Trëndafili ka qenë ndër lëndët kryesore të frymëzimit të poetëve dhe artistëve në të gjitha periudhat e historisë së njerëzimit. Piktorët, poetët, arkitektët veprat e tyre i kanë zbukuruar dhe u kanë dhënë thellësi duke i zbukuruar me trëndafilin. Si pasojë ai zë vend, pothuajse, në të gjitha monumentet e rëndësishme të kulturave dhe qytetërimeve prej më të lashtave e deri në ditë të sodit.Por trëndafili nuk është vetëm zbukurim, ai e ka edhe përmasën filozofike dhe metafizike. Po ai është lule dhe është i bukur si edhe çdo lule tjetër, por nuk është një lule e zakonshme. Trëndafili si dhe trëndafilishtet janë objekte që e mahnitin, e tërheqin me ekzaltim drejt vetes dhe e bartin arsyen e njeriut në botën e imagjinatës dhe si pasojë ndikojnë në persiatjet dhe meditimet, jo vetëm estetike, por edhe etike dhe metafizike. Krahas bukurisë së dukshme të tij , ai ngërthen edhe stolitë ezoterike, përveç bukurisë joshëse në te ka edhe metafizikë, që së bashku me etikën dhe estetikën ezoterike niset drejt qiellit. Elementi më i rëndësishëm i trëndafilit është se ai nuk krijon dilema identitare dhe qenësore midis përmasës që e ka të dukshme dhe asaj që nuk duket. Që të dyja i ka me estetikë të thellë. Kjo është kështu për shkak të bukurisë mahnitëse në dukjen e trëndafilit si dhe idesë për mimezisin e mikrokozmosit të përkryer që simbolizohet në gjenin qenësor të tij. Pikërisht për këtë, estetika në dukje dhe etika e metafizika në qenien e tij e përbëjnë tërësinë e trëndafilit dhe ai e meriton me plotkuptimine fjalës vlerësimin si një tërësi e tillë.
Trëndafili para së gjithash është lëndë estetike dhe shembull më i lartë i plotnisë estetike. E bukura, si për besimtarët ashtu edhe për idealistët si Platoni dhe Plotini, burimin dhe rrënjën e ka diku andej, përtej lëndës. E bukura e përfaqësuar dhe e përjetuar në të përbotshmen është vetëm se reflektim, mimezis, dukuri, shfaqje që ka marrë pak hise nga e tejbotshmja. Kjo nuk do të thotë se të bukurat e kësaj e bote nuk janë reale dhe përbuzje e tyre, përkundrazi, bukuria e mbinatyrshme e përvojës i nxjerr ata nga përmasa e të qenurit një kullosë e zakonshme dhe i lidh me burimitn e pashtershëm dhe të palëkundshëm të Fuqisë Krijuese dhe, si rrjedhojë, i shndërron në realitete të pamohueshme. Mbështetja e të bukurës me një themel metafizik ontologjik e shpëton atë që të mos konsiderohet vetëm si kategori e kufizuar mendore dhe i mundëson asaj, që së bashku me subjektin estetik ta përjetojë të bukurën dhe të konsiderohet si objekt estetik. Trëndafili është një ndër shembujt më të mirë të këtij realiteti. Bukuria e trëndafilit nuk mund të mohohet nga askush, madje, moskonsiderimi i tij si objekt estetik është mëngësi estetike dhe epistemike për subjektin. Për pasojë, një lëndë që ka karakteristika estetike, pa marrë parasysh ju pëlqen juve si individ ose jo, është e bukur. Krahas kategorisë së të bukurës, trëndafili, e ngërthen edhe kategorinë e harmonisë. Dega, gjethet, gjembat dhe petat e tij kanë harmoni të pashoq dhe paraqesin një teleologji mahnitëse si ajo e kosmosit.Gjithashtu edhe ngjyra e tij është melodike, e gjallë dhe ndriçuese. Trëndafili ka natyrë me delikatesë, të hollë, ndërsa qëndrimin e ka fisnik. Ai, njëkohësisht, është karizmatik dhe krenar. Si rrjedhojë, trëndafili me këta karakteristika të gjalla estetike dhe artistike ka qenë frymëzim për një numër të madh të poetëve dhe artistëve.
Krahas kësaj, trëndafili përveç përmasës së bukur, përveç estetikës, në vete e ngërthen edhe një etikë dhe moral të thellë. Ai, njëkohësisht është simbol etik, është provë për zgjidhjen e problemeve morale dhe etike. Trëndafilit nuk i qasemi vetëm me ndjenja dhe pasione por edhe me syrine zemrës dhe të vetëdijes, rrjedhimisht në te e përjetojmë simbolikën e virtytit, të përmalluar shumë nga moralistët e ndryshëm, inkuadruar aty edhe Aristotelin.
