Ashik Kenzi ka lindur në Qipro në vitin 1210/1834 dhe dihet se emri i tij i vërtetë është İbrahim Kasım. Kenzi, i cili emigroi në Anadoll në moshën 12-vjeçare me familjen e tij dhe u rrit në teqetë bektashiane, njihet si një rapsod dhe poet i cili ka kënduar edhe me sharki. Kenzi, ka lëvizur në jug dhe në perëndim të Anadollit, në viset e Ballkanit dhe shumë vise tjera të shtetit Osman. Më pas ai është martuar dhe është vendosur në Edrene, por nuk qëndroi kohë të gjatë aty. Pasi kreu shërbimin ushtarak në Maroko, u kthye në Qipro, por rrugës u ndal në Egjipt dhe gjatë qëndrimit aty ka shkruar një poemë ku e ka lavdëruar pashain shqiptar të Egjiptit, Mehmet Ali Pashën nga Kavaja, i cili aso kohe ishte guvernator i Egjiptit. Ashik Kenzi ka pasqyruar në poezitë e tij vendet që ka vizituar, luftërat në të cilat ka marrë pjesë dhe përshtypjet e tij. Ai, në vitin 1822 e ka vizituar Tetovën dhe ka shkruar disa poema për mikpritjen nga pashai shqiptar i Tetovës, Abdurrahman Rasim Pashai, më pas, për një trim të rrallë të Tetovës, i cili e ka pasur emrin “Sylë”.
Një nga poemat e tij, që i ka shkruar gjatë vizitës në Tetovë, është edhe poema për kodrën e Balltepes, ku ai ka qëndruar në veroren e Badurrahman Pashës, pra, në kalanë e Tetovës.
Në poemën që e ka titulluar “ Dasitan Nazm-i Evsaf-i Baltepe (Poemë e rrimuar për cilësitë e Balltepes)” ai në detaje i ka përshkruar godinat e verores (kalasë) së Abdurrahman Pashait dhe pamjen e Tetovës me fshatrat nga kjo kodër.
Ashik Kenziu poemën e tij për kodrën e Balltepes e fillon me këto vargje:
Cilësitë e Balltepes të përshkruaj
A më lejon, zotrote i dashur, të shkruaj
Godinat që në të janë unë t’i tregoj,
Një nga një, zotrote, t’i sqaroj.
Që në fillim të poemës, Ashik Kenziu, tregon se ndërtues i verores në kodrën Balltepe është Abdurrahman Pashai:
Balltepe, është një kodër e lartë
Rasim Pashai hodhi aty një bazë
Unë s’kam pa ndërtesë më të bukur
Edhepse në shumë vende jam dukur.
Gjatë përshkrimit të murreve të kompleksit në kalanë e Tetovës ai flet me entuziazëm dhe thotë:
Dy arshin të trashë e ka çdo murrë
Asgjë s’është ngat tyre fortifikata e Vanit (qytet në Turqi)
Në grykë është vendosur e kontrollon çdo anë
As një zog, fshehtas, nuk mund të fluturojë.
Në vargjet në vazhdim Ashik Kenziu e pëshkruan pozitën strategjike dhe të bukur që e ka verorja e Abdurrahman Pashait:
Gjoksin, në malin Sharr, e ka të mbështetur
Njërin krahë në drejtim të Prizrenit e ka zgjatur
Thelbin e ka me Zotin, fytyrën në kible të kthyer
Katër anë i sheh, zotrote, është e vyer.
Ashik Kenziu në këtë poemë, që mendoj se është e rëndësisë së veçantë, i përmend edhe tyrbet e të mëdhenjve shpirtërorë që kanë qenë të varrosur aty dhe përreth:
“ Nga njëra anë është Baba Jarani i shpellës
Karshi qëndron Sersem Ali Baba prekës
Katër anët, evliatë, ia mbrojnë
Njëri prej tyre është Kojun Baba, i thojnë.
Baba Jarani është një prej baballarëve bektashi që është i varrosur në kalanë e Tetovës, ndërsa tyrbeja e tij është prishur nga ushtarët serb në periudhën e luftrave ballkanike. Sersem Ali Baba është themeluesi i teqesë bektashiane në Tetovë, ndërsa Kojun Baba është themeluesi i teqesë bektashiane në fshatin Shipkovicë në malësi të Tetovës.
Në vargjet në vazhdim Ashik Kenziu e përmend edhe pozitën e qyteteve dhe fshatrave që zgjaten në vijë ajrore nga kodra e Balltepes. E përmend Dibrën, Kërçovën, fshatin Zhelinë, fshatin Saraqinë të Tetovës, që janë në drejtim të Shkupit, e përmend Shkupin, Ohrin.
Gjithashtu në vargjet e kësaj poeme të gjatë, Ashik Kenziu e përshkruan edhe anën estetike të arkitekturës dhe dekorimeve që janë bërë në kalanë e Tetovës nga Abdurrahman Pashai. Thotë që në murret e ndërtesave kanë qenë të vizatuara një numër i madh i qyteteve të mëdha të shtetit Osman, kopshti ka qenë i mbushur me lule të sjellura nga vende të ndryshme të lindjes dhe perëndimit, ajri në këtë pjesë të kodrës ka qenë shumë i pastër dhe i freskët. Poeti veroren e Abdurrahman Pashait në kalanë e Tetovës e krahason me kalatë e famshme të shtetit Osman, ndërsa Abdurrahman Pashain e lavdëron për mikpritjen, zemërgjerësinë dhe përkushtimin fetar që e ka patur.
Në vargjet e fundit të poemës, Ashik Kenziu, i kërkon një kalë Abdurrahman Pashait për të shëtitur viset e ndryshme të shtetit Osman, të cilin edhe ia dhuron Abdurrahman Pashai. Ashik Kenziu ka qenë i mahnitur nga bukuritë e Tetovës dhe mikpritja shqiptare e bërë nga Abdurrahman Pashai, prandaj edhe ia ka kushtuar një poemë edhe vetë pashait, por për këtë poemë do të themi diçka në shkrimin e rradhës.