Njeriu i shekullit të njëzet jeton në një kohë ku me të madhe e ka humbur fizionominë e tij. Është kohë kur njeriu në masë të madhe e ka haruar pajtimin  e tij me parimin e natyrës, gjegjësisht të logosit. Bota siç  e kemi të njohur është përplot me figura të llojllojshme dhe mimikë të pashembëlltë. Figurat e natyrës na afrohen në trajtë të ngjyrave dhe formave, herë të ndryshme  e herë brenda atmosferës identike. Në këtë fizionomi liria shprehet në rrjetin e observimit, ku të gjitha konceptet janë të nduarnduarta dhe në reciprocitet. Dhe nëse nuk e kemi humbur kompetencën individuale të perceptimit ose aftësinë e observimit autentik, e cila sipas Heideggerit, është status i veçantë i artistit ose është aktizim i të vërtetës, atëherë nuk është vështirë për të konstatuar se tërësia në qytetërimin modern është e humbur. Ndoshta në formën më të mirë këtë realitet e ka vërejtur Albert Camus. Ai para 50-60 viteve ka diskutuar për logjikën e teorisë e cila ka dëshirë të unjisojë tërë botën, e cila do të ishte rruga e vetme e shkretizimit të botës, spastrimit të saj prej arsyes dhe konceptit, gjeggjësisht shurdhimin dhe verbimin e botës njëlloj siç është edhe vet teorija. Ai thotë: “ Nuk ka rrugë tjetër vetëm se të shkëputen rrënjët që njeriun e lidhin me natyrën dhe jetën. Nuk është e rastit që librat  e sodit nuk merren me nuancat e zemrës dhe vërtetësinë e dashurisë, por vetëm  me gjykatësit, proçeset dhe mekanizmat e akuzës dhe të padisë. Në vend që të hapen dritaret para të bukurës së përbotshme, me brengë mbyllen mbi sikletin dhe dëshprimin e të vetmuarit”.

Por edhe pse nga njëra anë ne ballafaqohemi me shkretizimin e observimit dhe emocionimit, me të cilën ne e paguajmë koston e përparimit qytetërimor, nga ana tjetër jemi përballë me një hije të asaj që mund ta quajmë gjuhë të natyrës, gjuhë të formës. Kjo hije është  e ruajtur në artet dhe letërsinë. Ata si kompetenca përkapëse janë shprehje të lirisë dhe liria e përbën dukjen më të plotë të tyre. Këtu jemi të domosdoshëm të përmendim Hegel’in, idealizmin e tij ku triumfon fryma absolute- nëpërmjet të artit, religjionit e deri ne filozofine absolute. Hegeli është filozofi që epokën e re e ka frymëzuar në tërësi mendësinë evropiane dhe më gjerë. Estetika e filozofit të madh gjerman Georg Vilhelm Fridrih Hegel ( 1770-1831) e bazuar në koncipimin e gjerë filozofik të tij ka arritur qëllime të larta të kërkuara kohë më parë  nga estetët gjerman duke filluar nga Baumgarteni e deri ne kohën e tij. Në sistemin e tij filozofik, i cili në bazë të vlerësimeve të Rudolph Eucken’it, nga përfshirja mund të matet vetëm me atë të Aristotelit, ndërsa për nga diciplina dhe ashpërsia është i pakrahasueshëm, estetika del në pah mne pasurinë e idesë dhe gjithanshmërinëe qasjes ndaj problemeve si dhe me analizatv e shumta të dukurive estetike.

Si pasojë ballafaqohemi me vështirësinë dhe dilemën se a ka nevojë për shkrimin rreth vlerave estetike të së kaluarës kur njeriu është me të madhe i koncentruar në të tashmen dhe për të ardhmen. Sot sikur ndjehemi të painteresuar për të të kaluarën. Kjo ndjenjë shpeshherë paraqitet si kompleks për shkak të gabimeve të bëra në të kaluarën por disa herë edhe për shkak se nuk kemi dëshirë të ballafaqohemi me autokritikat. Detyrë parësore e historisë së estetikës është të përfaqësojë në trajtë të ndritshme çështjet estetike dhe artistike të së kaluarës, së bashku me pozitivitetet dhe negativitetet, si dhe me analiza thelbësore të shqyrtohen shtigjet dhe cilësitë e lëvizjeve dhe zhvillimeve shoqërore gjatë të kaluarës. Në këtë mënyrë do të paraqitet mundësia që të vendoset relacioni i drejtë me të kaluarën dhe të tërhiqen segmentet e bartjes së vlerave pozitive dhe mënjannimit të asaj që nuk korespondon me vërtetësinë dhe kohën e sodit.

