Përshpirtshmëria/fetaria funksionon si një sistem i ruajtjes së identitetit, duke mundësuar një urë lidhëse midis identitetit individual dhe atij kolektiv, dhe parandalon fragmentimin kur përballemi me presion. Ndikimi i përshpirtshmërisë, në mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe i zgjidhin problemet, përfshin aftësinë për të falur, mirënjohjen, dhembshurinë dhe mençurinë.
Shkruan: Metin IZETI, Tetovë
Përshpirtshmëria, duke përfshirë besimet, qëllimet dhe praktikat, është shumë e rëndësishme në jetën e njerëzve dhe ajo ndikon në njohjen, ndikimin, motivimin dhe sjelljen e tyre. Andaj është me interes edhe për shëndetin mendor të njerëzve. Si rrjedhojë, ata gjithsesi se duhet të merren parasysh edhe në hulumtimet psikiatrike në lidhje me sëmundjet psikosomatike dhe shëndetin psikik të njerëzve.
Në vitet e fundit, në vendet perëndimore janë bërë disa hapa të rëndësishëm në drejtim të përfshirjes së konceptit të përshpirtshmërisë në shëndetin e përgjithshëm të njeriut dhe, veçanërisht, në atë mendor:
- Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përfshirë përshpirtshmërinë, fenë dhe besimet individuale në gjashtë fushat bazë të cilësisë së jetës (krahas shëndetit fizik, është përfshirë edhe shëndeti mendor, shkalla e pavarësisë, marrëdhëniet shoqërore, mjedisi).
- Organizata Amerikane Psikiatrike rekomandon që psikiatrit të pyesin për orientimin fetar dhe shpirtëror të pacientit, kjo si pjesë e anamnezës së tyre mjekësore.
- Në shumë kurikula shkollore profesionale janë të inkuadruar edhe kapituj në lidhje me problemet fetare dhe shpirtërore.
- Çështjet e përshpirtshmërisë dhe ato fetare janë përfshirë në programin e specializimit të psikiatrisë në një sërë vendesh (si, Amerika, Britania e Madhe, Zelanda e Re, Kanadaja).
Si rrjedhojë, kohëve të fundit gjithnjë është më e zëshme teza se religjioni dhe përshpirtshmëria janë ndër faktorët kryesorë për ekuilibrin mendor dhe psikik të individëve dhe, si pasojë, edhe e shoqërive. Ky konstatim nuk është konstatim i teologëve, por i psikologëve dhe psikiatërve në bazë të rezultateve statistikore të bëra me pacientët e tyre.
Ekzistojnë tre mënyra kryesore në të cilat përshpirtshmëria/feja mund të ndikojë në shëndetin mendor:
- Përshpirtshmëria/fetaria lehtëson përballjen me stresin dhe e redukton stresin në situata të vështira jetësore;
- Përshpirtshmëria/fetaria është një mundësi për të fituar mbështetje sociale;
- Përshpirtshmëria/fetaria inkurajon një mënyrë jetese më të shëndetshme.
Roli kryesor i fesë në të gjitha kulturat është që ta frymëzojë shpresën dhe ta mbushë zbrazëtirën ekzistenciale, ta zhvillojë besimin në shpëtim dhe t’i japë jetës një ndjenjë kuptimi. Gjetja e kuptimit në vuajtje mund ta zvogëlojë vuajtjen dhe ta bëjë atë më të durueshme. Feja nuk është vetëm çështje besimi. Ajo ka një rol në riinterpretimin e ngjarjeve të pakëndshme dhe ofron më shumë rehati se të gjitha konceptet e tjera. Ajo i jep kuptim një situate të sikletshme, duke e vendosur atë në një kontekst të caktuar dhe i jep personit një ndjenjë kontrolli. Edhe pse agnostikët dhe ateistët ofrojnë kontroll mbi mjedisin me koncepte të tjera, si p.sh. shkencën, është fakt se ajo nuk plotëson nevojën e njeriut për kuptim, rehati dhe përmbushje në masën që e bën feja.
Përshpirtshmëria/fetaria funksionon si një sistem i ruajtjes së identitetit, duke mundësuar një urë lidhëse midis identitetit individual dhe atij kolektiv, dhe parandalon fragmentimin kur përballemi me presion. Ndikimi i përshpirtshmërisë, në mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe i zgjidhin problemet, përfshin aftësinë për të falur, mirënjohjen, dhembshurinë dhe mençurinë. Sipas kësaj, njerëzit me platformë të vërtetë shpirtërorë mund të jenë më efektivë në përshtatjen ndaj traumës dhe gjetjen e kuptimit në vuajtjet që janë të pashmangshme në jetën lëndore të njerëzve.
