“Le të mos e shprehë gjuha juaj turpin e vëllait tuaj musliman, sepse ju vetë jeni të mbuluar me një turp të bërë, dhe bota ka një gjuhë. Nëse vështrimi juaj vëren mëkatin që vëllai juaj ka bërë, mbulojeni atë dhe thoni: ‘O syri im! Oh syri im! ’Mos harro që edhe njerëzit e tjerë kanë sy!” (Imam Shafiu radijallahuanhu)
“Biri im, habitem me atë që lan fytyrën njëqind herë në një ditë dhe nuk e pastron zemrën e tij një herë në vit!” (Lukmani i urtë, radijallahuanhu)
Shkruan: Metin IZETI, Tetovë
Qytetërimi perëndimor, me supozimet e tij teorike, ideologjitë dhe dogmat është bërë një mënyrë jetese. Dhe, me të vërtetë, sot, nuk ka asnjë vend në botë ku nuk kanë depërtuar aromat dhe shijet e kulturës perëndimore. Civilizimi perëndimor është civilizimi i parë në histori në një shkallë gjithëpërfshirëse botërore. Edhe ndryshimi midis Lindjes dhe Perëndimit ka pushuar së qeni i dukshëm.
Të prekur nga pandemia, sfidat e ateizmit perëndimor, nihilizmit dhe kësaj lufte të re në të cilën kaq shumë gjëra janë të pakuptimta, parashtrohet pyetja se a kemi dëshirë dhe vullnet të shohim fytyrat tona dhe të pyesim: Pse na është dhënë kjo kohë të gjithëve? Kush jemi ne me të vërtetë? Cili është kuptimi dhe qëllimi i jetës sonë? A nuk mund të kthehemi kurrë tek “normalja e vjetër”, sepse ajo “normalja e vjetër” nuk ishte kurrë normale? A kemi vullnet për të ndryshuar, së pari në zemër, në vetëdije dhe pastaj në krahët e njëri-tjetrit?
Rruga e njeriut nga individi në person është e gjatë dhe plot rrugë anësore. “Ka shumë gracka dhe ka vetëm një shpëtim. Por, mundësitë e shpëtimit janë të shumta, ashtu si kurthet ”, – na thotë Franc Kafka. Në vend që individi të lëvizë përgjatë rrugës së lirisë së perceptuar (nga diçka, për diçka), ai mbyllet në vetvete dhe egocentrizmin e tij të vrazhdë dhe të verbër, duke e konsideruar veten qendrën e botës, duke kërkuar përfitim dhe pikë vetëm për vete.
E vërteta në Perëndim u bë njohje e varur nga njohuritë intelektuale të subjektit, kështu që jeta u bë gjithashtu një realizim subjektiv dhe Zoti u kuptua si një Subjekt absolut. Kështu jeta dhe e vërteta – përndryshe faktet e marrëdhënies dhe bashkësisë – u shndërruan në subjektivizëm antropocentrik. Kështu edhe vetë feja, e ndarë nga ekzistenca e saj reale, është shndërruar në religjion sipas dëshirës së njeriut. Feja, të cilën të gjithë e pranojnë individualisht, kanë dëshirë që vetëm si individ t’i dëgjojnë dhe interpretojnë dogmat e saj.
Nga momenti kur njeriu perëndimor u kthye te vetja dhe “pronësia e tij pa tjetërsim”, historia e Perëndimit filloi të lëvizë brenda gjinive të kundërta: publike-private, turmë-individ, objektiv-subjektiv, institucion-revolucion dhe, së fundmi, ekzistencë dhe nihilizëm. Individualizmi nuk është përcaktuesi i vetëm i civilizimit perëndimor. Ai, gjithashtu, bazohet në racionalizëm, d.m.th. në procesin e iluminizmit, i cili filloi në shekullin e 18-të.
Me marrjen e njësisë njeri, si masë e ekzistencës dhe jetës dhe veçimi vetëm i mendjes në të, të cilës njeriu ia dha thronin e Zotit, epoka e iluminizmit e vendosi njeriun që mendon në thronin e hyjnisë, duke i caktuar rolin e gjykatësit të pagabueshëm në gjithçka që mbart, sjell dhe nënkupton jetën. Dhe, për herë të parë në histori, e vërteta filloi të identifikohet me përkufizimin e saj, ndërsa dija dhe posedimi i të vërtetës me kuptimin individual të këtij përkufizimi. E vërteta identifikohet me njohjen dhe ndahet nga dinamika e jetës. Jeta vendoset në tempullin e logjikës, që ngrihet në autoritet më të lartë, qoftë nën maskën e rregullave morale, qoftë si kërkesë e veprimit shoqëror dhe kulturor.
