Qyteti I Tetovës kulminacionin e zhvillimit të vet kulturor, shoqëror dhe ekonomik e përjetoi në periudhën e Perandoriosë Osmane.Posaçërisht mund të veçohet periudha kur me qytetin e Tetovës kanë udhëhequr Rexhep dhe Abdurahman Pasha , respektivisht periudha e shekullit të XVIII dhe XIX. Në arkivet anembanë vendeve ku është shtrirë Perandoria Osmane ka një serë të dokumenteve të cilat diskutojnë lëmitë e ndryshme të jetës shoqërore në qytetin e Tetovës dhe më gjerë. Mirëpo shumica e tyre ende është duke pritur duart e hulumtuesve tonë që të pastrojnë pluhurin mbi kopertinat e tyre dhe të ndriçojnë shumë çështje të cilat keqpërdoren nga qarqe të ndryshme dhe me qëllime të posaçme.
Unë këtu në pika të shkurtëra do të ndalem në dy dokumente me vlerë të posaçme historike të cilat e prezentojnë në mënyrë tejet të qartë pozitën e Tetovës në shekullin e XIX.
Dokumenti I parë është Salname-ja (Vjetor. Një lloj vepre kronologjike e cila përshkruan gjendjen dhe ngjarjet e një viti të caktuar) e Vilajetit të Kosovës e shkruar në vitin 1894. Kjo Salname jep njohuri të hollësishme për shumë vendbanime (qytete dhe fshatra) të cilat në në periudhën osmane kanë qenë nën Vilajetin e Kosovës.
Njëri prej qyteteve I cili përmendet në te është edhe qyteti I Tetovës (Kalkandelen). Në te thuhet se Tetova është një qytet që gjindet afro 40 kilometra në perëndim të Shkupit, 40 kilometra rrugë malore larg Prizrenit dhe 30 kilometra larg Gostivarit në rrëzët e Malit Sharr. Shumica e vendbanimeve të qytetit janë të ndërtuara në rrafsh kurse një pjesë e vogël në kodrën e Baltepes. Në vazhdim përmenden bukuritë dhe pasuritë natyrore fascinante të cilat e stolisin nënqiellin e Tetovës dhe rrethinës së saj.
Qyteti I Tetovës së bashku me 152 katundet përreth saj ka 46,051 banorë meshkuj, 30348 prej tyre janë musliman kurse 15703 janë jomusliman. Ndërsa nëse u bashkangjiten edhe femrat, thuhet në Salname, atëherë përafërsisht ka afro 100.000 banorë.
Disa faqe të Salnames I kushtohen karakteristikave të tokës pjelllore të fushës së Pollogut në të cilën mund të kultivohen të gjitha kulturat bujqësore. Në veçanti theksohen mollat e Tetovës , të cilat në tregjet mbarë perandorisë kanë qenë të njohura si “molla shqiptare” (arnavud elmasi) dhe rrushi I cili kultivohej në vrreshtat e Balltepes. Në Salname poashtu përmenden emrat e 152 katundeve të rrethit të Tetovës,emrat e nëpunësve shtetërorë dhe shumë detaje në lidhje me jetën shoqërore tëTetovës së asaj kohe.
Në paragrafin e veçuar për vendbanimet dhe ndërtesat me karakter shoqëror të Tetovës thuhet kështu: “ Në qytetin e Tetovës (këtu hynë edhe pjesa e shtëpive në kodrën e Balltepes dhe Kalaja e Tetovës e cila është e ndërtuar në këtë kodër)ka 1950 shtëpi, një ndërtesë të komunës (hukumet konagi) , një postë ( telegrafhane), 12 xhami, 4 medrese, 7 teqe, një bibliotekë, 7 shkolla fillore muslimane dhe disa jomuslimane, 573 dyqane, 10 hane, 2 hamame,1 shadërvan,20 mullinj, 1 kishë, 5 ura etj. Mbi kodrën e Balltepes e cila u përmend më lartë, thuhet në Salname, Abdurahman Pasha ka ndërtuar një Kompleks Veror (Sajfije) e cila është e njohur si Kala. Ky kompleks është I ndërtuar me një mund të madh por tash (flitet për vitin 1894) është I braktisur.