Estetika si një diciplinë teorike ose më drejtë filozofike do të paraqitet në arenën e ndërtimit kulturor dhe artistik të gjinisë njerëzore gjatë të kaluarës. Për rrjedhojë do të shihet edhe puna e palodhshme e estetëve në ndërtimin e metodologjisë së estetikës.Gërliqi në Estetikën e tij gjërë e gjatë e diskuton çështjen e lëndës së estetikës dhe metodës thelbësore të saj. Ai do të diskutojë çështjen se estetika  eështë diciplinë filozofike ose është diciplinë e pavarur. Estetika, do të thotë Gërliqi, përgjithësisht është konstituar në luftë të pandërprerë me shkencat tjera të afërta  dhe si pasojë e ka ndërtuar fushën e vete të veprimit, që në masë të madhe mund të konsiderohet si joshkencore. Pikërisht këtu edhe esttika në trajtë të konsideruar do të ndahet prej teorisë së artit , pasi e dyta i studjon premisat e përgjithashme teorike për krijimin dhe kuptimin e degëve të ndryshme të artit, historia e letërsisë përcjell, vlerëson dhe kuptimëson lindjen dhe zhdukjen e fenomeneve, të drejtimeve e shkollave të caktuara konkrete artistike, sociologjia e artit i studjon bazat shoqërore që në periudha të ndryshme kanë reciprocitet me artin dhe të bukurën. Ndërsa studimet estetike filozofike, nëse duan vërtetë të depërtojnë në thelbin e artistikës, nuk bën t’iu shmangen ose të injorojnë në çfarëdo mënyre rezultatet studimore të diciplinave të lartëpërmendura.

Termi “ estetikë” deri në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII nuk ka qenë i pranuar si filozofi e të bukurës si diciplinë e veçantë e studjimit. Estetika është paraquitur vonë, ndërsa çështja dhe problemi ka ekzistuar edhe para emrit. Nëse këtë koncept e diskutojmë në përmasën e tij të gjerë, si mendim rreth të bukurës dhe artit, atëherë gjeneza e tij është prezente në  pjesën dërmuese të historisë së mendimit njerëzor. Mendimi  për të bukiurën dhe artin është i vjetër sa edhe vetë filozofia, ndërsa estetika e cila përpiqet të sistemojë këta mendime është e kohës më të re.

Filozofia e vjetër të bukurën e ka konsideruar si cilësi objektive të lëndës. Lëndët janë vëzhguar në esencën e tyre, pavarësisht nga subjekti dhe aftësia vëzhguese dhe njohëse e tij. Ashtu që herë pas here është postuluar një sistem i vlerave që është përqëndruar i pavarur nda vetëdija njerëzore. E bukura nuk përcaktohej me kënaqësinë subjektive që e mundësonte , por ideja e së bukurës zbriste në mundësinë e krijimit të një bote në të cilën duhet të sundojë  harmonia dhe masa. E bukura nga vetvetiu është e amshueshme dhe e pafundtë, absolute dhe e pandryshueshme. Ideali i saj si edhe i çdo ideje tjetër, do të thoshte Platoni, paraqet koncept i cili aspak nuk varret nga ekzistenca individuale. Ideali nuk ka mundësi të ekzistojë e as të sendërtohet në asnjë trajtë individuale. Ai është i përkryer për shkak se në vete përmban plotësinë e qenies. E bukura në realitet është qenie  në vete.Trajta dhe përmasa e jashtme e cila poashtu I nevojitet idealit si edhe përmbajtja reale, si dhe nduarnduarsia mes tyre na ballafaqojnlë me çështjen e relacionit mes përfaqësimit ideal të artit ndaj natyrës. Për shkak se elementi I jashtëm I saj është në relacion me atë që ne e emërtojmë si natyrë. Në këtë kontekst ende nuk është I zgjidhur problemi I vjetër, se : arti duhet të paraqes të natyrshmen si ekzistencë të jashtme ose dukuritë natyrore duhet ti zmnadhojë dhe riedukojë.

