TEQJA QENDRORE HALVETI-HAJATI E OHRIT SINTEZË E PËRSHPIRTSHMËRISË DHE PËRBOTSHMËRISË NË NËNQIELLIN SHQIPTAR

Islami si një lëvizje e gjerë teologjike, ideore, qytetëruese, kulturore dhe si mënyrë e jetës, ka pasur nevojë t’u përgjigjet një numri të konsiderueshëm të këtyre pyetjeve dhe të ndërtojë institucione dhe organizma të cilët në mënyrë pragmatike do t’i zbërthejnë nevojat e individit dhe të shoqërisë. Një pjesë e institucioneve të nevojshme për mënyrën e jetës dhe botëkuptimin islamik janë të themeluara në kohën e Pejgamberit a.s., pjesa tjetër në periudhën e katër halifeve të drejtë, ndërsa pjesa tjetër është sendërtuar në periudhat e mëvonshme. Klasifikimi dhe kodifikimi i disiplinave dhe shkencave islame, si tefsiri, kelami, historia islame, kiraeti, tesavvufi kanë filluar në fillim të shekullit II/VIII  ndërsa diskutimi shkencor, filozofik dhe teologjik i tyre ka vazhduar në të gjitha periudhat e mëpasme, herë me intensitet më të madh e herë me energji më të zbehtë. Edhe Tesavvufi si shkencë ose disiplinë e posaçme e proviniencës islame, është zhvilluar paralelisht me shkencat tjera dhe ka arritur deri në ditët e sotme.

Nëse parashtrohet pyetja se si ka mundësi që të jetësohet Islami ose feja në sistemin e ri botëror, atëherë njëra prej çështjeve që duhet diskutuar në përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje është edhe botëkuptimi sufik, gjegjësisht mistik dhe vendi i praktikës dhe përvojës mistike në jetën e njeriut të sotshëm. Në realitet një problem i këtillë ka ekzistuar edhe në të kaluarën, mirëpo sot kur ndihet nevoja për rindërtimin dhe risistematizimin e jetës fetare dhe shoqërore të muslimanëve kjo çështje ngërthen rëndësi të posaçme për ata që mendojnë t’i nxjerrin parimet e vërteta të udhërrëfimit fetar në shoqërinë njerëzore. Në të kaluarën e afërme prezentimet e fesë janë bërë kryesisht nga aspekti juridik dhe ekzoterik, duke mos u ndalur aq sa duhet në anën e përvojës shpirtërore dhe përmasës ezoterike të shpalljes dhe teksteve tjera fetare. Largimi prej ezoteres nuk ka qenë domosdoshmëri fetare por më tepër psikologjike dhe sociologjike. Shpeshherë përleshjet që janë bërë në relacionin sheriat-tarikat, dhahir (ekzoterikë) – batin (ezoterikë), sufi-ulema kanë qenë përleshje me prapavijë të mbizotërimit shoqëror ose subjektiv. Përderisa ulematë përfaqësuesit e Tesavvufit i kanë konsideruar si tepër subjektivë dhe të dhënë pas brendësisë së shpalljes, që në të shumtën e rasteve e ka vështirësuar arbitrimin në mesin e atyre që janë të vërtetë dhe atyre që keqpërdorin qëllimmirësinë e ithtarëve të vet, sufijtë për ulematë kanë pohuar se janë tepër skriptualë dhe ngecja në fjalëpërfjalshmërinë e tekstit, e sidomos nëse bëhet fjalë për tekstet hyjnore, ka bërë që të mos i zbulojnë karakteristikat reale të brendësisë së shpalljes. Aspak nuk ka dyshim se në të dyja anët ka vlerësime të cilat kanë qenë tepër subjektive, por ka edhe realitete që nuk mund të mohohen.

