Shërbëtor I Kur’anit jam, gjersa xhani të m’jetë shuar

Pluhur pragu mbetem, për Muhammedin e nderuar

N’përcjelltë ndokush diç tjetër nga kjo që kam pohuar

Kam hequr dorë prej tij dhe asaj që do të ketë shkruar”

                                                                                                            Mevlana Xhelaluddin Rumi

Mevlana Xhelaluddin Rumiu ka lindur në qytetin e Belhit, në Avganistanin e sotshëm, ndërsa ka ndërruar jetë në vitin 1273 në Konya të Turqisë. Mendimet e Mevlanasë, përgjithësisht, janë të shprehura përmes vargjeve dhe përmasës artistike. Para se të kalonte në botën e amshueshme, ai I ka lajmëruar ndjekësit e vet për datëvdekjen e tij në natën e 17 dhjetorit të vitit 1273 dhe këtë natë e ka emërtuar si Sheb-i Arus që do të thotë natë e gjerdekut apo natë e takimit me të Dashurin. Pra, Hazreti Mevlana, vdekjen e ka konsideruar si takim me Krijuesin dhe ngjashëm si edhe shumë të ndritur më parë, shpirti I tij ka pasur mallëngjim për takimin me të Dashurin. Shpirti I tij ka vuajtur nga ndarja prej origjinës dhe gjatë tërë jetës I ka kënduar bashkimit me Shpirtin absolut.

Çdo gjë kthehet në origjinën e vet, çdo gjë ka përmallim për origjinën. Kjo mund të shihet edhe në relacionet e kësaj bote. Njeriu përmallohet për vendin ku ka lindur, përmallohet për fëmijërinë e tij… Sado që të ktheheni prapa,  keni veçse  përmallim. Në disa rryma metafizike ka hulumtime të përmallimit për të kaluarën. Ato e studiojnë njeriun deri në momentin kur ka lindur, deri në barkun e nënës. Kësisoj, të gjitha kërkimet në faqen e dheut janë kërkime të orientuara drejt Tij. Të gjithë sufitë  këtë e bëjnë.   Në lidhje me këtë Hazreti Mevlana  thotë:

Nga momenti kur në zemër më lindi dashuria

U dogj çdo gjë që kisha, mbeti vetëm dashuria

Arsyen, mësimin, librin, çdo gjë në raft e vendosa

Por, ama, poezi, gazelë, rubaia mësova.

“Unë dashurinë nga plotënia  Jote  e mësova

Bejtet dhe gazelat t’i thuri,  nga Bukuria  Jote  kopjova

Në perden e shpirtit imagjinata për Ty vallëzon

Nga momenti që në shpirt imagjinata për Ty më vallëzon

Unë vallëzimin më të bukur nga imagjinata për Ty e mësova.”

Unë jam ndjekës i mënyrës së besimit të Ibrahimit a.s., thotë Mevlana Xhelaluddin Rumiu, ai nuk i donte gjërat që perëndojnë e që humben”(En’am, 6:76). Personaliteti dhe filozofia e tij kuptimore ishin të orientuara drejtë amshueshmërisë dhe eternitetit. Për te jeta e kësaj bote, begatitë e saj si dhe çdo gjë që ngjanë në të ishte e përkohshme, ndërsa shpirti dhe rrethimi i tij ishin të përhershme dhe me vlerë reale. Pikërisht për këtë njeriu jetën e tij nuk duhet ta harxhojë në ndjekje të hamendjeve kalimtare, thotë Mevlana, por duhet të koncentrohet në shpirtin dhe në vlerat eterne.

Hazreti Mevlana në letërsinë dhe veprimtarinë e tij praktike e tregon rrugën e dashurisë së përjetshme dhe i hap dyert e zemrës së tij bujare në praninë e tërë njerëzimit duke thënë: Nëse ti e don veten duhet ta dashurosh edhe Krijuesin tënd, ndërsa kur të dashurohesh në Krijuesin do ti duash edhe krijesat e Tij. Ja pra ky ishte caku përfundimtar të cilin e dëshironte inkuadrimi hyjnor në gjithësi. Nëse dija dhe besimi ynë na kahëzojnë drejtë këtij realiteti atëherë jemi të denjë dhe me dinjitet i përkushtohemi Zotit.