Trëndafili, ngjashëm si edhe esenca e etikës, nuk është i ndryshueshëm dhe nuk transformohet. Ndryshimi i kohës dhe hapësirës nuk bën ndryshime në esencën e tij, ai ka një përmasë perenniale, si edhe etika, që nuk ndryshon kurrë. Trëndafili ashtu si edhe etika nuk e duron relativizmin, por parimet i ka të përqëndruara, e ka drejtësinë, fisnikërinë, pedanterinë, altruizmin… Trëndafili, ashtu si edhe etika, e pranon dhe është i hapur për lartësim dhe shndërrim në trajta më të plota , më të përsosura dhe si pasojë dija ka ndikuar në paraqitjen e formave të reja, por të cilat nuk e kanë shkatërruar gjenin dhe esencën e trëndafilit. E tillë është edhe etika.
Trëndafili, njëkohësisht, është ndër simbolet kryesore të bashkëjetesës, si një ndër vlerat më të rëndësishnme të të qenit njeri, veçanërisht aktuale kohëve të fundit. Sadoqë të jenë të mbjellur afër njëri tjetrit ata nuk dëmtohen midis vetes, përkundrazi zhvillohen me rregull, me diciplinë dhe ecin drejt qiellit me ndjenja të larta të lirisë. Ai, lirinë nuk e sheh si shthurje, anarki, kaos, por si shpëtim nga skllevëria e unit, vëllezëri, solidaritet dhe rritje në kuadër të bashkëjetesës. A nuk duhet të jetë e tillë edhe etika…?
Dëshira e trëndafilit për t’u nisur drejt qiellit nuk është pa ndonjë qëllim të caktuar. Trëndafili ka dëshirë ta rrokë amshimin. Gjethet me krahë të hapura të trëndafilit drejt qiellit e përjetojnë dhe gjenerojnë katarzë të lutjes ndaj Krijuesit. Lulet e tij janë të shpërndara në të katër anët e trupit të trëndafilit dhe e paraqesin universalizmin horizontal të njeriut në shoqërinë njerëzore. Zgjerimi i tij horizontal e paraqet vetëdijen e trëndafilit për kufirin e ngjitjes vertikale. Domethënë trëndafili e ka edhe metafizikën e tij… Trëndafili në metafizikë e paraqet argumentin e eksperiencës ezoterike për përjetimin e Krijuesit në brendinë personale. Sikur Nijazi Misriu duke i thurur vargjet : “Unë e kërkoja Atë atje diku në periferi, por ai qenka shpirt brenda shpirtit” është frymëzuar nga trëndafili. Kjo bukuri që e tejkalon të zakonshmen e ngjall tek njeriu dëshirën për të ecur edhe më tej dhe ta kërkojë esencën e realitetit të qenies.
Për pasojë, trëndafilin nuk mund ta konsiderojmë vetëm si një bimë e cila do t’u shërbejë insekteve të ndryshme që të përsillen përreth, por, ai është shfaqje, mimezis i vetisë së Bukurisë së Plotë/Xhemal të Krijuesit që edhe vetë është I Bukur/Xhemil. Persiatja dhe meditimi rreth përmasës estetike dhe etike të trëndafilit do ta ngjallë dëshirën metafizike për argumentimin dhe përjetimin në vete të ekzistencës dhe vetive të bukura të Fuqisë Krijuese. Shikuar nga ky aspekt trëndafili është objekt estetik, etik dhe metafizik. Krahas kësaj metafizika e tij nuk është e thatë, përkundrazi është një “metafizikë estetike”.
Me siguri ky është trëndafili që e simbolizon të dashurin e Allahut dhe të gjithësisë Muhammedin a.s..
Në realitet ky është një përjetim i kërkimit të ujit të gjallërisë të fshehur midis ekzistencës dhe hiçit, i cili do të shpërthente nga malet të cilat duhej t’i kalonte Mexhnuni për të arritur te Lejla. Është hyrje në gjendjen e Mexhnunit i cili shikonte njerëzit si qëndrojnë përreth tij me gojë të hapura dhe sy të çelur dhe nuk i ndanin sytë nga ai, ndërsa ai u thoshte: Ç’ dini ju, ju që asgjë nuk ndjeni për dhimbjen time? Ikni! Larg prej meje! Më lironi rrugë! Mos më kërkoni pasi unë nuk jam atje ku ju mendoni se jam. Më leni të jetoj me brengën time në qetësi. S’ka nevojë të më dëboni prej tendave tuaja , unë shkoj vetë, ja shkova!... Por udhëtimi i gjatë në shkretirë e kishte lodhur tepër dhe i përkulur në gjunj i pëshpëriste këto fjalë: Unë u rrëzova, ç’të bëj tash. E dashur më merr për dore! Nuk kam forcë të eci më….mirëpo vetëm ty të takoj…! Natyra pejgamberiane në këtë rast nuk është aspak e idealizuar, por është mbajtur në piedestalin më të lartë të burimit metafizik , në kufirin më të lartë primordial deri te i cili e njerëzishmeja ka mundësi të ngjitet, e nxjerrur nga pastërtia e aktivitetit krijues të Zotit. Kjo pastërti me kalimin e periudhave kohore si kuptimore ashtu edhe lëndore është fisnikëruar me dhuratat mahnitëse të Urtisë Hyjnore.