Avangardat historike dhe artistike shekuj me rradhë kanë shërbyer si mundësi për kërcimet e vazhdueshme në ndryshimin e mendësisë individuale dhe kolektive të njerëzimit si dhe, pothuajse nga të gjithë mendjendriturit, janë konsideruar mjet i përkryer për zhvillimin kulturor dhe qytetërimor të popujve dhe shteteve të ndryshme në historinë e njerëzimit. Edhe historia shqiptare e qendisur me relacione dhe reciprocitet qytetërimor e kulturor me orientin dhe oksidentin nuk ka pasur mundësi që të mos jetë e ndikuar prej avngardave të ndryshme të paraqitura në hapësirat shqiptare në periudha të ndryshme të historisë.
Avangarda, nga njëra anë duket se e “kërcënon” traditën dhe trashëgiminë autoktone të një komuniteti apo hapësire, por ama nga ana tjetër ajo, gjithnjë, ka qenë shkak kryesor për përhershmërinë e tharmit ideor dhe intuitiv të tyre. Shtigjet kryesore të avangardave artistike mund të konsiderohen si destrukcione afazike të tërësisë qytetërimore, por ama, ky destrukcion, njëkohësisht, paraqet një përpjekje për të krijuar hapësirën e shprehjes dhe trajtësimit të asaj që është e paraqitur si një mirazh real nga pasoja e vapës së letargjisë kolektive. Si rrjedhojë, avangarda e merr rolin e lëvorebrejtësit që e mundëson depërtimin në thellësinë e reales dhe esenciales. Pretendimi thelbësor i avangardës është që të depërtojë në hapësirat mbilogjike ose imagjinare dhe si rrjedhojë shpirtin dhe frymën ta shndërrojë në shenjë, ose në një mënyrë ta kërkojë “të çmendurën” apo “parainstiktin” si do të kishte thënë Claudeu Levi- Strauss… Kjo përpjekje në një ambient semantik i bën lëndore format e realitetit shpirtëror të individit apo shoqërisë. Segmenti qendror i avangardës, i sipërpërmendur, e materializon jo vetëm lidhshmërinë midis shenjës semantike dhe realitetit, por edhe realitetit i jep një kuptim të freskët brenda sistemit të ri, pra prodhon një hije të realitetit të ri të platformizuar në idetë gjenerative të njerëzimit.
Pjesa më e madhe e analizave për avangardën harxhohet në leximin e ndryshëm të realitetit dhe si pasojë sulmohen institucionet dhe koncepti kulturor dhe qytetërimor i gjetur, ndërsa qëllimi parësor i avangardës është ta ndryshojë njeriun. Njeriu bëhet material i ndryshimit dhe destrukcionit individual; njeriu si krijesë e përkryer e Zotit duhet të largohet na cikluset letargjike dhe amullisë dhe të shpëtojë nga perdet biologjike të natyrës që e pengojnë ngjitjen drejt origjinës së tij. Avangarda e tillë tek ndjekësit e vet krijon ndjenjën e funkcionimit në amshueshmëri, në kohë të tashme të përhershme. Kjo kështu jo vetëm për shkak se avangarda matet me matëse utopike dhe se antipod i saj është anarkia, por pasi avangarda është gjendje e shpirtit me dorë të zgjatur përtej. Si rrjedhojë, hisotoria ka shumë pak pika takimi me ata që veprojnë në “amshueshmëri” dhe që e prodhojnë njeriun e ri në botë të re. Ky kontekst i avangardës në periudhën pas luftës së dytë botërore u fundos në dy situata diametralisht të kundërta me njëra tjetrën. Përderisa në lindje prodhoi në tautologji ideologjike të soc-realizmit, në perëndim u shndërrua në gjenerator të logjikës teknologjike të abstrahuar totalisht nga fryma. Në “demonizimin” e tillë të avangardës rol të rëndësishëm kanë edhe gjykimet jo të sakta dhe kundërshtuese me njëra tjetrën. Si rrjedhojë e kësaj praktike Georg Lukacs avangardën do ta konsiderojë si një lloj të dekadencës të kulturës qytetare, madje edhe si degjenerim qytetar, që në njëfarë mënyre e ka hapur rrugën e soc-realizmit për tu përpjekur ta çrrënjosë idenë e avangardës.
Duke filluar që nga vitet e tetëdhjeta të shekullit të nëntëmbëdhjetë kur është futur në fushën e interpretimit të veprës artistike në mendimin kritik françez, avangarda, është përdorur për veprimtarinë e qarqeve artistike poetika e të cilëve ka qenë me qëndrim kundër traditës duke e theksuar nevojën për krijimin e rezultateve të reja. Por ama, krahas asaj që aspirata për ta afirmuar të re’në është dukur në ballë çdoherë, opsesioni kryesor i saj është që të krijojë një mendësi për zgjim nga letargjia përmes manifestimeve që shpeshherë e kanë kritikuar edhe të re’në. Në realitet avangarda nuk dëshiron të prodhojë mendësi letargjike e cila do të kënaqet me lëvdatat për të kaluarën, do të përqëndrohet në realizimin shoqëror të miteve dhe legjendave historike si dhe në realizimin artistik të tyre, por mëton t’i lëvizë dhëmbët e çikrikut të historisë.