Gjithashtu, shumë domethënëse janë edhe dëshmitë shkencore dhe rezultatet e hulumtimeve që dëshmojnë drejtpërdrejt për relacionin e përshpirtshmërisë me shëndetin mendor. Mbi 80% e konstatimeve nga hulumtimet shkencore janë në drejtim se ekziston një lidhje e fortë pozitive midis përshpirtshmërisë/fesë dhe shëndetit mendor. Hulumtimet lidhur me depresionin kanë treguar se përshpirtshmëria/fetaria është ndikues në tejkalimin e depresionit, veçanërisht te ata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike dhe nga kanceri.
Përshpirtshmëria/fetaria ka dhënë rezultate shumë pozitive edhe në psikoterapi. Psikoterapia është një përvojë personale. Ajo nuk synon vetëm lehtësimin e simptomave, por edhe introspeksionin. Përfshirja e përshpirtshmërisë mund ta forcojë aleancën terapeutike. Përkatësisht, në themel të simptomave të cilat i shfaqin pacientët nuk janë vetëm marrëdhëniet e trazuara dhe konfliktet psikodinamike, por edhe manifestimet e shqetësimeve në dimensionin më të thellë të kuptimit të jetës, nocionit të ekzistencës dhe vdekjes. Prandaj dimensioni shpirtëror është një dimension strukturor i ekzistencës njerëzore, që mund të ndikojë në të gjitha shtresat e ekzistencës njerëzore, si edhe në psikopatologji.
Njohja e nevojave ekzistenciale dhe shpirtërore të pacientëve duhet të bëhet pjesë integrale e procesit terapeutik. Në këtë kuptim, është e nevojshme përfshirja e përmbajtjeve që lidhen me përshpirtshmërinë dhe fenë në procesin edukativo-arsimor, si në nivelin e studimeve mjekësore, ashtu edhe në specializime.
Pikërisht për këtë mjekët duhet të mësojnë se si t’i përfshijnë besimet fetare të pacientit në të kuptuarit e tyre për pacientin si një person i tërë. Duhet konceptuar dimensioni i jetës shpirtërore të pacientit, ashtu që kjo të ndihmojë në procesin e shërimit. Këtu mund të përfshihen parimet e mëposhtme:
- Roli i përshpirtshmërisë dhe fetarisë si burim i mbështetjes sociale;
- Roli i përshpirtshmëris dhe fetarisë si mekanizëm mbrojtës;
- Relacioni i përshpirtshmërisë/fetarisë me fenomenet psikopatologjike.
Kjo nuk nënkupton përfshirjen e ndonjë praktike të përshpirtshmërisë ose besimit fetar gjatë shkollimit mjekësor, por mësimdhënien e konceptualizimit të fesë në aspektin psikologjik. Informimi për besimet fetare dhe përshpirtshmërinë e pacientëve do t’i mundësojë mjekut specialist të njohë se si këto besime ndikojnë te pacienti dhe nëse është e mundur dhe e nevojshme të përdoren çështje që lidhen me trajtimin shpirtëror. Gjithashtu, kjo do ta pengojë edhe inkuadrimin e njerëzve të pashkolluar në trajtimin e pacientëve me probleme mendore dhe përkeqësimin edhe më të madh të shëndetit mendor të tyre.
Problemin themelor është në parimet e të ashtuquajturës “mjekësia perëndimore moderne”, e cila pacientin dhe sëmundjen e shikon veçmas dhe jo në kontekstin e unitetit shpirtëror, fizik dhe mendor të njeriut. Këtë e tregon edhe koncepti i mjekësisë integruese (holistike) dhe, deri diku, mjekësia e personalizuar. Sot nevojiten përparime të reja në mjekësi, kjo për shkak të sfidave të reja me të cilat përballet njerëzimi, siç është joefektivitetit relativ i mjekësisë së sotme – veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtimin e sëmundjeve mendore – dhe gjenerata e re e teknologjive globale që mund të aplikohen në mjekësi, sfidat me të cilat duhet të përballet mjekësia dhe, deri diku, feja, janë ndryshimet e mëdha në shoqëri me globalizimin, sëmundjet infektive që shfaqen dhe përhapen me shpejtësi, ndryshimet në modelin e disa sëmundjeve, depresionet e vazhdueshme, ndryshimet klimatike dhe demografike e kështu me radhë.
