Agjërimi është në relacion të drejtë me përjetimin artistik të realitetit dhe, në një mënyrë, është shprehje e afirmimit, qoftë edhe ideor, të botës. Ato bashkërisht e vërtetojnë përmasën transcendentale të botës. Agjërimi është një përvojë religjioze, e cila e siguron formën e shprehjes adekuate emotive të një realiteti të përjetuar.
Shkruan: Metin IZETI, Tetovë
Arti, me të gjitha karakteristikat e veta, bashkëvepron në krijimin e imazhit të njeriut për veten dhe për të vërtetën. Si i tillë, ai i vendos kornizat e koncepteve kulturore dhe është pjesëmarrës në shumë relacione të ndërsjella në rrugëtimin e njeriut drejt lirisë dhe përjetimit të së vërtetës lëndore dhe shpirtërore. Adhurimi, në përgjithësi, ndërsa agjërimi, në veçanti, është në lidhje të ngushtë me artin, për shkak se në dyja rastet kërkohet vetëflijimi dhe sakrifikimi për hir të së vërtetës. Agjërimi është një flijim lëndor për ta përjetuar dhe për ta reflektuar dashurinë ndaj Krijuesit, ngjashëm si arti, që është flijim i lëndores për të përkapur të vërtetën e amshueshme tejlëndore. Arti, edhe kur është lëndor, në realitet është tejlëndor. Në esencën e agjërimit, si edhe të artit, ngërthehet vërejtja ekzistenciale për përmasën enigmatike të botës. Në këtë mënyrë ata bëhen pjesëmarrës në krijimin e një fotografie të re për botën dhe i vendosin kornizat reale të kulturës lëndore dhe shpirtërore. Krahas faktit se në periudhën kur jemi duke jetuar janë të shumtë zërat që bëjnë profeci në lidhje me fundin e religjionit dhe shmangies nga lënda për ta përjetuar të përtejmen, prapëseprapë adhurimi paraqet një faktor të rëndësishëm në jetën shoqërore të njeriut. Adhurimi, rrjedhimisht agjërimi, është një unitet, i shprehur artistikisht, i teorisë dhe praktikës, në rrugëtimin drejt njohjes ose, më mirë thënë, drejt lirisë së amshueshme. Në realitet, njohja dhe liria e amshueshme janë koncepte të analizuara në trajta shumë të ndryshme, mirëpo, unë, njohjen dhe lirinë e amshueshme, e kuptoj si shpërthim dhe grisje të perdeve lëndore dhe mundësi për të hapëruar në drejtim të imagjinatës. Në studimet e sociologjisë së fesë, Weber-i e ka theksuar ndikimin e realitetit religjioz në paraqitjen edhe të realitetit lëndor, veçanërisht nëse merret parasysh koncepti religjioz i cili e shikon botën si një harmoni e madhe, në të cilën njeriu inkuadrohet ose përpiqet ta formësojë atë.
Nëse e kemi parasysh edhe faktin se religjioni në vend të vetes e ka vendosur theksin në përqendrimin në të vërtetën, atëherë bëhet edhe më i qartë qëllimi i përbashkët i artit dhe religjionit në zbardhjen e së vërtetës ekzistenciale. Në rastin tonë, agjërimi, si akt religjioz, kërkon iluminimin në kontekst të së shenjtës, duke dashur që të arrijë në frytet morale dhe shpirtërore dhe ta mundësojë përjetimin e “çlirimit shpirtëror” dhe, në këtë kontekst, është në ujdi të plotë me artin. Pikërisht për këtë edhe agjërimi lirisht mund të kuptohet si një shteg i rëndësishëm artistik në çlirimin shpirtëror dhe përjetimin e lirisë së vërtetë.
