Category: Vepra

  • METIN IZETI – ESENCA E PËRLESHJEVE DHE IDOLIZIMI I INTERESIT

    METIN IZETI – ESENCA E PËRLESHJEVE DHE IDOLIZIMI I INTERESIT

    A menduat vallë ndonjëherë ç’është shkaku themelor I përleshjeve dhe mosmarrëveshjeve mes njerëyve gjatë historisë?Ç’ishte motivi nën ndikimin e të cilit njerëzit në të katër anët e rruzullit tokësor konfrontoheshin mes vete? Sa prej këtyre përleshjeve u bënë për shkaqe ideologjike ose fetare, a menduat vallë? Cilët prej popujve botërorë –në përjashtim të një pakice simbolike në mesin e tyre- për hirë të botëkuptimeve të veta fetare luftuan me njerëzit të cilët nuk I takonin botëkuptimit të tyre ideologjik ose fetarë?1 Kush gjatë historisë dordhi gjak, luftoi, vrau e preu, vetëm që të mbizotërojnë principet e fesë së vete, e kam qëllimin pastër fetare pa prapavijë?2 Po, a menduat ndonjëherë se për çfarë shkaku u paraqitën përleshjet dhe mosmarrëveshjet e para  të përjetuara në fytyrë të tokës mes bijve të Ademit dhe Havvës (a.m.s.)?

                Njeriu I parë I cili bëri krim në tokë dhe trasoi I pari rrugën e së keqes, biri  I Ademit a.s. Kabili për çfarë shkaku fetar ose ideologjik e mbyti vëllaun e vet Habilin dhe e grabiti të drejtën e të vëllaut. Vërtetë a menduat  rreth asaj se a kishte vallë në këtë gjest ndonjë motiv fetarë?2 Po mirë babai I dytë I njerëzimit Nuhi a.s. pse u ndesh me popullin e vet dhe me çfarë motivi populli I tij e kundërshtonte. Personat të cilët e hudhën në zjarr Ibrahimin a.s., e ndoqën drejtë detit Musain a.s., u orvatën të kryqëzojnë Isain a.s. dhe së fundit vendosën të vrasin Muhammedin a.s., çfarë orvatjeje dhe mundi fetarë ose ideologjik ishin duke treguar?

                Pyetjet e këtilla mund të rradhiten edhe më dhe të vazhdojnë deri në ditët e sodit. Por, problemi është në atë se çdokush nuk ka mundësi që duke u çliruar prej paragjykimeve të gjejë një përgjigje reale për to. Vërtetë, cili prej nesh ka mundësi që në mënyrë të realtë të pohojë se motivi I përleshjeve dhe mosmarrëveshjeve mes njerëzve gjatë historisë si edhe sot ka këtë ose atë esencë?

                Ky është një problem I cili kërkon qasje serioze së pari në brendinë e njeriut, në thellësitë e egos e më pas në problemet e shoqërisë njerëzore. Posaçërisht kjo është kështu kur kemi të bëjmë me nënqiellin në të cilin njerëzit aspak pa mos menduar dhe pa mos e ndjejtë në shpirtë, vetëm për hirë të disa nijansave sipërfaqësore kanë mundësi t’I ngjiten në fyt njeriut tjetër dhe pa asfarë brenge të nxinë jetën e të tjerëve.A menduat vallë çfarë motivi fetar ose ideologjik ka një sjellje e këtillë? Çfarë dallimi qenësor ka ky popull që ti bëjë hesapet e fundosjes në një gotë uj? Për çfarë shkaku njerëzit të cilët I takojnë historisë së njëjtë, orvaten për çështje identike, jetojnë në gjeografi të njëjtë, janë në mosmarrëveshje të pandërprerë? Cili libër I shenjtë brenda kornizave të veta mund të pranojë grindjet e këtilla dhe më pas të pohojë se shërben për ngritjen spiritualo-morale dhe mirëqenien sociale të njeriut?3 Ku është njeriu I ynë modern, I lindur dhe përkundur në djepin antik,I ledhatuar dhe rritur me principet e fesë së pastër që njëherë të gjigantizohet dhe t’I thotë mjaftë hulumtimit të gurrëve në mesin e margaritarëve. A aspak nuk ia ka hatrin fillimit ontologjik dhe zhvillimit të vet epistemologjik

                Edhepse nuk mundemi që në mënyrë decide të prezentojmë shkakun themelor të mosmarrëveshjeve dhe përleshjeve njerëzoe, por sipas asaj që na informojnë librat e shenjta , shkaku I përleshjes së parë në fytyrë të tokës, rezultat I së cilës ishte vrasja e Habilit nga ana e Kabilit, nuk ishte as e natyrës ideologjike e as fetare por ishte e natyrës së interesit personal.4

                Është për tu habitur që njeriu I krijuar në formën më të bukur , I obliguar me punët më të larta, t’I le krejtë këto anash dhe tërë mundin e tij ta harxhojë vetëm për interesin e vet personal!!! Kjo është një mënyrë e sjelljes e cila aspak nuk I ka hije njeriut, gjegjësiosht është një gjest që e huton mendjen e shëndoshë.