Ndërsa njeriu bashkëkohior më pak beson në jetën kuptimore, madje as që ka dëshirë ta konsiderojë veten si hallkë e një sistemi teleologjik të përcaktuar më parë. Paraqitja e individualizmit qytetar solli me vete erozionin e universumit të traditës, mbylljen e kozmologjive të mëdha si dhe të vizioneve objektiviste dhe kierarkike të shumë diciplinave filozofike , por edhe të estetikës. Kështu është shkatëruar bërthama shpirtërore nëpërmjet të cilës gjinia njerëzore ka jetuar në të kaluarën.Në këtë situatë të re njeriu u ballafaqua me vetveten dhe i mbështetur vetëm në veten.

Pikërisht në këtë kopntekst mund të vendoset edhe paraqitja e Estetikës si disiplinë mëvetëse. Paraqitja e saj ishte një nga paralajmëruesit e epokës bashkëkohore  që sillet kryesisht përreth subjektit, vrojtimit dhe forcës njohëse të saj. Kthimi drejtë modernizmit i kulturës evropiane lidhet me shekullin e XVIII, kur estetika paraqitet si fushë e veçan e hulumtimit dhe njëkohësisht e shënon epokën bashkëkohore. Në këtë kontekst shekulli i XVIII pranohet si fillim i kohës së re, ndërsa Estetika si shenjë kryesore e ardhjes së saj.

Paraqitja e Estetikës dhe përqëndrimi i saj në çështjet e të bukurës, që deri më atëherë janë diskutuar në përmasat e artit ose ata pastër filozofike, do t’i ballafaqojë estetët me çështjen e konceptit, lëndës dhe bazamentit metodologjik të kësaj disipline.

Çdo disiplinë, qoftë shkencore apo filozofike, duhet të sigurojë dy hipoteza epistemologjike nëse dëshiron të mëvetësohet si fushë e veçan shkencore.

  1. Duhet të fiksojë lëndën e hulumtimit si autonom dhe mëvetës dhe
  2. Duhet të gjejë metodën e cila do të mundësojë autonominë e lëndës.

Estetika këtë luftë në mes të këtyre dy hipotezave e bën dy shekuj e gjysëm, d.t.th. që nga momenti i emërtimit me këtë emër.

Hulumtimet dhe mendimet e  estetëve në lidhje me konceptin dhe lëndën e Estetikës na kahëzojnë drejtë përfundimit se e bukura patjetër duhet të mbetet si koncepti themelor dhe i domosdoshëm i estetikës, por me kusht që të diskutohet në tre trajtat bazike të saja: si e bukur esenciale, e bukur natyrore dhe e bukur artistike, si në kuadër të individualitetit të tyre ashtu edhe në kuadër të nduarnduarsisë konceptuale dhe funksionale mes vetes.Hegeli në Estetikë’n e tij gjërë e gjatë do të diskutojë të gjitha këta kuptime të të bukurës dhe do të përpiqet që të kodifikojë mendimet mbi të bukurën gjatë historisë. Më pas do të konstatojë se e bukura artistike është e bukura që duhet të diskutohet në fushën e hulumtimeve estetike. Nduarnduarsia pjellore ndërmjet tre llojeve të të bukurës, e zbulon pasurinë e madhe të hapësirës së trashëguar estetike, ndërsa të bukurës ia jep kuptimin e vërtetë që në të shumtën e rasteve është relativizuar në artin bashkëkohor.

Estetika do ta kërkojë të bukurën kudo që do të mendojë se ka mundësi ta gjejë, mirëpo për të konstatuar vërtetësinë e saj duhet të ketë instrumentin e vërtetë , nëpërmjet të cilit do të njohë fytyrën tërhjekëse të të bukurës.

Nga do që t’i afrohemi Estetika është disiplinë njohëse që hulumton gjenezën e të bukurës dhe artit me qëllim që të zbulojë natyrën e vërtetë të tyre. Si disiplinë njohëse ajo e ka të domosdoshme që të ndajë dhe sqarojë hollësisht burimet e njohjes së arritur dhe metodën e arritjes deri te ajo.

