Kush do Muhamet-Alinë

edhe beson Perëndinë

do Hasan e Fatimenë

dhe qan për Imam Hysenë

nuk bën jezitërinë

djallëzinë e ligësinë

se ata që janë vrarë

e ranë dëshmimëtarë

ranë për një të vërtetë

q’ajo na nderon në jetë.

(Poema « Qerbelaja » Naim Frashëri)

Muaji i Muharremit sipas kalendarit islamik, shumë më tepër se festimi i vitit të ri, në traditën intelektuale dhe fetare myslimane është i njohur me ngjarjen e Qerbelasë e cila ka ndodhur në ditën e dhjetë të këtij muaji. Qerbelaja është një ndër ngjarjet më tronditëse dhe më prekëse në historinë islame por edhe në historinë e përgjithshme. Nipi dhe bebëza e syrit e pejgamberit Muhammedit a.s., Hazreti Huseini, ka rënë dëshmorë në fushën e Qerbelasë, nga duart zullumqare të pushtetit të asaj kohe të udhëhequr nga Jezidi biri i Muavijes. Si ngjarje në historinë islame ka lënë njollë të paharueshme për gjeneratat e ardhshme të myslimanëve në mbarë hapësirat botërore për paskrupullsinë e pushtetit që për hirë të interesave personale, grupore apo edhe politike të sakrifikojë nipin e Pejgamberit a.s..

Unë këtu nuk do të hyj në zbërthimin e ngjarjes së Qerbelasë, por më tepër do të ndalem në idealin e sakrificës për ardhmëri të njerëzishme, në këtë rast të personifikuar në personalitetin fizik dhe metafizik të Hazreti Huseinit, për të cilin mendoj se njeriu bashkëkohor e ka harruar dhe për të cilën ne si shqiptarë kemi nevojë më shumë se çdo gjë tjetër në këto çaste historike.

Kur banorët e Kufës e patën thirur Hazreti Huseinin që ai t’u prijë për t’iu kundërvu Jezidit pasi që ai e kishte uzurpuar pushtetin pa të drejtë, ai pa një pa dy, përkundër këshillave të të afërmëve që mos të niset pasi shkonte drejtëpërdrejtë në vdekje, ishte nisur që t’u bashkangjitet njerëzve që kishin vendosur të ngrenë krye kundër pushtetit zullumqar. Si i pari i familjes së pastër pejgamberike Hazreti Huseini në nisje drejt Qerbelasë prej Qabesë së bekuar, pasi që e kishte kryer haxhin, të tubuarve rreth tij u kishte thënë : «  Mua banorët e Kufës më kanë ftuar që t’i kundërvihem të keqes, zullumit, padrejtësisë që i kanosen gjeneratave të ardhshme të popullit mysliman, t’i kundërvihem pushtetit i cili në kundërshtim me traditën e gjeneratave të arta pas Pejgamberit a.s. e kishte uzurpuar për familjen e vete pushtetin, pra, jam i ftuar që të luftoj për drejtësinë. Unë e di që Jezidi ka një ushtri të fortë të cilën unë dhe familja ime nuk ka mundësi ta përballojë, edhe atyre që më kanë thirur nuk ju besoj shumë, por ama kjo thirrje është për drejtësi kundër zullumit dhe unë do të nisem. Nëse unë sot nuk nisem prej këtij vendit ë bekuar për të treguar se jam kundër zullumit dhe me drejtësinë, atëherë gjeneratat e ardhshme do të më kenë shembull të konformizmit dhe deri në ditën e gjykimit do ta durojnë zullumin kokëulur duke pretenduar se ajo është traditë e familjes së Pejgamberit. Lëvizja ime është për hirë të drejtësisë dhe ngritje e zërit kundër zullumit ».

Këta fjalë të Hazreti Huseinit dhe kryengritja e tij kundër zullumit ka shërbyer si frymëzim për gjeneratat e ardhshme të myslimanëve por edhe të të tjerëve për atë se si duhet të sillen në shoqëri, por njëkohësisht ka qenë një ndër ngjarjet për të cilën më së tepërmi janë thurur vepra letrare në historinë e njerëzimit.

Edward Granville Browne ka shkruar : “… një kujtesë për fushën e njollosur me gjak të Qerbelas, ku nipi i Apostullit të Perëndisë ra martir, i torturuar nga etja dhe i rrethuar nga trupat e vëllezërve të tij të vrarë, ka qenë në çdo kohë që atëherë e mjaftueshme për të ndjell, madje edhe në emocionet më të vakëta dhe të pakuptimta, më të thella, dhembjen më të egër, dhe një ekzaltim të shpirtit, para të cilit dhimbjet, rreziku dhe vdekja tkurren në zhurmën e pakontrolluar “.

Nelson Mandela : “Kam kaluar më shumë se 20 vjet burg, pastaj në një natë kam vendosur të dorëzohem duke nënshkruar të gjitha kushtet e qeverisë. Por papritur mendova për lëvizjen Imam Husainit dhe Qerbelasë dhe Imam Husaini më dha forcë për të qëndruar për të drejtën e lirisë dhe çlirimit dhe unë e bëra.”

Charles Dickens : “Nëse Husaini do kishte luftuar për të shuar dëshirat e tij tokësore … atëherë unë nuk e kuptoj pse motra, gruaja dhe fëmijët e tij e shoqëruan atë. Prandaj, qëndron arsyeja se ai u flijua thjesht për Islamin “.

