Është fakt se jemi duke jetuar në një periudhë të narcizmit dhe dëshirës për t’u shikuar në pasqyrën e mediumeve ose të fotografohemi qoftë edhe për një punë të vockël që e kemi bërë. Në këtë rast vepra jonë, më drejtë vepra artistike i humb cilësitë kryesore të saj dhe shndërrohet në kiç. Mendoj që nuk duhet të them diçka më tepër në lidhje me këtë dukuri pasi që të gjithë e kemi të qartë, por ama kam dëshirë të them pak më tepër për rrezet dritarta të artit që na shërbejnë për ta kthyer në jetë artistiken dhe estetiken. Rrezja estetike është koncept në të cilin individi, autori nuk është shumë i rëndësishëm por peshë ka çështja, që me pak ose më shumë sukses, arrinë ta aktualizojë në veprat dhe mendimet e tij, çështjet që kanë domethënie dhe vlerë, rrjedhimisht, në të cilat të tjerët kanë mundësi ta njohin veten.
Ekspozita e organizuar nga Shoqata e Artistëve Figurativ të Tetovës është një rreze dritëartë artistike që lëshon ngrohtësi në kahje të botëkuptimeve filozofike për artin para së gjithash dëshiron të tërheq kujdesin për statusin vendimtar të artit dhe kulturës, më mirë thënur, vendimtar në përmasën ontologjike. Veprat e prezantuara nga një numër i konsiderueshëm artistësh dhe si përfaqësim i disa rrymave estetike në Sallonin Pranveror 2019 e paraqesin mënyrën ku të qenurit zbulohet në trajtë simbolike. Veprat artistike në këtë komunitet të artit, krahas pasqyrimit të zakonshëm të botës e paraqesin edhe tjetërsinë, mungesën, zbrazëtinë, hiçin e botës. Arti i tyre, në një mënyrë, na del në pah si dëshmitar i plagës së pashëruar të botës. Këtë lirisht mund ta shohim në ngjyrat e përdorura, lëvizjen e brushës si dhe sfondin ideor të krijimtarisë figurative të kësaj ekspozite. Arti në to komunikon me ne në trajtë enigmatike që njëkohësiht është konkretësia radikale e asaj që jemi dhe për shkak të kujt jemi ajo që jemi. Pra, pikërisht në këtë pikë, mendoj se ky manifestim tradicionalështë një rreze dritëarte estetike e cila do të hapet drejt vlerave dhe virtyteve dhe përmes një aksiologjie aktive do të rimëkëmbë dhe rindërtojë konceptin artistik në ne. Krijimtaria artistike në veprat e artistëve, ku janë të pranishme fushat e ndryshme figurative dhe ka laramani të rrymave estetike absorbon me tërë fuqinë krijuese, mjeshtërore dhe teknike. Në realitet veprat, në një mënyrë, e paraqesin edhe identitetin artistik të nënqiellit tonë. Estetikja në këto vepra bëhet simbol i tejlëndores, rrjedhimisht e shpreh zgjidhjen e enigmës. Çdo gjë e madhe në kulturën botërore, nga Upanishadet deri në Putrat, nga Zaratustra deri tek Niçeja, nga IbnArabiu deri te Erazmoja, nga stoikët deri te Kanti e Derrida… në një mënyrë është trashëgimtare e kulturës së sinqeritetit dhe etosit të besnikërisë ndaj origjinës. Veprat e paraqitura në këtë ekspozitë paraqesin një hallkë në këtë varg, ose me fjalë të tjera, ata janë Të plagosur me Enigmën e zbulimit të të vërtetës për veten dhe për të tjerët.