Hulumtimi serioz i çështjeve filozofike rrjedh prej nevojës së thellë të personit të njeriut për të kuptuar dukuritë e ndryshme dhe të zbulojë vërtetësinë e tyre. Kjo dëshirë ose nevojë do të na afrojë deri tek dyert ku duhet të kalohet për të arritur deri te e vërteta burimore në lidhje me çështjen që e studjojmë. Estetika si një prej disiplinave me pedigre filozofike e kërkon rrugën e vete personale nëpërmjet të cilës do të kishte mundësi të arrijë në dyert e burimit të sekretit të të bukurës dhe artit. Si rrjedhojë duhet ta kemi të qartë se rruga ose metoda e studjimit nuk ka mundësi që të shpëtojë tërësisht prej përvojave filozofike dhe shpirtërore. Estetika e ka të domosdoshme që të ballafaqohet me të gjitha trajtat e konceptimit njerëzor, pas marrë parasysh se disa prej tyre paraqesin e dhe rezik për lendën e saj, në përpjekjen për t’u mëvetësuar si disiplinë autonome.

E tërë historia e Estetikës është përplotë me përpjekjen për të konstatuar metodën e vërtetë të hulumtimit dhe studjimit estetik. Në këtë rrjedhojë si edhe vetë filozofia në përgjithësi edhe estetika do të ballafaqohet me problemin e zgjidhjes së problemit në tërësi. Mendimi shkencor bashkëkohor dukshëm do të ndikojë edhe në disiplinat që pak më tepër kanë të bëjnë me shpirtin në kontekst të konstatimit empirik dhe konkluzave të thukta. Për pasojë mendësia bashkëkohore , ku edhe është e ndërtuar estetika si lëndë e mëvetësuar, disiplinat filozofike do t’i shohë si fusha ku nuk ka zgjidhje të problemit.

Nëse nuk ka zgjidhje të problemit atëherë ku është faji për këtë…?

A mos vallë problemi nuk është prezentuar drejtë?

Historia e mendimit nuk mund ta pranojë një gjë të tillë pasi kjo dë të kishte domethënien se filozofët nuk dijnë të mendojnë dhe si pasojë  e kësaj e tërë metodologjia shkencore do të ishte e tillë, pasi bazohet në filozofinë. Ndoshta ka mundësi të thuhet se drejtimet dhe periudhat e ndryshme në historinë e mendimit filozofik kanë ndikuar që problemi të mos prezentohet tërësishëm në korniza të kohës dhe hapësirës së caktuar. Çdo periudhë e historisë së mendimit, gjegjësisht e filozofisë dhe si pasojë e kësaj edhe  eestetikës është e përqëndruar në një bosht bazik, lëndoren, tejlëndoren, imagjinatën, skepsën etj. dhe diskutimi i të tjerave ka qenë më sipërfaqësor. P.sh. Mesjeta shumë pak e ka diskutuar përmasën e njeriut dhe imanentes, ajo ka qenë e koncentruar kryesisht në transhedencën dhe tejlëndoren. Nga ana tjetër periudha e pozitivizmit filozofik do ta margjinalizojë diskursin teologjik dhe Zotin në kohën e re dhe bashkëkohësinë. Si do që të jetë mendimi se problemi nuk është prezentuar drejtë nuk mund të konsiderohet adekuat për të gjitha periudhat e  estetikës.

A mos vallë problemi përfundimisht është i pazgjidhshëm?