E vërteta e vendosur në këtë mënyrë relativizohet aq shumë, saqë sipas asaj logjike, ka po aq të vërtetë sa ka njerëz që ulen në tryezë dhe flasin për diçka. Gjithkush ka të vërtetën e vet, sepse e vërteta e secilit është e vërtetë. Ndryshe, përse ai do të dëgjonte deri në fund bisedën, e lëre më ta dëgjonte tjetrin?!
Në planet dhe programet e sistemeve shkollore askush nuk pyet çka është e Vërteta! Pasojat e këtij ndryshimi të madh, në kuptimin e së vërtetës, do të bëhen themeli i jetës shoqërore dhe kulturore në Perëndim.
Individualizmi, moralizmi dhe absolutizmi politik janë produkte tipike ose mitologji të civilizimit perëndimor, që kanë rrënjë shumë të qarta në mësimet e filozofëve postskolastikë. Megjithatë, të gjitha këto janë pasoja, por jo shkaku! Pyetja është se cili është shkaku dhe cili është apo kush është shpëtimi…?
Ne jetojmë në një kohë frike dhe ankthi që janë në rrjedhën e gjakut të njeriut të sotëm. Frika është një reagim i lindur, i programuar gjenetikisht ndaj një stimuli të dhimbshëm, por frika nuk është vetëm një kategori psikologjike. Frika është ontologjike, sepse përfaqëson lidhjen midis qenies dhe njeriut, jetës, fajit, lirisë, kuptimit… në realitet fundi dhe vdekja është rrënja e gjithë frikës.
Pavarësisht se çfarë frike na pengon, qenia jonë gjithmonë përparon drejt fundit të saj në këtë botë, drejt skadimit të kohës së saj dhe ne mund ta pranojmë atë me frikë ose të përpiqemi për të mirën dhe qetësinë andej. Skadimi i kohës në këtë bote është i pashmangshëm, andaj sa më shpejt të pranohet siguria e fundit, më shpejt të bëhemi të lirë, të lirë nga frika, të qetë në një kohë që nuk ka fund, ndërsa fundi, në këtë rast, është vetëm një fund për ne në këtë botë…
Frika e njeriut bashkëkohor shpesh shoqërohet me dashurinë për veten, egocentrizmin dhe narcizmin. Personi, sot, e konfirmon veten me atë që ka dhe shpesh e bën atë që të tjerët e mendojnë për të. Disa kanë para, disa kanë shëndet, disa kanë status, disa kanë pronë dhe të gjithë kanë frikë se mos i humbin ato. Ajo që shpesh nuk shihet është se në të gjitha këto kategori ai nuk posedon asgjë fare, sepse ato janë të ndryshueshme dhe mund të prishen. Personi i bën të gjitha ato, në mënyrë që ta kontrollojë disi jetën e tij dhe jo vetëm të vetën, por shpesh (më shumë në mënyrë të pavetëdijshme, sesa me vetëdije) jetën e njerëzve të tjerë, por fatkeqësisht e humb kontrollin mbi veten…
Nga ana tjetër, ka shumë shkaktarë të ankthit: stresi i akumuluar, humbja e diçkaje ose e dikujt të rëndësishëm, një ndryshim i madh i jetës, një ndryshim i punës, zhgënjime të ndryshme dhe frika në rritje e shprehjes publike dhe frika për të qenë i guximshëm për diçka…
Spengler-i ia thotë në fytyrë civilizimit perëndimor: “Ti je duke vdekur!” Ai i dëshmon atij se është i sëmurë dhe i rraskapitur nga vetvetja. Ai e paralajmëron atë se është faustian dhe e sheh Faustin e Gëtes si një personifikim për frymën e tij të tjetërsimit dhe trazirave. Ai i sheh në të të gjitha shenjat e dënimit: garën për pasuri, numrin në rritje të të varfërve dhe të uriturve, luftërat dhe revolucionet, kapitalizmin dhe socializmin, ateizmin, pesimizmin, cinizmin, imoralitetin dhe demokracinë që nuk ekziston, sepse është e korruptuar, e kontrolluar dhe e frymëzuar vetëm nga paraja. Nga zoti i tij i vetëm…
Ndoshta më shumë se kurrë njerëzit sot tregojnë se sa janë të çorientuar dhe nuk e dinë se ku po shkojnë. Për një njeri që nuk ka themel, i cili e humb qendrën e tij, çdo pikë bëhet një udhëzues. Derisa kultura shpirtërore është ajo qe jep përgjigje në vijën e kulturës vertikale dhe horizontale, kurse, kultura individualiste vetëm pyet, hap dilema, e shteron dhe e vret veten.