Pikërisht për këtë Islami duhet të diskutohet si një tërësi shpir-tërore-materiale e cila mund të sendërtohet vetëm nëpërmjet karakteristikave thelbësore të këtyre dy elementeve përbërëse dhe disiplinave të cilat janë të prezentuara si vazhdimësi e tyre. 

Aktivitetet sufike në Balkan kanë filluar para ardhjes së osmanëve ndërsa janë institucionalizuar dhe përhapur në kohën e Osmanëve. Shteti osman me të madhe është ndihmuar nga ana e dervishëve në vendosjen dhe përqëndrimin e Islamit në viset e riçliruara dhe si pasojë u kanë mundësuar të veprojnë lirshëm dhe i kanë ndihmuar finansiarisht. Krahas xhamive, medreseve, imareteve, karavansarajeve në viset e cliruara kanë ndërtuar edhe  teqe ose atyre qe kanë qenë të ndërtuar u kanë ndarë fonde për veprimtari të rehatshme. Për shembull Osmanlinjtë pas çlirimit të Dimetokës në vitin 1361, që sot gjindet në pjesën e Thrakisë në Greqi kanë ndërtuar teqenë e Abdall Xhunejdit. Gazi Evrenos Beu në vitin 1390 e ka ndërtuar teqenë e Shejh Hashimit në Janinë. Në Sarajeve vetëm dhjetë vite pas çlirimit, në vitin 1463 ka patur dy teqe. Njëri prej burshtetasve Osman në kohën e Fatih Mehmet Sulltanit dhe edukatori i djalit të tij Bajezidit të II, Koxha Mirahor Iljas Beu në Korçë ka ndrëtuar një xhami, medrese, mekteb dhe teqe. Sultan Bajezidi në vitin 1492 e ka vizituar Beratin dhe për tu dukur ai si qytet islamik ka ndërtuar në te një xhami, medrese, mekteb dhe teqe. Gjithashtu në fund të shekullit të XV dhe fillim të shekullit të XVI Uzguroglu Ahmed beu ka ndërtuar xhami, medrese, mekteb dhe teqe. Në vorrin e Sari Saltukut , Sultan bajezidi i II ka ndërtuar një tyrbe, një xhami. Medrese dhe një teqe. Në qytetin e Elbasanit në Shqipëri, i themeluar nga ana  e Osmanëve, Beglerbegu i Rumelisë dhe admirali ushtarak Sinaneddin Jusuf Pasha në vitin 1502 ka ndërtuar një medrese, hamam dhe një teqe. Në Peçin , Jeniçerag Abdi Pasha ka ndërtuar një medrese, një hamam dhe një teqe. Mëkëmbësi kuptimor (halife) i Merkez Efendiut nga Halvetijtë, jakub Efendiu (v.979/1571) në fillim të shekullit të XVI ka ndërtuar një xhami dhe një teqe në Vlorë, ndërsa më vonë Sultan Sulejmani e ka ndërtuar edhe njëhre këtë xhami. Më pas në këtë qytet janë ndërtuar edhe shumë ndërtesa tjera dhe Vlora që në fillim të shekullit XVI nuk ka patur asnjë musliman , në fillim të shekullit të XVII në masë të madhe ka qenë e banuar me muslimanë. Në shekullin e XIX i tërë qyteti i Vlorës ka qenë musliman. Edhe në jug në qytetin e Përmetit është ndërtuar një xhami, një mesxhid, një medrese, një mekteb dhe një teqe.