                Kundërshtarët e Nuhit, Hudit, Shuajbit, Zekerijjës dhe Jahjait (a.m.s.) e refuzuan idenë e lartë edhepse përballë tyre qëndronin pejgamberë që pa kërkuar asfarë shpërblimi u prezentonin arka të plota me gurrë të çmueshëm. Këta popuj ishin adhurues të idhujve, por kundërshtimi I tyre nuk ishte rezultat I religjiozitetit të tyre. Nemrudi kur e hodhi në zjarr Ibrahimin a.s. ishte gati që të marrë mbi supe mallkimin e tërë njerëzimit deri në ditën e kijametit. Cili botëkuptim fetar do t’I prezentonte lumturi Nemrudit duke kaluar në rrugën e mallkimit gjithënjerëzor. Cili botëkuptim religjioz kërkoi prej Faraonit që të harojë se është njeri dhe të ngritet në piedestalin e zotrave. Ebu Xhehli, Lehebi dhe të ngjashmit me to pa asfarë frike u orvatën që të shlyjnë prej historisë një personalitet I cili popullin ku ishte I dërguar dhe tërë njerëzimin do ta shpëtonte prej errësirës dhe do t’ia servonte dritën.

                Emrat të cilat u përmendën janë “tipe” të njerëzve të përmendura në literaturën Hyjnore dhe për fat të keq janë prezentë në të gjitha epokat e jetës në rruzullin tokësor .

                Nëse flasim me gjuhën e Kur’anit “Fe te Zoti është Islami”, është nënshtrimi absolut I krijesës pranë Krijuesit të vet. Është rrënia e kokës së bashku me atë që ka brenda në sexhde para Planifikuesit të gjithësisë. Të gjithë pejgamberët duke filluar prej Ademit a.s. e deri te pejgamberi I fundit Muhammedi a.s. njerëzimit I sollën realitetin Hyjnor, të gatuar në kuzhinën e Allahutxh.sh. I cili në esencë kishte “kelime-I tevhidin” ( moton e njësimit ).5

                Obligimi I pejgamberëve ka qenë që në kornizat e relitetit të tevhidit të sistematizojnë jetën e popujve dhe shoqërive ku ishin të dërguar. Ata nu kishin për obligim që njerëzit me dhunë t’I fusën në fenë e vërtetë, por vetëm t’I përgëzojnë dhe t’ua tërhjekin vëmendjen. 6

                Edhepse praktika pejgamberiane ishte vetëm përgëzim, udhëzim dhe vërejtje, ata prapseprapë në të shumtën e rasteve u torturuan, madje disa edhe u vranë.Atëherë, ku ndeshej interesi I këtyre popujve me atë që transmetonte pejgamberi? Kelime-I tevhidi cilat interesa të këtyre njerëzve I pengonte sa që nuk dëshironin as ta dëgjojnë këtë të vërtetë, pasi ata askush nuk I dhunonte që të largohen prej besimeve të veta dhe të përqafojnë Islamin.

                Në të gjitha këta kundërshtime qëllimi kryesor ishte pengimi I shlyerjes së një botëkuptimi I cili e (keq)përdorte fenë për interesat e veta. Librat e shenjta dhe pejgamberët sollën disa principe të cilat ndesheshin qartë me këtë praktikë:

    • Njerëzit janë të barabartë dhe si rezultat I kësaj në mesin e njerëzve nuk ka persona dhe grupe të privilegjuara.
    • Punët duhet tu dorëzohen të zotëve, terazija duhet të mbahet drejtë. Në mesin e njerëzve duhet të veprohet me drejtësi, të mos bëhet dallim mes pasanikut dhe të varfërit, mes të fuqishmit dhe të dobëtit, femrës-mashkullit dhe kështu me rradhë.
    • Çdo person me vete do të merr atë që ka fituar dhe një ditë do të japin llogari për veprat e tyre, ku një grup do të drejtohet kah xhenneti e tjetri kah xhehennemi.

    Ja pra, këta janë disa prej atyre principeve hyjnore për shkak të të cilave u malltretuan pejgamberët, ose me fjalë tjera të gjithë njerëzit e mençur, intelektualë, të ndritur dhe me qëllime të pastra.

          Edhe sot njeriu modern ballafaqohet me të njëjtin problem, me problemin e ngritjes së interesit në platformën më të lartë dhe mposhtjen e të gjitha vlerave njerëzore dhe hyjnore. Faraonat, Nemrudat, Leheba aktivitetin e tyre e vazhdojnë edhe sot por në kallëpe tjera.

          Suksesi I dyanshëm- material dhe shpirtëror- I një shoqërie fle në ngritjen e motos së njësimit në të gjitha sferat e jetës së njeriut dhe në mbizotërimin e ideve të Larta. Pa një botëkuptim të tillë njeriu do të jetë I cekët, institucionet e tija shoqërore jofunkcionale dhe secila lëvizje e tij e  pasuksesshme.


    1 Mustafa, Nevin, Islam Sizasi Dusuncesinde Muhalefet, Istanbul1990, f.95.

    2 Iz, Mahir, Din ve Cemiyet, Istanbul 1979, f. 83.

    3 Bloch, Ernst, Ateizam u Krscanstvu, Zagreb1986, f. 129.

    4  Sena, Cemil, Tanri  Anlayisi, Istanbul 1978, f. 45.

    5 “Na nuk kemi dërguar asnjë pejgamber para teje e që të mos ia kemi shpallur atij ,”S’ka Yot tjetër përveç  Meje, andaj adhuromëni Mua” . Kur’an, 21:25.

