Roli i artit, me të gjitha format e tij, është që të kërcejë andej kufive, t’i lëvizë pengesat dhe të vendosë kontakte dhe komunikim që fortifikatën globale, rrjedhimisht botën, ta shndërrojë në vend më të qetë dhe më të përshtatshëm për jetë dhe në audiencë ku njeriu do të jetë i lumtur dhe do të jetojë me sens. Por ama mendësia artistike bashkëkohore është ngulfatur në kufijtë e fizkusit njerëzor dhe assesi nuk ka kapacitet, që u tregua dy shekujt e fundit, ta joshë përmasën artistike të shpirtit njerëzor dhe si pasojë morri hov kiçi që edhe më shumë e futi në krizë edhe artin por edhe gjurmimin pas burimit të vërtetë të tij.
Në periudhat e krizës shpirtërore kultura dhe arti janë të skajuara në margjina, ata janë të fundtat për të cilat mendohet. Kjo është duke u vërtetuar në pjesën më të madhe të shoqërive njerëzore dhe për fat të keq këtë margjinalizim jemi duke e përjetuar edhe në diciplinat që s’mund të manifestohen pa artin, siç janë filozofia dhe feja. Mungesa e artit dhe kulturës në to është zëvendësuar me statistikën dhe përqëndrimin në kodet juridike. Por ama, trajtat e ndryshme artistike janë platforma të nduarnduarshmërisë, të dialogut dhe të vërtetimit të vlerave të caktuara dhe si të tilla e japin mundësinë, si performuesit ashtu edhe auditorit, që bashkarisht të parashtrojnë pyetje të rëndësishme për kohën dhe hapësirën e jetës. Është fakt se kriza është e pranishme, por ama, kultura dhe arti duhet të jenë burime të frymëzimit, shtytës dhe mundësi për t’u tejkaluar ajo, ose thënur ndryshe, të tejkalohen kufizimet e caktuara dhe të analizohen problemet esenciale të streseve dhe depresioneve në esencëne gjenit njerëzor.
Nuk ka dyshim se një nga segmentet e rëndësishme të artit është angazhimi dhe hapërimi shoqëror i tij. Vetëm në këtë mënyrë kulturën dhe artin mund ta vendosim në një pozitë dinamike. Për të qenë arti dinamik në shoqëri ka nevojë për frymëzimin i cili duhet të burojë jashtë kufive të shoqërisë, pasi nëse do ta kishte burimin brenda shoqërisë, siç është tash, do të shndërrohej në tautologji dhe bezdi. Arti e humbi dinamikën për shkak se nuk e ka lirinë e kalimit përtej kufive të shoqërisë dhe për fat të keq e përjeton burgun e lirisë fizike. Krahas angazhimit artistik shoqëror nuk duhet të harrojmë se ai ka obligime edhe ndaj vetes, rrjedhimisht ndaj esencës dhr burimit të vet. Pasi që frymëzimi konsiderohet transmisioni i idesë artistike nga burimi atëherë gjithsesi duhet seriozisht të mendojmë edhe për relacionin e artistit me burimin e artit dhe kulturës. Nëse këta dy elemente nuk bashkohen si duhet atëherë kriza e artit, së bashku me te edhe kriza e shpiritt, nuk ka mundësi të evitohet dhe arti e humb dimensionin real të tij. Pra, po qe se arti reduktohet vetëm në medium i cili do të komunikojë përmes temave që janë lëndë e brengave të përditshmërisë njerëzore atëherë s’ka dyshim që kultura dhe arti nuk mund të shtrojnë shtigje për të ardhmen dhe për shpëtimin nga gjendja e vështirë ku kemi rënë.
Arti kërkon distancë, ai i afrohet zjarrit, i prek temat e nxehta, por edhe i trajtëson ashtu që ta ruajë aktualitetin në një kohë të gjatë. A nuk është i tillë arti antik, ai i mesjetës? Ndërsa koha e re vetëm se është kthyer në revitalizimin e temave të antikës. Eskili, Sofokleu, Euripidi, secili në mënyrën e vet e kanë bërë të amshueshëm idenë e vet përmes miteve të ndryshme që në një mënyrë e paraqesin atë që është përtej, që rrjedh nga burimi esencial i të vërtetës. Mitet e tyre nuk janë reale por tingëllojnë me zërin e vërtetësisë absolute. Nëse konstatojmë se miti është i tillë, atëherë pse mos ta themi të njëjtën gjë edhe për arketipet artistike të përfaqësuar në revelatën hyjnore. A nuk është i tillë Ibrahimi, Jusufi, Musai, Isai dhe Muhammedi (paqa e Zotit qoftë mbi to)? Personalitet e larta, është fakt, se na kanë lënë në trashëgimi koncepte të rëndësishme që janë universale. Ne e ndryshojmë veten gjatë leximit të veprave të caktuara. Ata i lexojmë ndryshe në periudha të ndryshme historike, por edhe në periudhat e ndryshme të jetës sonë. Pra, i lexojmë ndryshe kur kemi 20, ndryshe kur kemi 30 dhe ndryshe kur kemi 50 vjet! Personalitet tejkohore dhe tejhapësinore janë ndihmësit tanë, ata janë bashkëbisedues, ndërsa ne në shembullin e tyre e gjejmë zërin që shpeshherë na mungon. A nuk është fakt se na mungon ky zë në brendinë tonë!?
