Në një periudhë kur të gjithë jemi të përqendruar në përmasat lëndore të mbijetesës tonë në faqen e dheut, kur theksi vendoset kryesisht në çështjet e mbrojtjes së shëndetit trupor dhe shëndetit shoqëror, veçanërisht nga aspekti i ekonomisë, është shumë e rëndësishme që mos të harrohet edhe përmasa shpirtërore e cila, nga njëra anë e ka fuqinë e konsolidimit të brendshëm dhe psikologjik të njeriut, ndërsa nga ana tjetër e fuqizon edhe qëndresën dhe kujdesin lëndor ndaj epidemisë me të cilën përballemi.
Përkushtim shpirtëror në asnjë mënyrë nuk do të thotë neglizhencë e parimeve lëndore në përballjen me Covid 19, përkundrazi ai e motivon kujdesin sa më të përpiktë nga aspekti I masave të nevojshme, por do të thotë qëndrim konstant dhe I qëndrueshëm I individit në tejkalimin e vështirësive me të cilat përballemi.
Kur shqyrtojmë atë që është e nevojshme për jetën, nuk duhet të harrojmë se konsiderata jonë e parë duhet të jetë marrëdhënia jonë me Perëndinë. T’i kujtojmë fjalët e të lumit Zot në Kuranin fisnik: Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë. (Bekare, 2:186). Allahu xh.sh. është Gjithëpërfshirës dhe është në kontakt të pandërprerë me botën dhe njeriun. Afërsia e Tij është prehja kryesore në tejkalimin e vështirësive. Në një ajet tjetër të Kuranit thuhet: Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet. (Kaf,50:16).
Në luftën kundër së keqes së koronavirusit, arma jonë më e efektshme është marrëdhënia jonë me Allahun xh.sh. përmes lutjes dhe pendesës, devotshmërisë dhe adhurimit. Le t’i drejtohemi Perëndisë, i cili do të na çlirojë nga e keqja dhe Ai kurrë nuk nguron të përgjigjet me dashuri të pastër dhe gjithpërfshirëse. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për ne, gjithmonë, dhe veçanërisht në kohë krize, të kemi qasje në lutjen, përkushtimin dhe ushqimin e shpirtit me ibadet dhe përkujtim të vazhdueshëm të Allahut xh.sh.. Kjo kështu me qëllim që të njohim afërsinë e Zotit me ne dhe të qëndrojmë pranë Tij, duke e dërguar me vend apelin për ndihmën e Tij. Pa ndihmën e Zotit ne jemi vërtet të humbur.
Shpesh, kur e gjejmë veten në vuajtje të mëdha dhe madje përballemi me vdekjen, pyesim veten: “Ku është Zoti?” Por pyetja e vërtetë është, “Ku jemi ne?” Me fjalë të tjera, Zoti është me siguri aty që të na ndihmojë dhe të na shpëtojë, veçanërisht në kohë të rënda ose vdekje, por shumë shpesh ne jemi larg prej Tij për shkak të dështimit tonë për të pranuar varshmërinë tonë të plotë nga Ai dhe, prandaj, shumë shpesh tregohemi të pakujdesshëm në lutjen e përditshme ndaj Tij dhe në shprehjen e adhurimit.
Këto ditë dëgjoj nga shumë besimtarë të devotshëm, të cilët janë të pikëlluar dhe të dekurajuar nga pamundësia për t’u lutur dhe adhuruar në xhamitë e tyre. Ata e kuptojnë nevojën për të mbajtur distancë sociale, por gjithsesi kanë edhe vuajtje të thella për shkak të mbylljes së xhamive dhe pamundësisë për ta ndier aromën e këndshme të sexhdes në xhami. Por ama, në të njëjtën dritë, duhet të jemi të pikëlluar dhe ta shprehim pakënaqësinë tonë në lidhje me atë se sa larg është kultura jonë e përgjithshme nga Zoti. Jo vetëm që është indiferente ndaj pranisë së Tij në mesin tonë, ajo hapur lufton kundër Tij dhe rendit të së mirës me të cilin Ai na krijoi dhe na mbështet në ekzistencë. Mjafton të mendojmë për sulmet e dhunshme, që janë bërë të zakonshme, mbi jetën e njerëzve, sulme ndaj të palindurve, ndaj atyre me sëmundje të rënda, ndaj atyre me moshë më të madhe ose që kanë nevoja të veçanta. Për çdo ditë ne dëshmojmë përhapjen e dhunës në një kulturë që nuk e respekton fare jetën e njeriut, me mijëra njerëz vdesin urie ose si pasojë e apetiteve të pafundme të të mëdhenjve.
Gjithashtu, mjafton të mendojmë për sulmin e hapur mbi integritetin e gjinisë njerëzore, të identitetit tonë si mashkull ose femër, me mashtrimin se ne e përcaktojmë atë që duam për veten, shpesh duke përdorur metoda të dhunshme, një identitet gjinor të ndryshëm nga ai që na është dhënë nga Zoti. Me shqetësim në rritje, ne jemi dëshmitarë të efektit shkatërrues të të ashtuquajturës “teori gjinore” tek individët dhe familjet.