    6 “ Na ua dërguam pejgamberët vetëm si sihariques dhe qortues. Pra kushdo që beson dhe bënë mirë mos të frikësohen e as nuk do të pikëllohen”. Kur’an 6:148.

  • METIN IZETI – FANATIZMI BRENGË SERIOZE E EPOKËS MODERNE

    METIN IZETI – FANATIZMI BRENGË SERIOZE E EPOKËS MODERNE

    Në shekullin e kaluar fanatizmi u përdor si term nëpërmjet të cilit shprehej ndjekja ekstreme e një feje, ideologjie, partie ose grupi nga ana e një numri të caktuar- i madh ose i vogël- të njerëzve.

    Në pikpamje gjuhësore, fanatizmi do të thotë dalldisje dhe shpreh humbjen në një botëkuptim të caktuar dhe armiqësinë ndaj të gjithë mendimeve tjera që ekzistojnë.1 Ndërsa në terminologji fanatizëm do të thotë mbrojtja e një ideje, apo botëkuptimi pa mos I konsulltuar fare anët pozitive ose negative të saja si dhe duke mos u menduar aspak edhe për pozitivitetet e mendimeve tjera.

    Fanatizmi është ngritja e qasjes personale ose grupore ndaj një ideje të caktuar në piedestalin më të lartë dhe mosrespektimi I aspekteve tjera të asaj ose ideve tjera.[1]

    Është fakt se ky term në të shumtën e rasteve edhe u keqpërdor nga ana e mjediseve të ndryshme, ashuqë ndjekja e përpiktë e principeve fetare nga ana e njerëzve të caktuar u etiketua me fanatizëm, fundamentalizëm etj.

    Për të dhënë një konkluzë të shëndoshë është e udhës që kjo çështje të analizohet në sferat e ndryshme të jetës shoqërore dhe nëpërmjet të kësaj të vihet në përfundim se ku është dallimi mes anës teorike dhe prezentimit shoqërorë të fanatizmit, ose thënë ndryhse mes etiketimit dhe realitetit.

    Para së gjithash duhet të kihet parasysh se njeriu ëshë qenie komplekse, respektivisht është krijesë e cila rëndë kuptohet në tërësi.[2] Gjatë tërë epokave historike në këtë ose atë mënyrë janë bërë hulumtime dhe analiza të shumta rreth anës së jashtme si dhe anës së  brendshme , shpirtërore, karakterit dhe temperamentit njerëzor të cilat nuk duken por fshihen pas anës së dukshme fizike të tij.

    Njëkohësisht njeriu është edhe qenie e cila jeton brenda një shoqërie. Ai nuk mund të mbijetojë në shoqëri nëse nuk I përmbahet marrëveshjes të pa nënshkruar nga ana e tij, por që është valide në shoqërinë gjegjëse. Në të kundërtën ai përjashtohet nga ana e individëve të asaj shoqërie. Kjo marrëveshje e panënshkruar nga  ana e tij paraqet zinxhirin e principeve të cilat mbretërojnë në shoqërinë ku ai e ka pas fat të lindë. Respektivisht turpi, mëkati, normat juridiko-morale përbëjnë zinxhirin e principeve shoqërore të cilave ai duhet tu përmbahet me inkuadrimin e tij në shoqëri.[3]

    Në relacionet e njeriut me shoqërinë ku jeton shpeshherë paraqiten kontraste në mes personalitetit të individit dhe principeve të një shoqërie të caktuar. Kjo situatë e bën të domosdoshëm individin që të shtypë emocionet e veta dhe gjithnjë të kontrolojë veten. Në disa raste shkas për shtypjen e ndjenjave, mendimeve janë edhe ligjet, posaçërisht nëse ata janë totalitare.

    Problemet ekonomike, ndarja  jo e drejtë e të ardhurave në shoqëri gjithashtu ndikon në mbylljen e individit në vetvete dhe shtypjen e ndjenjave të ndryshme- fizike osemeta fizike- të tij.

    Njëkohësisht edhe marrëdhëniet mes individëve të resoreve të ndryshme në shoqëri, sjellja dhe karakteri I prezentuar nga ana e personave të uniformuar ndikojnë dukshëm në orientimin e karakterit njerëzorë.

    Këto dhe realitetet tjera shoqërore të ngjashme bëhen shkas që njeriu të shtypë ndjenjat dhe mendimet e veta personale dhe të mbyllet në vehte. Njeriu I këtillë është tip më adekuat te I cili mund të mbizotërojnë idetë fanatike.

    Fanatizmi në aspektin psikologjik është një ndjenjë e hakmarrjes. Në momentin kur personi nuk ka mundësi të ndryshojë një sistem të caktuar të jetës, atëherë zbrazet në formalitetet dhe anën e dukshme të rendit I cili është shkaku I shtypjes së ndjenjave të tija të brendshme, janë ato fetare, ideologjike, partiake ose grupore.