Nga ana tjetër teqetë  e themeluara në vise të ndryshme të ballkanit, përveç se janë shndëruar në epiqendra të gravitimit të popullatëls përreth, ata kanë ndikuar në islamizimin  epopullatës si dhe në themelimin   e qyteteve të ndryshme në këto vise. Disa prej vendbanimeve në ballkan e mbajnë emrin e ndonji dervishi, sufiu apo objekti të teqesë dhe kjo e argumenton të sipërpërmendurën. Për shembull në Bullgari në qytetin e Haskojit ka disa lagje me emërtime sufike, si Sofullar, lagja eteqesë, lagja e dervishëve, Lagja e teqesë në Vidin, fshati sufijve në Varna, Fshati i teqesë së madhe në Shumnu, fshati i sufijve në Kizanlik, Fshati i Bali Efendiut , ku gjindet edhe tyrbeja e tij në Sofje ( Knezheva); Në Greqi, lagja e dervishëve në Drama, fshati i dervishëve në Xanthi, fshati Kizil deli dhe  Lumi i sufive i Dimetokës; Në Maqedoni, Lagja e teqesë së sipërme në Shtip, fshati i teqesë në Shkup; në Rumuni, vendbanimi Babadag në Dobruxha , ku është edhe tyrbeja e Saltuk Babës.

Para ardhjes së osmanëve , në viset e caktuara shqiptare kanë ardhur grupe të dervishëve udhëtues (sejjah) dhe popullatës nga njëra anë ua kanë sqaruar parimet islame, kurse në anën tjetër ua kanë prezentuar një botëkuptim tolerant të ndërtimit të shoqërisë njerëzore, gjë të cilën ata nuk e kishin përjetuar. Si rrjedhim vise të caktuara shqiptare u njoftuan ose edhe i pranuan parimet islame ende pa shkelur këmba e ushtarëve në to. Me fjalë të tjera popullata psikologjikisht u përgatit për pranimin e fesë dhe administratës së re. 

Roli vendimtar i tarikatve dhe teqeve në pranimin dhe vendosjen e Islamit në viset shqiptare shihet edhe nga fakti se pothuajse në të gjitha qendrat dhe udhëkryqet brenda hapësirës shqiptare kanë ekzistuar teqe dhe zavije.  Teqetë në aktivitetet e tyre ekonomike dhe shoqërore në masë të madhe nuk kanë bërë ndarje të popullatës në bazë të etnicitetit, fesë dhe gjuhës, prandaj edhe kanë qenë të vizituara nga ana e shtresave të gjera të popullatës.

Sufijtë krahas aktiviteteve të tyre në fushën e tesavvufit islam, në masë të madhe, kanë qenë të ikuadruar edhe në jetën shoqërore dhe teqetë e tyre i kanë shndërruar në qendrat të artit, shkencës dhe aktiviteteve të ndryshme pozitive në shoqëri.

Teqetë, gjithashtu, kanë qende vende ku janë kultivuar disiplinat shkencore të lashta, urtësia perenniale, alkemia, astrologjia dhe mjekësia dhe si pasojë kanë ndërtuar një botë të larmishme që ka paraqitur konglomerat të shpirtit dhe lëndës.

Tesavvufi ka filluar të vendoset në Ballkan në shekujt e XIII dhe XIV, por, shekujt e XVIII dhe XIX konsiderohen si dy shekujt më aktiv nga aspekti i aktivitetit të tarikateve, ndërtimit të teqeve dhe pjesëmarrjes së sufijve në jetën shoqërore.

Tarikati Halveti i zgjeruar në botën islame me më shunmë degë falë aktivitetit të palodhshëm të ndjekësve të Sejjid Jahja Shirvaniut  ka qenë prezent shekuj me rradhë edhe në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të viseve ballkanike dhe në veçanti të shqiptarëve.

Tarikati Halveti është ndër tarikatet më të zgjeruara në periudhën osmane në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Dega më e zgjeruar e tarikatit Halveti në Maqedoni është dega Hajatije e themeluar nga ana e Pir Mehmed Hajatiut (1180/1766-67). Aktiviteti i kësaj nëndege të degës Ramazanijje të tarikatit Halveti ka vazhduar deri në ditët e sodit.

Ky studjim i shkurër do të paraqesë disa njohuri të shkurtëra në lidhje me parimet e përgjithshme të tarikatit Halveti  dhe nëndegës së tij, Hajatijjes me qendër në Ohër.

