Shkruan: Metin Izeti

Askush nuk e di me saktësi se si lindi gjuha apo nëse ka lindur fare.
Kur’ani thotë se Zoti ia mësoi njeriut emrat (konceptet), gjithashtu edhe bibla pohon se gjithçka u krijua sipas fjalës së Zotit. Ligjërimi parafjalor bashkon të gjithë përvojën individuale dhe kolektive, instinktive dhe emocionale, mendimore dhe të vullnetit, teorike dhe praktike…

Fjalët nuk janë “vetëm strajca”, aksesorë logjikë, mjete të të folurit që njeriu të punojë me to, të mbledhë diçka nëse është e nevojshme, por janë si bleta, janë shumë të zgjuara, punëtore, të organizuara që fshehin dhe zbulojnë mendimet, ndjenjat, vendimet, veprimet tona. ..
Shkrimi dhe gjuha me një kujtesë të fortë, por edhe duke imagjinuar, ngërthejnë në trajtë të përbashkët njohuritë dhe imagjinatën e çmuar, mendimet dhe ndjenjat, të gjitha vendimet, ngjarjet, përvojat tona.
Edhe pse të rralla ka edhe ndjenja më të thella që nuk kërkojnë fjalë, kur njeriu qëndron pas asaj që e konsideron qëllim të jetës, por ama edhe ata për të gjetur afërsinë me përmasën më të gjerë hapësinore kanë nevojë për fjalën dhe shkrimin. Edhe pse emocioni fillestar kuptohet pa fjalë, nëse kujtesa përmes thellësisë dhe gjerësisë nuk e zgjeron ndjenjën dhe ndjesinë përmes fjalës dhe shkrimit, kujtimi, ndjenjat do të dobësohen dhe zjarri fillestar do të shuhet.

Mirëpo, çfarë vlere ka fjala dhe shkrimi, madje edhe nëse njeriu njeh shumë gjuhë, kur nuk ka kuptimin më të lartë shpirtnor me të cilin edhe gjallesat e ndryshme kuptojnë njëra-tjetrën. Si rrjedhojë fjala dhe shkronja janë dy koncepte femërore, që e kanë aftësinë të mbeten shtatëzëne dhe të lindin të rejat, të vazhdojnë ekzistencën dhe gjallërinë e gjuhës. Ky koncept gjuhën dhe shkrimin e bën të amshueshëm, të pavdekshëm, organizëm të gjallë. Për këtë duhet të mendojmë edhe ne shqiptarët nëse kemin dëshirë të ruajmë kujtimin vleror për ata të ndritur që vepruan për të institucionalizuar gjuhën dhe shkrimin shqip. Fjala dhe shkrimi nuk e durojnë diskriminimin dhe ndarjen, parcializimin e formave të ndryshme të pranishme në kujtesën e tyre shpirtërore. Nuk e durojnë margjinalizimin e disa formave, dialekteve, shkronjave dhe favorizimin e të tjerave. Ata kërkojnë bashkësinë e emocionit dhe kujtesës së përgjithshme…

Shkencat natyrore, madje edhe “gjykimet më të sakta matematikore dhe logjike”, për përcaktimin e termave dhe simboleve të tyre supozojnë një gjuhë më të vjetër. Ne mendojmë në një gjuhë, dëgjojmë mendimet tona dhe i kuptojmë, i tingëllojmë, i shqiptojmë në një gjuhë. Mendimi është një dialog i brendshëm, një bashkëbisedim konceptesh, idesh, madje edhe kur nuk ka të folur me fjalë, por një lloj tjetër shprehjeje të menjëhershme përmes shenjave, simboleve të drejtpërdrejta ose të tërthorta. Gjuha e gjallë ruan unitetin primordial të shprehjes filozofike, teologjike, shkencore, artistike, simbolike, mitologjike… në formën-përmbajtjen, pamjen-esencën e saj paranjohëse. Nga forca e idesë filozofike, gjuha e ngërthen gjerësinë, lartësinë, thellësinë e shpirtit dhe përmes asociacionit, e ngërthen metaforën, alegorinë, bukurinë e gjuhës , lirinë e simboleve, mitit… ndërsa me shprehjen artistike ngërthen imazhe të gjalla, melodi, lojra…