Në tekstin e Salnames në detaje janë përmendur edhe shumë momente tjera, mirëpo ajo që ditëve të fundit është mjaftë me rëndësi dhe e okupon opinionin tonë e posaçërisht banorët e Tetovës është struktura dhe ndërtesat brenda mureve të Kalasë, për të cilën në Salname thuhet se është një pushimore ku Abdurahman Pasha I ka ka kaluar ditët e bukura ,plot gjelbërim dhe ajër të freskët të verës. Vërtetë është për tu habitur se çka kërkon kisha në pushimoren e Abdurahman Pashës I cili shquhet me devotshmërinë dhe lidhshmërinë e tij ndaj vlerave fetare Islame. Poashtu në tekstin e mësipërm u përmend edhe ajo se kodra e Baltepes ka qenë e banuar me qytetarë, mirëpo për kalanë (flitet për vitin 1894) tha që është e braktisur. Pra nuk vizitohet, pra nuk ekziston një objekt fetar respektivisht kishë në të cilën popullata I krynë obligimet fetare. Ky është njëargument I qartë se në kompleksin e kalasë së Tetovës deri në vitin 1894 nuk mund të flitet për kishë, por ajo është e ndërtuar në periudhën pas këtij viti me gjasa pas luftës së parë botërore.
Momenti I dytë mjaftë me rëndësi është në atë se në përshkrimin e vendbanimeve të qytetit, në Salname thuhet se Tetova në vitin 1894 ka vetëm një kishë edhe atë brenda në qytet, që edhe njëherë qartëson çështjen e mosekzistimit të kishës brenda mureve të kalasë së Tetovës.
Dokumenti I dytë me rëndësi në lidhje me strukturën e kompleksit të Kalasë së Tetovës është një poemë e shkruar nga ana e një udhëpërshkruesi Osmanlij prej Qiproje Këbrësllë Ashëk Kenzi, I cili dy herë – në vitin 1825\26 dhe 186o – e ka vizituar Tetovën dhe është pritur në mënyrë mjaftë aristokrate nga ana e Abdurahman Pashës.
Këbrësllë Ashëk Kenziu ka disa poema në lidhje me Abdurahman Pashën dhe Tetovën por ajo që neve këtu na intereson është Poema kushtuar Balltepes ( Dasitan-I Balltepe).
Në këtë poemë Ashëk Kenziu përshkruan edhe hollësitë më të imta të Kalasë të cilën e ka ndërtuar Abdurahman pasha në malet e Sharit , respektivisht në kodrën e Balltepes. Ai një nga një përmend karakteristikat ndërtimore dhe estetike si dhe godinat brenda mureve të Kalasë . Duke filluar, thotë Kenziu, prej çeshmës e deri te hamamet çdo gjë është përpunuar në mënyrë superiore. Përmend gjelbërimet, lulet dhe të gjitha llojet e tyre, zërin e këndshëm të bilbilave, bazenet, pallatin dhe shtëpinë e Abdurahman Pashës, vorret e evlijave të varrosur në Balltepe por në brendinë e të gjitha këtyre detajeve as një fjalë e vetme për kishën e mos të bisedojmë për kryqin me dimensione gjigante.
Unë këtu në përkthim të lirë do të jap disa strofa të poemës e cila gjithsejt ka 27.
Poemë kushtuar karakteristikave të Balltepes dhe lëvdatë
Për Abdurahman rasim Pashën
Balltepej një kodër e shenjtë
Rasim (Abdurahman) Pasha vendosi aty një themel
Unë nuk pashë ndërtesë më të bukur
Edhepse shumë eca e shëtita anembanë
Një vend dëfrimi është se ka shoqin
Porta e madhe e punuar në stil Horasani
Ai që hynë në pallatin brenda Kalasë
E humb veten padyshim zotëri.
Të katër anët gurë, kudo vatan
Trupi I saj I rrethuar me dy kat gurrë
Brenda në te pusi, bazeni për uj
Uji I saj ka shije të pashoq….
Ashëk Kenziu në 27 strofat e poemës kushtuar kalasë përmend të gjitha ndërtesat brenda kalasë por askund nuk bën fjalë për një kishë në brendi të saj.
Prandaj duhet të dijmë se vetëm kultura, trshëgimia e denjë dhe civilizimi nuk bëhen me dhunë dhe me zor. Ne si banorë musliman të këtyre viseve asnjëherë nuk kemi qenë kundër vlerave fetare të konfesioneve tjera. Gjatë sundimit të shtetit Osman në viset tona janë ndërtuar më tepër kisha se kurdo më parë. I krishteri, hebreji edhe në sarajin e Sulltanit I ka gëzuar të gjitha të drejtat e jetësimit të princioeve dhe vlerave të veta fetare. Mirëpo këtë botëkuptim të tolerancës dhe respektit ndërfetar të cilin neve na e inspiron Kurani, shumë rallë e hasëm në ithtarët e feve tjera.
Vendosja e kryqit gjigant në një objekt kulturor I cili me strukturën e tij as për së afërmi nuk është adekuat për një gjë të tillë , orvatja e cila do të rrënojë dhe shkatërrojë autenticitetin e një kompleksi me rëndësi të posaçme historike, në veçanti për pasardhësit si në pozitë ashtu edhe në bashkëqytetarësi të Abdurahman Pashës është një vepër antikulturore, antifetare dhe në veçanti antihumane.