All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i gjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërus e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lidjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë.(Nur,35)

Koncepti i dritës/nur  është një ndër subjektet kryesore të filozofisë islame, në veçanti të krahut iluminist/ishrak të saj. Si e tillë më së tepërmi është reflektuar në sferat e filozofisë së artit islam dhe e bukura në veprat e artistike të proviniencës islame është e prezentuar me konsideratë të veçantë për dritën dhe rezatimin  e Subjektit nëpërmes saj në objektet hije të dukshmërisë.

Koncepti i dritës i përmbledh tre aspektetë ndryshme mes vete por komplementare:

  1. E vendos rendin qenësor të gjërave dhe përmasën manifestative të tyre; siç thotë Shihabudin Suhreverdi (Plaku i filozofisë së dritës) : Të fillojmë nga drita, pasi,atë më së tepërmi e admirojmë. Ajo e pasqyron Krijuesin brenda të krijuarës si dhe mirësinë e Tij.Krijuesit që ndriçontë gjitha sferat tejbotës, përreth botës dhe në botën.Ai formëson dhe krijon. Përfshin dhe kreh nga Vetja çdo gjë. Rigjallëron dhe tubon rreth vetes çdo gjë. Ripërtrinë stolitë e të dukshmes, pa Të çdo gjë do të ishte errësirë…ne të panjohur dhe për ne e panjohur…

Drita është lidhja e botës, një ind që e lidh brendalëndoren dhe tejlëndoren; Drita, thotë Molla Sadra Shiraziu, është pasqyrë e virtyteve tejfizike/qiellore, lidhje e të lartës me të poshtmen, me dritën qeniet bëhen të dukshme dhe epërfitojnë masën e tyre. Thënë me terme të reja, ajo ontologjinë e bart në fenomenologji dhe  me të gjithësia bëhet transparente.

  • E mundëson njohjen e gjërave, irfanin/ gnoseologjinë. Drita del nga burimi i Parë dhe i Vetëm që në thelb është i amshueshëm dhe prej aty lëshohet në zemrat e arifëve/njohësve dhe më pas në të gjitha përmasat e gjithësisë, pikërisht për këtë irfani dhe marifeti nuk arrihen vetëm me përpjekje racionale dhe lëndore, por edhe me pastrim të sfondit/zemrës , në të cilën do të reflektohet dhe manifestohet Drita e qiejve dhe tokës/Nuru’s-semavati ve’l-erd. Drita nuk është akcidencë e gjërave, domethënë nuk u shtohet më vonë, por është esencë, është në to. Rruga  e njohjes/marifetit niset nga përmasa lëndore dhe manifestative drejt asaj shpirtërore, inteligibile dhe metafizike. Sferat ontologjike të dritës e përcaktojnë edhe metodologjinë e njohjes.
  • Drita e mundëson perspektivën vizuele që i implikon në vete largësitë dhe simetrinë. Si pasojë, janë relativizuar epiqendrat dhe vendet absolute të hapësirës. I ndikuar nga mendimet e Suhraverdiut, Nikola Kuzanski do të zhvillojë teorinë e tij për hapësirën me të cilën do të shembet fizika klasike e Aristotelit dhe nga ana tjetër në perëndim do të zhvillohen teknikat e reja të perpspektivës figurative.

Si rrjedhojë, drita në hapësirë e ka mundësuar masën dhe simetrinë dhe i ka krijuar qendrat e veta hije  për të relativizuar esencialitetin e objektit me qëllim të vetëm të absolutizimit të Subjektit, në këtë rast, Zotit.

E bukura është përpunuar si e vërtetë gjeometrike. Trekëndëshi barabrinjës është më prezent se ai brinjndryshëm, pasi i pari ka më tepër të njëjta se i dyti; katrori është edhe më i mirë, për shkak se ka kënde dhe brinjë të njëjta në të gjitha anët, si në shembullin e Qabes, por më i bukuri është rrethi, ai i tavafit përeth Qabes, ku skaji nuk e ndërpret tërësinë e vëllimit. E tillë është edhe zemra.

Në këtë trajtë soditësi në estetikën islame është përqëndruar në përjetimin metafizik të identitetit absolut të Zotit, që është konsideruar si Dritëdhënës dhe Reflektues në objektin artistik. Si rrjedhojë e kësaj objektet fetare islame janë të ndriçuara fortë, ndërsa ata krishtere janë më të errëta.

Drita gjithashtu ka qenë shtytëse e shndritjes së ngjyrave. Estetika islame në këtë aspekt tregon anim të fortë në përmasat intuitive të realitetit. Përjetimi i proporcioneve dalëngadalë fillon të bartet në thellësinë e ngjyrave dhe të përjetohet në realitetin e dritës. Si rrjedhojë, soditësit ia mundëson katarzën e depërtimit në thellësitë e shumëngjyrësisë për ta rrokur pangjyrësinë e dritës.

Qëndron brenda xhamisë së Kordobës, në platformën e mbuluar nga të katër anët me figuracionin gjeometrik dhe shumëngjyrësinë , përballë mihrabit që është i thellë dhe i vendosur në një plan shumëkëndor, i kurorëzuar në pjesën e epërme nga një hark në formë patkoi, një rreth madhështor dhe rrezor me gurrë trekëndorë të dekoruar me mozaikë të verdhë, jeshilë dhe të kuqërremtë. Në harkun një strukturë drejtkëndore mbi të cilin janë të gjunjëzuara germa të theksuara prej ari mbi një sfond bojë qielli. E tërë kjo fotografi është e shtytur me forcë të papërshkruar nga elementi i dritës që i bie brendisë nga të katër anët dhe në proporcion përplotësohet me figuracionin brenda objektit, i jep gjallërinë. Së bashku ofrojnë drejtpeshimin si zjarrmia dhe drejtësia, apo dashuria dhe urtësia.

Menjëhershmëria dhe zakonshmëria janë cilësitë kryesore të estetikës islame për ngjyrën. Arti figurativ i klasikës islame nuk e ka kolorizmin e shekujve të mëvonshëm dhe i përdor ngjyrat elementare, por të vendosura në fusha të caktuara kromatike, dhe të cilat e tregojnë dritën thelbësore të tyre.

Rruga e pastrimit dhe njohjes së Subjektit në kuadër të objektit të estetikës islame, lëndën dhe ngjyrën e ka mjet, por ai është i fascinuar nga drita që bie në to. Objektet janë të ndërtuara që drita të depërtojë nëpër to. Ai depërtim mahnitës dhe i pandërprerë i dritës e frymëzon soditësin, në këtë rast udhëtarin drej të vërtetës.

Si rrjedhojë, figuracioni, ngjyra dhe drita e rënë e pasqyrojnë bukurinë e pashoq të Burimit të dritës, Krijuesit. Pasi Krijuesi në zakonshmërinë e tij është harmoni dhe simetri absolute dhe në atë mënyrë reflektohet së pari në zemrën e artistit dhe prej aty në objektin e artit… Burimi i dritës njëkohësisht është edhe burim i bukurisë, ashtu siç reflekton dritë ashtu reflekton edhe bukuri/ Nur- Xhemal.

Në fund vizioni i të krijuarës paraqitet si vizion i bukurisë, si nga analiza e përpjesshmërive që hasen në gjithësi  ashtu edhe nga ndikimi veprues i dritës dhe si të tilla janë të bartura edhe në teoritë e estetikës islame dhe objektet e artit islam.

Ndërsa soditësi e përjeton katarzën gjatë shikimit…