    Ashpërsia e fanatikëve nuk rrjedh prej këmbëngulësisë dhe inatit të tyre por prej ndjenjës për të dëshmuar kualitetin personal. Në shoqëri njerëzit bëhen aktual nëpërmjet të mendimeve të mprehta dhe ekstreme gjegjësisht nëpërmjet të fjalëve dhe sjelljeve jo identike në formë me individët tjerë të shoqërisë.

    Fanatizmi shpeshherë paraqitet edhe si rezultat I pakënaqësisë dhe pamjaftueshmërisë së prezentimit të një ideje të caktuar. Personat të cilët nuk janë të kënaqur me atë që dëgjojnë, shohën, përjetojnë duke menduar se prezentimi I tillë I ideve dhe sjelljeve është I pamjaftueshëm mund të thellohen në një strukturë fanatike.

    Shkaqet dhe shembujt në lidhje me këtë dukuri shoqërore mund të shumohen mirëpo pikë e përbashkët te të gjithë është kjo: Personat të cilët janë të zhytur në fanatizëm nuk bëhen të lumtur me jetën e vete por me jetën e tjetërkujt. Ata bëhen të lumtur me sjelljet e liderëve të vet, me te e maskojnë mëngësinë dhe pamjaftueshmërinë personale. Të vërtetat dhe mashtrimet e fanatikut nuk janë të vërtetat dhe mashtrimet e veta por gjithnjë ai mbron të vërtetat dhe gabimet e dikujt tjetër. Respektivisht në sjelljet dhe idetë e veta nuk kërkojnë logjikë.

    Në fanatizëm ngjarjet, individët dhe botëkuptimet nuk vlerësohen në mënyrë objektive. Në vend që të mundohen të kuptojnë diçka ata gjithnjë janë të anës së kundërshtimit dhe gjykimit. Prandaj edhe formacionet e ndryshme shoqërore I ushqejnë dhe kujdesen për mirëqenien e njerëzve të tillë në mesin e formacionit të vet pasiqë ata janë ithtarë pa kritikë. Në mënyrë të prerë kundërshtojnë çdo të mirë tjetër jashtë asaj për të cilën ata mendojnë se është e mirë. Njerëzit e tillë asnjëherë nuk kanë mundësi ta rrokin të mirën dhe të bukurën.

    Duke u bazuar në rrethanat e sipërpërmendura fanatizmin si dukuri e shohim në shumë sfera të jetës, mirëpo ne do ti përmendim disa më kryesore:

    1-Fanatizmi nacional.- Përkatësia nacionale nuk është në kompetencat e njeriut. Njeriu nuk lind si shqiptar, turk, arap, françez me dëshirën e vet, prandaj edhe njerëzisht nuk ka të drejtë që njerëzit të cilët nuk I takojnë kombit të tij ti nënçmojë.

                Vetëdija kombëtare, dashuria e njeriut ndaj kombit të vet janë vlera humane të cilat nuk I kundërshton asnjë fe dhe ide, mirëpo lartësimi I një kombi dhe nënçmimi I tjerëve në pikpamje ontologjike është njëri ndër format më të rrezikshme të fanatizmit respektivisht është shovinizm.

                Në literaturën fetare ky botëkuptim identifikohet me sjelljen e shejtanit I cili e shihte veten më të ngritur se Ademi a.s. vetëm pse ai ishte I krijuar prej zjarrit kurse Ademi a.s. prej dheut. “ Çtë pengoj ty që nuk u përule kur të urdhërova? I tha Allahu. Unë jam më I mirë se ai, u përgjigj- mua më krijove nga zjarri e atë nga balta”.[4]

                Kurani I Lartë pasiqë prezenton realitetin e ndarjes së gjinisë njerëzore në popuj dhe fise të ndryshme pohon se qëllimi I kësaj ndarjeje është njohja, solidariteti dhe mirësjellja reciproke mes njerëzve. “ O njerëz, Ne ju kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre dhe u kemi bërë popuj e fise që ta njihni njëri tjetrin. Më fisniku tek Allahu është ai I cili më së shumti I ruhet Atij. Allahu me të vërtetë është shumë I dijshëm dhe I informuar mirë”. [5]

                2.- Fanatizmi ideologjik.- Në ajetin e 26 të sures Feth Allahu I Lartmadhërishëm kur prezenton mënyrën e këmbënguljes së verbër nga ana e politeistëve mekas ndaj idesë së lartë dhe të vërtetë të prezentuar nga ana e Muhammedit a.s. thotë kështu: “ Kur ata që nuk besuan mbushën zemrat e veta me arrogancë , arrogancë të paganizmit (injorancës), pra Allahu xh.sh lëshoi qetësinë e vet në Pejgamberin evet dhe në besimtarët edhe I obligoi të bëhen besimtarë të vërtetë, se ata edhe janë më të denjë dhe më të rëndësishmit si dhe familja e tyre, ndërsa Allahu I di të gjitha”.

                Nga ajeti I Kuranit të Lartë shihet qartë se fanatizmi (në përkthim I shprehur si arrogancë) është metodë e njerëzve të cilët nuk kanë besim të argumentuar dhe mosafrimi I tyre ndaj të vërtetës hyjnore nuk është I argumentuar por është hakmarrës. Ndërsa besimtarët e vërtetë ajeti I identifikon  si njerëz të furnizuar me qetësi të lartë (sekineh).