Nuk ka dyshim se ne përpiqemi gjithnjë ta përkthejmë gjuhën e artit esencial në momentumin tonë dhe për të kërkojmë çelës adekuat. Ky çelës jo gjithherë është i njëjtë, ai ndryshon dhe mvarret nga ne, për shkak se edhe ne ndryshojmë. Artisti i përqëndruar realisht në burimin e artit çdoherë zbulon diçka të re dhe e trajtëson në forma të reja me qëllim që në periudha të ndryshme të gjejë ekuivalentin adekuat, ose më mirë thënur, estetikën adekuate që ta bëjë artin e tij joshës për shpirtin e kohës.
Lëndorja na ka robëruar në kullat e veta dhe s’kemi fuqi të çlirohemi…
Problemi i kullës lëndore është problem i shoqërisë bashkëkohore që vazhdon me inercion edhe në periudhën postmoderne. Është një problem ku individi nuk ka fuqi shpirtërore ta realizojë lirinë e tij metafizike, pra është brengë e çdo njeriu bashkëkohor i cili në vete ka bariera dhe limite të cilat gjithsesi duhet t’i tejkalojë dhe të hudhet përtej. Nga njëra anë kemi lirinë përmes parimit të vetërealizimit, ndërsa nga ana tjetër lëvizjen e disa kufive, rrjedhimisht, të murreve të kullës përmes komunikimit metafizik. Nuk ka dyshim se arti dhe manifestimi artistik është konteksti më adekuat për këtë, pasi aty njeriu hapet para ekzistencës. Koha e jonë, për fat të keq, i ndau disa kultura të caktuara njërën prej tjetërs. Feja dhe filozofia ngelën pa kulturë dhe art, ndërsa kultura dhe arti pa fe dhe filozofi!!! Ata më herët ishin elemente të konceptimit të përbashkët kulturor të njeriut. Në kët kontekst, them që, roli i artit është të kalojë përtej kufive, t’i lëvizë pengesat dhe të rivendosë kontaktin dhe komunikimin, me qëllim që këtë fortifikatë globale, këtë botë të errët siç thotë Mesha Selimoviçi, ta shndërrojë në vend më të përshtatshëm për të jetuar dhe në të cilën njeriu do të kishte mundësi të ec i lirë.
Për artin është shumë e rëndësishme që artbërësi ta ketë guximin ta pranojë krizën dhe të konkludojë për kërcim përtej. Disa herë kjo lëvizje ka mundësi të provokojë dhe ta ekskomunikojë artistin dhe artin e tij dhe të përballet me reperkusionet e veprës së tij. Por ama ky edhe është roli i artistit në shoqëri, ta pastrojë shoqërinë nga cipa e kalbur dhe letargjike dhe ta shtojë dinamikën në të. Por sa i përket reakcionit të shoqërisë ndaj veprës në fjalë, ai është ngushtë i lidhur me vetë vetëdijen shoqërore dhe assesi me veprën artistike e cila gjithsesi se e ka për detyrë ta hapë rrugën, të vendosë paradigma të reja dhe të krijojë hapësirat e lirisë së përgjithshme.
Anna Akhmatova, një poeteshë ruse, e ka shprehur mjaftë bukur këtë ankth të ngulfatjes në dhomën pa ajër të lëndores:
Nuk vura perde në dritare,
Që drejt e brenda të shikosh
Dhe kam gëzim (si mëkatare),
Se s’mund të ikësh, do qëndrosh.
Po s’është e drejtë e mos e prish,
Mëri e tallje mos i cyt,
Pagjumësia jote isha,
Dhe isha mall trishtimi yt.
Ndoshta disa herë e teprojmë kur përpiqemi të themi diç më tepër në lidhje me atë që me ndjenja e ka shprehur poeti dhe të konstatojmë se këtë e këtë ka pasur për qëllim të thotë. Un jam një kohë mjaftë të gjatë në pozitën e këshillëdhënësit dhe ta them të drejtën nuk po më pëlqen shumë ky kontekst veçanërisht kur bëhet fjalë për artin. Por ja që për fund duhet të them diçka në këtë trajtë. Është shumë e rëndësishme që artistët të depërtojnë thellë në brendinë e tyre dhe ta ngjallin institucionin e imagjinatës e cila ka mundësi të kërcejë përtej dhe të prodhojnë vepra me ide origjinale. Me një fjalë ata duhet të shohin ëndrra që të mund të mendojnë për sendërtimin e ëndrrave të tyre. Pa i pamur ëndrrat ata nuk sendërtohen. E di mirë që kjo nuk është e lehtë në këtë periudhë të krizës së përshpirtshmërisë, veçanërisht kur nuk ka hapësirë të nevojshme psiko-sociale për të depërtuar në thellësitë e shpirtit. Por ama artisti është i vetmi që ka mundësi të krijojë ambient dinamik për sfidat e krijimtarisë së të tashmes dhe të ardhmes. Është detyrë e të gjithë artistëve, këtu gjithsesi se mendoj edhe për artistët shqiptar, që në këto periudha të errëta për shpirtin artistik ta vitalizojnë atë dhe të gjenerojnë freski estetike në jetën e njerëzve.