Bota në sytë tonë paraqitet përmes ngjyrave. Njeriu bashkëkohor është mjaftë i ndishëm në ngjyrat por jo edhe në zërin e tyre. Ngjyrat e veshin botën përreth nesh dhe ne në bazë të tyre e formësojmë botëvështrimin tonë. Si rrjedhojë, disaherë bota na duket ngjyrë rozë ose e kaltër dhe herë pas here edhe zverdhemi e zbehemi. Pra jetojmë brenda ngjyrave. Por për fat të keq shumëngjyrshmëria e botës dhe jetës si duket ka ndikuar që ta harrojmë origjinën, fizionominë pangjyrë të realitetit tonë jetësor.
Ndjekësi i vëretë i Kur’anit njohtohet me ngjyrat dhe shumëngjyrshmërinë e botës për ta zbuluar realitetin që ngjyra e fsheh në origjinën dhe sfondin e saj. Ose siç thotë Abdulkerim Xhili “ Bota është përplot me ngjyra të rrejshme, ndërsa ne kërkojmë që Ti të na ndriçosh Fytyrën e vërtetë”. Drita e realitetit i ndriçon ngjyrat e botës dhe na e mundëson që ta njohim atë në dritë, rrjedhimisht, në realitet.
Gjuha është sistem i simboleve dhe paraqitet si prodhim i ujdisë së një populli të caktuar në lidhje me perceptimin e simboleve të caktuara. Ky konstatim është valid për të gjitha gjuhët e botës, por njëkohësisht i ngërthen edhe trajtat tjera të komunikimit. Domethënë komunikimi ndërmjet njerëzve bëhet në bazë të përkapjes së përbashkët të simboleve të caktuara pa marrë parasysh se ata janë fjalë, shenja, piktura, etj.
Si rrjedhojë edhe muzika dhe artet pamore e kanë gjuhën e vet.Muzika komunikon me njerëzit përmes tingujve, ndërsa piktura përmes vijave dhe ngjyrave. Në realitet jeta praktike e njerëzve duke filluar nga shenjat e komunikacionit, akrepët e orës, aromat e ndryshme, është përplot me simbole dhe shenja që e përbëjnë semiotikën e fizikusit të tij në hapësirën imanente botërore.
Edhe ngjyrat janë shenja të cilat ngjashëm si edhe gjuha e fjalëve ndërtojnë sistemin e vet të komunikimit. Komentet në lidhje me domethënien simbolike të ngjyrave ka mundësi të ndryshojnë, thotë Chevalier, për shembull, e kuqja mvarësisht nga atmosferat e ndryshme kulturore ka mundësi të ketë domethënie të ndryshme. Por, krahas kësaj,ngjyrat, pothuajse kudo dhe në çdo vend mbeten si shtylla të mendimit simbolik.[1]
Kulturat dhe shoqëritë njerëzore kanë qasje dhe përkapje të ndryshme ndaj ngjyrave.Për shembull, ngjyra e kuqe në shoqëritë perëndimore është simbol i dashurisë, në Irlandë është simbol i luftës, tek romakët e simbolizon triumfin, për lëkurëkuqët është metaforë e pasionit, ndërsa tek japonezët lumturinë dhe përjetimin.[2]
Imazhet e ngjyrave dhe lëndët që shënjojnë ngjyra të caktuara kanë patur përdorim të gjerë edhe në poezinë arabe të periudhës paraislame.[3] Krahas hapësirës së kuqërremtë rërore ndër qiellin e kaltër të shkretëtirës poeti arab ka arritur që në poezinë e tij të përmendë mbi katërdhjetë ngjyra të ndryshme. Femra është përngjasuar me ngjyrën ebardhë dhe të ndritshme të diellit. E bardha dhe e zeza është përdorur me të gjitha nuancat dhe variantat. Herë pas here ndodh që ngjyrat ta zënë vendin e njëri tjetrit. Madje transferimi prej një ngjyre në tjetrën është karakteristikë e mënyrës së shprehjes në gjuhën arabe.[4]
Në poezinë e vjetër arabe vend të posaçëm kanë edhe tonet e ndrysdhme të ngjyave. Shpeshherë ngjyrat e bimëve dhe kaçubave shkretirrore janë përdorur si aluzione dhe metafore në poezinë e periudhës paraislame. Gjithashtu ngjyrat disa herë janë të prezantuara edhe përmes atribuimit të tyre me ndonjë kafshë ose shpezë të bukur. Siç është shembulli i këmbës së ngjyrosur me këna të një kafshe e cila vraponte nëpër lulet dhe kullotat e oazave të shkretëritës.[5]
Sfondi artistik i poezisë arabe njëkohësiht e paraqet edhe platformën në të cilat kanë zbritur ajetet e Kur’anit dhe janë thënë porositë e Pejgamberit a.s.. Pra në një mënyrë shkaqet artistike të zbritjes së ajeteve/sebebu’n-nuzul dhe të shkaqeve të thënies së porosive profetike/sebebu’l-vurud janë të përmbledhura në platformën artistike të poezisë së vjetër arabe. Pikërisht për këtë edhe njohja e poezisë paraislame është ndër kushtet kryesore për kuptimin e drejtë të aluzioneve dhe metaforave të Kur’anit dhe Hadithit. Nga ana tjetër semiotika kuranore dhe e haditheve të Pejgamberit a.s., ose thënë më thjeshtë, komunikimi përmes shenjave në to nuk mund të bëhet pa njohjen e karakteristikave të poezisë arabe.