Vetëdija e të folurit dhe të shkruarit lidh përmasën ndijore dhe tejndijore, personale dhe të zakonshme, kujtesën, opinionin, njohurinë, përvojën, pa marrë parasysh është e fshehur ose e shfaqur nëpërmjet gjuhës së zjarrtë, të shpirtit.

Gjuha dhe shkrimi e kombinon brendësinë, subjektivitetin dhe përfaqësimin e jashtëm, pra objektivitetin. Përndryshe, çfarë tjetër i lidh mendimet, ndjenjat, të gjitha imazhet, tingujt, erërat, shijet, përvojat, ngjarjet e ndryshme me nxitësin e vetëdijes?

Analiza dhe hapja apo krijimi i koncepteve në fjalimin e gjallë kryqëzon mendimet e thella, ndjenjat e forta, kujtesën, imagjinatën dhe e ruan unitetin e çmuar të përvojës. Gjuha, së bashku me dhëmbët në gojë, është organi me të cilin njeriu ha, pi, shijon dhe flet. Nëpërmjet të ngrënit, të pirit, gjuha është gjëja më instinktive, më fizike, dhe përmes ndjenjës së zjarrtë të zemrës, në konstekst të dashurisë dhe të së vërtetës, koncepti më i ndërgjegjshëm, më sublim.

Ashtu si logjika dhe të gjitha kategoritë logjike presupozojnë gramatikën dhe kategoritë më të vjetra të gjuhës, ashtu çdo metafizikë presupozon metafizikën më të vjetër të gjuhës. Shumë kohë përpara se kategoritë gjuhësore të bashkësisë të të folurit paranjohës, predikativ të përbëjnë kategori logjike ose ekzistenciale, ekzistonin si forma të pastra të arsyes, ose, si ndërgjegje ekzistenciale.

A ka një lloj të unit joshprehës që i takon mendimit të pastër, vetëdijes parafolëse ose mbifolëse?
A është i mundshëm një Un folës, pa një Un shpirtnor..?
Dhe si është e mundshme, logjika e logjikës, arsyeshmëria e arsyes, inteligjenca e mendjes, njohshmëria e dijes, vërtetësia e së vërtetës, pa fjalën e gjallë, vetëdijen e të folurit dhe si mund të ekzistojë çfarëdo lloji i metafizike, pa metafizikën e gjuhës?

Dhe çfarë do të thotë madje që Uni është “i vetëdijshëm”, se “ekziston”, apo jo?
Pavarësisht nëse Uni është logjik apo ekzistencial, ai shumë më parë është logjik e pastaj i folur se sa i folur e pastaj logjik.
Jo vetëm që të gjitha konceptet, gjykimet, përfundimet e njohurive dhe përvojës sonë mund të kuptohen nga metafizika më e vjetër e gjuhës, por edhe të gjitha gjykimet praktike të ekzistencës konkrete kuptohen nga ajo.

Subjektiviteti i pastër para çdo objektiviteti për të gjitha mendimet, gjykimet, thëniet, nënkupton një bazë gjuhësore të kryefjalës dhe kallëzuesit.
Meta gjuha në unitetin më të vjetër të kuptimit, nuk i ngërthen vetëm konceptet bazë, kategoritë e çdo filozofie, por edhe të çdo shkence, si rrjedhojë edhe të gjuhës dhe shkrimit.

Vetëm nga një gjuhë e plotë del jashtë një botë dhe ka brenda një ndërgjegjeje.

