Në vitin 1898 Xhovani Xhentile do të hyjë në një polemikë të thellë me një bashkëatdhetarë të tij, poashtu estet dhe filozof  Benedeto Kroçe në lidhje me teorinë e vlerave të prezentuara në idenë marksiste, e cila aso kohe ishte koxha aktuale në qarqet filozofike botërore. Xhentile në një revistë filozofike të kohës do të parashtrojë një dilemë  me peshë por edhe të vështirë për njeriun dhe mentalitetin bashkëkohor, do të diskutojë marksizmin  jo si një orientim empirik brenda një kohe të paidesisë dhe katrahurës vuajtëse njerëzore, por  përmasën e teorisë së vlerave në të. Ai do të thotë që Marksi është materialist, mirëpo kjo është çështje personale e tij, ashtu siç është çështje personale e një fizikani, të jetë teist. Si rrjedhojë ai do të potencojë çështjen e diskutimit të gjithanshëm të teorisë marksiste dhe botëkuptimit më të gjerë të kësaj filozofie. Pas kësaj dileme Kroçe do të jetë i domosdoshëm që të thellohet në prapavijën e idesë së Marksit, të folë për borxhin që ai ia ka Hegelit e kështu me rradhë.

Ky diskutim mes dy filozofëve të shquar të agut të shekullit të XX më barti në realitetin e Turqisë së sodit posaçërisht në vështrimin jo të orientimit empirik , por të teorisë së vlerave të cilat përfaqësohen në arenën politike në Turqi dhe relacionet e të tjerëve ndaj tyre dhe të tyre ndaj të tjerëve. Për pasojë zbërthimi real i kësaj dileme e përbën edhe filozofinë politike të këtij nënqielli.

Filozofia politike parashtron tre lloje të pyetjeve:

E para, Cili është sistemi  i vlerave i vlefshëm për një shoqëri konkrete?

E dyta, Në bazë të cilave standarde  duhet të vlerësohen mekanizmat shoqërore konkrete?

E treta, Si standardet e vendosura mund të pragmatizohen në shoqërinë gjegjëse?

Përgjigja në pyetjen e parë grumbullon karakteristikat e sistemit të vlerave të cilat kanë parasysh objektivitetin në mes të subjektit dhe objektit, hapësirën dhe kohën dhe pozicionimin e një shoqërie të caktuar brenda kornizave të lartëpërmendura. Analizo: TURQI-SHQIPTARË

S’ka dyshim se arsyeja instiktive, e hëpërhëshme është e lezetshme për shkak se të liron prej aktivizimit të kreativitetit mendor, të prezenton kënaqësitë momentale, që arrihen me udhëheqjen ose “qeverisjen”, të kënaq për shkak se prej askushit të bën kushi, mirëpo gjithnjë në histori ka qenë shkak për sallto mortalet e paevitueshme të shumë sistemeve botërore.

Ndërsa arsyeja praktike është pak më futuriste, ëndërruese, ata gjëra që arsyeja instiktive i ka hëpërhë, këta të dytët i ëndërrojnë. Ëndërra është edhe më e rrezikshme për shkak se nuk është më kur del gjumi.

Ndërsa realiteti është në arsyen shpirtërore, e cila të dhënat empirike dhe ato konceptuale i gatuan në kuzhinën e gjenit original të vet dhe më pas vepron. Aktet e veprimit të ky grup disaherë në moment duken si të kobshme, mirëpo kanë jetëgjatësi, për shkak se e pengojnë vazhdimin e metastazave shoqërore vdekjepruese.

Për pasojë lirisht mund të thuhet relacioni në mes të subjektit ( shqiptarit) dhe objektit ( Turqi) dhe anasjelltas  në moment edhe nga aspekti empirik , por edhe nga aspekti idealist është jashtë çdo normative të filozofisë së udhëheqjes reale me shoqëritë moderne.. Të them të drejtën në këtë relacion dhe në vendosjen e sistemit të drejtë dhe real të menaxhimit social këtu nuk ju nevojiten shumë “integrime” të moderuara ose “të reja” por nevojitet një kthim kantian, të sintetizimit të idealit dhe përvojës sonë brenda kësaj hapësire dhe kësaj periudhe kohore.

Unë , fuqimisht e përkrahi idenë e Ferrajt se integrimet dhe hulajat e konstelacioneve brendaballkanike në relacion me shqiptarët edhe në ide edhe në përvojë kanë qëlluar gjenin tone dhe janë orientuar në shkrirjen dhe asimilimin. Si në historinë e largët ashtu edhe në të afërmen ne ndoshta kemi heshtur por gjithnjë kemi thënë jo shkrirjes së gjenit tone. Nuk dua të them që duhet të getoizohemi, të konzervohemi në relacion me ata që janë pranë nesh, por dua të them që të jemi ne pranë atyre që i kemi pranë. Dua të them që për çështjet jetike tonat duhet të dijmë të themi , jo assesi, në momentin e duhur dhe mos të lejojmë prolongimin e proçeseve me peshë për ne dhe pasardhësit tone në këto troje.