Domethënia e tyre ishte e papërcaktuar, dhe njeriut i binte ti shpjegonte. Së këndejmi, qysh në fillim gjuha , në një farë mënyre ka qenë eksperiment semiotik. Në këtë kuptim duhet marrë edhe kuptimi biblik që në filim ishte fjala. Ashtu siç fjala i paraprin kuptimit të saj edhe ngjyra i paraprin realitetit, në veçanti atij artistik dhe estetik. Njeriu gjithnjë e dinte dhe në subkoshiencë e din edhe tash se kjo është fjalë, që ajo ka kuptim, edhe pse jo gjithherë e dinte kuptimin e saj.
Ngjyra i drejtohej njeriut në një gjuhë shumëdimensionale dhe pandërprerë e nxiste të sqarojë shenjat në të, thënë ndryshe të bëjë veprim semiotik. Konsiderimi i ngjyrës si porosi me vete e barte edhe vetëdijen se prej kujt vinte porosia. Më pas, në sferat më të zhvilluara ezoterike ngjyra identifikohej me një Ti të panjohur, por të ngrohtë metafizik, pra përfaqësonte të drejtuarit e Tij tek un’i njerëzor. Në ngjyrën veta e parë dhe e tretë shkriheshin dhe nuk dalloheshin. “ Unë” dhe “Ai” janë ndërsjelltësisht identikë. Sikur mbetej vetëm veta e dytë “ TI”. Kjo cilësi e ngjyrës i lejon asaj të jetë hapësirë e virgjër, ose pasqyrë semiotike, ndoshta jo vetëm i gjuhës së secilit, siç do të kishin thënë frojdistët e rafinuar, as edhe “shkencore”, si do ta kishin kuptuar shamanët, por mundësi e qasjes imagjinative si realitet për njohje dhe dije/mithal.
Veçanësia kryesore e kësaj gjuhe qëndron në papërcaktueshmërinë e saj të plotë. Kjo e bën atë jashtëzakonisht të aftë për shpikjen e një formacioni të ri. Nga pikpamja infromative, ajo është “tekst për hirë të tekstit”, e lirë. E ngjashme me faktin se si arti ndërgjegjësohet në vetvete, duke fituar të drejtën të jetë e lirë nga kuptimi dhe çdo detyrim i jashtëm. Në te mundësia e të qenit i kuptimësuar i paraprin nocionit të kuptimësimit të rregullt.
Vegimi i ngjyrës dallon për nga parimësia: ai nuk na kredh në hapësira pamore, fjalore, muzikale , porse në shkrirjen e tyre, në realitetin absolut. Përkthimi i ngjyrave në gjuhët e komunikimit njerëzor shoqërohet me zvoglimin e papërcaktueshmërisë dhe me zgjerimin e komunikimit. Më pas kjo rrugë shpërngulet në art. Poezia sufike e nënqiellit Islam në një mënyrë është zvoglim i papërcaktueshmërisë së ngjyrës dhe zbulim i realitetit të saj.