                Në ajetin e lartëpërmendur ka edhe një moment të rëndësishëm, ku aroganca dhe fanatizmi janë të përmendur së bashku me paganizmin gjegjësisht injorancën (xhahilijjeh). Përderisa në njërën anë prezentohet ligësia e fanatizmit në anën tjetër tregohet edhe cilësia bazë e tij, injoranca.[6]

                Fanatizmi është karakteristikë e ideologjive të dobëta dhe të paargumentuar, të cilat përkundër të vërtetës orvaten të qëndrojnë në këmbë vetëm me arrogancë.[7]

                Islami është fe e shëndoshë, burimet e saja janë tejet logjike dhe të kuptueshme, prandaj edhe asnjëherë nuk ka pasë e as që ka nevojë për një botëkuptim fanatik.

                Por, për fat të keq disa qarqe në botën moderne edhe muslimanët të cilët I kryejnë si duhet obligimet e tyre fetare I etiketojnë si fanatikë. Ky emërtim është I gabuar për muslimanin e vërtetë, pasi ai e jeton fenë e vete, pëlqen mendimin e tij, por asnjëherë nuk sillet vrrazhdë ndaj mendimeve tjera brenda Islamit si dhe ka rrespekt ndaj feve dhe ideologjive tjera të cilat ekzistojnë në shoqëri.

                3-Fanatizmi politik.- Njëra ndër format më të rrezikshme të fanatizmit është ai politik. Posaçërisht në shekullin e 21 kur bota proklamon demokraci të gjithanshme, është tepër alogjike ekzistenca e një dukurie të tillë.

                Njeriu modern para së gjithash duhet të logjikojë për mirëqenien e gjinisë njerëzore dhe vlerave të larta siç feja, kombi, shoqëria etj.

                Fanatizmi politik ose më qartë thënur partiak, duke mos u thelluar në analizën e shtytësve dhe praktikës së formacionit të caktuar, I bën dëm të dukshëm piksëpari interesave shoqërore e më pas atyre kombëtare, fetare dhe në fund gjithënjerëzore.

                Nëse pak analizojmë shtetet e mëdha gjatë historisë do të shohëm se edhe pas ndërrimit të regjimeve interesat nacionale të tyre kanë ngelë të njëjta. P.sh. Në epokën e Rusisë cariste në interes të Rusisë ishte që nën kthetrat e saja të mbajë vendet fqinje të banuara me turq dhe Ballkanin , por ky interes nacional I tyre nuk ndryshoi edhe pas revolucionit komunist të Tetorit edhepse sistemi dhe regjimi kaloi prej atij feudal, monarkik në komunist, socialist.

                Individi I shoqërisë moderne duhet të analizojë trendet përparimtare në makropolitikën dhe të jetë gati me idetë e tija përparimtare të ndikojë në zhvillimin pozitiv të vlerave të larta njerëzore, fetare dhe kombëtare.Në të kundërtën fanatizmi I bërë në imtësirat do të përfaqësojë gryerjen e greminës së disfatës. Ruajna Zot.

                4.-Fanatizmi shkencor.- Pas periudhës së humanizmit dhe Renesansës njeriu vendoset në qendër të kozmosit dhe zhvillimi I çdo dicipline qarkullon rreth tij, me një fjalë vendin e teocentrizmit I cili shekuj me rradhë kishte sunduar në punimet shkencore e morri homocentrizmi.[8] Njeriu u bë kriteri absolut I të vërtetës, të drejtat e njeriut më bëhen absolute si në relacion me të drejtat hyjnore ashtu edhe me ato natyrore. Shpallja dhe inspirimi I vetëm do të fillojë të merret prej laboratorit kurse argumenti I vetëm do të jetë eksperimenti.

                Një afrim I këtillë shkencor I cili është në kundërshtim me krijimtarinë e njeriut dhe strukturën e tij metafizike do të jetë shkas për vandalizimin e shkencës dhe shkatërrimin e mjedisit jetësor. Vetëm një shekull I etikës shkencore pa zot njeriut do ti sjellë dy lufta botërore dhe kriza të shumta rajonale.

                Humanizmi absolut në shkencën e periudhës postrenesanse do të shkatërrojë natyrën dhe do të shkelë të drejtat jetësore të gjallesave tjera dhe do të nëpërkëmbë format tjera jetësore.

                Fanatizmi shkencor pozitivist I përqëndruar posaçërisht në mendimet e Auguste Comte-it, Sain Simonit, Emile Durkheimit do të jetë I kobshëm për tërë gjininë njerëzore e posaçërisht për popujt të cilët kishin traditë të bujshme metafizike.

                Bota perëndimore pas gjysmës së dytë të shekullit të kaluar I pa gabimet e bëra dhe filloi të ndjekë një strategji shkencore në të cilën metafizika ka vend të posaçëm.

                Fanatizmi shkencor I cili do të shkelë vlerat tradicionale dhe pa mos I marrë ato në konsideratë do të orvatet të mëkëmbë jetën sociale që në fillim është I gjykuar në humbje.Përveç argumenteve logjike në arsyen tonë vend të posaçëm duhet të ketë edhe zemra dhe shpirti. Kjo balancë ontologjike do të mundësojë ekuilibrin social në shoqërinë njerëzore.