Përgjigja në pyetjen e dytë duhet të ngërthejë detyrimet morale dhe juridike me të cilat institucionet e caktuara duhet të pajtohen dhe idealet të cilat duhet t’i promovojnë.

Popujt e ngritur detyrimet ose thënë ndryshe normat morale i kutpojnë më lartë se detyrimet juridike. Mirëpo këtu nuk kemi një rast të tillë, pikërisht për këtë është me peshë që çështjet të normatizohen juridikisht. Por për fat të keq vite me rradhë kemi tautologji të bezdisshme të implementimit të kësaj e asaj e askund implementim real. Filozofia politike është discipline normative, që do të thotë se në qoftë se ju nuk veproni në politikë ashtu si duhet, nëse nuk e justifikoni proçesin ekzistencial tuajin ajo ju gëlltit. Në rastin tonë gëlltiten politikat e ndryshme, që na brengos, mirëpo më tepër na brengos gëlltitja e proçeseve të cilat shumë vështirë fillojnë, por nëse nëpërkëmben atëherë edhe më vështirë kthehen prapë. Ne nuk kemi kohë që të kalojnë edhe 60 vjet për të kuptuar se çka nuk është e mirë.

Përgjigja e tretë e përmban aplikimin e barabartë të standardeve dhe lirisë në segmentet shoqërore. Politika nuk I duron standardet e dyfishta dhe si pasojë e tyre shoqëria letargjizohet. Pragmatizmi politik duhet të jetë në orientim të strategjive të verifikimit të sjelljes politike dhe jot ë ideve klishe që një kohë të gjatë na tregohen si joproduktive.

KUNDËR LETARGJISË DHE SERVILITETIT:

Shoqëria është një ndërmarrje bashkëvepruese  ku njerëzit duke bashkërendur  veprimet prodhojnë një shtesë mbi rezultatin që do ta kishin arritur . Ky rezultat është satisfakcion i njerëzishmërisë së tyre. Veprimtaria pozitive njeriut i mundëson që të zë vend në arenën e virtytit dhe si i tillë të dallohet nga milingona që ndoshta jeton, shkilet dhe askush nuk e merr vesht se ka jetuar e që është më e keqja se edhe është shkelur.

PËRDINJITET JO PËR INFERIORITET:

Fillova të pyetem se a jemi ne për vetveten, ose jemi vetëm për veten, nëse po, atëherë vështirë e kemi të ndërtojmë shoqëri me vlera, ndërsa, nëse jo, atëherë o tani o kur?, Mendoj se duhet të ngritet zëri ndaj kësaj ndërhyrjeje të elementeve që, siç thotë Seneka, herë i shohim si mbeturina të dala në breg, e here në mëshirë të dallgëve të dhunshme.

Zgjedhjet dhe etika zgjedhore, bile edhe në vendet  më totalitare, deri në fund e ruan autonominë, bile në dukje, si pasojë e parimeve themelore të “demokracisë”. Ai është burimi prej ku do të dalin idetë për ndërtimin e shoqërisë me vlera, është vendi ku gjeneratat e ardhshme do të përgaditen për sfidat e ardhmërisë. Ndërsa tek ne, për fat të keq, pas çdo procesi zgjedhor edhe më shumë letargjizohemi.

MODERNITETI DHE POSTMODERNEJA/ TERMET BOSHE DHE TË MBUSHURA

Mirëpo realiteti I parimeve nuk është në termet e zbrazëta, por ata i përbëjnë njerëzit që janë dhe funksionojnë brenda tyre. Zullumqarët mund të pushtojnë godinat por asnjëherë trurin e të ndriturve. Por nëse me lehtësinë më të madhe depërtohet edhe në tru dhe me analiza qesharake arsyetohen ndërhyrjet e tilla , me plotë të drejtë ata që janë jashtë do të pyeten se sa këta brenda janë të ndritur.

Zullumi dhe prirjet zullumqare, që një kohë të gjatë jemi duke i përjetuar ne si muslimanë në mbarë botën, duke filluar nga më të zezat e shekullit të kaluar dhe fillimit të mijëvjeçarit të tretë, kanë për qëllim të zbehin un’in individual, ta shkatërrojnë sistemin e punës dhe kaosin e të tjerëve ta tregojnë si rregull, ndërsa çdo rregull tonin si kaos dhe si fund të përpiqen që njeriun/muslimanin ta çlirojë nga pesha e lirisë. A e dini çka don të thotë të lirohesh nga pasha e lirisë? E dini, por ja ta them edhe unë: të bëhesh skllev. Skllevëria nuk është rezultat i pushtetit të forte, por i bindjes për pafuqinë dhe paqëndrueshmërinë individuale. Nëse për asgjë tjetër por për hirë të rejtingut të parimit të quajtur, fe e pastër, etikë shpirtërore duhet të përpiqemi maksimalisht ta ruajmë vlerën e vepërmirësisë dhe të përpiqemi për mbretërimin e saj në përgjithësi në botë.