Ngjyra ,që në një mënyrë e shpreh këtë dimension të fesë e ka ruajtur pozitën e saj edhe në disa përcaktime të Pejgamberit a.s.. Ai zonjën e tij Aishen r.a. e ka emërtuar si Humejra që domethënë rozë.[6] Gjithashtu Pejgamberi a.s. është nervozuar shumë me një person i cili kishte veshur tesha të verdha sa që as’habët kanë përcjellur se nuk e kishin parë më të hidhëruar se atëherë Pejgamebrin a.s..[7]
Xhebraili a.s. gjithnjë është shfaqur me tesha të bardha[8]. Melekët e varrit Munkiri dhe Nekiri janë të zinj , ndërsa sytë i kanë të kaltër.[9] Xhenneti është i gjelbër.[10] Xhehennemi është i zi.[11] Hyritë janë të bardha si e bardha e vesë, ndërsa sytë i kanë po aq të zeza.[12] Haxheru’l-Esved/ Gur i zi ashtu si e ka edhe emrin është i zi edhe pse përderisa ka qenë në xhennet ka qenë i bardhë.[13]
Ngjyrat në Kur’anin Famëmadh …
Fjala “ngjyrë” përmendet në disa vende në Kur’anin Famëmadh.[14] Gjithashtu ka edhe një term tjetër i Kur’anit që është i përafërt me ngjyrën “sibgatun”.[15] Kur’ani gjithashtu i përmend veç e veç edhe ngjyrën e bardhë, të zezë, të kuqe, të kaltër, të verdhë dhe të gjelbër. Por më shpesh janë të përdorura ngjyra e bardhë dhe e zeza. Në pjesën më të madhe të ajeteve kur’anore e bardha dhe e zeza janë përdorur në trajtë semiotike si shenja; “Fytyrat e tyre ishin të bardha” ose “ fytyrat e tyre ishin të zeza”.[16] E bardha gjithashtu është përdorur edhe së bashku me dorën[17], litarin[18], kupën[19], rrugët[20], hyritë[21] dhe me sytë[22]. Ndërsa e zeza krahas përdorimit të përbashkët me fytyrën është përdorur në tog edhe me litarin[23] dhe rrugët[24].
Kur’ani ngjyrat i përdorën më tepër si aluzione për të shprehur realitete të ndryshme metafizike dhe psikologjike. Ai ngjyrat i ka përdorur në trajtë të një gjuhe të veçantë, ngjashëm si në artin figurativ, i ka funksionalizuar në kaudër të një skeme të gjerë në pozicione të ndryshme dhe si pasojë i ka nxjerrur nga të qenurit vetëm ngjyra dhe i ka lartësuar në bartës dhe komunikuers të realitetit kur’anor dhe të qenies. Ky realitet në trajtë më të përsosur është përfaqësuar në ajetin e sures Bekare, në të cilin urdhërohet:
“Kjo “ngjyra” e Allahut! S’ka “ngjyrë” më të bukur se ajo që jep Allahu! Ne vetëm Atë adhurojmë!”[25]
Po qe se njeriu do të konsiderohet si element që bën pjesë në qendër të krijimit, nëse e tërë gjithësia rrotullohet rreth tij, gjithësia ndryshe është emërtuar edhe si makrokozmos/alem-i kebir – njeriu e sheh veten si një grimcë, mirë ama, në të janë të fshehura botëra të mëdha – atëherë njeriu me të gjitha pjesët e tij është një vepër e mrekullueshme artistike. Njeriu ka veti që nga brendia të reflektojë formën, por duke pasur parasysh që, para së gjithash, ai është qenie shpirtërore. Kjo përmasë e qenies shpirtërore i mundëson njeriut që të vë lidhshmëri me Zotin e tij. Zoti i tij veten e ka përkufizuar si “Xhemil/i Bukur”. Domethënia e “Inallahe Xhemilun ve juhibbu’l-xhemale”, është “Allahu është i Bukur dhe e dashuron të bukurën”. Si rrjedhojë, lidhja e njeriut me Zotin, në esencë, është lidhje “bukurie”.
