Distanca e zemrës nga çështjet kalimtare, përqendrimi në çështjet e përjetshme, pastaj idetë e paraqitura në Zbulesën nga Krijuesi i ekzistencës, duke pastruar shpirtin, nën dritën e dhuratës së arsyes, me qëllim për të distancuar fizikisht veten nga idetë dhe shtigjet që të çojnë për shqetësimet, për të përgëzuar veten – dhe për t’ua lehtësuar e për t’ua bërë jetën me shend të tjerëve – është rruga e vetme e qetësisë.

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Distanca e vetes sonë nga natyra jonë e lindur është e pamundur, dhe kjo ka të bëjë shumë me distancën shoqërore, thjesht sepse ne jemi qenie shoqërore, që nga ardhja, më pas rritja, deri në fund dhe largimi nga kjo botë kalimtare. Takimi me njëri-tjetrin është një adhurim i ndërgjegjshëm shoqërie, një sjellje e pëlqyeshme për Perëndinë, dhe për ne një investim jashtëzakonisht i frytshëm i kthimit në natyrën e lartë, madje edhe vetë lutja, një lutje drejtuar Zotit për të tjerët pas shpine, është e tillë. Edhe mirësia më e vogël që kërkon kënaqësinë e Zotit është më e mirë se shumë adhurime individuale.

Nëse njeriu ushqehet nga natyra e ulët ai drejtohet në atë anë. Ndërsa, nëse ushqehet nga natyra e lartë, ai drejtohet lart…. Ti ushqejmë fëmijët me ushqime të natyrës së lartë. Me drejtësi, sinqeritet, empati, moral, guxim, respekt, zemërgjerësi, bujari, modesti, syçelësi, përpjekje, shoqërim…

Kur fillojmë të zgjohemi dhe te dalim nga gjendja egoiste e ndërgjegjes, ne e çlirojmë veten nga një këndvështrim i kufizuar i botës, nga një këndvështrim relativ. Kjo gjendje i frikëson mendimet dhe pasionet tona, por e rehaton dhe i jep guxim zemrës dhe ndjesisë shpirtërore…

Një edukim i mirë nënkupton aftësimin e fëmijës që të sillet siç duhet ndaj vetes, prindërve, të moshuarve, të rinjve, mësuesve, injorantëve, miqve, armiqve, të ndershmeve, hajdutëve, domethënë, ndaj të gjithë elementeve te një jete reale dhe dinamike dhe kështu të mbrojë veten, dhe të tjerët, nga dëmtimet e mundshme emocionale ose materiale që mund t’i shkaktohen.

Shikuar në këtë kontekst, gjëja më e mirë që një prind mund t’u lë fëmijëve të tij janë sistemet e sakta të të menduarit. Në rast se ai nuk ka ndërmend t’u mësojë atyre sistemet e sakta të të menduarit, le të mos bëjë fëmijë…

Njëherë, disa persona agjëruan, sa që agjërimi (nafile) i rraskapiti dhe i zuri gjumi, (ishin në ekspeditë lufte), ndërsa të tjerët që nuk agjëruan u ndihmuan të tjerëve, vendosën hije për mbrojtje nga dielli, sollën ujë, ia shuan etjen njëri -tjetrit…

Kur u bë iftari, Pejgamberi a.s. tha: “Sot, fituan më shumë ata që nuk agjëruan!” (Buhari, Muslim, Sijam, 100-101) Dhe ne e dimë se nuk mund të zvogëlojmë vlerën e ibadetit të agjërimit, por duhet ta dimë se nuk mund edhe ta nënçmojmë vlerën e ibadetit shoqëror, i cili disa herë është më me vlerë dhe më i rëndësishëm se ibadeti shtesë pa përpjekje shoqërore. Kuptimin racional të përparësive ne e mësojmë nga praktika e mësuesit tonë të madh Muhamedit a.s.!

Është fakt se çdo ditë ne largohemi nga kjo botë dhe i afrohemi botës tjetër. Prandaj ne kemi nevojë për njerëz që do të jenë model i kapshëm social për të tjerët,kemi nevojë për njerëz të cilët kanë mësuar të jetojnë sipas kulturës së Islamit.

Le të shikojmë prapa, gjithçka, pra, gjithçka u krijua nga Zoti për njeriun, harmonia e përsosur e universit u bë për njeriun, dhe kur njeriu i fundit të largohet nga kjo botë, funksioni i universit do të pushojë dhe ai do të shkatërrohet, si rrjedhojë, do të themelohet një sistem i ri. Sa vizita kemi në ëndërr nga shpirtrat që nuk janë më fizikisht me ne? Të vdekurit nuk vizitojnë nëse vërtet janë të vdekur, nëse kanë vdekur përgjithmonë dhe plotësisht..!

Aventura tokësore e njeriut është e ndërlikuar, përbëhet nga ulje -ngritje, suksese dhe dështime. Është interesante, por qytetërimi nuk ekziston tani, madje edhe gjatë historisë, nëse e vëzhgojmë sipërfaqësisht, siç e bëjmë sot, por për ta kuptuar duhet të thellohemi, të filozofojmë, të ndjejmë. Për shkak se nuk e bëjmë këtë me miliarda njerëz më tepër mendojnë për vdekjen sesa për jetën! Ndjenja unike e të gjithëve është të kërkojnë një jetë pa shqetësime, sepse shqetësimet janë më të forta se gjumi, duhet ta pranojmë, por jeta pa shqetësime nuk vjen vetvetiu, ajo kërkon të kultivohet.