                5- Fanatizmi grupor.- “ Feja është faktori themelor I mirëqenies në mesin e njerëzve. Ndërsa përçarja arrogante dhe armiqësore në disa grupe është faktori themelor I trazirave në shoqëri…” thotë në mes tjerash Imam Maverdi.[9]

                Më lartë në pika të shkurta përmendëm konstrukcionin socio-psikologjik të njeriut dhe thamë që ai është krijesë mjaftë komplekse. Krijimtaria e të gjithë njerëzve nuk është e njëjtë, të gjithë njerëzit nuk janë të një tipit. Ekzistencën e tipeve të ndryshme brenda gjinisë njerëzore e shohëm edhe në arketipet e prezentuara në literaturën Hyjnore.

                Sikur të gjithë njerëzit të ishin të njëjtë atëherë nuk do të themeloheshin civilizime të ndryshme e as që do të kishte zhvillim kulturor. Në qoftë se të gjithë njerëzit I takonin mendimit të njëjtë atëherë nuk do të kishte nevojë për hulumtime të reja dhe shoqëritë do të ishin të një tipi.

                Komunuikuesit e fjalës hyjnore, pejgamberët, e posaçërisht pejgamberi I fundit Muhammedi a.s. shumë mirë e kanë njohur llojllojshmërinë e krijimtarisë njerëzore dhe absolutizmin e ligjit Hyjnor (Kanun-I Ilahi). Pikërisht për këtë në shoqëritë e tyre nën ombrelën e pejgamberit janë strehuar njerëz të tipeve të ndryshme, të cilët devotshmërinë e tyre e kanë shpreh në nijansa të ndryshme prej njëri tjetrit.

                Është më se normale që njerëzit të cilët I takojnë pozitave gjeografike,klimës, kulturës dhe civilizimit të ndryshëm të kenë dallime nijansore në përjetimin e vlerave të Larta Hyjnore.

                Afrimi drejtë Kuranit dhe Sunnetit në prizma të ndryshme, komentimi I këtyre të vërtetave nga ana e dijetarëve të ndryshëm në mënyra jo identike me njëri tjetrin, ka bërë që brenda ithtarëve të besimit të njëjtë të paraqiten grupe të ndryshme, të cilat në nuanca janë dalluar prej njëri tjetrit. Kjo është një paraqitje normale, mirëpo anormale është që një grup të pohojë se vetëm ai është në të drejtë dhe të gjithë tjerët janë në devijim.

                Sjellja e këtillë është fanatizëm dhe është I dëmshëm edhe për grupin I cili e bën edhe për shoqërinë në tërësi.

                Islami është fe e cila më së tepërmi e dënon fanatizmin. Duke filluar prej ajetit të parë të shpallur Kurani a.sh. preferon qasjen objektive ndaj ekzistencës.

                Pikërisht për këtë një gjë duhet të kihet parasysh fakti se nuk ka asnjë person përveç Pejgamberit a.s. fjala  e të cilit absolutikisht mund të pranohet si e vërtetë. Thëniet, vetëm grupi I jonë, mendimet tona, lideri ynë është I mirë e të tjerët janë në humbje janë të gabuara. Ndërsa vokabulari I muslimanit duhet të jetë: Orvatem të veproj në mënyrën më të mirë, mundohemi që çështjet ti shtjellojmë sa më mirë, edhe të tjerët përveç neve veprojnë drejtë…etj.

                Besimi dhe botëkuptimi I besimtarit duhet të jetë I matur dhe në barazpeshë, në të kundërtën prishet balanca.Nëse dëshirojmë të jemi të suksesshëm në trendet moderne atëherë nijansat e ndryshme në praktikën fetare nuk duhet të na armiqësojnë dhe të tensionojnë marrëdhëniet reciproke mes grupeve të ndryshme fetare, por secili duke e bërë atë që është në ingjerencat dhe mundësitë e tij të prezentojmë ekranin real të idesë së Lartë –Islamit.

                Për fund nëpërmjet të disa motove do të mundohem të ju mba pakëz dritë se si mund ta bëjmë këtë:

    • Mos të përjashtojmë njerëzit vetëm pse nuk mendojnë si ne.
    • Të sqarojmë mendimet dhe idetë tona por mos ia mbështetim askujt.
    • Të kemi të vërteta personale, por të respektojmë edhe realitetet e të tjerëve.
    • Të shfrytëzojmë mendimet e më shumë dijetarëve jo vetëm të një dijetarit.
    • Ti largohemi ndjekjes së verbër, në çdo aktivitet dhe të veprojmë me logjikë.
    • Të vërtetat ti pranojmë, gabimet ti refuzojmë pa marrë parasysh kush I thotë.
    • Të gjithë muslimanët ti shohëm si një familje, kurse Islamin si një tërësi që nuk ndahet.

    1 Ndreca, Mikel, Fjalor Fjalësh e Shprehjesh të Huaja, Prishtinë 1986; Vujaklija, Milan, Leksikon Stranih Reçi I Izraza, Beograd1980.

    [1]  Milosh Çeslav, Zarobljeni Um, Botmi I dytë, BIGZ, Beograd, f. 196.

    [2] Më gjerë shiko: Scheler, Max, Polozhaj Çovjeka u Kozmosu, Sarajevo, LOGOS, f.48.