Robërimi I ndjenjave, dhe përfaqësimi i inferioritetit se muslimanët e vërtetë nuk kanë mundësi të udhëheqin me institucionet e rëndësishme, na fut në hipoteka të rrezikshme dhe krijon mendësi dhe udhëheqësi servile, me një fjalë prodhon aminxhinj të politikave dhe strategjive armiqësore. Asnjë iniciativë e ligjshme nuk mund të shkarkojë organet e zgjedhura dhe legjitime të një  shteti, përveç shembujve të ndërhyrjeve të paligjshme dhe të dhunshme, a la fisi Zulu. Ose vetëm nëse këto ndërhyrje I bëjnë shoqëritë e botës së tretë nuk janë në rregull, ndërsa nëse I bëjnë të “zhvilluarit” janë në rregull!!!

GRUPIMET SHOQËRORE TINZARE DHE QËNDRIMI BURRËROR

Turqia në periudhën e udhëheqjes së kryeministrit aktual, Rexhep Tajjib Erdoganit është ngritur në një shtet me integritet dhe famë botërore. Janë mënjanuar të gjitha inferioritet  ndaj të tjerëve dhe është kthyer dinjiteti në kuadër të trungut origjinal. Ndërsa mos të diskutojmë për infrastrukturën e brendshme, ndërtimin dhe organizimin shoqëror marramendës. Vetëm në këtë periudhë Turqia është marrur me të drejtat e popujve të tjerë jashtë Turqisë, vetëm në këtë periudhë shqiptarët , institucionet dhe vendzënia e jonë në kuadër të mekanizmave ndërkombëtare është diskutuar , motivuar dhe mbëstetur nga Turqia.

Ndryshimet dhe zhvillimet shoqërore, që me siguri në rastin e vizionit të ri që shprehet në platformën e filozofisë politike të Erdoganit nuk janë karakteristike vetëm për Turqinë por për mbarë njerëzimin, bazohen në lirinë dhe aktin krijues të njeriut, aty zbulohet natyra gjeniale e tij. Mirëpo mosekzistimi i kësaj lirie e zbulon edhe tragjedinë e krijimtarisë njerëzore. Gjithsesi ndryshimi  dhe zhvillimi paraqitet si rezultat i relacionit të drejtë  mes veprës, mendimit dhe prodhimit krijues. Më konkretisht,  mendimi i fosilizuar krijon vepra retrograde dhe prodhon defekte shoqërore.

Në këtë rast Turqia, nga aspekti I të gjithë muslmanëve, por edhe nga aspekti I demokracisë dhe lirisë, aq shumë të përfolur të bashkëkohësisë, është shumë e rëndësishme, por më e rëndësishme është qëndrimi kokëlartë dhe krenar me të kaluarën tonë dhe vepërmirësinë shoqërore në kuadër të procedurava bashkëkohore dhe argumentimi ndaj vetes , së pari, se jemi dhe kemi, siç do të kishte thënë Fromi.

Erdogani  me vetëdije të plotë  për presionet, vendosi  ta ndjekë rrugën e tejkalimit të vështirësive sistemore të cilat  I ka momentalisht bota dhe t’I thotë fund superioritetit të një centrizmi I cili nuk arriti ta ndryshojë për të mire botën, në veçanti pas shpartallimit të blloqeve dhe e ndoqi rrugën e ndryshimit të perceptimit të çështjeve por edhe  të essences së tyre. Përpjekje të mëdha u bënë  që idetë (simbolet, informatat, teoritë, qëndrimet) nga ana e njerëzve të vlerësohen nga aspekti I përmbajtjes së tyre dhe jo vetëm nga aspekti I funkcionalitetit të tyre në jetën individuale dhe kolektive. Kjo do të thotë se një ide duhet të vlerësohet nga aspekti se a është esencialisht humane ose jo, dhe jo nga konteksti se sa ideja është në kuadër të dëshirave dhe interesave individuale dhe grupore.

Pikërisht për këtë mendoj se duhet pak më thellë të mendojmë për realitetin tone dhe relacionet me Turqinë. Askush nuk mund t’i shkaktojë dëm atyre që punojnë dhe bazohen në punën e tyre të palodhshme e jo në hipotekat e huaja. Ndërsa për ata që hyjnë në hipoteka zullumqare sa bukur  ka thënë Marco Aurelio:” Vrasin, ndajnë më katërsh, s’lënë gjë pa thënë me mallkime: por si mund ta pengojnë mendjen të gjitha këto që të qëndrojë e pastër, e kthjellët, e urtë, e drejtë? Do ishte njësoj sikur dikush të ndalej në një burim me ujë të kulluar e të pastër dhe ta shante: burimi, natyrisht, nuk pushon së rrjedhuri ujin e tij të kthjellët; madje edhe nëse ai hedh brenda  ca baltë dhe bajga, burimi do t’i shpërndajë menjëherë ato e do t’i marrë me vete dhe nuk do të mbetet aspak i ndotur. Si mund të kesh, pra, brenda vetes një burim të përjetshëm? Nëse do vazhdosh të jesh në çdo cast i lire… Unë nuk kam tjetër çka të them, por mos ta humbim lirinë, autonominë dhe rregullin se kaosi bëhet rregull.