Është fakt se jemi duke jetuar në një periudhë të narcizmit dhe dëshirës për t’u shikuar në pasqyrën e mediumeve ose të fotografohemi qoftë edhe për një punë të vockël që e kemi bërë. Në këtë rast vepra jonë, më drejtë vepra artistike i humb cilësitë kryesore të saj dhe shndërrohet në kiç. Mendoj që nuk duhet të them diçka më tepër në lidhje me këtë dukuri pasi që të gjithë e kemi të qartë, por ama kam dëshirë të them pak më tepër për penxheret që na shërbejnë për ta kthyer në jetë artistiken dhe estetiken.Penxherja estetike është koncept në të cilin individi, autori nuk është shumë i rëndësishëm por peshë ka çështja, që me pak ose më shumë suksses, arrinë ta aktualizojë në veprat dhe mendimet e tij, çështjet që kanë domethënie dhe vlerë, rrjedhimisht, në të cilat të tjerët kanë mundësi ta njohin veten. Penxherja e hapur në kahje të botëkuptimeve filozofike për artin para së gjithash dëshiron të tërheq kujdesin për statusin vendimtar të artit dhe kulturës, më mirë thënur, vendimtar në përmasën ontologjike. Arti është e vetmja mënyrë ku të qenurit zbulohet në trajtë simbolike. Në këtë kontekst, sot, arti gjithnjë e më tepër shtypet dhe shndërrohet në diçka që në realitet nuk është. Arti, sot, është shndërruar në lojë për fëmijë të rritur, në seri të hamendjeve madje disa herë edhe në aktivizëm politik. Ndërsa arti si art, krahas pasqyrimit të zakonshëm të botës e paraqet edhe tjetërsinë, mungesën, zbrazëtinë, hiçin e botës. Arti është dëshmitar i plagës së pashëruar të botës. Këtë lirisht mund ta shohim në gjuhën, pikturën dhe tingullin të cilat, nuk na komunikojnë asgjë, të cilat nuk na informojnë dhe nuk rrëfejnë gjë, por ama arti në to komunikon me ne në trajtë enigmatike që njëkohësiht është konkretësia radikale e asaj që jemi dhe për shkak të Kujt jemi ajo që jemi. Pra, pikërisht në këtë pikë nevojitet penxherja estetike e cila do të hapet drejt këtyre vlerave dhe virtyteve dhe përmes një aksiologjie aktive do të ndërtojë konceptin artistik në ne.
T’ua them të drejtën mua më gëzon hapësira dhe koha e historisë. Pothuajse për çdo ditë udhëtoj nëpër kohë por gjithnjë tash dhe këtu. Disa herë mendoj se a do të kishte mundësi që dashuruesi i artit të kishte lindur në ndonjë kohë më të mirë? Mendoj që asnjëherë nuk duhet ta humbim ndjenjën e falënderimit dhe gëzimit që na janë dhënë disa çaste për ta përjetuar aventurën e jetës me të gjitha ngushtimet dhe relaksimet e saj. Edhe pse shpeshherë nuk më pëlqen konteskti kulturor artistik i bashkëkohësisë nuk jam pesimist kulturor, por jam person që ka dëshirë ta sheh atë, në shoqëri, sa më të dendur. Në këtë proces, ashnjëherë, nuk duhet të harrohet vdekshmëria personale, thyerja dhe përkohshmëria lëndore. Në përmasën kuptimore kjo ndjenjë e mundëson krijimin e penxhereve filozofike dhe artistike të amshueshmërisë. Në këtë kontekst ideja për përkohshmërinë individuale , ideja për vdekjen nuk e ngjall ndjenjën e pashpresisë dhe ulëritjes, përkundrazi na liron që ta kuptojmë realitetin e jetës dhe për atë që është e jashtëzakonshme dhe tejlëndore në të.