Reflektimi i rregullit të gjithësisë në estetikë nëpërmjet urdhrit “Bëhu!”, si zbulesë e parë, që i është drejtuar njeriut …
Ne urdhrin “Bëhu”, domethënë “Kun” , në kuadër të zhvillimeve të ndryshme kohore dhe hapësinore e kemi reduktuar vetëm në përmasën e soditjes vetëm të formës. Folja “Bëhu’”, krahas asaj që e ngërthen domethënien e krijimit si proces ndërmjet subjektit dhe objektit. Pikërisht si pasojë e këtij botëkuptimi urdhëri i parë i ardhur përmes zbulesës hyjnore do të jetë “Ikre/ Lexo”, që nuk do të thotë se e ka vetëm kuptimin e leximit të një teksti të shkruar, të shkronjave, përmes syve ose përmes neuroneve të trurit. Shikuar pak më gjerë, “Ikra” është një lloj i skanimit, hulumtimit, kërkimit dhe një veprim për ta kuptuar sa më mirë diçka. Për shkak se në momentin kur ka zbritur urdhri “Ikra”, domethënë “ Lexo”, njerëzit nuk kishin në dorë ndonjë tekst të caktuar për ta lexuar. Pra, qëllimi i urdhrit “Ikra”, domethënë “Lexo” është: lexoje vetveten, lexoje universin, semiotikën e universit, shkronjat në të. Shejhu’l-Ekber Muhjuddin Ibnu’l-Arabiu në një poezi të tij thotë:
“Lexoji shkronjat e universit
Pasi që edhe ne më herët ishim shkronja të shenjta
Ndërsa tash kemi zbritur poshtë.
Lexoji shkronjat e universit
Pasi që këto shkronja për ty
Janë letra që t’janë dërguar për t’i lexuar.”
Nëse çdo gjë në univers është një letër, do të thotë që pronarin e universit do të kemi mundësi ta njohim vetëm nëse i lexojmë këto letra ose në rastin tonë këta ngjyra.
Mevlana Xhelaluddin Rumiu nëMesnevi me ngazëllim e ka shprehur këtë të vërtetë:
“Në krahasim me përsosmërinë tënde, të ka hije!
Sepse vetëm ti e ke fuqinë për të dhënë përsosje…
Sepse tek ti nuk ka mungesë dhe nevojë;
Të paqenët i bën të qenë, u jep jetë dhe nevojë…
Kush di të rritë, di dhe të djegë,
Sepse nëse diçka griset, është i aftë ta qepë…
Çdo vjeshtë i rrënon kopshtet e vreshtat;
Në behar rinxjerr trëndafilin që jep ngjyrë në kopshtet…
Dhe i krijon të gjitha nga e para duke u thënë:
“O ti që je djegur, shfaqu, rinohu, sërish!”[26]
Ose në disa dyvargëshe të tjera thotë:
Ai s’kuptonte nga njëngjyrshmëria e Isait.
Ai s’kuptonte nga ena e bojatisjes e Isait.
Rroba me njëqind ngjyra merrnin një ngjyrë,
Nga ena e thjeshtë e Isait, të lehta si erë…
Kjo njëngjyrshmëri në bashkim nuk të mërzit;
Ndoshta të jep ëndje si peshkut në det…
Në tokë, ç’është e vërteta, ka mijëra ngjyra,
Mirëpo për peshqit është armik thatësira.
Po ç’është si shembull peshku në det,
Që me ta të merret shembull Zoti i lartë?
Mijëra dete dhe peshq në botën e qenies
Vënë ballin në tokë para Mirëbërësit!
Sa shira mirësie ranë paprerë
Gjersa deti u bë që të rrisë margaritarë!
Dielli i bujarisë hyjnore sa dritë ka lëshuar
Gjersa retë dhe detet bujari kanë mësuar…[27]
Nëse i përgjithësojmë të gjitha interpretimet e imagjnatës dhe ngjyrës, duke i shpënë në një formulë të përgjithshme, atëherë do të kemi një përfytyrim mbi pushtetin e fshehur dhe thellësitë shpirtërore, por të fuqishme, të shprehura edhe në ngjyrat e vërteta, që e drejton njeriun. Përveç kësaj, ky pushtet flet me njeriun në një gjuhë, kuptimi i së cilës lyp praninë parimore të përkthyesit. Përkthyesi i ngjyrës është ndjenja, arti, filozofia, feja, ose individi i dashuruar në to.