Zhvillimi marramendës i teknologjisë dhe zbulimi i përditshëm i çështjeve të reja materiale nga njëra anë ia lehtëson jetën njeriut brenda kufijve botërore, mirëpo nga ana tjetër ia harron dhe ia neglizhon veten e tij. Njeriu përballë makinave të llojllojshme dita ditës zvogëlohet dhe e humb peshën e tij. Për pasojë e tërë filozofia jetësore e njeriut është e koncentruar në përkapjen dhe mësimin e drejtë të drejtimit të makinerisë fizike për kontrollin e botës. Vlerat, pa të cilat dikur as që mund të mendohej jeta dhe të cilat e stolisnin shpirtin dhe etikën e njeriut, siç janë: feja, poezia, etika, muzika, u hodhën në plan të dytë dhe të pakta janë zërat të cilët pëshpëritin për to. Një praktikë e tillë shoqërinë njerëzore e shndërroi në vend të padurueshëm për jetë, ia humbi karakterin humanitetit dhe dashurisë ndërnjerëzore.

Në këtë situatë njeriut i nevojitet të mësojë deshifrimin e topografisë së brendshme të tij dhe duke fituar forcën prej brendie ta rikthejë vetëbesimin dhe të bëhet zotërues i unit të vet. Hazreti Mevlana njeriut ia tregon rrugën drejtë origjinës së tij dhe nëpërmjet të saj e afron në dashurinë ndaj Zotit. Nëpërmjet dashurisë së vërtetë i mundëson të shohë tërësinë dhe të mos humbet në pjesën. Ai si një mjeshtër i mirë e jep planin e bashkimit të pjesëve të ndara, dhe i pajton “un”-ët e ndara. Ai në veprën e tij në mënyrë mahnitëse i paraqet pikat e përbashkëta të njerëzve dhe nëpërmjet të stërvitjes kuptimore u mundëson të mos mendojnë për dallimet dhe mangësitë e tjetrit. Një botëvështrim i tillë përgatit fushën e mirëkuptimit të ndërsjellë në shoqërinë e gjithëmbarshme njerëzore.

Nëse shëtitim në faqet e veprave të shkruara nga ana e Mevlanës do të shohim se secila prej tyre paraqet një disiplinë ose art në vete, ndërsa ajo që i bashkon të gjitha është sfondi i shëndoshë filozofik-teologjik dhe sistematik. Vet ai në Mesnevi thotë kështu:

Sekreti im, nuk është larg prej rënkimit tim

Mirëpo nevojitet dritë në sy që ta sheh, aftësi në vesh që ta dëgjojë”.

D.t.th. se ai në veprimtarinë e tij ka të fshehur një sfond mendor dhe artistik që në vargjet e mësipërme është e shprehur me simbolet e syrit dhe të veshit. Mirëpo kuptimi dhe pranimi i këtij sekreti, mesazhi ose ndjenje është i kushtëzuar me aftësinë e shikimit dhe dëgjimit të shëndoshë.

Në brendinë e shprehjeve të Mevlanës ka një kuadro mjaft të pasur të mendimtarëve të cilët janë të prezentuar në role të ndryshme por në hijen e sistemeve të tyre filozofike. Ai Pitagorën, Platonin, Galenin, Feriduddin Attarin, Raziun dhe fytyra tjera të perëndimit e të lindjes i përmend si personalitete mjaft të njohura për të. Ndërsa numri i filozofëve, poetëve dhe dijetarëve që ua ka prezentuar vetëm mendimet është shumë i madh. Thënë shkurt ai veten e prezanton brenda brumit teleologjik artistik-filozofik të kohës kur ka jetuar dhe më parë. Ai thotë kështu:

“Mu si kompasi, ne njërën këmbë e kemi të ngulur në fe

ndërsa këmba tjetër i shetit shtatëdhjetë e dy besime e mendime”.