Një nga gjuhëtarët më të njohur, Ferdinand de Saussure, thotë se ashtu si rregullat e shahut paracaktojnë mënyrën e lojës së shahut, por jo variantet e një loje të caktuar, kështu përcaktojnë rregullat gramatikore të strukturës së pastër gjuhësore: fonetika, morfologjia, sintaksa, rregullat e të shkruarit, të të folurit, por jo variantet e një gjuhe të gjallë: pra, kuptimin e fjalëve dhe përmbajtjen e një fjalie të caktuar.

Ashtu si rregullat e çdo loje nuk nënkuptojnë asgjë jashtë asaj loje, ashtu rregullat e gjuhës nuk nënkuptojnë asgjë jashtë metafizikës së plotë të gjuhës, formës-përmbajtjes së gjithanshme të fjalëve të gjalla, ndërgjegjes së të folurit…
Në fakt, gjuha emërton të gjitha gjërat, fenomenet e mundshme-të pamundshme, serioze dhe jo serioze dhe përcakton rregullat, rezultatet e çdo loje!

Edhe pse gjuha përfshin të gjitha gjërat, dukuritë e mundshme-të pamundshme, të nevojshme dhe të rastësishme, nuk është aspak e mundur që vetë gjuha dhe rregullat e të shkruarit, të të folurit, e lëre më të gjitha nevojat, dëshirat dhe veprimet tona të jenë vetëm një lojë.
Edhe pse në lirinë e gjuhës poetike ka një lojë gjuhësore në një masë të madhe, edhe të folurit artistik nuk është vetëm një lojë fjalësh, por më tepër një dalje nga kuptimi i ngushtë i një termi të përcaktuar rreptësisht, drejt lirisë shumëdimensionale të fjalës poetike.
Kur Nietzsche relativizon të gjitha njohuritë tona të përgjithshme dhe të nevojshme për shkencën ose filozofinë e dhënë nga konceptet e arsyes ose idetë e mendjes dhe kështu qëndron kundër të gjitha kufijve të normave morale, “vlerave” tradicionale të të dobëtit, në emër të “lojtarëve të fortë”, ai nuk e relativizon fjalën poetike, por pikërisht e mbron nga e folura njohëse-logjike e konceptit “të pastër”.

Çdo gjuhë, sipas tij, shpreh vullnetin e shkallës së parë për pushtet, e cila luan një lojë fatale me të gjithë dhe me gjithçka, dhe forma më e përsosur e saj nuk është as njohëse-logjike shkencore dhe as spekulative filozofike, por një gjuhë e frymëzuar në bukuri artistike dhe të plotë, është ekstazë e shqisave.
Megjithatë, jo gjithçka që ka rregulla ose është çështje marrëveshjeje është lojë…

Relativizimi i gjuhës, e sidomos gënjeshtra e vetëdijshme, që cenon çdo marrëveshje, kontratë të shkruar a të pashkruar, fshin bazën karakteristike të personalitetit në unitetin më të lartë të mendimit, fjalëve, vendimeve dhe veprimeve të kulluara…

Megjithatë, megjithëse të gjitha llojet e të folurit mund të përdoren për të komunikuar jo vetëm personalitetet e plota, por edhe të dobëtit, gjuha gjithashtu gënjen, mashtron dhe dyfishon.
Edhe ai që gënjen ose bën keq ka mundësi të flasë letrarisht dhe të respektojë rregullat e gramatikës..!
Ashtu si transcendentalizmi i subjektivitetit të pastër, i Kantit, para objektivitetit të verbër kërkon forma të pastra (boshe) të ndjeshmërisë a priori, arsyes, mendjes teorike në bazë të shkencës, filozofisë, ashtu edhe strukturalizmi i Saussure-it 200 vjet më vonë kërkon forma të pastra, a priori të gjuhës bazike, fjalëve të gjalla, vetëdijes konkrete të të folurit. Mirëpo, ashtu si transcendentalizmi nuk merr në konsideratë marrëdhënien e kategorisë së mendimit, logjikës me gramatikën dhe gjuhën, ashtu edhe strukturalizmi nuk e konsideron marrëdhënien e atyre formave apriori të gjuhës me format e pastra të mendimit, me ligjet e logjikës.