Veprimtaria shoqërore avangarde e ka rishikuar konceptualizimin e vendosur me modernen si për lëndën ashtu edhe për mjetet përmes të cilave arti ose shkenca prodhon në kuadër të një konteksti të caktuar shoqëror. Përcaktimet krijuese avangarde kanë lindur nga reakcioni ndaj parafytyrimeve hegjemonistike ndaj historisë dhe artit në shoqëritë lindore ose perëndimore, si dhe ndaj koncepteve dhe mjeteve mbi të cilat janë mbështetur këta parafytyrime. Si rrjedhojë, veprimi avangard ka qenë ndërhyrës, e ka problematizuar çështjen duke e problematizuar natyrën personale të brendshme por edhe natyrën e kuptimit të rolit, funkcionit dhe shprehjes historike dhe artistike në shoqëri.
Koncepti iluminist i autonomisë në kuadër të fushave të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, thotë Habermas, ka prodhuar dy qasje të rëndësishme ndaj artit. Qasja qytetare borgjeze artin e ka konceptuar si veprim të izoluar të veprimtarisë njerëzore i cili e ndjek ekskluzivisht vetëm logjikën e vete. Qasja e dytë, ai avangard, i “mohimit të kulturës” ishte rezultat i qëndrimit kritik ndaj konceptit hegjemon borgjez dhe pozitës të izoluar të artit në relacion me jetën. Të dytët kishin për qëllim që artit t’ia kthejnë jetën. Si rrjedhojë e kësaj ideje ata e kanë refuzuar projektin e modernizmit të mbrapshtë dhe të avancuar. Pra avangardistët ishin kundër projekteve për transformimin e shoqërisë përmes evolucionit kulturor. Imperativët e avangardës, analiza kritike e letargjisë aktuale dhe veprimi ndërhyrës në drejtim të përmirësimit të gjendjes shoqërore , në një mënyrë, ishin vazhdimësi e mendimit të amshueshëm për progres kulturor dhe artistik. Si rrjedhojë, përmes avangardës arti ka marrë pjesë transparente në transformimin dhe riaktualizimin e paradigmave shoqërore që e kundërshtonin qasjen hegjemoniste si të të re’së ashtu edhe të të vjetrës. Avangarda ka për qëllim ristruktuimin e jetës, shoqërisë, kulturës dhe artit në kontekst të përhershmërisë historike, pa i ndarë periudhat si copëza kohore autonome. Avangarda e ka hapur bisedën për vetëkritikën e autonomisë estetike të artit, për tejkalimin e kufive njerëzor në kuadër të konceptit të modernizmit të lartë dhe si rrjedhojë e ka problematizuar relacionin e objektit artistik, kontekstit dhe natyrës poetike në qasjen ndaj veprës. Vetëdija artistike dhe teorike e avangardës ka qenë e orientuar në demonstrimin e relacioneve të shumta të veprës me kontekstualitetet ideologjike dhe epistemologjike.
Artisti avangard përpiqet të gjejë alternativa thelbësore për gjendjen aktuale. Veprimtaria e tij është jashtë kornizave të parimeve ekonomike financiare. Pamundësia që avangarda të qëndrojë në këmbë vetëm në rafshin rivlerësimeve estetike e ka kushtëzuar atë që potencialet e saj të përdoren edhe në zbatimin e revolucioneve shoqërore dhe si pasojë tekstet avangarde të paraqitura në dekadat e para të shekullit XX. me vete e kanë bartur edhe projektin futuristik. Projekcionet futuriste të avangardës, do të konstatojë Flaker, nuk kanë qenë utopike, përkundrazi ata kanë shprehur lëvizje, zgjim nga letargjia, më drejtë, kanë paraqitur një proces të ngjarjeve dinamike dhe ndryshimeve strukturale. Ky koncept në realitet e ka rrënuar utopinë dhe rrotullimin në rreth të mbyllur. Projekcionet optimale e mundësonin zgjedhjen ndërmjet projekcionit dominant dhe të tjerave dhe si rrjedhojë domosdoshmërisht i kanë hapur dyert e zgjedhjeve dhe ndryshimeve shoqërore. Shumëllojshmëria e projekcioneve të mundshme shoqërore është siguruar përmes diversiteteve në tekstet avangarde, në të cilat rivlerësimi është arritur nëpërmjet strategjive të ndryshme, mvarësisht nga gjendja e traditës artistike ose kulturore historike. Funkcioni i veprimit avangard domosdoshmërisht ka ndikuar në paraqitjen e rivlerësimeve kulturore historike.
Nëse konstatojmë se ndërhyrjet avangardiste gjatë historisë kanë ndodhur në korniza të ndryshme gejeografike dhe kulturore dhe nëpërmjet të mjeteve të ndryshme metodologjike për realizimin e praktikave shoqërore dhe artistike, atëherë është e qartë se esenca e veprimit avangard është e përmbledhur në parimin e veprimit dhe rivlerësimit të çështjeve. Ky parim e mundëson vëzhgimin real të manifestimeve në realizimet e ndryshme kulturore shoqërore si pasojë e transformimeve të jashtme dhe të brendshme.
Proceset avangarde të veprimit dhe rivlerësimit në relacion me çështjet e historisë, artit, dhe zhvillimeve shoqërore nënkuptojnë qasje radikale drejt transformimit, riaktulazimit të të vërtetave në freskinë e çastit si dhe formulim teorik dhe praktik të termeve në profile të reja. Avangarda në teori dhe praktikë e ka problematiztuar konceptin e modernës, statusin e veprës artistike si fenomen shoqëror, pradigmat e botës dhe formacioneve historike. Në këto fusha janë krijuar fusha të paraqitjeve të transformura praktike dhe konceptuale si dhe të statusit dhe funkcionit të artit në shoqëri.
Mendoj që për ne shqiptarët mendimi avangard në eliminimin e letargjisë dhe miteve është domosdoshmëri…