    [3] Lapidus M. Ira, Modernizme Geçish Surecinde Islam Dunyas, përkth. Në turq. I. Safa Ustun, Istanbul 1996, f. 30-1.

    [4] Araf, 12. Për komentin e ajetit shiko: Kutub, Sejjid, Fi Dhilalil Kuran.

    [5] Huxhurat, 13.

    [6] Razi, Fahruddin, Tefsirul-Kebir, Feth 26.

    [7] Ozcan, hanifi, Epistemolijik Açidan Iman, Istanbul 1992, f. 29.

    [8] Më gjerë, Bosnjak, Branko, Filozofija I Krsçanstvo, Zagreb, Stvarnost, f.32.

    [9] Maverdi, Edebud-Dunya ved-Din, f.56.

  • METIN IZETI – ROLI I EDUKATËS SHPIRTËRORE NË ARRITJEN E ARSIMIT CILËSOR

    METIN IZETI – ROLI I EDUKATËS SHPIRTËRORE NË ARRITJEN E ARSIMIT CILËSOR

    Botëkuptimi materialist I shekullit të 19 filloi luftë të hapur kundër vlerave humane dhe shpirtërore të shoqërisë njerëzore. Përfundimi I kësaj lufte në favor të materializmit dhe zhveshjes shpirtërore rezultoi me largimin në përmasa të mëdha të shoqërive njerëzore prej praktikës dhe ndishmërisë fetare. Të gjitha vlerat humane, religjioze dhe etike nën moton e “modernizimit”u etiketuan si të prapambetura dhe regresive.
    Në veçanti, pas mbretërimit të socializmit në një pjesë të botës këto ide u shndërruan në ligje të mbrojtura në mënyrë institucionale nga ana e shteteve gjegjëse. Për pasojë arritën gjenerata të cilëve u mungonte në tërësi mëny ra e konceptimit shpirtërorë, ose thënë ndryshe çështjet fetare nga ana e tyre vërreheshin nëpërmjet të paradigmave të ndryshme të imponuara nga ana e sistemit ideo-politik në të cilin ishin rritë dhe shkolluar.
    Si disaherë më parë edhe këtë herë njeriu, kjo krijesë e përsosur ishte ballë për ballë me shkatërrimin e njerëzores në brendinë e tij. Mirëpo, ana më e ndritshme e medaljes botërore e kuptoi më herët se ana tjetër këtë humbje dhe shkatërrim dhe në mënyra të ndryshme filloi të reklamojë parajsën dhe ferrin si dy alternativa rezultate të praktikës njerëzore dhe etike.Njeriut I cili në masë të madhe ishte thelluar në ferrin shpirtërorë I nevojitej një freskim prej kronit të parajsës.
    Mënyra më e suksesshme e këtij freskimi shpirtërorë gjithsesi do të ishte edukata dhe arsimi cilësor ku në trajtë të barabartë do të konsulltoheshin ideja dhe forma, si dy realitete të ekzistencës.1
    Problem kryesor I kësaj tabloje të cilën u mundova ta ilustroj është edukata dhe arsimi cilësor. Edukata dhe arsimi cilësor ka shumë karakteristika , mirëpo unë do të përkufizohem në njërën për të cilën mendoj se është më e rëndësishme në mesin e tyre. Mendoj se karakteristika bazë e edukatës cilësore është që të kultivojë mundësinë e simbolikës dhe të menduarit pa kufi në individin. Fuqia e imagjinimit në ne ec së bashku me fuqinë kreative, filozofike dhe shpirtërore. Njëkohësisht në imagjinatën nëpërmjet të simpatisë dhe kureshtjes ekzistojnë edhe fuqi shtytëse për hulumtim.2 Jam I mendimit se problemi kryesor I sistemit edukativo-arsimor në të cilin kultivohet I riu ynë është në mungesën e kësaj simbolike kreative. Imagjinata njëkohësisht përkëdhel dhe përqafon mendimin dhe objektet e të menduarit. Ajo njërin skaj e ka në observim kurse tjetrin në meditim. Nëpërmjetë saj njeriu I dallon gjërat para perceptimit. Imagjinimi I zgjeron kufijtë e observimit dhe perceptimit dhe na ndihmon që gjërat ti shohëm të kuptimta ose të nxjerrim kuptim prej tyre. Imagjinata është mënyrë më e gjerë e të konceptuarit prej perceptimit. Ajo rrugën e ecjes dhe zhvillimit e ka në binarët e shpirtit. Pashpirtësia dhe përkufizimi në fizikën dhe materialen njeriut ia humb mundësinë e imagjinimit, simbolikës dhe perceptimit të gjerë gjegjësisht ia grabit lirinë e të menduarit.
    Imagjinata fillon me observimin e gjërave por nuk ndalet në te, I ndryshon ata, I vëren dallimet mes tyre dhe orvatet të gjejë zgjidhje të reja, gjegjësisht nëpërmjet të saj njeriu bëhet kreativ.3
    Poeti, romansieri së pari gjërat I imagjinon në trajtë të simboleve pastaj I transferon ata në gjuhën të cilën e flet, piktori në imagjinatën e tij në mënyrë simbolike parafytyron gjërat të cilat më vonë I prezenton në pëlhurë . E njëjta fuqi imagjinuese I mundëson edhe lexuesit, dëgjuesit, shikuesit që prej këtyre produkteve shpirtërore të nxjerrë dimensionet e veta.