Ngjashëm jemi dëshmitarë edhe të qasjeve kur pak të këndueshmit nuk kanë guxim të thonë Zoti, me një fjalë përballemi me paganizëm që adhuron natyrën dhe tokën. Dëgjojmë të tillë që e quajnë natyrën nëna e tyre, sikur të kemi ardhur nga natyra, dhe toka është shpëtimi ynë. Por ne vijmë nga Allahu xh.sh. , Krijuesit të çdo gjëje. Vetëm tek Zoti mund ta gjejmë shpëtimin. Ndërsa tash, për fat të keq as si klishe nuk e kemi të pranishme moton: Na shpëto natyrë!!!, por edhe më skeptiku thotë: Zot, na shpëto…
Ne jemi dëshmitarë edhe të shumë ligësive të tjera që rrjedhin nga idhujtaria, duke adhuruar veten dhe këtë botë, në vend që të adhurojmë Zotin, i cili është burimi i të gjitha qenieve. Me shumicën e njerëzve që kam komunikuar këtyre ditëve, në lidhje me krizën aktuale globale të shëndetit bashkë me të gjitha efektet e saj anësore, thonë se kjo krizë – si individë, familje dhe shoqëri – do të na çojë në një ndryshim jete, do të na orientojë kah Zoti që me siguri është afër nesh, Falës dhe i Palodhshëm në mëshirën e tij dhe dashurinë për ne. Pa dyshim që Perëndia, me drejtësinë e Tij, duhet të rregullojë rrëmujën që mëkati sjell në jetën tonë dhe në botën tonë. Në fakt, Ai i plotëson kërkesat e drejtësisë me mëshirën e tij të bollshme.
Nuk ka fare dyshim se Zoti nuk na le në kaosin dhe shkatërrimin që prishja e barazpeshës në gjithësi, nga ana jonë, e sjell në botë. Në drejtësinë e tij, Zoti na sprovon për gabimet tona, ndërsa në mëshirën e Tij, Ai na tregon hirin për t’u penduar dhe përmirësuar. Në Kuranin e madhërishëm thuhet: Ai e pranon pendimin e robërve të Vet, i fal gjynahet dhe i di të gjitha çfarë punoni ju. Ai u përgjigjet lutjeve të atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira e u jep edhe më tepër prej dhuntisë së Vet, kurse për mohuesit do të ketë dënim të ashpër. Sikur Allahu t’i shtonte mjetet e jetesës për robërit e Vet, ata do ta mbushnin Tokën me mbrapshti. Por Ai u jep me masë, sa dëshiron, sepse Ai i njeh dhe i sheh mirë robërit e Vet. Është Ai që e zbret shiun, kur ata kanë humbur çdo shpresë dhe përhap mëshirën e Vet; Ai është Mbrojtësi i vërtetë dhe i Denji për falënderim. ( Shura,42:26,27,28)
Allahu xh.sh. asnjëherë nuk na e kthen shpinën; Ai kurrë nuk e prish premtimin e tij për dashurinë besnike dhe të qëndrueshme ndaj nesh. Kjo kështu edhe pse ne shpesh jemi indiferentë, të ftohtë dhe jobesnikë. Ndërsa, gjendja jonë e tanishme zbulon kaq shumë indiferencë, ftohtësi dhe mosbesim nga ana jonë, përderisa ne jemi të thirrur, si njerëz, t’i drejtohemi Zotit dhe të lutemi për mëshirën e tij. Ne jemi të bindur që Ai do të na dëgjojë dhe do të na bekojë me dhuratat e Tij të mëshirës, faljes dhe paqes.
Në kulturën tonë plotësisht të sekularizuar, ekziston një tendencë që lutja, devotshmëria dhe adhurimi të shihen si çdo aktivitet tjetër, siç është të shkosh në një film apo në një lojë futbolli, gjë që nuk është shumë e nevojshme dhe prandaj mund të anulohet për ndonjë punë më të “rëndësishme”, ose siç është tash rasti për shkak të problemeve që kemi me pandeminë. Shpeshherë, me qëllim që të qetësohemi I shikojmë tabelat e të infektuarve të ri, mos vallë do të ketë ndonjë lajm më optimist, por ama fatkeqësisht edhe më tepër stresohemi. Por, nuk duhet ta harrojmë se lutja, devotshmëria dhe adhurimi, mbi të gjitha përjetimi I afërsisë së Zotit janë thelbësore që ne të mbetemi shpirtërisht të shëndoshë dhe të fortë dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit në një kohë me rrezik të madh për të gjithë ne.
Për fund, shpirti dhe arsyeja, si gjithmonë, punojnë së bashku për të siguruar një zgjidhje të drejtë dhe të duhur për një sfidë të vështirë. Ne duhet të përdorim mendjen tonë të frymëzuar nga shpirti për të gjetur mënyrën e duhur për t’u marrë me pandeminë vdekjeprurëse. Kjo mënyrë duhet t’i japë përparësi lutjes, devotshmërisë dhe adhurimit, duke kërkuar mëshirën e Zotit për ne që vuajmë kaq shumë dhe që jemi në rrezik . Ne jemi të krijuar me delikatesën hyjnore dhe na është fryrë prej frymës së Tij dhe si të tillë gëzohemi për dhuratën e intelektit dhe vullnetit të lirë. Me ndihmën e këtyre dhuratave të dhuruara nga Zoti, duke ua bashkuar edhe – dhuratat e besimit, shpresës dhe dashurisë ndaj Zotit, ne do të gjejmë rrugën tonë në botën e sotme të tundimit që është shkaku i aq shumë trishtimeve dhe frikës. Mund të mbështetemi te ndihma dhe dashuria e Pejgamberit a.s. I cili na udhëzon dhe na siguron vazhdimisht se Zoti nuk do ta kthejë kurrë lutjen tonë dhe se do të na përgjigjet me mëshirën dhe dashurinë e Tij të pamasë dhe të pafund.
Me lutje Zotit për shëndet trupor dhe shpirtëror…