Vendi i artit në kohën tonë…
Penxherja- spektri për artin bartet në soditjen se arti nuk absorbon me tërë fuqinë estetike, mjeshtërore dhe teknike. Nuk ekziston asnjë artist i madh i cili nuk ia ka kushtuar jetën artit të vet dhe përsëri nuk ka qenë i kënaqur me atë që ka bërë. Estetikja në artin duket në çastin kur arti bëhet simbol i transhedencës, kur e shpreh eksperiencën e okultizmit, rrjedhimisht të enigmës. Pikërisht këtu ndodh dalja nga teknika, shpërthim të cilin mund ta ndjekim që nga artet e lashta, në artin grek, më pas në atë mesjetar musliman-krishter dhe hebrej e deri në fillet e kohës së re. Këtu arti bazohet në idenë se rrënjët e të gjitha gjërave janë në tjetrin dhe të ndryshmen, që më pas do të përballemi me të dhe pikërisht për këtë çdo gjë është simbolikisht e thënur. Ndërsa arti i madh i kohës sonë është përqëndrim në artin, edhe pse i takon fushës që është lëvruar nga përvoja transhedentale e mesjetës islame-krishtere, i cili e ka humbur “lëndën” e palëndores. Dhe pikërisht për këtë arti bëhet diçka dramatike, bëhet përvojë e krizës epokale. Arti e humb komunikimin e tij burimor. Krahas kësaj, edhe arti i kohës tonë, gjithashtu, është i shënuar në kuadër të burimit të vet. Arti joteknik i mileniumit të tretë, nëse do ta arrijë përkryerjen kuptimore, do të mbetet i vetmuar, i harruar, i panjohur. Do të jetë art i vetmisë. Por do të jetë. Prandaj na nevojitet penxherja e cila do ta ketë nostalgjinë e historisë por edhe dëshirën për atë që na pret.
Pengesat ideologjike të cilat vendosen, tek njëra ose pala tjetër, në lidhje me artin dhe njohjen burojnë nga mosnjohja e hapësirës së lirisë në të cilën duhet të jetojë kultura e sodit. Në te, në këtë hapësirë të lirisë, gjithsesi duhet ta kenë vendin e vet eksperimentet e ndryshme të mençurisë ose edhe marrëzisë, që nuk do të thotë se duhet të gjitha t’i mbështesim. Por në momentin kur dëshirojmë ta mbyllim hapësirën e lirisë, pa marrë parasysh se për çfarë masa bëhet fjalë, do të thotë që e kemi sakrifikuar respektin ndaj të vërtetës. Me këtë respekt/edeb mendoj për të shenjtën si emigmë e cila e ngjall dashurinë ose frikën, por në të dyja kontekstet na tërhjek artistikisht. S’ka fare dyshim se krijimi i kulturës së vërtetë dhe të vazhdueshme është ngushtë e lidhur me seriozitetin tonë ekzistencial, i cili lind pikërisht në kuadër të kësaj hapësire dhe në trajtë të pavarur e tejkalon çdo lloj të shfrenimit dhe trazirës. Të gjitha eksperimentet me ose pa domethënie janë eksperimente të errësirës. Pikërisht për këtë , them që nuk ka mundësi totale për pengimin e të metave. Si rrjedhojë e kësaj shumica e penxhereve artistike artin e tyre gjenial e kanë prodhuar në gjendje të ekstazës, kalimit prej vetes….
Çdo gjë e madhe në kulturën botërore, nga Upanishadet deri në Putrat, nga Zaratustra deri tek Niçeja, nga Ibn Arabiu deri te Erazmoja, nga stoikët deri te Kanti e Derrida… në një mënyrë është trashëgimtare e kulturës së sinqeritetit dhe etosit të besnikërisë ndaj origjinës. Ose me fjalë të tjera, të gjithë të sipërpërmendurit dhe të ngjashmit me to kanë qenë Të plagosur me Enigmën e zbulimit të të vërtetës për veten dhe për të tjerët. Pikërisht për këtë shpeshherë nuk më joshin shumica e fenomeneve që konsiderohen si matëse të kulturës së sodit të shprehura nga teoricien të kulturës, nga cirqet teatrale, zbrazëtia e pseudopoetëve e deri në trajtesat intelektuale tabloide. Për shkak se e kanë të përbashkët konceptin e kulturës së blofit. Kultura e tillë me terminologji të sofistikuar ose me teknikë artistike shtirret se di, edhe pse në vete e ka të qartë se nuk di, shtirret se mund të sqarojë gjërat edhe pse në thellësi e di që nuk ka aftësi për një gjë të tillë. Mendoj se regresi shpirtëror ka ndikuar që ta humb sinqeritetin dhe ta mbulojë atë dobësi me blof. Ndërsa në dritën e kulturës së sinqeritetit nuk është me rëndësi vetëm substanca shpirtërore e kulturës së caktuar por edhe mrrekullia, e jashtëzakonshmja e cila e ngjall kreativitetin. Cektësia kulturore është e ndikuar, qoftë në qarqe kombëtare qoftë ndërkombëtare, nga realcioni me pushtetin. Çdo kulturë që nuk është në ujdi me pushtetin, pa marrë parasysh cilit sektor i takon ky pushtet, është e verbër dhe e palëvizshme. Pikërisht për këtë duhet pamëshirshëm të zhbëhet nihilizmi perverz i kulturës dhe artit i cili udhëhiqet nga pushteti dhe “shitet për bileta”. Shpeshehrë izolimi i kulturës dhe artit është privilegj i zgjedhur.