Agjërimi është në relacion të drejtë me përjetimin artistik të realitetit dhe, në një mënyrë, është shprehje e afirmimit, qoftë edhe ideor, të botës. Ato bashkërisht e vërtetojnë përmasën transcendentale të botës. Agjërimi është një përvojë religjioze, e cila e siguron formën e shprehjes adekuate emotive të një realiteti të përjetuar. Duhet ta kemi parasysh edhe faktin se ideja e së shenjtës nuk zbulohet gjithnjë nëpërmjet përmasës racionale. Ajo e kërkon edhe përmasën estetike. Ndërkaq përmasa estetike e aftëson njeriun të shërbehet me trajtën e përshkrimit vizual ose tekstual metaforik, në kontekst të reduktimit, aq sa mundet, të transcendentales në imanenten. Si rrjedhojë, kjo e bën përvojën religjioze një burim të pashtershëm të mundësive artistike. Në këtë konteskt, Heidegger-i me plot të drejtë konstaton se “në veprën artistike paraqitet e vërteta e qenies”.
Agjërimi, ngjashëm si një vepër mega-artistike, në kontekst të ndërmjetësimit midis arsyes dhe emocioneve, të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes, midis qenies historike dhe absolute, e bën më transparent realitetin, e bën të tashëm, por njëkohësisht duke ia ruajtur enigmën dhe kompleksivitetin. Me këtë, agjërimi shndërrohet në folës të së fshehtës, shpirtërores, me fjalë të tjera shndërrohet në diskurs artistik për trajtësimin njerëzor të realitetit ekzistencial. Në përvojën e agjërimit është i gjallë Absoluti i religjionit dhe në të përjetësohet feja e gjallë. Distancimi i religjionit prej artit e bën të vdekur religjionin, ngjashëm siç e bën të vdekur agjërimin distancomi i tij nga përmasa e përjetimit të përvojës shpirtërore. Ndërsa distancimi i artit nga religjioni e lë atë pa ide dhe pa gjallëri transcendentale, gjë që jemi duke e përjetuar kohëve të fundit edhe me religjionin edhe me artin.
Në realitet, qëllimi im me këtë tekst nuk është që të flas për agjërimin si një prej obligimeve fetare, por të provoj ta paraqes përmasën e përjetimit artistik të agjërimit si një përvojë religjioze, kjo ngase kohëve të fundit përvoja shpirtërore e adhurimit, rrjedhimisht e agjërimit, është në krizë serioze. Shkaku i rënies në këtë krizë ishte përqendrimi i teologëve dhe fetarëve vetëm në përmasën juridike-praktike të obligimeve fetare dhe margjinalizimi i përvojës fetare. Si rrjedhojë e kësaj, është humbur edhe ndjenja artistike, e cila mund të lindë dhe të bëhet e gjallë nga përvoja shpirtërore. Historia islame është përplot me shembuj të dijetarëve të cilët, bashkë me rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore, i kanë paraqitur edhe përvojat e tyre shpirtërore në lidhje me temat e caktuara. Përvoja e agjërimit është një përjetim i veçantë i flijimit të lëndores për ta përkapur të përtejmen dhe për ta përjetuar dashurinë ndaj Zotit. Ky rrugëtim ka me vete edhe shumë stacione shpirtërore me delikatesë. Çasti i iftarit, kur qëndrojmë përreth tryezës përplot me ushqime të ndryshme, është një katarzë dhe çlirim shpirtëror që nuk mund të përjetohet në asnjë hapësirë tjetër. Në aspekt juridik fetar nuk është ndonjë detyrim që të qëndrohet përreth sofrës së iftarit, mirëpo nga aspekti shpirtëror kjo situatë i gris perdet e lëndores dhe e ngjall imagjinatën krijuese të besimtarit. Ndoshta, Zoti e di, ky është shkaku që Pejgamberia.s. në hadisin e tij këtë çast