Tarikati Halvetijje

Është e njohur se halvetijjeja si tarikat më i zgjeruar në Shqipëri ka depërtuar shumë herët. Teqeja e Shejh Hashimit në Janinë e ndërtuar nga ana  e Gazi Evrenos Beut në vitin 1390 është teqe halvetijje. Një tjetër halvetijje është ndërtuar nga ana  eMirahor Iljas Beut në Vlorë në vitin 1490.[1] Sulltan Bajezidi i II në vitin 1492 ka ndërtuar një xhami, medrese, hamam dhe një teqe halvetijje ( Teqeja e Shejh Hasanit).[2] Në shekullin e XVIII (1196/1782) Kurd Ahmed Pasha e ka rindërtuar këtë teqe për Shejh Hasanin e halvetive. [3]  Babingeri në vitin 1920  e ka vizituar Beratinb dhe e thotë të njëjtën gjë për këtë teqe.[4] Gjithashtu edhe Shejh Azizi i halvetive në gjysmën e parë të shekullit të XVII ka ndërtuar një teqe në Berat.[5] Admirali Osman i periudhës së Bajezidit të II dhe Javuz Sultan Selimit, Sinanuddin Jusuf Pasha në kohën kurf ishte beglerbeg i Rumelisë në Elbasan në vitin 1502 brenda kalasë së vjetër ka ndërtuar  xhami, imaret, hamam, dhe një teqe halvetije. Kjo teqe kay patur shumë fonde dhe numër të madh të dervishëve dhe ka qenë teqeja më  emadhe e Elbasanit. [6]Shejh Jakub Efendiu[7] nëpërmjet të aktiviteteve të tij në shekullin e XVI në Janinë ka ndikuar edhe në përhapjen e halvetijjes deri në Delvinë dhe Vlorë.[8] Jakub Efendiu në Vlorë ka ndërtuar një teqe dhe mesxhid për aktivitetet e tarikatit, ndërsa më vonë në vitin 949 /1542-43 Sulltan Sulejmani këtë mesxhid e ka rindërtuar sdi xhami. [9] Evlija Çelebiu në vitin 1670-71 thotë se në Vlorë ka tre teqe të lidhura për Shejh Jakub Efendiun dhe ka një numër të madh të dervishëve që edukohen në to. [10] Në shekullin e XVII Vlora, Berati dhe Delvina janë shndëruar në qendra të tarikatit halveti dhe më pas prej këtu tarikati ka kaluar edhe në Maqedoni dhe Kosovë.[11] Më vonë halvetijjeja me degët ramazanijje dhe hajatijje dhe më pak me sinanijjen prej qendrave të saj në Prizren dhe Ohër përsëri është përhapur në Shqipëri.[12] Dihet që  halifetë e Shejh Husein Siroziut ( v.1110/1698-99), Shejh Osman Baba e ka themeluar teqenë halvetijje ramazanijje të Saraçhanes në Prizren, ndërsa Pir Mehmed Hajatiu, teqenë halvetijje hajatijje në Ohër. Shejh Garibi i fshatit Çaj në afersi të Tiranës nëpërmjet të qendrës halvetijje akbashijje ka ndikuar në përhapjen e halvetive në Shqipëri.[13] Në Shqipëri ka vepruar edhe një degë tjetër e  halvetive, tixhanijtë. Edhe pse nuk është hasur në teqe të tyre dihet që Shejh Hasani i Shkodrës është përpjekur për përhapjen e këtij tarikati. [14]sejahatnamen e shkruar nga ana e Evlija Çelebiut në vitin 1670-71 thuhet që në oborin e Xhamisë së teqes në Gjhirokastër ka patur dhoma të dervishëve dhe aty ka qenë shejh një njeri shumë i ngritur, Shejh Abdullahu.[15] Në vitin 1796-97 është themeluar edhe një teqe halvetije në Leskovik.[16]