Antoine Bara: « Asnjë betejë në historinë moderne dhe të kaluar të njerëzimit nuk ka fituar më shumë simpati dhe admirim, si dhe ka dhënë më shumë mësime sesa martirizimi i Huseinit në betejën e Qerbelasë”.

Ka edhe shunë të tjerë që ky shkrim nuk mund t’i përnmbledhë që e kanë analizuar bërthamën emancipuese shoqërore të ngjarjes së Qerbelasë si një shtytës i rëndësishëm për përmirësimin e gjendjes shoqërore të njerëzimit. Ideja emancipuese shoqërore e Hazreti Huseinit dhe ngjarjes së Qerbelasë i shkatërron të gjitha tabutë për mosangazhimin shoqëror në relacion të ngadhnjimit të të vërtetës kundër zullumit. Pasi që nipi i Pejgamberit a.s. ishte në gjendje që të sakrifikohet së bashku me familjen e tij, të gjithë pasardhës të familjes pejgamberike atëherë çka ngelë për të tjerët që janë ndjekës të tyre. Gjithashtu një tabu tjetër shumë më e rrezikshme është edhe koncepti që ngjarjet të lihen të patrazuara. Është një debilizëm i skajshëm që të maskohet një sakrificë dhe mençuri  e thellë.

Masakra e Qerbelasë padyshim se ka shërbyer si një sulm indirekt ndaj të gjithë atyre që kanë dëshirë të mendojnë ndryshe nga pushteti dhe e ka shprehur urrejtjen ndaj të gjithë atyre që do ti kundërshtojnë. Krahas kësaj, përmes aparatit të pushtetit të asaj kohe, kanë krijuar një kurth midis ndjeshmërish të papajtueshme. Ata u përpoqën që të krijojnë edhe një letërsi hegjemoniste ku në trajtë të heshtur fajtor do të shpallej zotëriu i drejtësisë. Si dhe nga ana tjetër të krijohet një përshtypje se sikur mbrojtës të Hazreti Huseinit janë vetëm një grup i caktuar.

Pra, për fat të keq një situatë të tillë ne e përjetojmë në të gjitha kontekstet shoqërore edhe tek ne shqiptarët. Njeriu ynë totalisht e ka harruar konceptin e sakrificës për të mirën dhe drejtësinë, institucionet krijojnë përshtypjen se ata që ngrenë krye kundër zullumit shoqëror, madje edhe në trajtat më të moderuara intelektuale, janë njerëz incidental, disidentë të pakontrolluar e kështu me rradhë.

Shembulli i Hazreti Huseinit në Qerbela është pjesë edhe e letërsisë dhe kulturës tonë kombëtare. Naim Frashëri ka një poemë prej 25 këngëve ku në personalitetin metafizik të Hazreti Huseinit e ka vajtuar hallin e shqiptarëve. Naimi përmes Qerbelasë  përpiqet të na udhëzojë për sakrificën që duhet bërë për urtësinë, aristokracinë intelektuale dhe kulturore, drejtësinë si dhe rebelimin kundër çdo lloji të padrejtësisë dhe zullumit që i bëhet një populli apo një shoqërie të caktuar. Për ta kuptuar si duhet kontekstin e veprës së Hazreti Huseinit si dhe të  Naimit  domosdoshmërisht duhet t’i kthehemi sfondit ideor në të cilin ishte e mbështetur ajo. Veprimi për ardhmërinë njerëzore, sipas tyre, ka mundësi të arrihet vetëm me përpjekjen për ta arritur plotninë. Ihsani/vepërmirësia aktive në brendinë e tij, krahas të drejtës e ngërthen edhe të mirën dhe virtytin. Si pasojë në ihsanin ka një kalokagati të theksuar , një relacion presionues etiko-estetik.   Poeti bashkëkohor Adonis në poezinë e tij “ The Tree of the East” ( Pema lindore) vargun e parë e ka filluar me këto fjalë:

“ U bëra pasqyrë”; mirëpo ai në realitet nuk ka dëshirë të thotë se është pasqyrë. Ai këtu flet për farefisninë, harmoninë dhe njëshmërinë që e ndërlidh qenien njerëzore me lëndën e pasqyrës.

Në të vërtetë, pasi që bëhet fjalë për një poet si Naimi, ai në rastin e Qerbelasë e paraqet rolin e poetit në reflektimin e realitetit. Ai më vonë, në poezinë e tij, flet për lulet, ujin, bagëtinë që gjithashtu kanë karaktere reflektive. Si pasojë, Naimi, nëpërmjet të përdorimit të idiomave të ndryshme e paraqet transferimin e idesë transcedentale nëpërmes artit dhe kulturës në shoqërinë njerëzore. Në një mënyrë ai përpiqet ta identifikojë realitetin e qenies nëpërmjet bukurisë së transformuar në rrjedhat artistike dhe kulturore të botës. Ngjarja e Qerbelasë është e rëndësishme për njerëzimin, nga njëra anë na pikëllon, ndërsa nga ana tjetër përmes pikëllimit/huznit na krijon shtigje për ta dashuruar të vërtetën, drejtësinë, familjen e Pejgamberit a.s…