D.t.th. se problemi është i prezantuar në kuadër të normales dhe është adekuat , mirëpo zgjidhja e këtij problemi është i pamundshëm në kuadër të arsyes njerëzore. Ka pyetje, thotë Franc Kafka, për të cilat njeriu nuk do të ketë përgjigje asnjëherë, nëse nga natyra nuk është i lirë prej tyre”. Arsyeja racionale dhe ajo imagjinative ka mundësi të përgjigjet në pyetjet që janë në kuadër të kufijve lëndorë dhe imagjinativ, për arsye se edhe subjekti edhe objekti janë të karakterit relativ. Epistemologjia dhe ontologjia në këtë mënyrë të mendimit nuk janë në harmoni. Në diciplinat që janë në kuadër të shpirtit, siç është arti, filozofia dhe feja (Hegel), nuk ka mundësi të gjinden përgjigje epistemologjike të drejta nëse platforma e dijes nuk është në paralelelen  e njëjtë me atë të qenies. Ose, arsyeja realtive nuk ka mundësi t’u përgjigjet pyetjeve që janë lëndë e arsyes absolute.  Një problem të tillë do ta hasim kryesisht në vlerësimin e çështjeve filozofike fetare dhe si pasojë edhe estetikën fetare. Estetika duhet gjithsesi t’i përgjigjet pyetjes se ku qëndron origjinaliteti dhe inovacionet brenda traditave respektabile artistike. Është në imitimin  e imitimit (hija e hijes, Platoni) në vetë reflektimin (mimezisin, Aristoteli), ose në bartjen e spiritualitet dhe pasqyrimeve të Një-shit (Plotini)? Tradita mimetike e përqëndruar në teoritë estetike aristoteliane do të marrin hov të madh në periudhën e renesansës dhe kohës së re duke i margjinalizuar teoritë e Platonit dhe Plotinit, të cilat ishin mjaftë respektabile në mesjetë dhe të cilat kishin rrënjët e tyre në traditat e vjetra të lindjes së largët dhe Egjiptit.Kjo vijë e ndikimit të kulturave të lashta me antikën e përqëndron zhvillimin shkencor dhe artistik në traditën perenniale që fillon me zbulesën hyjnore.

A mos ndoshta ekziston pluarlizëm i të vërtetave dhe secili e ka të vërtetën e vete?

 Si pasojë  etë vërtetës personale ose grupore paraqiten edhe zgjidhje për ato të vërteta. Njeriu i kohës së re pasi që veten eka vendosur në qendër të gjithësisë, gjithnjë problemin dhe mëngësitë i sheh në anën e kundërt. Është e vërtetë nëse konstatohet se ka më shumë të vërteta, problemi është i pazgjidhshëm. Por ekzistenca e më shumë të vërtetave e relativizon edhe kuptimësinë e jetës në gjithësi. Yjet, lindja e diellit, hëna, lindja , vdekja nuk mjund të kenë disa të vërteta pasi kështu shndërohen në kaos. Ata qëndrojnë në pozicionin e tyre me mënyrën e njëjtë të veprimit që nga fillimi i qenësisë në gjithësi dhe nga aspekti i të vërtetsës janë statike, ndërsa pluralizmi paraqitet në mënyrat e observimit të tyre. E vërteta edhe në konotacionin  estetik është e pandryshueshme, ndryshojnë  qasjet, aksidencat, nuancat, etj. Si rrjedhojë relativiteti nuk paraqitet si pasojë e ontologjisë së të bukurës, por i fenomenit të soditjes. Estetika metafizike, ose tradita perenniale gjithnjë është përpjekur ta vendosë këtë paralelizëm në mes të ontologjisë dhe shkallëve të njohjes dhe shijes artistike. Të verërtetën e ka konsideruar një të vetme ndërsa qasjet ndaj saj vetëm si nuanca të observimeve relative dhe individuale. E vërteta e ka karakterin monist, ndërsa pluraliste janë vetëm se qasjet ndaj tyre.

Ose çdo përgjigje e ka përfshirë vetëm njërën anë të çështjes…

E vërteta asnjëherë nuk mund të zbërthehet në tërësi për shkak se njeriu është i kufizuar. Ky mendim, që është karakteristike për teoritë pozitiviste më tepër, plotësimin e rrethit për zbërthimin e të vërtetës e sheh si proçes që do të zhvillohet gjatë tërë historisë. Me një fjalë evoluimi shoqëror me vete do të sjell edhe zbërthimin  enjë pjese më të madhe të vërtetës. Fotografia për të vërtetën shkallë shkallë nëpërmjet të përpjekjeve të njeriut do të kompletohet, si një lloj i mozaikut-ad infinitum.

Është fakt se e vërteta ka disa platforma dhe piedestale, si rrjedhojë secila preje tyre i ka trajtat e mendimit të veçantë për veten të cilat janë valide për strukturë shpirtërore të caktuar. Ndërsa, të vërtetat relative bëhen një e vërtetë atëherë kur janë në relacion të drejtë me qenien dhe përjetimet tona.