Përveç qyteteve të lartëpërmendura halvetijtë kanë ndërtuar edhe shumë teqe të tjera në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe janë shpërndarë në të katër anët e  saj. Qytetet tjera në Shqipëri që kanë patur teqe halvetijje janë: Kukes 3 teqe, Luma, mat, Peshkopi, Devoll, Pogradec, Përmet dhe Sarandë. Edhe teqeja bektashijje e Gazi Sinan Pashës nga viti 1826 i është dhënë në përkujdesje halvetive.[17]

Pir Mehmed Hajatiu dhe Teqeja qendrore e Ohrit

Dega më e përhapur e Tarikatit Halveti në Maqedoni s’ka dyshim se ka qenë Dega Hajatijje. Dega Hajatijje është themeluar nga Pir Mehmed Hajatiu (v.1180/1766-67) dhe është nëndegë e Degës Ramazanijje-Ahmedijje të Tarikatit Halveti.

Pir Mehmed Hajatiu ka lindur në Buharë, ku ka marrë mësimet e para dhe është vendosur në Edrene. Prej Edrenesë ka shkuar në Serez pranë Husein Baba Siroziut dhe aty e ka përfunduar sejr-i sulukin e tij. Me rekomandimin e Husein Baba Siroziut është nisur për në viset e Maqedonisë së sotme dhe është ndalur në Kërçovë. Në vitin 1667 ka ardhur në Ohër, mirëpo administratorët e qytetit nuk e kanë lejuar që të ndërtojë teqe brenda në qytet. Ai ka ndërtuar një teqe jashtë qytetit, por nuk është pajtuar me mendimin e udhëheqësve të qytetit, prandaj ka shkuar tre herë në Stamboll për t’u ankuar. Në fund i është lejuar që të ndërtojë teqenë pranë Medresesë së Ohrit.  Shejh Mehmet Hajatiu në Teqenë e Ohrit ka përgatitur edhe dervishë për teqetë e tjera anembanë territorit shqiptar. Teqeja Halveti-Hajati e Ohrit njëkohësisht është edhe teqe qendrore (asitane) e kësaj dege.

Teqeja Hajatijje e Ohrit si qendër e madhe sufike ka ndikuar në zhvillimin sufik, kulturor të Ohrit si dhe të qyteteve përreth tij. Dervishët e kësaj teqeje më vonë kanë hapur teqe në Strugë, Kërçovë, Manastir, Shtip, Gjirokastër, Elbasan etj.

Përveç kësaj teqeje në Ohër si teqe halvetiane ka vepruar edhe Teqeja e Shejh Hasanit e cila ka qenë aktive deri në Luftën e Parë Botërore.

Teqeja Halveti-Hajati e Strugës është themeluar nga ana e Hasan Dedeut, murid i birit të Pir Mehmed Hajatiut, Shejh Osmanit.

Më sipër përmendëm se Pir Mehmed Hajatiu në fillim është ndalur në Kërçovë. Ai është vendosur në Xhaminë e Is’hak Beut dhe aty ka ndikuar që imami i xhamisë së bashku me nxënësit e tij të hyjnë në tarikatin e tij dhe më vonë të themelojë një teqe të këtij tarikati në Kërçovë. Teqeja e dytë Halveti-Hajati në Kërçovë është themeluar nga ana e Çullu Babës. Teqenë e tretë të këtij tarikati e ka themeluar Shejh Abdu’l-Kerimi. Përveç teqeve brenda në Kërçovë një teqe halveti-hajati ka patur edhe në fshatin Zajas, themelues i së cilës është Shejh Selimi. Kjo teqe më vonë është shndërruar në xhami, por në oborrin e saj janë tyrbet e Shejh Selimit dhe Shejh Mustafait. 

Halifeja i Shejh Osmanit të Ohrit, Abdi Baba, në Mëhallën e Epërme të Shtipit ka ndërtuar një teqe halveti-hajati. Dervishët e kësaj teqeje e kanë përhapur Tarikatin Halveti edhe në qytetet dhe fshatrat tjera të Maqedonisë Lindore.