Ky është koncepti i qytetërimit që e bën të jetueshme jetën,..Vlerat tuaja marrin formë nga kjo referencë. Sjelljet që I bartin vlerat në jetën tone janë rezultat I këtij sistemi referencial. Sanksionimet që zbatohen në rastet e mos veprimit në bazë të vlerave, gjithashtu u takojnë atyre vlerave… Po flasim për një kompozim dijeje, besimi dhe etike. Kur ky sistem vlerash është i pranishëm në qenien tuaj, në dijen dhe ndjenjat tuaja, atëherë edhe instiktet udhëhiqen apo duhen udhëhequr nga ky sistem vlerash.Vallë, a kurrë nuk tejkalohet vija e kuqe? Po, tejkalohet. Hë, atëherë sistemi thotë: “ Ke bërë mëkat!” ose: “Ajo që bën është e jashtligjshme!” Mëkati dhe e jashtëligjshmja nuk janë e njëjta gjë. Nocioni që e quajmë mëkat është nocion i shpalljes hyjnore, përkufizimi i tij nuk ndryshon. Por, normalisht, kështu është për ata që besojnë.Ky është koncepti i qytetërimit që e bën të jetueshme jetën,..
Çka është kundërvlera shoqërore e artit/kulturës të cilën e prodhojmë ?
Ku mund të vendoset poezia, arti, kultura në periudhën moderne? Njeriu modern, jeta moderne, sistemi modern i vlerave, përkapjet moderne bazohen në botëkuptimin dhe në botëshikimin që ka referenca botën fizike dhe jo atë metafizike. Si rrjedhojë, njeriu modern është në telashe. Njeriu modern referencat i ka në botën fizike. Fizika është e përkohshme, nuk është origjinale, nuk është transformuese dhe vazhdimisht ndryshon. Të gjitha veprat artistike që e ndjekin fizikën, të cilat referencat i kanë nga bota fizike, nuk janë të përjetshme dhe nuk kanë mundësi ta rrokin përmasën universale.
Njeriu e ka anën fizike. Por, ana e pavdekshme e njeriut nuk është ajo fizike. Është amaneti i shpirtit, me të cilin është ngarkuar njeriu. Ata që janë ngritur në nivelin e shpirtit, që e kanë gjetur shpirtin brenda trupit të tyre, janë ata që e kanë gjetur kuptimin. Teksti është si trupi, kuptimi brenda tekstit është si shpirti brenda njeriut. Jeta moderne është e bazuar në filozofinë e zhvillimit të trupit të njeriut. Vizualiteti është i përqendruar vetëm te trupi. Pikërisht për këtë edhe është zhvilluar shumë industria e kozmetikës. Çdokush është brenda kulturës së dukjes. Ndërkaq, shpirti është lënë pas dore. Shikuar nga ky aspekt, po, është e vërtetë, arti/kultura nuk e ka kundërvlerën e saj në botën moderne. Por, njëkohësisht ka edhe një përparësi. Arti në qoftë se e ka rrokur nivelin e përjetshmërisë, qoftë të asaj modernes ose të postmodernes, përderisa njeriu do ta ketë shpirtin, ai do t’i drejtohet shpirtit dhe të tillët do të jenë të pavdekshëm. Bota fizike është e vdekshme; si rrjedhojë, të gjitha artet që e pasojnë botën fizike janë kalimtare.
Shndërrimi i mjeteve në qëllime është problemi kryesor i njeriut modern. Nga ky proces u ndikuan edhe fetarët. Çdokush e bëri qëllim mjetin të cilin e përdorte. Si rrjedhojë, shkollat, rrymat, karakteret e ndryshme filluan të mos përshëndeten me njëra-tjetrën. Pikërisht për këtë them që arti , para së gjithash, është mjet, nuk është qëllim, por mos të harrojmë se është ndër mjetet më të rëndësishme. Ka fuqi më të madhe se shkenca. Arti është konsideruar si mjet më adekuat për të shprehur temat metafizike dhe ato të dashurisë. Pikërisht për këtë disa penxhere estetike gjatë historisë e kanë preferuar artin. Ibn Arabiu, në lidhje me artin thotë:
“Arti është hapësirë e simbolit, e aluzionit, e përngjasimit, e metonimisë. Ne aty e simbolizojmë, e përngjasojmë një temë hyjnore, metafizike. Në çastin kur do ta zbërthesh atë, do të përfitosh dhjetëra faqe me dituri” Ndërsa një penxhere estetike e kohës tonë thotë: “ O Zot! Mos ma le fenë pa kulturë”.