Krahas kësaj nuk duhet të harrohet se Mevlana padyshim në veprat e tij frymëzimin më të thellë e ka marrë prej shpalljes. Djali i tij Sulltan Veledi për Mevlanën dhe mistikët e ngjashëm me të thotë: “Poezia e miqve të Zotit nuk është asgjë tjetër përveç se sqarim i sekreteve të shpalljes. Ata e shkrijnë unin e tyre dhe ekzistojnë me Zotin”. Shpallja në poezinë dhe veprën e Mevlanës gjithmonë e ruan dydimensionalitetin e saj. Ai asnjë shtresë të qenësisë nuk e nxjerr jashtë kapshmërisë së revelatës. Në veprën e tij Fihi Ma Fih në lidhje me shpalljen ai thotë: “Kur’ani ka dy anë. Disa e diskutojnë njërën kurse disa të tjerë tjetrën. Që të dyja janë të vërteta dhe të drejta, meqë Zoti i Lartë ka dëshirë që të dyja palët të shfrytëzojnë atë. Për shembull, nëse një grua ka burrin dhe një foshnje në gji, gruaja prej të dyve ndjen kënaqësi por në forma të ndryshme. Kënaqësia e foshnjës është në qumshtin e nënës, ndërsa kënaqësia e burrit në bashkëshortësinë. Njerëzit janë ithtarë të një rruge. Secili ka mundësi të kënaqet me dukshmërinë e Kur’anit dhe të pijë qumësht prej tij. Vetëm për të pjekurit në kuptimet e Kur’anit ka një kënaqësi të posaçme dhe atë e kuptojnë vetëm ata”.

Simbolet e prezantuara në veprën e Mevlanës i përfaqësojnë pothuajse të gjitha traditat intelektuale dhe religjioze të kohës së tij dhe më parë. Si pasojë Mevlana në veprën e tij tregon në mënyrë mjaft artistike se të menduarit nuk është tubim i diturive prej vendeve të ndryshme dhe prezantim i tyre në letër, me vërejtje se bleta nuk ka mundësi të bëjë mjaltën pa i shëtitur disa kopshte me lule të ndryshme. Njëlloj siç bleta nektarin e tubuar prej luleve të ndryshme e transformon në mjaltë, ashtu edhe mendimtari atë e bën me mendimet, thotë Mevlana.

Kopshtet me lule të shëtitura nga ana e Mevlanës janë shumë, por edhe lulet brenda tyre janë të shumëllojshme. Mevlana si bleta e tubon nektarin prej luleve të ndryshme dhe njerëzimin i paraqet mjaltën shëruese dhe të këndshme të humanizmit teocentrik.Jetës së ashikut i vjen era e Zotit, për arsyen se fjalët  e ashikut janë komentar i Kuranit, qetësi për shpirtin dhe dri­të besimi.

Brenga e njeriut të sotëm të shekullarizuar është brengë para të zbrazëtës dhe absurdes, me të cilat bota e ka pritur njeriun gjatë ekspeditës së tij nga transcendenca e Zotit në mbretërinë shekullare. Shkallmimi dhe ndarja, vetë-vetmia, pakuptimësia dhe dyshimi në të gjitha sferat e jetës grumbullohen gjithnjë e më shumë në indin e njeriut të shekullarizuar. Sot njeriu nuk e shtron çështjen për kalueshmërinë dhe vdekjen ashtu siç e ka parashtruar atë në periudhën medinase, e as çështjen e Zotit të mëshirshëm dhe faljen ashtu siç është shtruar ajo në periudhën mekkase; as çështjen për jetën religjioze personale siç është shtruar në kohën e misticizmit; as çështjen e “islamizimit” të shoqërisë dhe kulturës ashtu siç është shtruar kjo çështje në periudhën e reformatorëve dhe racionalistëve. Ai sot e shtron çështjen për realitetin që do të mund ta çlironte nga jetërsimi nga ekzistenca e tij. Ai sot shtron çështjen për pajtimin dhe bashkimin e sërishëm të vetes me vetveten. Ai sot shtron çështjen për fuqinë krijuese, për kuptimin dhe shpresën, që do ta kryente atë pajtim dhe bashkim.

Me fjalë të tjera, njeriu i shekullarizuar nuk vuan nga gjynahu, ndonëse është gjynahqar, por nga absurditeti dhe zbrazëtia e ekzistencës së tij. Atë nuk e tremb mllefi i Zotit, por “mungesa” e Zotit. Ai nuk vuan për falje, por për “konsolidimin e forcimin e vetvetes” (Heinz Zahrnt). Në vetmi dhe mërgim njeriu i shekullarizuar e kalon rrugën, të cilën e ka përshkruar Nietzsche: Larg nga të gjithë diejt, duke rënë pandërprerë prapa, para, anash, në të gjitha anët, pa pasur tashmë pika orientimi “lart” “poshtë” “majtas” “djathtas”, duke u futur në ftohtësi gjithnjë e më të madhe, në natën gjithnjë e më të errët, dhe duke ndezur dritat edhe ditën. Bashkudhëtari i tij i vetëm në këtë rrugëtimin e tij janë zbrazëtia dhe absurditeti.