E flasim të njëjtën gjuhë, por nuk kuptohemi . Jemi heronj te një të kaluare heroike, ndersa frikacak deri në rraskapitje për të tashmen dhe realitetin. Jemi të zhurmshëm me civilizimin, ndërsa i mësojmë fëmijët të admirojnë mitet se vetëm në oborrin tonë vjollca është një lule, në oborret e njerëzve të tjerë vjollca është një imitim i rremë i luleve tona!!!

Pra, distanca e zemrës nga çështjet kalimtare, përqendrimi në çështjet e përjetshme, pastaj idetë e paraqitura në Zbulesën nga Krijuesi i ekzistencës, duke pastruarshpirtin, nën dritën e dhuratës së arsyes, me qëllim për të distancuar fizikisht veten nga idetë dhe shtigjet që të çojnë për shqetësimet, për të përgëzuar veten – dhe për t’ua lehtësuar e për t’ua bërë jetën me shend të tjerëve është rruga e vetme e qetësisë. Dashuria dhe mënjanimi i shqetësimeve kërkojnë sakrificë, ndërsa egoizmi është armiku më i madh, tek ne, i ekspozuar ndaj forcave të vazhdueshme negative të padukshme shqisore.

Sot , le të agjërojmë me shkollën e Ramazanit nga tepricat, të pranojmë situatën përreth nesh, të përqendrojmë të gjithë energjinë tonë tek ata përreth nesh, me energjinë të cilën e morëm duke i liruar zemrat nga tepricat, sepse iluzionet që na ngarkojnë janë në ajër në çdo hap. Për shkak të iluzioneve të televizorit dhe internetit, njeriu ka harruar veten dhe kjo harresë është një tregti e papërshkrueshme e shtrenjtë që grumbullon shqetësime, trishtim, nervozizëm dhe pasiguri.

Është në natyrën e njeriut të mos pranojë kalueshmërinë. Njeriu nuk dëshiron të jetë i përkohshëm, ai dëshiron të jetojë gjatë. Ai ka frikë nga momenti i fundit, ka frikë nga varret dhe varrezat, ka frikë nga bota tjetër. Zgjidhja për këtë është intimiteti me Zotin. Të mos e harrosh përkohshmërinë është një rrugë qetësie, pa ata që e largojnë frikën nga vdekja.

Këshillën, idenë, zgjidhjen, njohurinë më të mirë, për njeriun mund ta ​​ofrojë Ai që e krijoi atë. Me frymën e fundit funksioni i trupit pushon dhe trupi kthehet në dhe, dheu shndërrohet në dhe. Shpirti që Zoti e ka lidhur me trupin tonë në barkun e nënës fillon një jetë i kufizuar, pas së cilës ndahet përsëri nga trupi dhe kthehet në origjinë. Të mendojmë, të përgatitim veten për atë moment të pasigurt dhe në këtë mënyrë do të kemi sukses edhe në këtë botë. Qeniet shoqërore nuk mund të distancohen nga natyra e tyre origjinale, jo, aspak, ndërsa ne kemi dëshirë ta pranojmë ose jo, por kjo që u tha është natyra esenciale e njeriut.

Fuqia e shpirtit na ndihmon t’i mbijetojë me telashet, të shkojmë më tej hap pas hapi, të ngjitemi në malin e jetës duke e ditur se maja qëndron ende para nesh . Çdo përvojë është një mësues i çmuar…

Ajo që ne ndonjëherë shohim, e cila shpengon dhe vjedh sytë tanë, nuk është një pasqyrim i vërtetë, por vetëm një vizion, një mirazh i çuditshëm i bukurisë. Vlera e vërtetë është shpirti, në të fshihet pamja jonë e jashtme, shkëlqimi ynë, i cili ndonjëherë zbehet, nuk zhduket në tërësi kurrë, është një dhuratë nga Zoti e cila , e vënë në dukje në mënyrën e duhur, tejkalon të dukshmen dhe na tregon për verbërinë e sipërfaqësisë. Njeriu duhet të shikojë gjithmonë në shpirt, sepse në të, i thellë, si një labirint, fshihet bukuria jonë e vërtetë, zelli, zjarri dhe përsosmëria jonë …

Koha shërben për të gjetur atë që na bën të lumtur dhe për të zbuluar pasionet që mund të na ndihmojnë të përballojmë ulje-ngritjet. Ajo që ne bëjmë ndërsa koha kalon është nën kontrollin tonë dhe ne duhet ta marrim seriozisht. Gjithsesi duhet të bëjmë diçka për të përballuar barrën që kemi mbajtur një kohe te gjate nga brengat e ndryshme dhe duhet të shfrytëzojmë kohën për t’u bërë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm ndaj shpirtit tone. Vetëm kjo na shpëton nga barra e rende e perbotshmerise dinamike. Dhe kjo nuk është asgjë tjetër përveçse lidhja e fortë dhe e sinqertë me Krijuesin. Përkujtimi i vazhdueshëm i Zotit dhe ikja nga neglizhenca…

Për të qenë besnikë dhe të përkushtuar ndaj Zotit, për të pasur kulturë dhe mirësjellje të mirë, duhet të kemi guxim dhe t’i grisim perdet e fizikës, ta përjetojmë metafizikën. Këtë e bëjnë vetëm trimat, si rrjedhojë, besimtarët nuk duhet të jenë frikacakë. Nuk jam unë i durueshëm, i guximshëm, i matur, i kënaqur, i butë, akomodues, etj., por të gjitha këta janë dhurata të Zotit për mua, dhurata të Atij që ia kam dhuruar zemrën, nuk ka “Unë”, gjithçka është “Ti Zoti im!”