Ngjashmëria e shprehjes së Naimit me klasikët e tesavvufit, siç është Mevlana Xhelaluddin Rumiu, është për shkak të ngjashmërisë së ndjenjave dhe emocioneve të larta dhe rrugës shpirtnore që e ndiqte Naimi si edhe Mevlana.
Poezia Fyelli është pjesë e librit me poezi lirike Lulet e verës e Naimit e cila ka tematikë të ngjashme me 18 vargjet e para të Mesnevi’së të Mevlana Xhelaluddin Rumiut. Në pjesën më të madhe të komenteve dhe trajtesave që I janë bërë kësaj poezie të Naimit është diskutuar përmasa lëndore e fjalëve të përdorura në të dhe shumë pak është analizuar platforma shpirtnore e Naimit, e cila ka buçitur, me ndjenjën e dashurisë, ngjashëm si edhe ajo e Mevlana Xhelaluddin Rumiut. Në disa raste mund të haset të thuhet se Naimi e ka kopjuar Mevlanain në vargjet e kësaj poezie. Ky konstatim dhe komentet që janë të përqëndruara vetëm në përmasën lëndore të poezisë janë shumë larg prej kuptimit të realitetit me të cilin është djegur zemra naimiane.
Hapësira poetike e Naimit, në pjesën më të madhe është e ndikuar nga konteksti sufik, i cili gjatë historisë por edhe në qasjen e Naimit, bie në sferën e gjuhës dhe shndërrohet në “përmbajtje” vetëm si element përbërës i dikitomisë përmbajtje-shprehje. Poezia Fyelli, në realitet flet për të pashprehurën e përmbajtjes. Këtu fjala nuk është për marrëdhëniet e përmbajtjes dhe shprehjes, porse për pamundësinë e sferës së gjuhës me përmbajtjen dhe shprehjen e saj jashtë gjuhës, që i takon tejfizikes. Ngjashmëria e shprehjes së Naimit me klasikët e tesavvufit, siç është Mevlana Xhelaluddin Rumiu, është për shkak të ngjashmërisë së ndjenjave dhe emocioneve të larta dhe rrugës shpirtnore që e ndiqte Naimi si edhe Mevlana. Pra, në këtë poezi bëhet fjalë për prezantimin e idesë së lartë nëpërmjet konceptit të njeriut të plotë (insan kamil). Shembuj të këtillë kemi pa numër, mirëpo që të mos zgjerohemi tepër, do të përqëndrohemi në prezentimin e këtyre vlerave të Idesë së Lartë në poezinë Fyelli të Naim Frashëri.
Të gjitha aspektet e jetës dhe veprës së Naimit në këtë ose atë mënyrë janë studjuar dhe analizuar, mirëpo njëra ndër karakteristikat më dalluese në aktivitetin jetësor dhe poetik të Naimit, në etikën dhe mendimin e tij – karakteri sufik Islam- gjithnjë është mbajtur në hije. Nuk ka asfarë arsye që kjo vetëdije e lartë e Naimit, e lartë po aq sa edhe e Xhelaluddin Rumiut, Hafizit, Shejh Sadiut, Goethes, Mjeshtër Eckhartit etj., të zvogëlohet ose zhvlerësohet qëllimisht.
Naimi është njohës mjaft i mirë i tesavvufit islam e posaçërisht i tarikatit bektashian. Ai shumë bukur e njeh poezinë klasike sufike, hollësitë e saja, e krahas saj edhe të gjitha detajet e retorikës. Në poezinë e tij në formë tepër tërheqëse janë të vendosuara vargjet e larta shpirtërore, ku në formë simbolike e ku direkte.
Naimi në veprën e tij shpeshherë thekson fjalën dhe relacionin e saj me realitetin i cili qëndron fshehur pas saj. Ai njëkohësisht orvatet që këtë relacion mes fjalës dhe realitetit ta zgjidhë dhe ta prezentojë sa më mirë. Nuk ka dyshim se Naimi këtë zgjidhje e ka gjetur, poezia e tij është tepër e logjikshme, për shkak se ai është një poet i cili i ka mbetur i sinqertë esencës, dashurisë dhe botëkuptimit të vet dhe të gjitha këto ngjarje i ka kahëzuar dhe formuluar sipas ligjit të tij të brendshëm.
