqartësi shumë të thjeshta. Por ama pa ngujuar dhe me pjekuri maksimale kontribuan që të jemi në krye të detyrës dhe mos të humbim sensin e kontaktit të vazhdueshëm me studentët.
Ju uroj nga zemra, Zoti ju dhashtë shëndet dhe qetësi…