Derisa njeriu mbyll veshët para klithjeve të cilësive të larta shpirtërore që gjenden në brendinë e tij, lumturia dhe qetësia do të jenë në njërin skaj të rrugës e njeriu në skajin tjetër të saj. Xhelaluddin Rumi  në momentin kur fillon fjalën për “naj”-in , prezenton vajin e tij për shkak të ndarjes prej kallamishtes, ku e kishte vatanin e vërtetë. Gjithmonë fryma e cila hyn në “naj” e nxjerr zërin e ujit që prezenton mallin e tij për ushqimin e vërtetë.

“Naj”-i në poezinë e Rumit është simbol i njeriut të përsosur, i cili gjithnjë është i vetëdishëm për origjinën e tij dhe ndien mall për ushqimin dhe vatanin e vet origjinal. Origjinaliteti I njeriut është në shpirtin e tij kurse vatani I vërtetë I shpirtit është Hyjnia. Shpirti për të arritur në vatanin e vërtetë ka nevojë për rrugë, dimensionet e të cilës janë të vënduara nga ana e Planifikuesit absolut.

Në ditët e para të dhjetorit të vitit 1273, ditë këto të ftohta kur Rumi ndahej prej kësaj bote, I lumtur nisej drejtë vatanit të vërtetë, kurse shokët e tij përreth i ngushëllonte me këto fjalë:

“ Be ruz-i merk çu tabut-i men revan bashed

   Guman neber ki mera derd- in xhihan bashed”.

“ Në ditën e vdekjes kur tabuti do të ecë, mos mendo se kam derdin e kësaj bote. Kur të shohësh xhenazen time mos e përkujto ndarjen. Kjo është koha e takimit dhe prezentimit pranë më të Madhit”.

            Ndjekja e rrugës drejtë vatanit të vërtetë nga na e njeriut është më me pengesa se kodra të cilën orvatej ta shpojë Ferhati për të arritur te Shirini, ose Talati te Fitneteja. Kjo rrugë përveç disa fjalëve dhe punëve të shumëngjyrshme në vete përmban edhe një meditim dhe kthim nga vetvetja .

            Është e domosdoshme që kokën tonë ta shtrydhim si limonin që prej saj të mund të dalin disa pika të fizionomisë së hakikatit. Hakikat i cili gjithmonë është kundër botëkuptimit “ Naksh ber ab”, shkrimit mbi uj, i inspiruar prej brendie për “naksh ber haxher” shkrim mbi gurë. Që prej ditës së parë kur kemi filluar të përdorim fjalët gjegjësisht prej momentit kur kemi filluar të mendojmë, secili prej nesh ka një mallëngjim të definuar ose në hamendje. Në të shumtën e rasteve ky mallëngjim edhe nuk mund të definohet. Por, herë pas here, prej brenda një zë na thotë se jemi të mashtruar dhe thellohemi në pashpresi.             Lumturia do të paraqitet në momentin kur do të jemi gati të bartim në sup mundin e një Ideje të Lartë, që është mbë librin dhe raftet e tij. Nëse përqëndrohemi më tepër,  Lindja, ngjyrën e vete origjinale e mer me lidhjen e librit për rrugën që shpie drejtë qiellit. Si duket optimizmi në kushtet më të rënda fizike jetësore i Lindjes rrjedh nga ky botëkuptim. Kurse ana tjetër gjithmonë brohoritë: Libër, libër, libër. Obligim parësor i njeriut është që të merr këshilla prej shpirtit të librit dhe konceptit libër respektivisht prej Librit Hyjnor. Në këtë mënyrë libri do të fillojë të ngjitet rrugës së Lartësisë dhe të përgaditë njeriun për bartjen e Idesë së Lartë Hyjnore dhe ta ulë atë në postin për të cilin është krijuar.