Poezia Fyelli, nga vargu i parë e deri tek i fundit, e parashtron retorikën emocionale të njeriut të plotë (insan kamil). Naimi në trajtë shumë të ngritur e ka përfaqësuar në poezinë e tij përmallimin e njeriut për origjinën dhe eternalitetin e tij. Ai në poezinë e tij e ka shfaqur idenë e njeriut që nuk e ka humbur fizognomikën e vete. Ai flet për artin, shkencën dhe filozofinë që nuk e kanë haruar pajtimin e tyre me parimin e natyrshmërisë, respektivisht logosit. Edhe gjërat në poezinë e tij i rrëfejnë atyre që dijnë ta përdorin senzoriumin e vet. Figura poetike në poezinë e Naimit na paraqitet si e llojllojshme dhe mimikë ekzistenciale. Figura e njeriut të përsosur në të na afrohet si pejsazh, lojë e formave dhe ngjyrave, sikur pandërprerë ndryshojnë, që duken si akcidenca të tjerura mes vetes por pa platformën e zezë. Një numër i madh i personazheve dhe përmasave reliefe gjeografike në këtë poezi të Naimit e kanë humbur kompetencën individuale të përkapjes ose aftësinë e vrojtimit autentik. Heideggeri këtë pozicion e konsideron si status specifik të artistit ose të pragmatizmit të së vërtetës. Kjo tërësi, thotë Heidegerri, është më se e qartë se është humbur në qytetërimin modern. Një paralele të njëjtë do të tërhjekë edhe Albert Camyja. Camyja do të thotë: “ Nuk ka rrugë tjetër përveç asaj që të priten rrënjët që e lidhin njeriun vetëm me jetën dhe natyrën, gjegjësisht me lëndën. Nuk është e rastit që librat kryesore të ditëve të sodit, në vend që të merren me nuancat e zemrës dhe vërtetësinë e dashurisë, ata amullohen vetëm me gjykatësit, proceset dhe mekanizmat e akuzës dhe padisë. Në vend që të hapen dritaret metafizike para bukurisë botërore, ata me ngarkesë i mbyllin në brengën e të vetmuarit dhe të huajit. Vargjet e Fyellit flasin për paralelizmin e qenies dhe të vërtetës, ose më mirë thënur e shprehin antropologjinë reale të zbulesës dhe kontaktit hyjnor me dukshmërinë dhe përmasën e kthimit drejtë Tij.
Naimi e fillon poezinë e tij me fjalën “Dëgjo”:
Pa dëgjo fyellin ç’thotë
Tregon mërgimet e shkreta,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalë të vërteta.
Sugjerimi “dëgjo” është ekuivalenti i urdhërit “lexo”. Do të thotë të dëgjosh atë që lexohet, të dëgjosh zërin e thellë të universit, të dëgjosh veten. Fyelli këndon, të gjithë dëgjojnë; Njeriu shikon gjithçka me një mësim. Dëgjimi është shumë i rëndësishëm. Ata që dëgjojnë, e vënë veshin dhe janë të vëmendshëm kanë sukses; Ata që dëgjojnë dhe binden do të arrijnë shpëtimin. Ai që nuk dëgjon nuk mund të mësojë, nuk mund të dijë, dhe mendja dhe zemra e tij nuk mund të pasurohen. Ai që dëgjon është i respektueshëm; ndaj universit, ndaj krijesave, ndaj njeriut dhe sigurisht ndaj vetvetes. Dëgjuesi ka krahë, ngrihet, fluturon dhe lundron. Ai që nuk dëgjon është i mjerë, zvarritet si gjarpër në plehra. Sa bukur është të dëgjosh gjithësinë, duke e parë para vetes. Sa e ëmbël është të dëgjosh ujin, në burime, përrenj dhe ujëvara. Sa bukur të dëgjosh zhurmën e shiut, në ditët e nxehta të verës. Kudo ka zë, edhe bota kthehet me zë, edhe hëna e shikon botën me zë. Sa mirë që mund t’i dëgjojmë këto zëra, sa mirënjohës jemi, apo jo? Sa bukur është të dëgjosh të vërtetën, sa e ëmbël, sa e këndshme, sa emocionuese, sa djegëse, por edukative, sa harmonike por kuptimplote, sa e këndshme dhe edukative të dëgjosh urtarët, të dëgjojmë miqtë tanë, të dëgjojmë fëmijët tanë , të dëgjojmë frymëmarrjen e foshnjave … Shkurt, të dëgjosh, të përqëndrohesh në qenien… prandaj Fyelli fillon me fjalën “dëgjo”.