Kjo do të thotë, ashtu si Kanti nuk mund të vendosë asnjë koncept të pastër primitivë, forma a priori të logjikës përpara mendimit të gjallë, filozofisë, madje as me kushtet më të përgjithshme të përvojës së perceptimit të jashtëm, të brendshëm a priori të hapësirës dhe kohës, kjo është edhe baza e logjikës transcendentale, po ashtu Saussure nuk mund të vendosë forma të pastra, struktura të gjuhës, vetë gramatikën a priori (të pavarur nga përmbajtja e vetë fjalëve, fjalive, ligjërimit konkret, gjuhës) pa induksione gjithëpërfshirëse të fjalës së gjallë, ndërgjegjes së të folurit.
Megjithatë, ontologjia e gjuhës nuk mund të bazohet vetëm analitikisht në një strukturë boshe fonetike, morfologjike ose sintaksore (tinguj të artikuluar, fjalë, fjali), sepse kuptimi edhe i fjalës më të vogël presupozon të gjitha induksionet e mundshme të vetëdijes së të folurit, të metafizikës së plotë të një gjuhe.
Vetëm përvoja e ndërgjegjes së të folurit të gjallë me induksion midis fjalëve në metafizikën më të vjetër të gjuhës mund të gjejë shkallë të parë, të dytë, të tretë… dhe të nxitë kuptime të reja të fjalëve.
Në çdo rast, gjuha e gjallë më e gjerë, plotësisht e hapur, e cila në një tërësi unike përmban të gjitha kuptimet e veçanta dhe individuale, pasurinë dhe shumëllojshmërinë e të gjitha përmbajtjeve të mundshme, mund të shpjegojë lehtësisht kategoritë logjike dhe konceptet më abstrakte metafizike.

Pa gjuhën e gjallë nuk mund të kuptohen domethëniet e asnjë fjale dhe as vetë gramatika. Në fazën e parë të filozofisë së tij (Mbi Qenien dhe Kohën), Heidegger-i koncepton çdo qenie të fundme nga aspekti i përkohshmërisë substanciale. Megjithatë, është e vërtetë, në fakt anasjelltas, se çdo përkohshmëri dhe finitudë sasiore kërkon një gjuhë të tërë dhe finitudë cilësore për secilin prej konceptimeve, përcaktimeve të saj, në vend që të gjitha finitudat cilësore në gjuhë të kërkojnë përkohshmëri dhe finitudë sasiore për përcaktimin e saj.
Në fazën e dytë të filozofisë së tij, Hajdegeri bëhet i vetëdijshëm se një themel i tillë nuk është i mundur, dhe në fazën përfundimtare ai pretendon krejt të kundërtën: se çdo metafizikë e mundshme presupozon metafizikën e gjuhës.

Kjo është arsyeja pse në esenë mbi logosin e Heraklitit ai pohon se është gjuha ajo që është e para, gjithçka-një dhe një-e gjitha, kurse çdo gjë tjetër është shtesë thelbësore, përzgjedhje…
Kultura e jonë gjuhësore, nga dita në ditë eshte duke u bë pikë e pesë, kurse ne jemi duke brohoritur bashke me armikun dhe gezohemi. Ruatja e traditës dhe kulturës së metafizikës së gjuhës është një borxh për ne. Nëse duam të kemi një gjuhë të gjallë shqipe, është e nevojshme të rilexojmë dhe të shpëtojmë të gjitha vlerat tona kombëtare dhe shpirtërore, duke filluar nga gjuha, dhe të jemi të ndërgjegjshëm për faktin se ta bësh këtë është një borxh i vërtetë besimor dhe kombëtar…