    Në bazë të kësaj mund të konstatohet se detyrë e edukimit dhe arsimit është të kultivojë dhe zhvillojë mundësinë e të imagjinuarit, simbolikës, meditimit, konceptimit shpirtëror etj dhe paralelisht me të dukshmen të mundësojë edhe konceptimin simbolik të gjërave që të paraqitet personaliteti kreativ në një shoqëri të caktuar. Në të kundërtën – siç thotë edhe Rousseau-ja – edukata dhe arsimi do të luajnë rol negativ në ndërtimin e personalitetit njerëzor.
    Ngarkimi I tepërt I intelektit njerëzor me programe të ndryshme para stabilizimit të botës ndiesore të tij mundëson paraqitjen e individëve të ditur pa personalitet.
    Mendimtari I madh Imam Gazaliu në veprën e tij “ er-Risaletul-Ledunijje përmend proçeset edukativo- arsimore nëpërmjet të të cilave njeriu mund të arrijë diturinë e vërtetë gjegjësisht ndritjen. Ai përveç arsimit si parakusht për dituri të suksesshme e sheh edhe meditimin.4
    Përderisa arsimi -gjegjësisht transferi I diturisë prej mësuesit ose librit në nxënësin- prezenton ngritjen intelektuale, meditimi mundëson formimin ndiesor në individin. Përveç asaj që njeriu e din ose mund ta mësojë në qendër të shpirtit të tij në formë potenciale ekzistojnë edhe gjëra tjera të cilat mund të dihen respektivisht të funkcionalizohen. Për pasojë, të mësuarit paraqet kërkesë për funkcionalizimin e asaj që në formë potenciale gjindet në shpirt. Ndërsa proçesi arsimor duhet të gjejë përgjigjen e kësaj kërkese.Prandaj në proçesin edukativo-arsimor është e domosdoshme vendosja e një afërsie shpirtërore mes atij që ligjëron dhe atij që dëgjon ose lexon. Aktiviteti themelor I ligjëruesit ose librit duhet të përqëndrohet në kultivimin e pemës e cila në formë të farës është në shpirtin e nxënësit, studentit ose lexuesit. Nxënësi gjatë proçesit arsimor sa më shumë të jetë afër shpirtit dhe metafizikës aq më shpejtë do të rrokë rrugën e imagjinimit dhe meditimit dhe nëpërmjet të tyre do të bëhet kreativ.
    Sipas Gazaliut edukimi dhe arsimimi para së gjithash duhet të jetë çështje e arritjes së përsosurisë . Kjo përsosuri mund të sendërtohet vetëm nëpërmjet të tre përkufizimeve themelore:
    1. Dendësisë medituese
    2. Pastërtisë morale
    3. Ndritjes mendore
    Në filim të tekstit përmenda disa karakteristika të epokës së ngurtë të mbretërimit të socializmit, në praktikën origjinale të së cilës nuk ka pasë aspak vend edukata shpirtërore. Dhe ky botëkuptim është prezentuar si postulat I modernizimit. Por kjo mbështetje është në kundërshtim të plotë me vetë shtyllën themelore të botëkuptimit materialist, pasi në këtë mënyrë individit nuk I mundësohet të dijë, ose të njohë atë që do ta mohojë. Njeriu nëse nuk ka dituri sistematike mbi një çështje të caktuar të jetës atëherë nuk mund të sjellë konkluza të shëndosha në lidhje me te.
    Në bazë të kësaj mund të konstatohet se prezentimi I një botëkuptimi shpirtëror gjegjësisht diturie fetare në proçesin edukativo-arsimor do të jetë mundësi fascinante për përsosurinë e kapaciteteve vetëdijësore dhe ndërgjegjësore të individit I cili përgaditet të bëhet kreativ dhe I dobishëm për mjedisin ku jeton ose më gjerë. Respektivisht pas kësaj individi do të jetë larg prej sugjerimeve të kushtëzuara nga këto ose ato qarqe dhe prej projekteve të cilat kanë për qëllim të robotizojnë dhe të nxjerrin tipe të caktuara të njerëzve.
    Për fund do të përmendi disa dobi të edukimit dhe arsimit shpirtëror-fetarë për jetën e njeriut:
    -Edukata shpirtërore së pari njeriun e njohton me vehten e më pas me Krijuesin dhe nëpërmjet të kësaj njohurie ai e gjen vendin e vet në gjithësi.
    -Edukata shpirtërore sistematizon jetën individuale, qetëson zemrat dhe e bën të kuptimtë jetën.
    -Feja individit dhe shoqërisë ia sugjeron të vërtetën dhe të bukurën dhe ia lehtëson rrugën e arritjeres deri te to.
    -Edukata shpirtërore I mundëson individit që të inkuadrohet në institucionet shoqërore, të orvatet për sendërtimin e drejtësisë dhe vlerave shoqërore në to.
    -Edukata shpirtërore mundëson që njeriu të tejkalojë në qetësi dinamikën ejetës moderne dhe të ketë harmoni në të gjitha sferat e saj.
    -Edukata shpirtërore I jep shkencës shpirt dhe e bën ate mjet për arritjen e lumturisë në të dyja botërat.