Dhikri dhe ritualet e Tarikatit Halveti-Hajati janë pothuajse të njëjta me ato të degëve të tjera të këtij tarikati.

Teqeja Halveti Hajati në njohur ka qenë vend ku është sendërtuar edukimi i unit njerëzor. Përveç kësaj ajo në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi  është inkuadruar në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe me metodat e posaçme  i ka sistematizuar aktivitetet e ndryshme të shoqërisë. Si rrjedhim ka qenë një vend ku përveç qetësisë shpirtërore janë plotësuar edhe shumë nevoja materiale të popullatës.

Teqeja Halveti -hajati, si vende ku janë bashkuar shumë institucione shoqërore, në relacionet e saj me popullatën kanë vepruar si konak, spital, qendër specializimi, qendër arti, vend qetësimi, vend pikniku, strehimore për pleqtë etj.

Nnjë herë ose dy herë në javë janë mbajtur ligjërata për popullatën. Tradita të këtilla vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në disa prej teqeve.

Pranë ose brenda teqes ka pasur kuzhinë (imaret) ku janë ushqyer të varfërit, endacakët, pleqtë, skamnorët. Ky aktivitet i teqes ka ndikuar në rritjen e simpatisë ndaj saj në qytetin e Ohrit dhe më gjerë.

Herë pas here shejhët e teqes Halveti Hajati e  kanë përdorur afërsinë e tyre me administruesit shtetërorë dhe kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes së popullatës në mjedise të caktuara.

Njerëzit të cilët kanë përjetuar tronditje psikike ose kanë qenë të sëmurë prej sëmundjeve psikosomatike kanë gjetur prehje në këtë teqe.

Teqeja Halveti hajati si edhe shumë teqe të tjera, gjithashtu kanë shërbyer edhe si qendra ku janë mësuar zeje të ndryshme. Janë të njohura shoqatat mistike-zejtare të ahijve në sistematizimin e zejeve dhe përgatitjen e mjeshtërve të rinj.

Shejhët dhe dervishët e kësaj teqeje kanë shkruar poezi në të cilat i kanë prezentuar nevojat dhe vuajtjet e popullatës, kanë shkruar poezi klasike për dashurinë hyjnore, për ritualet dhe rregullat e tarikateve të veçanta etj., dhe në këtë mënyrë kanë krijuar një letërsi të teqesë me vlera të larta artistike.

SHTOJCË:

FOTOGRAFITË

  1. Pamje e TeqesëqendroreHalvetëHajatinëOhër
  2. Teqeja qendrore Halveti Hajati në Ohër
  • Minareja e Teqesë qendrore Halveti Hajati në Ohër

4.         Tyrbeja e Teqesë qendore Halveti Hajati në Ohër

5. Pjesa e brendshme e tyrbes në Teqenë qendrore Halveti Hajati në Ohër

6. Pamje nga brendia e teqesë.

7.         Shadërvani i Teqesë qendrore Halveti Hajati në Ohër. 

ABSTRAKT

Islami si një lëvizje e gjerë teologjike, ideore, qytetëruese, kulturore dhe si mënyrë e jetës, ka pasur nevojë t’u përgjigjet një numri të konsiderueshëm të pyetjeve ekzistenciale dhe të ndërtojë institucione dhe organizma të cilët në mënyrë pragmatike do t’i zbërthejnë nevojat e individit dhe të shoqërisë. Një pjesë e institucioneve të nevojshme për mënyrën e jetës dhe botëkuptimin islamik janë të themeluara në kohën e Pejgamberit a.s., pjesa tjetër në periudhën e katër halifeve të drejtë, ndërsa pjesa tjetër është sendërtuar në periudhat e mëvonshme. Nëse parashtrohet pyetja se si ka mundësi që të jetësohet Islami ose feja në sistemin e ri botëror, atëherë njëra prej çështjeve që duhet diskutuar në përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje është edhe botëkuptimi sufik, gjegjësisht mistik dhe vendi i praktikës dhe përvojës mistike në jetën e njeriut të sotshëm. Pikërisht për këtë Islami, edhe në mesin e shqiptarëve,  duhet të diskutohet si një tërësi shpir-tërore-materiale e cila mund të sendërtohet vetëm nëpërmjet karakteristikave thelbësore të këtyre dy elementeve përbërëse dhe disiplinave të cilat janë të prezentuara si vazhdimësi e tyre. 