Ngjyra ka një veçanësi- ajo është individuale,
rrjedhimisht ajo është gjuhë parimore për një njeri. Me këtë është e lidhur
vështirësia e skajshme e komunikueshmërisë së kësaj gjuhe: të rrëfesh një ngjyrë
është po aq vështirë, sa të rrëfesh me
fjalë një vepër muzikore.
Pikërisht për këtë teksti hyjnor nëpërmjet të ajetit të mësipërm e ka mundësuar
që ngjyrës t’i mvishet një funkcion i veçantë dhe kulturor tejet i rëndësishëm:
të jetë rezervë e papërcaktueshmërisë semiotike, hapësirë, e cila pret të mbushet
me kuptim. Kjo e bën ngjyrën të aftë të mbushet me interperetime të
shumëllojshme si sufike, ashtu edhe estetike në kuadër të traditës së mendimit
artistik islam.
[1]Chevalier-Gheerbrant, Dictioneire des Symboles, Paris 1973, f.106.
[2] Mackenzie, Donald A., ÇinveJaponMitolojisi, përkth. KorayAkten, Stamboll1996, f. 195.
[3]Vlerat simbolike të ngjyrave kanë ndikuar edhe në identifikimet kulturore dhe politike të dinastive arabe që e kanë udhëhequr shoqërinë mysliamne pas periduhës së katër kalifëve të drejtë. E kuqja ka qenë simbol i shtetit të Emevive, ndërsa e gjelbërta dhe e zeza kanë qenë ngjyra e flamujve të abasidëve. Shikoni: Faruk Umer, “el-Elvan ve Delalatuha’s-Sijasijje fi’l-‘As ri ‘l- ‘Abbiisijji ‘I-Evvel“, Mexhelletu Küulijjeti’l-Adab, v. Il, numër: 14, Bagdat, 1970-
1971, f.837, 840.
[4]İbnMundhir, Lisianu’l’ Arab, Daru’l-Ma’fuif, Kajro, pa datë., IV, 2448.
[5]“ Qetë me këmbët e ngjyrosura me të gjelbër” “Nabiga, poaty, f.72.
[6]İbnMaxhe, Sunen, Ruh, 16; Ebu’I-Fadl Ahmed b. Muhammed el-Mejdani ,Mexhma’u’l-Emthal, botoi.
M. Muhjuddln ‘Abdulhamd, Daru’I-Fıkr, Kajro, 1393/1972, I, 353.
[7]Ahmed Ibn Hanbel, Musned, III, 154.
[8]Ahmed Ibn Hambel, Musned, I,407.
[9]Tirmidhi, Sunen, Xhenaiz,70
[10]Darimi, Sunen, Ru’ja, 13.
[11]Imam Malik, Muvatta, Xhehennem, 2.
[12]Në lidhje me karakteristikat e hyrive shih ajetet kur’anore: Saffat, 37/48-49; Duhan, 44/54; Tur, 52/20; Rahman, 55/72; Vakıa, 56/22.
[13]Tirmizi, Sunen,Haxh, 49.
[14]Fjala ngjyrë në njëjës së levn dhe në shumës si elvan përmednet në këti ajete të Kur’anit: Bekare, 2/69; Rum, 30/22; Nahl, 16/69; Fatir, 35/27-28; Zumer, 39/21.
[15]Bekare, 2/138.
[16] AI-i İmran, 3/ 106-107; Nahl, 16/58; Zumer, 39/60.
[17]A’raf, 7/108; Taha, 20/22; Shuar, 26/33; Neml, 27/12; Kasas, 28/32.
[18]Bekare, 2/187.
[19]Saffat, 37/45-46.
[20]Fatir, 35/27.
[21]Saffat, 37/49. Në këtë ajet hyrijtë janë të përngjasuar me vezët e fshehura. Kjo kështu për shkak se fjala bejd/e bardhë është sinonim i të bardhës së vesë. Relacioni i të bardhës me venë ose i të gjelbërtës me pemën ndërton një hapësirë të veçantë të metafizikës së Kur’anit që epiqendër e ka njëshmërinë etike të Qenies.
[22]Jusuf, 12/84.
[23]Bekare, 2/187
[24]Fatir, 35/27.
[25]Bekare, 2/138
[26]Mevlana Xhelaluddin Rumi, Mesnevi, I,74.Logos-A, Shkup 2010.
[27]Mevlana Xhelaluddin Rumi, Mesnevi, I,100, Logos-A Shkup 2010.