e krahason me çastin e qëndrimit para bukurisë së Zotit në Ditën e Ahiretit. Pejgamberi a.s. e konsideron çastin e iftarit si ekzaltim dhe emocionim me vetëflijimin lëndor dhe mundësi për të tejkaluar në botën e imagjinatës reale e cila edhe nga aspekti i artit është burimi kryesor i frymëzimit. Pjesa dërmuese e krijimeve në historinë e mendimit dhe letërsisë islame janë të bëra në periudhën e iftarit dhe të syfyrit. Ngjashëm si iftari, edhe syfyri është një ëmbëlsirë e veçantë e darkës qiellore përplot me delikatesa dhe zbukurime përmbi. Çastet e syfyrit janë përplot me ëndrra, metaforat e të cilave kanë ndikim real në jetën e njeriut dhe të cilat mund të ndikojnë dukshëm në zbukurimin e teksteve fetare me poezi dhe melodi. Agjërimi është një transformim i ynë në shëmbëlltyrën e Pejgamberit a.s., duke e përjetuar bukurinë, vlerën dhe traditën e tij si të gjallë dhe konstituive. Në këtë mënyrë disa periudha kohore përmbajnë raste aq shumë të mira dhe të veçanta, saqë njeriu – duke i shfrytëzuar ato raste – arrin në rezultate përcaktuese për fatin e tij njerëzor. Në këtë mes muaji i Ramazanit, si shpirt i kohës, ka një rol të pazëvendësueshëm në çuarjen përpara të procesit për përkryerjen shpirtërore të njeriut. Prandaj netët, ditët dhe çdo çast i këtij muaji, e çojnë njeriun në lartësitë e qiellit për ta shikuar bukurinë dhe madhërinë e Zotit. Agjërimi e kultivon devotshmërinë dhe sinqeritetin. Ramazani, muaji i agjërimit, është sezon dhe mundësi e madhe për ta fituar mëshirën dhe faljen e Allahut dhe njëkohësisht është rast për ta shpëtuar veten nga kthetrat e egos dhe për të kaluar në botën e të vërtetës.
Lutja dhe arti, thotë Franc Kafka, janë akte plot pasion të vullnetit. Përmes tyre njeriu dëshiron t’i përforcojë dhe tejkalojë mundësitë e normave të vetvetes së vetvetishme. Arti, njëlloj si lutja, është një dorë e shtrirë drejt errësirës në kërkim të prekjes së hirit hyjnor, i cili do ta shndërronte në dorë që ndan dhurata. Të lutesh do të thotë të bëhesh një me ylberin që shtrihet midis jetës dhe vdekjes, të shkrihesh krejtësisht në të, me qëllim që në rrëzëllimin e tij të pasosur ta shtrosh djepin e brishtë të ekzistencës tënde… Gjithashtu, ai me të drejtë konstaton se njeriu nuk rritet nga poshtë lartë, por nga brenda jashtë dhe se ky është kushti themelor i të gjitha lirive në jetë…
Agjërimi është një çështje serioze. Ai kërkon praninë e plotë të personit që agjëron. Kjo është mënyra më intime dhe personale e komunikimit me Perëndinë. Është takimi i të fundmit me të Pafundmin, i të vdekshmit me të Pavdekshmin, i shërbëtorit me Zotin. Këtë kontekst të agjërimit dhe lutjes ndoshta shumë mirë e ka trajtësuar filozofi i njohur mysliman Farabi në lutjet e tij. Ai lutet si më poshtë:
“O Zot i Lindjes dhe i Perëndimit! Më dhuro të gjitha tiparet fisnike, më beko me më të mirën e rezultateve të veprave të mia dhe m’i bëj të suksesshme qëllimet dhe synimet e mia.”
“O Zot! Më vish me rrobat e bukurisë, fisnikërisë së profetëve, me lumturinë e shpirtrave të pasur dhe të kënaqur, me urtësinë dhe përuljen e atyre që të frikësohen dhe të nderojnë Ty.
O Zot! Shpëtomë nga bota e pakënaqësisë dhe e zhdukjes dhe më bëj mua një nga vëllezërit e pastërtisë, një nga njerëzit e besnikërisë dhe një banor të qiejve së bashku me të drejtët dhe dëshmorët.”