Edhe fyelli, gjithashtu, është një simbol; përfaqëson universin dhe mirëpret njeriun. Naim Frashëri shpreh interesimin dhe dashurinë e tij për atë që mendon duke thënë “çka është kjo rrëfenjë?”. Pra, dëgjo fyellin se ai është miku yt, i afërmi yt; sepse ka ankesa, ka një histori, ka gjëra për të treguar. Mos dëgjo vetëm zërin e tij përvëlues, dëgjoje edhe vetë atë, por përpiqu ta kuptosh edhe atë histori të trishtë; sepse ka ankesa për ndarjet. Fyelli nga njëra anë është lapsi i cili shkruan dhe një mjet i shenjtë. Nga ana tjetër, fyelli është simbol i të ngriturve (evlija) dhe flet me gjuhën e tyre. Evlijatë, në të vërtetë janë në afërsi me Zotin. Por para këtij takimi kanë përjetuar shumë përmallime për shkak të largësisë dhe sa e sa tortura për shkak të ndarjes. Evlijatë vajtojnë për hjekat e ndarjes me zë të djegur si edhe fyelli dhe me këtë ua tërheqin kujdesin të neglizhuarve. Të qenurit në këtë botë dhe brenda kafazit të trupit do të thotë të jesh në gjendje penguese për takim me Zotin. Për ata që e dijnë sekretin e të qenurit një me Zotin dhe që e kanë perceptuar lartësinë eterne të kësaj gjendjeje, një pengesë e këtillë është shkak për përmallim dhe vajtim të thellë.
Prandaj kur fyelli thotë:
Që kur se më kanë ndarë
Nga shok’ e nga miqësija,
Gra e burra kanë qarë
Nga ngashërimet e mija!
rrëfen për bashkësinë tonë me Zotin në botën hyjnore dhe e përcakton gjendjen e të qenurit një perlë në arkën e Krijuesit të lartë i Cili thotë: “Unë isha një arkë e fshehtë dëshirova të dihem”, gjegjësisht e të qenurit substancë e njëjtë me Të. Krijesat janë paraqitur në ekzistencë me krëkesën e tyre për sy që do ta shohë dhe zemër që do ta dashurojë bukurinë e Krijuesit. Para etapës së dukshmërisë në qeniet nuk kishte “ti, unë”. Ishte vetëm “Ai”. Çdo gjë përbëhej prej Tij. Edhe njeriu që sot vajton si fyelli ishte në Të. Çdo shpirt i paraqitur në atë botë pyetjes “ A nuk jam unë Zoti juaj ?” i pati dhënur përgjijgjen beli-po Ti je. Kjo thënie ishte hapi i parë i prezantimit të shpirtit si zjarr, ajër, uj, dhe, bimë, kafshë dhe fillimi i avanturës njerëzore të tij. Shpirtat pas tubimit të “Elestit” u ndanë dhe si burra e gra rrodhën drejtë kësaj bote. Nga njëra anë u bënë edhe sy e zemra me aftësi për të pamur dhe dashuruar bukurinë e Zotit. Ndërsa në anën tjetër filluan t’i përjetojnë dhimbjet e të qenurit të ndarë dhe larg prej Tij.
Tash:
Krahërore e kam çpuar
E kam bëre vrima vrima,
Dhe kam qar’ e kam rënkuar
Me mijëra psherëtima!
janë këto fjalë të fyellit i cili ka zbritur prej botës së zotësisë në këtë botë kalimtare dhe në trupin e njeriut ka përjetuar vetë dhe ua ka përjetuar të tjerëve përmallimet dhe mallëngjimet më të mëdha. Njeriu sa më shumë të jetë larg prej orgjinës dhe vatanit të vërtetë të tij do të ndiej një therrje për kthim dhe do të ndiej mallin e kohës dhe mundësisë për takim me Të.
Dhe me botën e gëzuar
Bëhem shok edhe marr pjesë,
Dhe me njerës të helmuar
Bënem mik me besa-besë.
Puna si do që të bjerë
Unë qanj me mallëngjime,
Më çdo vënt e kur-do-herë
Psherëtin zëmëra ime!
Gjithë bota më dëgjojnë
Po së jashtëmi më shohin,
Dëshirën s’m’a kupëtojnë
Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohim.
Vazhdon …