Skllavopronarët e sotëm, të cilët e quajnë veten çlirimtarë, liberalë, e dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është çështja e lirisë për njeriun. Liria e brendshme është vetëdija për ta kuptuar veten dhe botën nga dëshira e Zotit dhe jo nga këndvështrimi i frymës së kohës dhe armikut qe here duket e here nuk duket… Por, sot thuhet se faji nuk është i njeriut, por i gjenit, natyrës, mjedisit… Faji i hiqet njeriut dhe njeriut i lejohet të lirohet prej tij… Perëndimi e mohon fajin. Askush nuk është fajtor dhe nuk ka nevojë që një person të pendohet apo të lutet.
Në të gjitha këto dikush ka harruar që te njeriu, në fund të fundit, ekziston diçka që nuk mund të manipulohet kaq lehtë e që quhet ndërgjegje! Çdo njeriu i është dhënë një ndërgjegje, e cila është organi i dashurisë në të. Ajo gjithmonë përfshin tjetrin, sepse ndodh që kemi gabuar ndaj dikujt dhe kjo na dëmton. Kur themi dhe ndiejmë se ndërgjegjja jonë po digjet, ne jemi në rrugën e duhur për ta zgjidhur këtë problem, kërkojmë falje – përqafohemi përsëri.
Kuptimi është gjëja më e rëndësishme në jetën e një personi dhe pikërisht për shkak të mungesës së kuptimit sot kemi kaq shumë probleme me varësinë nga droga dhe kjo është arsyeja pse ka kaq shumë vetëvrasje. Njerëzit nuk e vrasin veten sepse nuk kanë për të jetuar, por sepse nuk e dinë pse jetojnë!
Njeriu lind si individ dhe bëhet person vetëm në bashkësi me Zotin, me njerëzit e tjerë, por kurrsesi me ekranet e tij, video-lojërat ose, tashmë, në vetëmjaftueshmërinë dhe vetizolimin e tij…
Qytetërimi modern ka kohë që vdes nga sëmundje të ndryshme dhe, bashkë me të, e gjithë bota. Sidoqoftë, ajo dhe tërë njerëzimi kanë ku të dorëzohen me një dashuri të paimagjinueshme. Është Zoti që historisë, në çdo çast, i jep kuptim të ri dhe nëse ne i afrohemi nga një hap, Ai na afrohet me vrap. Njeriu nuk është i braktisur pa orientim në gjithësi. Atij i është dhënë përudhja nga i Lumi Zot, që do ta shpëtojë nga frika dhe do ta bëjë të lumtur në të gjitha dimensionet.
Por, ai nevojë për rinovim, por rinovim nga fillimi. Një përmbledhje e re me një fillim të ri. Rivendosja e kontaktit real me Zotin do të krijojë një lidhje natyrale ndërmjet njeriut dhe mjedisit përreth tij, do ta harmonizojë vendzënien e tij reale në botë.
Kjo është arsyeja pse them që dashuria ndaj Zotit e fut një person në mënyrën personale të ekzistencës, e cila është hapësira e individualizimit për të cilën na flet Carl Gustav Jung. Një individualizim që nuk ka asnjë lidhje me individualizmin”, i cili mund të përkthehet si “vetërealizim”, por jo vetëm i një personi individual, por i një grupi të tërë në të cilin njëri e plotëson tjetrin deri në pasqyrën e plotë.
Mënyra e vetme për të parandaluar që faji të kthehet në ankth është pendimi i sinqertë. Kur një person pendohet, atëherë ai çlirohet nga frika. Besimi është i rëndësishëm, sepse kemi bindje dhe shpresë jo vetëm në rehati, por edhe në vuajtje. Aty mënjanohen të gjitha! Nuk është e rastësishme thënia se “sëmundja vjen nga mbretëria e natyrës dhe ilaçi nga mbretëria e shpirtit”…