Tarikati Halveti është ndër tarikatet kryesore të kulturës muslimane që thelbësisht është i pranishëm edhe në trojet shqiptare. Teqja halveti –hajati e Ohrit është qendër/asitane e kësaj dege të tarikatit halveti dhe gjindet në trojet shqiptare. Ky studim e ka për qëllim analizën e përmasës historike të kësaj teqje dhe ndikimeve të saj përreth si dhe mundësinë ekrijimit të një paraqigme për ardhmërinë e fesë, kulturës dhe bashkëjetesës në trojet tona.

Fjalët kyçe: Tarikat, halveti, hajati, përshpirtshmëri, përbotshmëri.


[1]           Robert  Elsie, “ Islam and the Dervish Sects of Albania: An introduction to their historz, development and current situation”, The Islamic Quarterly, XVLII (1998), nr. 4, f.275.

[2]           Evliya Çelebi, Seyahatname, Istanbul 1928, VIII, 693; gjithashtu, Machiel Kiel, Ottoman Architectures in Albania 1385-1912, Istanbul 1410/1990, f49

[3]           Kiel, Ottoman Architecture inAlbania, f.51

[4]           Kiel, po aty, f.52

[5]           Evlija Çelebi, Seyahatname, VIII, 694; Kiel, po aty, f.49.

[6]           Evlija Çelebi, Seyahatname, VIII, 721; Kiel, Ottoman Architecture in Albania, f.109. Në disa burime thuhet që teqeja  e ndërtuar nga ana e Sinanuddin Jusuf Pashes ka qenë teqe xhelvetijje, mirëpo pasi xhelvetijjeja në atë periudhë ende nuk ka qenë e paraqitur , kjo informatë nuk mund të jetë  evërtetë.

[7]           Jusuf b. Jakub, Menakib-i sherif ve tarikatname-i piran, 1290, f.63; Mahmud Cemaluddin Hulvi, Lemezat-i hulvijje ez lemeat-i ulvijje, Bibl. Sulejmanijje, Halet efendi, nr. 281, fl. 228b-229a.

[8]           Peter Bartl, Milli Bagimsizlik Hareketi Esnasinda Arnavutluk Muslumanlari 1878-1912 (përkth. në turq. Ali Taner), Istanbul 1998, f.191; gjithashtu, Rizai Skender, “Delvine”, DIA, IX, 147.

[9]           Evlija Çelebi, Seyahatname, VIII, 706; Kiel, po aty, f.267, 273; po i njëjti autor, “Avlonya” DIA, IV, 118-119.

[10]          Evlija Çelebi, po aty, VIII, 706-708.

[11]          Elsie, f.275. Evlija çelebiu thotë se në Delvinë ka tre teqe, por nuk e thekson se cilit tarikat i takojnë. Por pasi Delvina në shekullin e XVII ka qenë prej qendrave të halvetijjes mund të konstatohet se ata kanë qenë halvetijje.

[12]          Metin Izeti, XVIII. Ve XIX. Yuzyilda balkanlarda Tasavvuf Akimlari, Istanbul 2003, f.186-188.

[13]          Izeti, po aty,f.188.

[14]          Elsie, f.270.

[15]          Evlija Çelebi, Seyahatname, VIII, 677.

[16]          Kiel, Ottoman Architecture in Albania, f.199

[17]          Elsie, f.270.