Mjekësia moderne, siç duket, është peng i qasjes reduksioniste, kjo në mungesë të konceptit të vazhdimësisë, ndërsa me konceptin “një kurë për të gjithë” dhe paqëndrueshmërinë e sistemit të kujdesit, ekzistojnë “boshllëqe” serioze në trajtimin e pacientëve. Mjekët, përgjithësisht, besojnë në një model reduksionist të kujdesit shëndetësor – për ta identifikuar problemin dhe për të gjetur një zgjidhje, rëndom në trajtë të ilaçeve. Fatkeqësisht, kjo nuk funksionon në shumicën e rasteve, të paktën kur bëhet fjalë për sëmundje psikike. Paradigma reduktuese e thjeshton një nga sistemet më komplekse që mund të imagjinojmë – qenien njerëzore. Mjekësia moderne bazohet, kryesisht, në një diagnozë të qartë clear-cut, por kjo qasje mund t’i fshehë shkaqet në prapavijë të çrregullimit dhe manifestimit suptil të sëmundjes. Shumica e mjekëve konvencionalë mendojnë se një pacient e ka ose nuk e ka sëmundjen. Nuk ka zona gri. Kjo qasje mund të jetë e gabuar, sepse ajo e heq shumicën e ligjeve themelore të fiziologjisë – konceptin e vazhdimësisë: nga shëndeti optimal përmes çekuilibrit të fshehur deri te mosfunksionimet dhe sëmundjet serioze. Në çdo fazë të mëhershme të këtij kontinuiteti do të ishte më e lehtë të ndërhyhej dhe të rivendosej procesi.
Ky model “shkencor” i injoron dhe refuzon trajtimet që vijnë nga një sistem i plotë mjekësor – në vend që të trajtohen shkaqet e çrregullimit, trajtohen vetëm simptomat. Në këtë kontekst, simptomat konsiderohen si diçka që duhet të shtypen dhe jo të kërkohen shkaqet e shfaqjes së tyre. Prandaj, disa mjekë e shohin trupin e njeriut si një makinë me pjesë të veçanta që mund të trajtohen veçmas dhe jo si një sistem të integruar. Përveç kësaj, mendja dhe trupi perceptohen gjithashtu si pjesë të veçanta, të pavarura, ndërsa emocionet zakonisht injorohen. Në këtë qasje nuk merret parasysh fakti se trupi e ka aftësinë e tij shëruese, kështu që nuk kërkohet asnjë mënyrë për ta çliruar atë kapacitet të dobishëm brenda njeriut. Të gjithë personat që e kanë atë sëmundje marrin trajtim identik, duke injoruar kështu individualitetin e pacientit. Me fjalë të tjera, trajtohet sëmundja dhe jo pacienti. Shpesh mjekët u kushtojnë më shumë rëndësi analizave të shumta sesa asaj se si ndihet pacienti dhe çfarë zbulohet në ekzaminim. Gjithashtu, ka shumë pak njohuri në lidhje me problemin e ndikimit të toksicitetit në shëndetin tonë dhe si t’i aktivizojmë sistemet tona të detoksifikimit. Marrëdhënia mjek-pacient, gjithashtu, neglizhohet, si edhe roli i pacientit si partner në kurimin e tij.
Si rrjedhojë, mund të konstatojmë se largimi i përshpirtshmërisë dhe fetarisë së pacientit nga spektri i kurimit të tij na përballë me dy probleme thelbësore dhe të rrezikshme. Problemi i parë është diagnostifikimi linear dhe i pasuksesshëm, veçanërisht i pacientëve me probleme psikike, ndërsa problemi i dytë është paraqitja e personave që, duke e injoruar mjekësinë, nëpërmjet përvojave okultiste, përpiqen t’i kurojnë personat e sëmurë psikikisht. Prandaj përshpirtshmëria dhe fetaria janë koncepte shumë të rëndësishme të kontinuitetit jetësor të individit dhe kolektivit dhe, si të tillë, duhet të trajtohen në të gjitha segmentet e jetës shoqërore dhe, në këtë periudhë, veçanërisht në qasjet ndaj personave që kanë probleme me shëndetin mendor dhe e kanë të trazuar shpirtin.